Analiza Nga MIRA KAZHANI, 01 Gusht 2013
Zoti Kryeministër në ikje, nga anët e mia, andej nga Mati thuhet një shprehje tallëse. Ja dëgjoja gjyshes në fshat kur ironizonte ndonjë komshi që e tepronte me llafe grash. “Është bërë si Hasani i grave” –thoshte gjyshja ime rahmet pastë. Nuk e pyeta kurrë se kush ishte e ç’kish bërë në jetë ky Hasani që emri i kish mbet ne histori si Hasani I grave dhe të shkretit turpi e tallja s’ju shqit as nën dhe.Një koleg në redaksi, sot ishte në dilemë nëse duhej të publikonte shënimin tënd të rradhës në FB. U ula dhe e lexova!
Mu përvesh fytyra, gati më prishe gjakun sepse u shfaqe Ti. U shfaqe si dikur thashethemaxhi, tallës, fyes, vulgar (me keqardhje e them këtë epitet sepse mendoj që je njeri që i ke disa vlera për pluralizmin). Por ku mu kujtua Hasani i Grave, dhe qesha mjaftueshëm për të mos u trembur. Sepse të them të drejtën, ti ende tremb pak. Ndonjëherë duket sikur do kthehesh sërish, ose më keq akoma, s’do ikësh kurrë. Vazhdon të merresh me piktorin, kur 8 vite ishe në pushtet dhe nuk gjete kurrë asnjë mundesi, vecc fjalëve të tua para kamerave dhe bliceve, që ta vije përballë drejtësisë, atë burrin e gjatë që do ulet në karrigen tënde të ngrohtë shumë shpejt.
Pse zoti Kryeministër në ikje, nuk e dënove këtë njeri që paska bërë kërdinë me korrupsion? Si është e mundur që i gjithë ekipi qeveritar paska bërë namin nën hundën tënde. Në qoftë e vërtetë, jazëk ty. Do të kenë hutuar llafet e lagjes, kështu është kur nuk punon, e merresh me llafe lart e poshtë në mbledhje të qeverisë dhe mbledhje të grupit. Nuk e paske bërë punën tënde mirë, dhe more atë që meritove! Por dyshoj, që të jeni të bindur në atë që thoni. Zoti Berisha, PD tashmë e ka një kryetar dhe lëreni atë të bëj punën për të cilën e keni zgjedhur vete, këtu e 8 vite më parë.Ekipi mund të jetë mediokër, mund të jetë i pasur dhe me vila. Unë si qytetare do lutesha të ishin të ngopur, sepse uria zakonisht ti errëson sytë.
Ka qënë një reklame e viteve -90 tek Rai, “nuk shohin sytë, nga uria”. Në paçin vila ata, ti gëzojnë kryeministër sepse po te qe për të numëruar pasuritë do duhej të niste nga ju. Edhe në vitin 2005, vajza juaj ishte një nga emrat që u listua tek të pasurit. Në atë kohë dole dhe the me krenari: C’prisnit smirëzinj që vajza ime, Gita, të ishte e varfër?!Pastaj vetë na ke mësuar në këto vitet e fundit që Shqipëria nuk është si Evropa, në krizë. Shqipëria është parajsë ekonomike. Pse të ka hyrë sherri me pasurinë tani?Në shënimin e rradhës, më zuri syri një etiketim te stilit tënd.
Përmendje të fejuarën e njërit prej ministrave më të rinj të kabinetit. Një vajzë re, e studiuar në Paris dhe që në asnjë çast nuk ka kundërmuar vulgaritet. E etiketoje pa ngurim, e sulmove pa mëshirë! Dhe të mendosh se mund të ishe gjyshi i asaj. Mu duk e rëndë, edhe pse ndoshta ata që janë në politikë janë regjur mirë më deklaratat e tua, dhe kushedi nuk ju ngec supa në fyt në këto ditë pushimesh.Gazeta jote po merret me gratë, me dashuritë, divorcet, familjen. Është fenomeni që ndërtuat, gjatë sistemit tuaj që shkërmoqet dita-ditës, orë më orë, madje edhe mes çasteve shihet fundi.Ndoshta kemi nisur një gabim të ri zoti Berisha, por është shumë e rëndësishme që gabimi i përsëritur, nuk je me ti.
Kishe një shans që të largoheshe si një europian nga zyra që tregove se e deshe si ballkanas. Por duket fushës, që këto gjërat me Europë brenda, janë vetëm fasada jote prej kohe të vjetër. Mu ndërmende më atë pardesynë bezhë të viteve -90 tani. Është një pardesy tipike e viteve të komunizmit dhe e rishoh shpesh nëpër foto familjarësh dhe filmash të vjetër. Kapitalizmi të solli me kostume elegant por modeli i pardesysë së vjetër, mbeti gozhdë në mendjen dhe ndërgjegjen tënde.Bëj si të duash, në daç ik, e në daç rri. Tani mënyrat e tua s’kanë më rëndësi. Lutu që kur unë të jem gjyshe, të mos jem aq spec djegës sa t’ju tregoj nipërve e mbesave për Hasanin e grave.