Nga Pëllumb Kulla, 19 Qershor 2013
Ata që ftojnë për të mos shkuar në qendrën e votimit, apo për të vajtur atje e për ta prishur fletën e votimit bashkohen në dëshirën për një tërmet shkatërrimtar dhe shërues në botën e politikës shqiptare paskomuniste.
Që të dy propozimet janë të parealizueshëm. Se, fv, a mund të rrijnë pavotuar liderët e partive që paraqiten për t’u zgjedhur? Po familjet e tyre, shokët, miqtë, shtabet e tyre elektorale. Vetëm badigardët e kryeministrit plotësojnë votat për një deputet. A mund të bojkotojnë votimin të punësuarit e Berishës dhe të Metës? Po ata që janë larguar nga puna para tetë vjetësh dhe drithërojnë tani që ta rifillojnë veprimtarinë e tyre të paguar aty ku e lanë? A mundet pra en bloc populli shqiptar t’u tregojë derëdaljen klasës aktuale politike. Natyrisht, jo.
Bojkotimi I pjesëshëm, nuk bën gjë tjetër veçse favorizon qëndrimin në pushtet të një formacioni politik nga më të degraduarit në historinë kombëtare. Prandaj nëse ky popull i stërlodhur dëshiron që të shërojë një shtet të sëmurë rëndë, duhet të vrapojë drejt kutive të votimit, të votojë në mënyrë sa më korrekte, pa lënë mundësi që vota të lexohet turbull apo të interpretohet pavlefshmërisht.
Të dy koalicionet madhore krijuan këto ditë idenë e dy ndërmarrjeve gjigande të punësimit. Punësim, punësim, punësim! Kjo flet qartë që po ftohen të votojnë shtresa shoqërore barkthata, apo shtresa shoqërore sot të ngopura, por që nesër i tremben urisë.
Varfëria e ideve në fushatën e udhëhequr nga Sali Berisha e bënte atë monotone dhe përsëritëse të premtimeve të pambajtura. Retorika e tij ishte e dalëboje, mashtruese dhe të vetmet shkëndija gjallërimi ishin romuzet që i hidhte kundërshtarit, të cilit i trembet. Në dy muaj fushatë ai i quajti bashkëbisedim fjalimet e tij të pandërprera përpara të mbledhurish që kishin urdhër të mos pushonin asnjë çast brohoritë. I vetëdijshëm që në thelb qeverisja e tij tetëvjeçare ishte mjerane, ai radhiste shifra mashtruese që nuk ngrohnin njerëz, të cilët porositë për t’u dukur të ngrohtë i kishin marrë që pa ardhur para mikrofonit të demagogut të ngjirur. Berisha ndoqi një vijë logjike të dukshme: të tregonte se sa i keq do të jetë Rama, po t’i zerë vendin. Ish njësoj sikur të thoshte copë “ju betohem, ai do të jetë më i keq seç isha unë!”
Personalisht do të votoja për FRD-në e zotit Bamir Topi, i cili daç me të kaluarën prapa liderit të PD-së, daç me kufizimet konfliktuale, me të cilat e rrethuan ata që e vunë në krye të shtetit, nuk i ka shfaqur ende vlerat e tij reale. Edhe në pastë njerëz që nuk e njohin, apo që nuk e kanë dëgjuar gjatë shpalosjes së piksynimeve në fushatën e tij korrekte, pa fanfara dhe fishekzare, më shumë se sa do të votojnë Topin, ata do të antivotojnë Berishën. Dhe Berisha antivotimit i trembet. FRD nxjerr për votim apo përmban në potencialin e radhëve të veta, njerëz që kanë dhënë prova të dinjitetit dhe besnikërisë ndaj kanuneve të demokracisë, si zoti Topi vetë, apo zotërinjtë Oketa, Biberaj, Gumeni, Krasniqi dhe plot të tjerë. Votuesit që deri tani mbështesnin Berishën, që u ish afishuar tërë këta vite si antikomunist dhe si shërues i plagëve të regjmit të Hoxhës, (gjë që rezultoi një gënjeshtër madhore), kanë rast të provojnë FRD-në, këtë formacion, që është nga më të shëndetshmit, aspak i ngjashëm me ikanakët dhe ardhanakët dhjetoristë që formuan përkohësisht parti dhe fraksione karikatureske.
Kur vjen fjala te të majtët, Partia Socialiste ka të drejtën e saj të plotë të kandidohet në udhëheqje të koalicionit sfidues që do të marrë në dorë punët e vendit. Ajo ka rastin t’i kundërvihet edhe Berishës edhe ish liderit të saj butaforik Nano, që importoi mafien shtetërore dhe që pastaj ia la trashëgim nxënësit të tij më të etur, Sali Berishës. Përvoja kryesisht pozitive e Ramës në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, me siguri do të jetë në dobi të vendit. Njerëzit besojnë që qysh në start vetë përbërja e ekipit të tij qeveritar do të jetë një dallim i madh për mirë. Zgjedhësit e mbarë vendit le të urojnë që Rama të japë një shëmbull fisnik në braktisjen e politikës të spastrimit të njerëzve të punësuar me stilin “ikni ju se erdhëm ne” dhe që dëbohen me fjalën magjike “reformë”, aq të lodhur nga stërshqiptimi në tërë këta vite. Le të jepet një shëmbull i bukur i trashëgimisë së përvojës të këtyre njerëzve edhe pse me gjasa të punësuar me porosi partie. Koalicioni i fuqishënm opozitar duhet mbështetur masivisht në të mirë të gjithëve, bile edhe në të mirë të atyre që vazhdojnë për inerci e marrin Sali Berishën për antikomunist e votojnë verbërisht për të. Pastaj e majta ka edhe ajo shumë njerëz që i patën kthyer kurrizin votimeve dhe këtë radhë edhe ata duhet të nxitojnë drejt kutive.
Ndryshe le të mos ankohen e le të mos mallkojnë veten që lindën në këtë hise të globit tokësor.
Por të gënjyerit më të shumtë dhe dezertorët e panumurt të votimeve kanë qenë ata që e panë PD-në e ditëve të para, si një diell. U mbushën me shpresa se dielli do të ndrinte për pronarët e grabitur dhe do të ngrohte të goditurit politikë të regjimit enverian. Janë ata të mashtruarit e shumtë të Prijësit të Rremë, Sali Berishës. Shumë arsye, që nuk e kanë vendin t’i sqarojmë këtu, i mbajnë ata larg votimit në favor të të majtëve, dhe as të majtët ndofta nuk presin prej tyre. Por ju, të zhgënjyer të dashur, mund të shkoni dhe të antivotoni Saliun dhe kupolën e tij! A ju kujtohen vitet premtues 1991 dhe 1992, kur për PD-në tonë votonin qytetet dhe PPSh-së i kishin mbetur fshatrat dhe zonat e thella? Treguesi i degjenerimit berishian sot është i qartë. Ato fshatra e ato zona, tani janë të vetmet që u japin vota klaneve të PD-së, kurse qytetet nuk duan të dëgjojnë më për të. Shkoni drejt kutive dhe ju dhe dënojeni për Mashtrimin e Madh! Vetëm pa votuar mos rrini! Berisha me të vetët lutet e përgjërohet që ju të mungoni edhe këtë herë.
E po, po nuk votuat… Po nuk votuat, mos u ankoni dhe mos mallkoni më veten që lindët në këtë vend!
Kryetares së një parlamenti sakat, si ky që u mbyll, më duhet t’i marr hua një përcaktim të saj, atë që ajo ka thënë se “PD-ja nuk është gjë tjetër veçse Sali Berisha”. Është një nga të vërtetat shumë të rralla që ajo zonjë ka nxjerë nga goja e saj e papërmbajtur.
E pra këtë radhë udhërrëfyesi i saj duhet larguar me votë sa më të dukshme. Nuk jam aspak i rrëmbyer nga mërira, por qetësisht kam dëshirë të hedh dy tri penelata mbi portretin e tij politik.
Sali Berisha është shtetari postdiktatorial që më shumë se kushdo ka hyrë forcërisht në fatet e shtresave, grupeve dhe individëve të kohës së tij. Asnjë si ai nuk ka qenë i pranishëm si hije, në mbrothësitë apo vështirësitë e jetëve të sejcilit prej nesh. Mjerisht shumë dëme i ka sjellë ai shoqërisë, duke rrënuar ekonominë dhe vlerat njerëzore të shqiptarëve. Ka shpërdoruar pasuritë, ka mbjellë përçarje të frikëshme me çështjet e pronave, ka favorizuar të huajt në dëmtim të atdheut dhe në këmbim të favoreve për veten. Ai nuk është thjesht komunist, se mes armatës së zezë dhe fanatike, Shqipëria ka parë dhe komunistë me ndjenja të holla e me fytyra njerëzore. Sali Berisha është më keq se komunist, – është enverist i pastër! Është enverist në stilin e propagandimit të begatisë. Është enverist në paranojën e tij. Porsi Enveri, “veprat e pesëvjeçarëve” i ndërton në vetën e parë. Porsi ai ngazëllen pamasë kur e gjen veten në vargjet dhe tingujt çiftelikë të rapsodëve. Ky njeri ka trashëguar nga Enveri urrejtjen ndaj shtresave dikur të përmbysura. Urrejtja e shpjegon sjelljen dhe mashtrimet që u bën atyre në përmbushjen e nevojave dhe detyrimeve shtetërore. Ai më shumë se kushdo, ka trashëguar dhe përdor logjikën e “fajësisë nga prejardhja”. Të gjithë e dijnë se sa abuzon ai me “bllokmenët” dhe “bijtë e etërve” edhe kur vetë dhe shokët e tij më të afërt, sot, i ka nga pëpëshistët fanatikë dhe bile anëtarë të KQ. Për rivalin e tij kryesor, ai, përdredh dhe spërdredh të thënmen, se është nip i daj’ Spiro Kolekës. Kjo nuk është tamam-tamam ashtu, por atij kështu i vjen për mbarë dhe i nevojitet ky mekanizëm enverist. Vetëm me këtë shëmbull, njëzetre vitet me etiketën e demokracisë e bëjnë turpin mal: edhe sikur Edi Rama të ishte biri i Kolekës, demokrati Sali, nuk duhej të merrej me të. Rama, si edhe vetë gërnjari kryeministër, qëndron i mbështetur mbi të kaluarën vetjake. Ndërsa Rama-bebe, nuk e kishte në dorë të lindëte fv, në oborrin e Spiro Kolekës, Berisha, burrë i formuar tek të dyzetat, i përkëdhelur e rritur goxha kohë në Perëndim, kërkonte me ashk e me ngulm, vetë(!), të hynte në shërbim të Oborrit të Spiro Kolekës! O paturpësi uluritëse!
Dhe hyri. Që atëkohë, deri më sot jeta e tij është një pabesi e zgjatur pafund. Pabesinë e shfaqi ndaj Kolekës, vëllezërve Hoxha të barkës në Drilon, ndaj Hysni Kapos, Ramizit e Nexhmijes, ndaj të burgosurve, punëtorëve, familjeve të shpronësuara, studentëve, Leka Zogut, ministrave dhe deputetëve të tij, themeluesve të partisë, ndaj nesh, njerëzve që punuam tok me të, e pastaj, ndaj tropojanëve patriotë dhe gjithë shqiptarëve që deshin një ndryshim të madh. (Jo këtë ndryshim që ai shkruan qesharakërisht mbi foltore!) Ai takon mijëra dhe mijëra njerëz çdo ditë dhe nuk u tregon atyre se si i fyen ata me gënjeshtrat e tij. Gënjeshtrat janë fyese gjithsesi, por ato bëhen poshtëruese sidomos kur gënjeshtari nuk e vret mendjen e nuk lodhet që t’ua rrisë cilësinë dhe të mos i shpjerë aq ngjitur me të vërtetat. Njerëzve të urritur ai u thotë që janë të ngrënë. Udhëtarëve të troshitur e shkundur nga gropat mbi të cilat kanë udhëtuar të vijnë e ta dëgjojnë, u thotë që rrugët e vendit janë zili e Europës. Të sëmurëve që u rrijnë larg spitaleve ngaqë nuk kanë para për të dhënë nën dorë, u thotë se shqipot kanë sistemin shëndetësor më të mirin në botë!… Këtej deklaron se vendi që administron ai, ka 80 mijë të papunë dhe pas pesë minutash premton 250 mijë vende pune! A mos do të importojë të papunë grekë dhe maqedonas për 170 mijë vendet që do të tepërojnë?! Mallëngjehet para memorialit të themeluesit të PD-së dhe nënkryetarit të saj, Azem Hajdarit, dhe nuk shpjegon përse e pat luftuar dhe cilësuar hapur atë Azem, agjent të Sigurimit të Shtetit!
Një nënkryetar tjetër të PD-së, Bamir Topin, e ve në krye të Republikës, e njeh si Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pastaj ia harron këto cilësi dhe e quan njeri që do të përmbyste shtetin! E harron dhe këtë akuzë marroke dhe e fton në koalicionin e 23 qershorit! (E fton që shtetin ta përmbysin të dy?!!! Nuk e sheh vallë se e ka përmbysur vetë tashmë, pa ndihmën e Bamirit?!)
Kryeministri aksidental i Shqipërisë gënjen dhe gënjen pa pra… Pa u lodhur, se për t’u skuqur nuk prêt më njeri! Ai nuk shpjegon fantazinë e stilografëve-thika dhe çadrave-pistoletë, që do të hyjnë në letërsinë artistike të Ballkanit dhe Europës. Ai nuk shpjegon përse e pat shkurajuar UÇK-në dhe delegacionin e saj të Rambujesë. Nuk na dëften ku-e-kur është shprehur kundër embargos që OKB-ja i pat vënë Jugosllavisë, dhe ku-e-kur na e ka bërë të ditur këtë qëndrim, me të cilin përligji furnizimin e pandërprerë të Millosheviçit me karburantë. Ai nuk shpjegon asnjë gënjeshtër, ngaqë në takimet që bën me ministrat, me grupin e deputetëve dhe me zgjedhësit, ka vënë pyetjet nën embargo. Ai flet dhe këtij ia ve emrin bashkëbisedim. Ai flet dhe mendon që duke folur u ka dhënë përgjigje pyetjeve, të cilat tërë gjenijtë i dijnë që më parë. Këtë quan bashkëbisedim ai. Jo më kot ai nuk del në debat me kundërshtarët, siç në tërë botën është zakon në vigjilje të votimeve. Nuk del se aty nuk e ushtron dot embargon e pyetjeve dhe bashkëbisedimin e tij të famshëm. Edhe kur e ftojnë në televizion, ai jep përgjigjet pa ia bërë askush pyetjet dhe largohet. Pyetjet ia formulojnë më vonë. Vrasin mendjen që ato të shkojnë me përgjigjet që ai sapo ka dhënë dhe ia montojnë në hapësirat e përgjigjeve.
Ka 22 vjet që me ne ai nuk bisedon asnjëherë. Vetëm bashkëbisedon!
Ai duhet të jetë gënjeshtari më banal i tërë kohërave në tërë rruzullin tokësor. Ja, vetëm për këtë ai duhet ndëshkuar në kutitë e votimit. Mjafton kjo! Votimit nuk ka nevojë t’i shtohen edhe krimet në ekonomi dhe të vrarët që i faturohen direkt atij. Me to le të merret drejtësia më pas.
Të gjithë duhet të votojnë. Edhe ata që do ta lexojnë këtë shkrim me dhëmbë të shtrënguara dhe me zemërim të thellë. Ata e duan dhe do të votojnë në favor të Berishës, të parit të vendit. Ashtu le të bëjnë! E shoh me respekt votimin e tyre për të dhe sinqerisht i shtyj edhe ata drejt kutive.
Por shtyj sidomos ata që e shohin votimin me mosbesim. Në mosbesimin e tyre, a mos vallë duan të thonë, se është e kotë, ngaqë kryeministri u a vjedh votën, siç e ka bërë zakon? Kjo është e vërtetë dhe ka shumë të ngjarë të përsëritet. Megjithatë, o shqiptarë të mirë, ju duhet të votoni! Le të vjedhë! Në vend të njëqind votave, njëmijë apo tetëdhjetëmijë votave, është më mirë që Sali Berisha të vjedhë një milion! Është mirë që ai ta shohë se sa e do populli vërtetësisht!
Votoni, votoni, votoni! Po nuk votuat, ditshi Zotin, mos u ankoni më!