Kur media humbet busullën e të vërtetës për veten

0
41

BELINA BUDINI, 11.11.2009

Në vijim të trajtimit të problematikës së mosreferimit të “tjetrit” në praktikën gazetareske shqiptare, do të ishte ndoshta e logjikshme të flitej edhe për një dukuri ekstreme dhe perverse në kah të kundërt, atë të përdhosjes së “tjetrit”. Por, për fat të mirë, kjo dukuri nuk karakterizon mediat serioze në vend dhe ata që e ushtrojnë këtë “gazetari” që nuk njeh asnjë normë etike, profesionale dhe humane, janë në pakicë. Për më tepër, këto media janë të refuzuara nga publiku dhe si të tilla mbeten jo vetëm periferi e spektrit mediatik, por edhe e shoqërisë shqiptare, e cila i ka tejkaluar me shpejtësi optika të tilla krejtësisht të deformuara të aktualitetit. E vetëquajtur “gazetari”, ajo nuk ka fare lidhje në fakt as me gazetarinë e opinionit, as me gazetarinë e faktit, dhe operon në një zonë të panjohur për gazetarinë moderne.

Përballë kësaj praktike ekstremiste, dukuria e mosreferimit të të tjerëve, që e kemi trajtuar tashmë, dhe ajo e vetë-referimit ose vetë-projektimit, të cilën do ta trajtojmë shkurtimisht këtu, mund të duken krejt të padëmshme. Për shkak të shtrirjes në një pjesë të mirë të spektrit mediatik dhe atij shoqëror dhe dozave të larta të përdorimit, këto praktika janë megjithatë po aq bajate dhe miope ndaj realitetit. Me natyrë psikotike, diagnostifikimi i “auto-referencialitetit” kërkon gjithsesi hulumtim më të imtësishëm. Shpesh ai që e manifeston këtë prirje mund të mos jetë madje i vetëdijshëm për gjendjen e vet. Bëhet fjalë për një lloj autizmi në të cilin duket se kanë rrëshqitur një numër mediash dhe aktorësh shoqërorë, të cilët dëgjojnë vetëm veten.

Kjo psikopatologji buron pikërisht nga qasja “introspektuese”, ose me fjalë të tjera shikimi i kthyer nga vetja. Në kushtet e një qasje të tillë, është i paralajmëruar rreziku i çrregullimit ose destabilizimit të vetes. Në fakt, është në filozofinë e komunikimit që “vetja ka nevojë për tjetrin që të jetë normale”. Pra, sipas pikëpamjes shkencore, vetëm nëpërmjet tjetrit është e mundur të arrihet vërtetësisht te vetja. Si rrjedhojë, kur nuk udhëhiqesh nga e vërteta përreth vetes por nga vetja në izolim, humbet as më shumë dhe as më pak se busullën e të vërtetës për veten.
Ky është deformimi në të cilin kanë rënë eksponentët e disa mediave. Nuk është fjala këtu për vetë-referimin ose vetë-projektimin që shfaqen në marketingun publicitar apo marrëdhëniet publike, të cilat janë strategji normale të komunikimit të jashtëm.

Bëhet fjalë për atë që është e brendshme tek subjekti dhe që shpërfaqet në marrëdhënien e tij me botën e jashtme si edhe në marrëdhënien me veten. Ky deformim është më problematik kur cenon kriteret profesionale dhe nuk mbetet në nivel estetik. Kështu ai mund të lexohet qartë në tërheqjen nga profesionalizmi të këtyre subjekteve. Kur e kalojnë periudhën e provës për të hyrë në zonën e sigurisë, këto media pretendojnë se mund ta prodhojnë vetë dhe të vetëm të vërtetën e kësaj bote, duke shkelur një nga një dhe në vazhdimësi normat dhe kriteret profesionale të objektivitetit dhe balancimit të të vërtetave.

Ata ndoshta nuk e shohin dot se si e izolojnë veten dhe humbasin kthjelltësinë e mendjes kur kërkojnë të na e paraqesin botën duke u nisur vetëm nga vetja si matëse e vlerave dhe meritave. Nuk e perceptojnë dot ndoshta sa qesharakë dhe të kufizuar duken kur nuk lënë rast pa u vetë-referuar, ndërsa spektri referencial ndaj të tjerëve vetëm ngushtohet. Duken po aq qesharakë sa edhe ata akademikët që gjysmën e bibliografisë së punimit të ri e kanë autorësi vetjake nga grimca punësh të vjetra. Duken po aq të kufizuar sa ato parukierët që shajnë prerjen e flokëve të çdo klienti që ka preferuar shërbimin e një parukieri tjetër. Në krekosjen e tyre, ata ndoshta nuk e shohin si i largohen dritës së diellit, duke rënë në errësirë dhe artificialitet. Miopia e tyre është aq e thellë sa nuk mund të shohin se përtej hundës së tyre ka jetë. Pretendimet e tyre janë ndonjëherë aq irreale sa edhe rikrijimi i njeriut të ri (lexo publikut të ri).
Së fundi, deformimi që ata prodhojnë për veten, nuk është pa pasoja edhe për të tjerët, pasi përhapet si fara e keqe, duke mbjellë deformime gjithnjë e më të mëdha të dinamikave mediatike, shoqërore, politike, kulturore. Këta janë totalitarët e rinj të sistemit, që kërcënojnë pluralitetin e ideve, zërave, alternativave. I garantuar deri në një farë mase nga tregu, megjithatë nuk mund të mjaftohemi akoma më me pluralitetin e prodhuar nga shumësia aritmetike e kanaleve të komunikimit. Për rolin që kanë marrë përsipër të luajnë, të paktën pjesa serioze e këtyre mediave, i detyrohen shumë më tepër publikut. I detyrohen komunikim të hapur, objektiv dhe të balancuar. Që ta bëjnë këtë, duhet që të reshtin së rrotulluari rreth vetes me drita të shkurtra dhe të ndezin dritat e gjata për të gjetur më në fund rrugën e profesionalitetit të lartë.