Kur krijon shtetin e gabuar

0
52

Nga: BESNIK GJONGECAJ

TIRANE – Më në fund shoqëria shqiptare ka arritur në gjendjen, në të cilën nuk e njeh i pari të dytin dhe anasjelltas. Si në një prodhim robotik, ajo po çmontohet me një shpejtësi tronditëse dhe prandaj, duke humbur lidhjet, duke u shpërbërë, pjesë të ndryshme të saj kanë filluar të mos njohin më njëra-tjetrën, të mos komunikojnë, madje po zhyten gjithmonë e më shumë në një armiqësi që bëhet edhe më e pashpjegueshme sa më shumë kalon koha. Truri, qendrat e neuroneve, kanë pushuar së emetuari impulse, sinjale, ose edhe kur e bëjnë këtë, sinjalet e emetuara janë çoroditëse, pa lidhje, të sëmura, haluçinante.

Njerëzit kanë humbur kthjelltësinë e vështrimit, dhe ajo që është më e rëndësishme, kanë humbur fjalët, nuk kanë më çfarë të thonë, vetëm përsërisin atë që kanë thënë më parë, shumë kohë më parë. Qytetarët e këtij vendi lëvizin në trupin e shtetit, të këtij organizmi robotik në shkatërrim e sipër, dhe ndjejnë që pjesa kockore e tij, institucionet, nuk i pranojnë më, madje nuk i njohin qytetarët e tyre, madje i shtyjnë ata. Armiqësia e lindur brenda këtij roboti gjigant po akumulohet me shpejtësi, duke krijuar një energji që, meqenëse nuk shkëmbehet me jashtë, shpejt do të rritet aq sa të shpërthejë muret brenda tij.

Është një armiqësi e dyfishtë ajo që po rritet në kufijtë e shtetit shqiptar. Para së gjithash është një armiqësi midis institucioneve të shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi, gjë që ka pushtuar hapësirën që do të duhej ta zinte vullneti i shqiptarëve për të pasur një shtet të vërtetë, demokratik. Pastaj është edhe një armiqësi midis vetë institucioneve brenda kufijve të shtetit, një armiqësi që ka zëvendësuar harmoninë, balancën midis pushteteve, kontrollin e ndërsjellë të tyre, sundimin e ligjit. Një gjë ka shkuar shumë keq dhe qytetarët e këtij vendi e kanë intuitën e nevojshme për ta kuptuar, megjithëse e kanë po kaq të vështirë ta shpjegojnë atë. Ata mund të shpjegojnë lehtësisht pse shteti i diktaturës nuk ishte i tyre, por ata nuk mund të shpjegojnë pse edhe një shtet tjetër, ky i sotmi, të jetë po kaq armiqësor sa ç’ishte ai para tij.

Nuk ka pushkatime pa gjyq, nuk ka internime, mund të flasësh kundër po të duash dhe pa u futur në burg. Por përsëri nuk është një shtet i qytetarëve. Diçka e rëndë ka shkaktuar këtë ngjashmëri fatale, megjithatë. Kësaj here qytetarët e këtij vendi nuk është se e lejuan shtetin të lindte, thjesht, pa i pyetur ata, si dikur. Këtë radhë shqiptarët menduan se ishin vetë ata që e krijuan shtetin, me votë sigurisht dhe pas rrëzimit të bustit në mes të Tiranës. Kjo gjë e bën edhe më të pashpjegueshme armiqësinë, e bën edhe më të rëndë atë. Edhe njëzet vjet më vonë shqiptarët kanë një shtet ku gjenden si të huaj, anonimë, kokulur, me fate që

Një stacion televiziv jepte një nga kronikat më të trishtueshme që mund të dëgjosh në ditët tona: u zhvillua seanca e 150-të e tragjedisë së Gërdecit dhe dështoi përsëri. Ajo zgjati vetëm 10 minuta. Jashtë sallës së gjyqit shqiptarët vazhdojnë të kryejnë ritualet: të hanë darkë, të flenë, të shkojnë të nesërmen në kafene. Mbi të gjitha vazhdojnë të heshtin, ekzaktësisht si të ishin në një vend tjetër, në një shtet tjetër, që mezi pret t’i kapë në gabim dhe t’i dëbojë jashtë kufijve të tij. Ata që janë në nëntokë nuk e dinë këtë, madje nuk dinë as numrin e vërtetë të seancave të dështuara, madje nuk e kanë fare idenë se sa kohë ka kaluar.

Ata nëntokë, prandaj, vazhdojnë të presin vendimin e gjyqit, ashtu të patretur, me besim të plotë te ata që kanë lënë sipër, mbitokë. Edhe të vrarët e 21 janarit po kështu. Edhe ata presin, madje, megjithëse nuk janë vrarë diku në mes kodrash në periferinë e largët të Tiranës si ata të Gërdecit, por qëlluan që u vranë në qendër të kryeqytetit, ekzaktësisht në bash të shtetit, midis luksit të bulevardit, atyre, të vrarëve, atje nëntokë, as që u shkon në mëndje që mund t’i ketë vrarë shteti, t’i ketë vrarë ai që ata e kanë krijuar me votën e tyre, pas diktaturës, sigurisht. Dikush i ka vrarë ata, megjithatë. Nën bezdinë sfilitëse të të qenit edhe nëntokë, edhe i patretur, të vrarët e bulevardit presin me padurim të dinë kush, dhe pas kësaj të vdesin përfundimisht, të bëhen siç iu ka hije, njësh me tokën, si ajo.

Ekzaktësisht në kohën që shoqëria shqiptare e mijëvjeçarit të tretë po shpërbën me shpejtësi lidhjet dhe organizimin e saj shtetëror, Kryeministri i vendit paralajmëroi festimet për 100 vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar. Ishte si të paralajmëroje të kundërtën: jo 100 vjetorin e një lindje, por 100 vjet shtërzim që nuk mbaron kurrë. Paralajmërimi i festimeve u bë në stilin e njohur të sajimit të një ngjarje që do të mund të relativizojë problemet e mëdha që kalon vendi. Kjo, megjithëse është në stilin qeverisës të diktaturave, nuk është shumë e rëndësishme në kontekstin e këtij shkrimi. E rëndësishme është se kërkohet të festohet ajo ngjarje së cilës i je kushtuar më pak. Jo vetëm kjo qeveri, por çdo qeveri tjetër, çdo krah i politikës, të gjitha krahët e saj.

Tragjikisht, ajo që ka qenë më pak e interesuar për ndërtimin e një shteti demokratik në Shqipëri, dhe jo vetëm sot, ka qenë politika, ekzaktësisht ajo klasë e shoqërisë që në të gjitha pikëpamjet është përgjegjëse për ndërtimin e tij. Nëse ky përfundim nuk i duket realist politikanëve të këtij vendi, veçanërisht formave qeverisëse që prodhojnë ata, atëherë mund të thuhet që po, format qeverisëse të politikës shqiptare kanë qenë të interesuar për shtetin shqiptar, por për atë shtet që nuk ndërtohet mbi demokraci, që është i zbrazur nga përmbajtja demokratike. Politika shqiptare, dhe për këtë ka fakte të panumërta, është përpjekur të ndërtojë një shtet që nuk e pranon demokracinë, që është në antagonizëm me të, që e “ha”, që e “kafshon”, që e “shqyen” atë, në të gjitha format që ajo, demokracia, mund të shfaqet. Kjo nuk është lajthitje letrare, ky është një realitet shqiptar, fatkeqësisht. Këtu të gjithë duhet të jemi përfundimisht të qartë.

Ka vetëm dhe vetëm një tregues që të jep informacion nëse ke vullnet të ndërtosh apo jo një shtet demokratik dhe ky tregues është se si e merr pushtetin nga qytetarët e tu nga njëra anë, dhe si e investon atë pasi e ke marrë, nga ana tjetër. Të gjitha format qeverisëse në Shqipëri, dhe jo vetëm në këtë tranzicion të turpshëm, kanë dështuar në zgjedhje, pra në formën se si e marrin pushtetin nga qytetarët; dhe po kështu, kanë dështuar në investimin e pushtetit pasi e kanë marrë atë, sepse kurrë, në asnjë rast, kategorikisht, nuk kanë arritur të bëjnë pjesëmarrës institucionet dhe qytetarët e këtij vendi në këtë investim.

Përveç treguesit që shkon në thelb dhe zbulon mungesën e vullnetit për të ndërtuar një shtet demokratik, ka edhe shenja të tjera që lajmërojnë mungesën e tij. Një nga këto është edhe mënyra se si politikanët kanë komunikuar dhe vazhdojnë të komunikojnë edhe sot me të huajt. Në thelb, politikanët e këtij vendi, në krejt historinë e shtetit shqiptar, kanë pasur një dinamikë interesante në marrëdhëniet me të huajt. Gjithsesi kanë qëndruar në ekstremet e një marrëdhënie: ose i kanë urryer shumë, ose i kanë dashur shumë. Në të dy rastet, si urrejtja ashtu edhe dashuria me të huajt, tragjikisht, është përdorur për t’u sjellë armiqësisht me qytetarët e këtij vendi, me nënshtetasit.

Urrejtja e madhe e shtetit totalitarist shqiptar ndaj të huajve ka qenë një perde e hekurt për të penguar botën të shohë se si politikanët e këtij vendi, në emër të një shteti të shqiptarëve, i trajtonin si kafshë këta të fundit. Rasti se si izolimi i shtetit shqiptar, se si urrejtja e paanë ndaj perëndimit i ndihmoi politikanët e këtij vendi të silleshin armiqësisht me qytetarët e tij, është një rast i thjeshtë dhe lehtësisht i shpjegueshëm. Rasti tjetër, pra rasti kur dashuria e madhe ndaj perëndimit i ka shërbyer dhe po i shërben edhe sot politikanëve shqiptarë për të bërë të njëjtën gjë, pra për të urryer në të njëjtën mënyrë qytetarët e këtij vendi, është më i komplikuar, prandaj edhe më i vështirë për t’u shpjeguar.

Qeveritarët e ditëve të sotme, për shkak të “dashurisë” së pakufi, iu kanë lënë në dorë perëndimorëve ndërtimin e shtetit, pra, iu a kanë besuar atyre hartimin e kushtetutës, ligjeve, kodeve, nënligjeve. Këtu ka një ndryshim të “vogël”, një “hollësi” që nuk duhet të mos përfillet: iu kanë besuar ndërtimin, por jo funksionimin e shtetit, ndërtimin por jo funksionimin e institucioneve. Pra, qeveritarët dhe politikanët tanë iu kanë besuar të huajve hartimin e legjislacionit, por zbatimin e tij e kanë ruajtur vetëm për vete. Në çdo rast, prandaj, alibia ka qenë e pranishme: shteti është ndërtuar me të huajt, me perëndimorët, pra nuk ka se si të jetë ndërtuar një shtet tjetër veçse atij demokratik, veçse atij që në qendër ka qytetarët dhe pjesëmarrjen e tyre! Standardet janë po ashtu demokratike, se nuk mund të jenë ndryshe.

Gjithsesi, materializimi apo mënyra se si shteti i projektuar në letër funksionon në realitetin e gjërave është tjetër gjë, madje shumë larg prej atij në letër, gati-gati i pangjashëm me të dhe veçanërisht kur vënia në punë e shtetit shqiptar të sotëm bëhet pa perëndimorët, në fshehtësi të plotë ndaj tyre. Ndodh barbarisht ashtu si nuk duhet të ndodhte. Ekzaktësisht pasi janë formuluar ligjet, madje edhe në emër të tyre, qytetarët e këtij vendi zhvishen, vidhen, përplasen për muri, në fund, pse jo, edhe vriten.

I formuar në letër dhe i rrethuar nga kufij fizikë që shpesh treten dhe bëhen të mjegullt, të paqartë, shteti i sotëm shqiptar është në rregull me të huajt, madje, sipas qeverisë, po plotëson mrekullisht edhe standardet demokratike që një shtet i BE ka. Por, tragjikisht, i njëjti shtet dhe në të njëjtën kohë, është në një armiqësi brutale me qytetarët e tij. Një shtet demokratik në letër, një shtet i zbrazur nga demokracia në realitet-ja cila është përmbajtja e shtetit me të cilin shqiptarët kanë hyrë në këtë mijëvjeçar të ri.

Shtetet pa përmbajtje demokratike janë, së paku, autoritariste në thelbin e tyre. Atribut i një shteti të tillë nuk është vetëpërsosja, përkundrazi, të qenit kalimtar. Regjimi i sotëm i Tiranës është kalimtar. Fundi i tij do të jetë edhe fundi i tranzicionit. Të riakuzuar për mungesë të vullnetit shtetformues, përsëri gabimisht dhe përsëri në mënyrë djallëzore, jo rrallë të pashpresë, të pafuqishëm dhe të vënë brutalisht nën kontrollin e shtetit që vetë e kanë krijuar, sot, ndërsa përfundoj këtë shkrim, qytetarët e këtij vendi do të bëjnë përsëri ekzaktësisht atë që në fakt nuk duhet të bëjnë: të qëndrojnë para TV dhe të shohin se si i nxjerrin letrat me ngjyrë nga kutia me një ngjyrë tjetër, se si ia u numërojnë para syve, se si i futin prapë në kutinë me ngjyrën e duhur. Ishin në një varr të gabuar, duket sikur thonë numëruesit. Tani po i futim në varrin e vërtetë, prej nga ku nuk dalin më.

(GSH/BalkanWeb)