Nga Brizida Gjikondi
Neni 62 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë shprehet shkoqur dhe prerë se në mënyrë kategorike është e ndaluar që foltorja e parlamentit shqiptar të përdoret për të folur në mënyrë jo-etike, joparlamentare, për të fyer dhe denigruar. Gjithashtu, neni 63 e në vazhdim ofron dhe sanksionet që ndërmerr Kuvendi ndaj parlamentarëve “që lajthisin” në detyrë. Sa më poshtë po e zbardh saktësisht:
Neni 62
Rregulli dhe sjellja në KuvendAnëtarët e Kuvendit nuk duhet…, të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime…, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë…
Neni 63
Masat disiplinoreMasat disiplinore që zbatohen ndaj deputetëve janë:
a) tërheqje vëmendjeje;
b) vërejtje;
c) përjashtim nga seanca plenare;
ç) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 15 ditë.
Ky akt ligjor shprehet pa ekuivok në 5 nene të tij për sjelljen, etikën dhe sanksionet e deputetëve në zbatim të saj, të moralit parlamentar dhe përfaqësimit dinjitoz të elitës së kombit!
Prej ditësh nga foltorja e Kuvendit dhe foltoret e korridorit dhe oborrit të Kuvendit, ky akt i rëndësishëm dhe bazik ligjor, Rregullorja, është trajtuar si zhele, është qitur përjashta dhe është përdhosur deri në palcë, bashkë me të dhe morali dhe formimi intelektual i mbarë një kombi. Të gjithë jemi koritë, jo veç Baca Sali dhe cuca Jozefinë. Për ditë, për orë, në ekranet tona shfaqet një trim ose një trimëreshë, që shan e shan e s’ka të sosur, por pa përjashtim harrojnë se janë duke pështyrë lart!
Edi Ramën 2 herë e kam takuar në jetën time, s’ka nevojë për avokaturën time, por as unë nuk ndjej ta mbroj atë si individ, unë mbroj ligjin, etikën parlamentare dhe dinjitetin kombëtar! Në mbarë botën është e vërtetë që mediet, paparacët, përgjojnë dhe fotografojnë VIP-at e vendit, merren dhe botojnë thashetheme… por kurrë punën fitimprurëse të këtyre medieve rozë nuk e bën një kastë e tërë politike, pasi që nga ai moment diskreditimi, mendjelehtësia, vizioni dritëshkurtër dhe pasojat do binin mbi këtë klasë qesharake politikanësh tallagjarë. Ndaj ka Kushtetutë dhe ligje, ndaj dynjaja elitare i respekton!
Po e mbyll me një fakt të fundmë të kësaj Shqipërie ligjore qesharake, prej 3 vjetësh parlamenti, i kryesuar nga konfliktualja Jozefinë, ka aprovuar ligjin kundër dhunës në familje, çdo vit kjo zonjë, që dhunon dhe trishton çdo ekzistencë shqiptari modest, mbledh disa figurantë dhe me shqipen e saj të kontraktuar mban para tyre monologun e antidhunës, por pikërisht ky parlament dhe kjo mazhorancë arixhofkash s’ka aprovuar në tre vjet asnjë qindarkë nga buxheti i tyre megaloman për zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili do fonde të alokuara në gjykata, ku ngrenë paditë viktimat e dhunës, do fonde në njësitë vendore, qendra shëndetësore etj., etj…, por si përherë ka kohë që sundon filozofia… “të tjera bën dhe të tjera thua… që të më fusësh sherrin mua”.
Ah Shqipëri inferiore, ndërkohë që të gjithë po gëlojmë nga vdekja për së gjalli, ndërkohë që 50% e shqiptarëve vdesin nga zemra dhe 50% të tjerë nga kanceri (domethënëse), kupton që në fund të fundit të gjithë jemi nga pak dhunues dhe vrasës të njëri-tjetrit.