Gjyshi Berisha
Nga Megi Raspopi
Përditë, sa herë që e dëgjoj Sali Berishën që ligjëron bujshëm për jetën “luks” të shqiptarëve, ndesh diçka absurde e të papranueshme në qëndrimin e tij si kryeministër, më krijohet një pështjellim deri në neveri për qëndrimin e tij. Siç e kemi dëgjuar, Saliu nuk pranon asnjëherë dështimet, gabimet e krimet. Ai guxon e zbukuron të shëmtuarën, guxon e gënjen vazhdimisht, madje në mënyrë të rëndomtë e publike. Në Shqipëri ka shumë probleme politike, sociale, ekonomike, drejtësie, qeverisjeje, administrative, shoqërore, pronësore etj.
Ne i përjetojmë përditë këto “plagë” që na kanë mbushur jetën e që po na shtohen më shumicë dhe me shpejtësi. Përballë këtij realiteti traumatik mbarëshoqëror, qëndron “krenar” shkaktuesi i tyre, kryeministri Sali, ose siç e përfytyron dhe vet-trajton veten “Zeusi” primitiv e komik i kohëve moderne. Ky na thotë 100 herë në ditë, me zë të lartë e të çjerrë, se “nuk ekziston asnjë shqetësim”, se “jeta e shqiptarëve është parajsë”, se “Shqipëria është superfuqia ekonomike, turistike, energjetike dhe demokratike e botës”.
Unë, gjithë moshatarët e mi 18 vjeçarë, gjithë komuniteti mes të cilit jetoj, dëgjojmë kryeministrin ‘bojaxhi’ dhe shtangemi duke pyetur veten: Ku e kemi parajsën, mos vallë tek varfëria ekstreme, tek papunësia e lartë, apo tek mungesa e shpresës për të ardhmen? Unë dhe të gjithë ne, nuk e shikojmë në asnjë grimcë atë që po na “përrallis” prej 6 vjetësh kryeministri. Kjo “parajsë”, në realitet ekziston brenda familjeve dhe jetës së “bllokut” të njerëzve të pushtetit. Këtë zbukurim të së keqes, këtë mashtrim banal e komik, Saliu e bën përballë shqiptarëve, por dhe kur bisedon me ndërkombëtarët, të cilëve ua paraqet Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve si “mrekulli”.
Sa herë dëgjoj Saliun, më kujtohet fëmijëria ime, më kujtohet mosha kur më vinte gjyshja në gjumë duke më treguar përralla. Unë dëgjoja përrallat e saj, që më bënin sikur isha “mbretëreshë”, sikur kisha “një pallat luksoz në mes të pyjeve e buzë lumenjve”, sikur “sa fërkoja sytë më mbushej oborri me flori”, sikur “po fluturoja me një qilim të bukur në qiellin e lumturisë”, sikur “nesër kur të zgjohesha do isha e rrethuar nga mrekullitë” etj, etj.
Në këtë “botë” ëndrrash e përrallash mikluese e mashtruese, më kanë futur dhe deklarimet që bën Saliu. Më ndodh përherë që kujtoj gjyshen sa herë që dëgjoj Saliun. Kjo për shkak të ngjashmërisë mes veprimit të të dyve ndaj meje, por në kohë të ndryshme. Kur isha e vogël psh, m’i tregonte përrallat gjyshja, ndërsa tani që jam e rritur po m’i tregon kryeministri Sali. Ja disa nga përrallat që po më tregon kryeministri:
– Unë dhe çdo shqiptar jetojmë me 7400 dollarë të ardhura në vit për frymë (sipas FMN).
– Unë dhe gjithë të rinjtë shqiptarë kemi të garantuar vendin e punës sipas profesionit e arsimimit pas diplomimit.
– Unë dhe gjithë shqiptarët kemi të sigurt të drejtën e manifestimit publik, duke mos u cenuar as moralisht, as politikisht e as fizikisht.
– Unë dhe gjithë shqiptarët kemi të lirë e të sigurt destinacionin e votës që hedhim.
– Unë dhe çdo shqiptar jetojmë në vendin me rritjen më të madhe ekonomike në Europë e në botë.
– Unë dhe gjithë të rinjtë e fëmijët shqiptarë deri në skajin më të largët të vendit jetojmë në lumturi e mirëqenie të lartë.
– Unë dhe gjithë shqiptarët, jetojmë të drejtuar nga një qeveri shërbesash, që nuk shpërdoron e nuk vjedh taksat tona.
– Unë dhe gjithë shqiptarët jetojmë në një vend ku nuk na mohohet dhe nuk na grabitet prona.
– Të gjithë studentët shqiptarë trajtohen me gjithë të drejtat si studentët e vendeve të zhvilluara.
– Shqiptarët kanë pagat dhe pensionet më të larta në Europë.
– Shqipëria ka çmimet më të ulëta në Europë, për telefoninë, transportin, energjinë, ushqimet, veshjet etj.
– Unë dhe gjithë shqiptarët, ashtu si presidenti, kryeministri, ministrat, deputetët dhe familjarët e tyre, kemi liri, të drejta të plota e barazi përpara ligjit.
– Unë jetoj në vendim me turizmin me infrastrukturë më të kompletuar e me çmime më të lira në të gjithë botën.
Lutje SALIUT:
Përditë, që prej 6 vjetësh po i dëgjoj këto “përralla” nga Ty, kryeministri im. Përditë po na tregon ndonjë përrallë të re. Të lutem, mjaft o “gjysh Saliu”, sepse me përrallat kam mbaruar punë qysh në kohën e fëmijërisë, kur i dëgjoja prej gjyshes time.







