“Kur ne rrëzonim bustin e Enverit, krerët e PD ishin në seli”

0
31

Saimir Maloku akuzon kryeministrin Berisha dhe politikanët e tjerë të Partisë Demokratike për marrjen e protagonizmit të pamerituar për rrëzimin e diktaturës komuniste

Si e shmanga tragjedinë e 20 shkurtit ‘91 dhe nuk e lashë turmën të hynte në Bllok

Rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha

Më 8 dhjetor 1990 ishin me qindra studentë që protestuan ndaj qeverisë komuniste, duke i paraqitur një sërë kërkesash. Shumica e këtyre studentëve u bënë pushtetarë dhe politikanë shquar të Partisë Demokratike. Por kjo ishte një lëvizje spontane, ndërkohë që më 20 shkurt 1991, bashkë me 100 mijë protestues në Tiranë, ishin me dhjetëra-mijëra vetë të qyteteve të Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës etj., të cilët hodhën monumentet dhe bustet e diktatorit në qytetet e tyre. Kjo ishte për popullin tonë dita e rrëzimit të “Murit Shqiptar të Berlinit”

Asnjë nga deputetët e sotëm të PD-së. Siç ka treguar edhe një shoku im, Sotir Qirjaqi, i cili ishte shef organizativ i PD-së, të gjithë themeluesit e PD-së ishin në selinë e tyre, kurse një pjesë tjetër ishin futur në grevën e urisë me studentët.

Petrika GROSI

Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, sindikatat, si dhe një sërë shoqatash të të përndjekurve politikë kanë kërkuar së fundi vendosjen e 20 shkurtit si Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist. Përpos kësaj, një nga protagonistët e ish-të përndjekurve në radhët e para të protestuesve të 20 shkurtit 1991, Saimir Maloku, tregon ekskluzivisht për gazetën “Korrieri” mbi ngjarjet e asaj dite dhe mungesën në protesta të liderëve dhe themeluesve të Partisë Demokratike, të cilët për këtë shkak dhe për të qenë protagonistë, kuptohet, i japin rëndësi dhjetorit të 1990 dhe jo shkurtit 1991.

Saimir Maloku thotë se kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli kanë injoruar protagonistët e vërtetë të rrëzimit të diktaturës komuniste për arsye të ngushta dhe përfitime personale, duke mohuar kështu një të vërtetë historike dhe një festë, e cila pas propozimeve të mjaft partive dhe shoqatave të të përndjekurve duhej të shpallej nga Kuvendi, i cili e ka këtë kompetencë. Por me gjithë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe ambasadorëve të shteteve më të mëdha në Shqipëri për shpalljen e kësaj dite (20 shkurtit) si festë kombëtare të demokracisë, Saimir Maloku tregon se ende asgjë nuk është bërë, madje Berisha nuk ka mbajtur as premtimin e fushatës elektorale të vitit 2005 për ngritjen e një monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit në sheshin “Skënderbej”. Por intervista jonë nuk kufizohet me kaq. Personazhi i njohur për shumë shqiptarë rrëfen edhe mbi momentet e vështira të jetës së tij në burgim, gjatë punës së detyruar e deri te protestat e mëdha kundër diktaturës dhe përjetimin çast pas çasti të atyre momenteve të vështira, por vendimtare për të ardhmen e vendit.

-Pse pikërisht tani e ringrini çështjen e mungesës së një monumenti për viktimat e diktaturës dhe shpalljen e 20 shkurtit si Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist?

Në televizione po shohim politikanë, të cilët po thonë se 8 dhjetori i vitit 1990 është Dita e Rrëzimit të Murit të Berlinit dhe festa më e madhe e demokracisë në Shqipëri. Ditën e rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Hoxha, më 20 shkurt 1991 të gjitha mediat dhe vendet perëndimore e quajtën këtë moment si historik, si ditën e përmbysjes së diktaturës komuniste dhe të vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Kjo ngjarje ishte e shënuar për popullin shqiptar që vuajti për afro gjysmë shekulli nga diktatura komuniste. Rreth 700 mijë vetë janë burgosur, internuar, dëbuar dhe persekutuar gjatë kësaj kohe.

Mëse 4000 të tjerë u pushkatuan, sepse ideali i tyre ishte demokracia. Në këtë ditë të shënuar, rreth 100 mijë vetë në Tiranë protestuan kundër këtij regjimi të urryer komunist dhe i finalizuan përpjekjet e tyre heroike me përmbysjen e monumentit të diktatorit dhe të simboleve të tjera komuniste. Ju e dini se çfarë emocioni dhe gëzimi të jashtëzakonshëm përshkoi popullin e kryeqytetit gjatë këtij momenti historik. Të gjithë në shesh brohorisnin dhe qanin me lot, duke thënë “E hodhëm, e hodhëm qelbësirën!…” Brohoritja ishte se tani u përmbys sistemi komunist, ashtu si në vendet e tjera të Lindjes, të cilët patën fatin e keq si Shqipëria që të vuanin diktaturën komuniste.

Është për t’u habitur se gjithë vendet e Lindjes dhe të Ballkanit ranë viktima si të diktaturës fashiste, ashtu edhe të asaj komuniste. Le të kthehemi te pyetja juaj: Më 8 dhjetor 1990 ishin me qindra studentë që protestuan ndaj qeverisë komuniste, duke u paraqitur një sërë kërkesash. Shumica e këtyre studentëve u bënë pushtetarë dhe politikanë shquar të Partisë Demokratike. Por kjo ishte një lëvizje spontane, ndërkohë që më 20 shkurt 1991, bashkë me 100 mijë protestues në Tiranë, ishin me dhjetëra mijëra vetë të qyteteve të Korçës, Gjirokastrës, Shkodrës etj., të cilët hodhën monumentet dhe bustet e diktatorit në qytetet e tyre. Kjo ishte për popullin tonë dita e rrëzimit të “Murit Shqiptar të Berlinit”.

-Ku qëndron padrejtësia ndaj kësaj të vërtete historike dhe juve që keni qenë pjesëmarrës në protestat e asaj kohe?

Historinë e një kombi e bën vetë populli, i cili ishte fitimtar i asaj dite. Plot 45 parti politike, shoqatat e ish-të përndjekurve politikë, sindikatat, organizatat e ndryshme dhe gjithë komunitetet fetare, si dhe qindra personalitete të rëndësishme shoqërore e politike kanë kërkuar vazhdimisht që 20 shkurti të jetë festa më e madhe e demokracisë. Ne, të dekoruarit e 20 shkurtit 1991 nga Presidenti i Republikës, z. Bamir Topi, gjatë takimeve që kemi pasur me dhjetë ambasadorë të rëndësishëm kemi gjetur përkrahjen e tyre. Ndër këta ambasadorë mund të përmendim z. Xhon Uidhërs II (SHBA), Helmut Lohan (BE), Robert Bosh (OSBE), Manuel Montobio (Spanjë) etj.

Madje ambasadori gjerman Berndt Borchart para disa ditësh na premtoi se do të priste përfaqësinë e Protagonistëve të Dekoruar të 20 shkurtit 1991 që rrëzuan “Murin e Berlinit shqiptar”. Është gabim historik dhe politik që çdo politikan, i kujtdo partie qoftë, ta mohojë kontributin dhe heroizmin e atyre që u ngritën në këto protesta vendimtare. Habitemi sesi për afro 19 vjet kjo ditë e shënuar është harruar nga politika shqiptare?! Po futemi në Europë pa ditën e festës kombëtare të demokracisë.

-Para kësaj interviste më thatë se politikanët po e përdorin për interesat e tyre partiake festën e demokracisë?

Në demokraci secili ka mendimin e tij. Por unë nuk mund të lë që të mohohet kontributi i madh i shtresës së të burgosurve politikë, i sindikatave dhe popullit tepër të vuajtur të Tiranës. Ndërsa drejtuesit kryesorë të PD-së sot, atë ditë ishin brenda selisë së tyre. Unë si ish-i burgosur politik dhe pjesëmarrës i këtyre protestave mbroj interesat e popullit ku u linda e u rrita dhe të bashkëvuajtësve të mi.

-Po çfarë reagimesh keni marrë gjatë gjithë këtyre viteve për mosplotësimin e kërkesës suaj?

Presidenti Topi e mbështet kërkesën tonë tepër të drejtë së bashku me SHBA, BE, OSBE dhe vendet perëndimore nëpërmjet ambasadorëve të tyre në Shqipëri. Kompetencën e shpalljes së kësaj dite si festë kombëtare e ka Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave. Prandaj, për të mirën e demokracisë dhe në respekt të kontributit dhe sakrificës të këtij populli të përvuajtur, i drejtohemi kryeministrit Sali Berisha dhe kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli që 20 shkurti 1991 të shpallet si Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist.

Kjo është dita e çlirimit të Shqipërisë nga diktatura komuniste. Pra, kjo është dita e festës së ish-të përndjekurve politikë dhe popullit demokrat të Shqipërisë. Për të nderuar viktimat e regjimit komunist na keni premtuar qysh në fillimet e demokracisë, por edhe në fushatën elektorale të vitit 2005, se në mes të sheshit “Skënderbej” do të ngrihet monumenti në nderim të këtyre viktimave. Një ish-i burgosur politik, Hajredin Fratari, mori iniciativën që ta ndërtonte vetë këtë monument, por Ministria e Kulturës e ndaloi. Prandaj i lutemi edhe drejtuesve të këtij institucioni që urgjentisht ta marrin masat për ndërtimin e monumentit të munguar. Një popull që nuk ka ditën e fitores së demokracisë dhe simbol të martirëve të saj, nuk ka gojë të thotë se e ka vendosur demokracinë e vërtetë.

-E pra, a nuk duket se rëndësinë e kësaj dite që kërkoni ju si festë e kanë zbehur studentët e dhjetorit dhe vetë PD-ja, e cila e personifikohet pa të drejtë me demokracinë?

Siç e theksova dhe më lart, fitimtari e cakton ditën e fitores dhe ky është populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë.

-Çfarë keni ndërmend të bëni dhe si do të veproni nëse do të vazhdoni të injoroheni nga kryeministri dhe kryetarja e Kuvendit?

Drejtuesit e mjaft shoqatave dhe organizatave jo qeveritare dhe jofitimprurëse do t’i drejtohen presidentit Bamir Topi që të mos dekretojë asnjë datë tjetër me përjashtim të 20 shkurt 1991 si festa kombëtare më e madhe e demokracisë. Po kështu, do t’i drejtohemi edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pasur ndihmën edhe të Avokatit të Popullit.

-A keni ndonjë historian të njohur që ju mbështet, pasi po flasim për histori?

Edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, ish-kryeministri Aleksandër Meksi, Instituti i Historisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Akademia e Shkencave të Shqipërisë e mjaft personalitete të rëndësishme e mbështesin si të drejtë kërkesën tonë. Populli ka një fjalë tepër kuptimplotë, “Më mirë vonë, se kurrë!” Një popull që nuk kujton të kaluarën e tij, është i destinuar të shuhet si komb dhe nuk ka të ardhme.

-Atë ditë (20 shkurt 1991), ju ishit në krye të turmës. Na e përshkruani pak që nga mëngjesi e deri në mbrëmje se çfarë ndodhi?

Dola bashkë me gruan dhe dy djemtë e mi, Klevisi dyvjeçar dhe Rediani, 4 vjeç, që më vonë do të ishin protestuesit më të vegjël të asaj dite, të cilët u lagën me bojë të kuqe nga zjarrfikëset te Liceu. Dolëm rreth orës 8:00 të mëngjesit, po një ditë më parë kisha lajmëruar të gjithë shokët e mi, ish-të përndjekur politikë, si kryetar i Shoqatës të të Persekutuarve Politikë të “Rrugës së Kavajës” dhe rrugëve ndërmjetëse. Bëmë planin që ta merrnim situatën në krye e sipër dhe të përpiqeshim të rrëzonim monumentin, duke shfrytëzuar këtë rast tepër të volitshëm, si dhe të shtynim popullin që të hiqte simbolet komuniste të tjera, si parullat “Lavdi PPSH-së” te Pallati i Kulturës dhe të digjnit veprat te librari “Flora”.

Kjo situatë na u krijua kur ne protestuesit ishim pranë godinës së RTVSH-së. U vonuam pak nga turma e protestuesve që ishin në fillim, sepse unë me shokët dhe shoqet e mia nuk lejuam që një grup protestuesish të vrisnin gjashtë ushtarë të ndërhyrjes së shpejtë, të cilët i kapëm robër te ish-Drejtoria e Pritjes. Gjithashtu, grupi jonë nuk lejoi që të digjeshin dy makina IFA të policisë, të cilat ndodheshin pranë Liceut Artistik. Në këto momente tepër decizive, një grup nga shokët e mi që punonin në televizionin publik, si Bujar Kore, Tefta Radi, Muharrem Dhëmbi, Lulëzim Balla etj., më paralajmërojnë, duke më thënë që të mos shkonim te Blloku, pasi do të na vrisnin ushtarët e shumtë që ishin të pajisur me mitraloza të rëndë dhe me tanke e makina të blinduara. Në këtë moment, unë i bëj thirrje shokëve të mi që të shkonim te sheshi “Skënderbej” dhe të rrëzonim monumentin e diktatorit. Një djalë i ri i shtëpisë së fëmijës, Albert Risilia, me një rrip të kuq lidhur në kokë më thotë: “Xhaxhi, unë kam një parullë të cilën e kam vizatuar me bojë këpucësh në pëlhurën e perdes së dritares të konviktit dhe kam shkruar “Liri-demokraci”.

Urdhëroi protestuesit ta vëmë para këtë parullë (trimetroshe e gjatë). Kështu dola pesë metra para protestuesve, duke i komanduar. Gjithashtu s’duhet harruar grupi i shokëve të mi, si Lulëzim Brahja, Sanije dhe Gëzim Vojka etj., të cilët i bënin thirrje protestuesve që mundoheshin të futeshin te Blloku, për të mos e kryer një gjë të tillë. Turma u nis nga prapa Piramidës dhe hotel “Dajtit” e u vendos pranë Bankës së Shtetit. Në fillim u munduam të thyenim pllakat e monumentit, pasi kështu do t’i kundërviheshim policisë, e cila ishte me armë. Në këtë moment tepër kritik na informojnë disa njerëz që kishin të afërmit e tyre pranë gardës, se ushtarët ishin të armatosur me fishekë manovër. Kjo na dha kurajë dhe bëri që një grup i madh prej rreth 40-50 vetësh të turreshin drejt monumentit dhe të përlesheshin me gurë me policinë. Policia, e cila kishte vënë në përdorim makinën zjarrfikëse dhe makina të tjera me sirena të fuqishme, qen kufiri dhe disa policë që mbanin pushkë “Shotgun” u tërhoqën përpara turmës së madhe dhe guximit të saj.

-A kishte ndonjë personalitet të njohur krahas jush?

Asnjë nga deputetët e sotëm të PD-së. Siç ka treguar edhe një shoku im, Sotir Qirjaqi, i cili ishte shef organizativ i PD-së, të gjithë themeluesit e PD-së ishin në selinë e tyre, kurse një pjesë tjetër ishin futur në grevën e urisë me studentët.

-Së fundi, keni qenë i burgosur dhe i torturuar nga diktatura komuniste. Cili ishte momenti më i vështirë gjatë atyre viteve?

Hetuesia ka qenë vendi ku shkeleshin të drejtat themeltare të njeriut. Na rrihnin me shkelma e grushte, na mbanin të lidhur këmbë e duar dhe nga mesnata e deri në gjashtë të mëngjesit na linin në këmbë, gjysmë të zhveshur dhe pa batanije në mes të të ftohtit të dimrit. Na bëhej edhe presion psikologjik se do të na internonin familjet dhe do të arrestonin prindërit dhe të afërmit e tjerë. Vuajta tetë vjet e tetë muaj burg. Një tjetër moment i vështirë ka qenë kur me duart e mia kam nxjerrë trupat e pajetë të shokëve nga galeritë e minierës së Spaçit.

Aty pata dhe një rast tepër të rrallë për mjekësinë botërore, pasi shpëtova jetën e një shokut tonë, Pandeli Sterio, i cili piu gabimisht thuajse 400g alkool metilik (frenash). Ndërhyra menjëherë duke i bërë 12 lavazhe me ujë të ngrohtë e me sapun, si dhe duke e varur prej këmbësh atë. Gjithashtu i vura në gojë edhe bombolën e oksigjenit që përdorej për saldim. Pastaj theva kutinë e ndihmës së shpejtë, si dhe mora dy ampula adrenalinë, të cilat me një shiringë ia injektova Pandeliut direkt e në zemër për t’i shpejtuar rrahjet. Veç kësaj i lidha dorën me tel minash dhe i futa serumin që e mbanim me dorë. Me anë të një barele, unë dhe katër të tjerë e transportuam në një distancë 2 km, deri tek ambulanca e kampit.

Një moment tjetër tepër i rëndë dhe i dhimbshëm ka qenë gjatë kohës së hyrjes të shqiptarëve drejt ambasadave të huaja. Në kohën e protestave në “Rrugën e Kavajës”, nga një godinë pranë xhamisë na gjuajnë ushtarët e pajisur me snajperë. Një djalë i vogël 14-vjeçar, Spartak Deliu, plagoset rëndë nga një plumb që e godet në njërin sy dhe i përshkon trurin duke dalë nga prapa kokës. Ky djalë i vogël vdiq në duart e mia tek ambulanca përballë godinës së sotme të Ministrisë së Turizmit dhe Kulturës. Kjo ndodhi në prani të disa mjekëve dhe infermierëve. Me një triçikël me kabinë e çuam trupin e tij në shtëpi. I gjakosur dhe duke qarë nga dhimbja e thellë mbeta i shokuar për shumë kohë.

Kush është Saimir Maloku?

Në vitin 1976 ai është dënuar për disa kanoçe, të cilat i përdori për të kapur në televizor disa stacione të huaja, si dhe për takime me turistët e huaj që në vitin 1965. Akuza ishte për agjitacion e propagandë. Saimir Maloku kujton se gjyqi i tij u zhvillua në një sallë kinemaje në Burrel, ku 1000 vetë ishin në sallë dhe 1000 të tjerë përjashta që dëgjonin gjyqin nga altoparlantët. Ai pati kurajën të demaskonte regjimin, duke thënë se udhëheqësit kryesorë të Partisë, populli do t’i thotë në të ardhmen diktator si Stalini, duke i djegur dhe shkatërruar varrin, monumentin dhe veprën. Si dënim fillestar ai u mbajt 7 muaj në birucat e nëndheshme të degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, zbathur, pa asnjë lloj ndihme ushqimore nga familja dhe pothuajse zhveshur.

Lidhur me këtë ai tregon se ka hyrë në birucë 78 kg dhe kur doli ishte jo më shumë se 43 kg, si pasojë e sëmundjes së skorbutit dhe torturave fizike e psikike që i bënë. “Shtatë dhëmbë i hoqa me duart e mia”, kujton ai. Pas kësaj, Maloku do të vazhdonte dënimin në burgjet e Burrelit dhe të Spaçit deri në vitin 1985. Megjithëse pati mbaruar Universitetin e Tiranës për elektronikë me medalje ari, atë e lanë një vit pa punë pas lirimit nga burgu. Prej atëherë e deri më sot, Saimir Malokun e sheh me një çantë të vogël në duar, ku mban mjetet me të cilat riparon televizorët e shokëve, miqve të njohurve.

Ai është njeriu që shmangu gjakderdhjen ditën e 20 shkurtit 1991, kur në krye të turmës, i shoqëruar nga një fotoreporter spanjoll, nuk i lejoi demonstruesit që të hynin me forcë në bllokun qeveritar. Vetë ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani, i ka thënë Saimirit duke e puthur në ballë, se ai është dekoruar me të drejtë nga presidenti Topi, pasi kishte shmangur një gjakderdhje të madhe të mundshme ku do të vriteshin 300 vetë, sepse Blloku ishte i mbrojtur mirë me afro 500 ushtarë dhe armatim të rëndë. Kur Maloku u pyet nga ambasadori amerikan Xh. Uidhërs II, se çfarë kishte fituar nga demokracia, përgjigja ishte: “Unë plotësova idealin tim dhe të shokëve të mi bashkëvuajtës, ndërsa në pushtet shikoj shumë njerëz që i kanë shërbyer diktaturës së mëparshme dhe janë pseudo-demokratë”.

Saimir Maloku është dekoruar për kontribut në demokraci me Medaljen e Artë të Shqiponjës nga presidenti Bamir Topi (2009), gjithashtu ai është dekoruar për akte humanitare në shpëtimin e jetës së dhjetëra qytetarëve në fatkeqësi me medaljen e artë “Për Merita të Veçanta Civile” nga ish-presidenti Rexhep Meidani (2001). Për këto merita dhe vlerësime në vitin 2002, vetë Papa Gjon Pali II e ka pritur në audiencë në Vatikan Saimir Malokun bashkë me gruan dhe dy djemtë e tij. Ndërsa në vitin 2005, ai është fitues i çmimit ndërkombëtar të “Rotary International” “Alfredo d’Andrea”, për humanizëm dhe demokraci, ceremonia e të cilit u zhvillua në Termoli të Italisë.