Kur i vranë lirinë Ilirikut… e quajtën Ballkan!

1
52

Shqyrtim letrar

Riza Greiçevci

Mik, zgjidh një dit nga jeta e poetëve, grishi në tryezë të shkruajnë poemën: Mjeranët i vrasin poetët!

Fran Tanushi: ”Shkarpa”, poezi “Geer”, 2015, Tiranë

Imzot
Pjetër Bogdani,
bekoje Prishtinën,
siç e bekove atëherë
në natën e thikave
të përgjakura!
Imzot
bekoje Prishtinën
emrin Tënd dhuroja
të themi se kush jemi!

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

XIXËLLIMË VARGJESH TË NJË POETI ANTIAPOLOGJET
Mbase i lindur e i rritur në një yrt toke të lashtë ilirike dardane, poeti dukagjinas, Fran Tanushi, një fidan pip dalë nga bërthama e një familjeje të dëgjuar për lahutë e hutë, fe e atdhe, që në cacet e para kishte trashëguar virtytet më të paqta, shëmbëlltyrë e stërgjyshërve, që brezave u thadronin qëndresën e besën e erzin e gurtë, e përkuleshin me nderim deri të rrënjët e Lisave qindvjeçarë, duke mos lejuar, Zot ruana, t’u rrëzohej plisi nga tepja e kresë si një ligshti e burrave malësorë me jelekë e tirq e plis. Ndofta, ka gjasë, kjo që u tha më lartë munde të jetë një portë, nëpër të cilën përbirojnë xixëllimat e vargjeve të një poeti mërgimtar, por gjithsesi, një antiapologjet me bindje të gurtë, se asnjë sundimtar s’është aq pirat, sa ta fusë në grusht diellin e njerëzimit!

Askush tjetër, pos sovranit, populli, nuk është pronar i atdheut, i nderit dhe i moralit të lartë stërgjyshor, roje e mbrojtës i species ilirike dardane, prandaj, beteja për të thur ode e himne përulësie padronit, mbretit o shtetit, sipas antiapologjetit poet mërgimtar, Fran Tanushi, coparaku i tillë pa tjetër është i gjykuar me një fitoreje të Pirros. Vepra e radhës poetike e zotit Tanushi “Shkarpa”, brufullon me xixëllimë vargjesh të një poeti antiapologjet, i cili, me brumin që ka ngjeshur mirë e mirë, për letërsinë shqipe ka gatuar vargje jashtë kornizave të stilit të demoduar, abstrakt, shterpe, por fare me qëllim poeti ngjesh majën e brumit me të voglën e jetës, me diçka që s’ka aq madhësi, lavdi, peshë, por paraqet një pikënisje e shtegtimit poetik, nga e vogla kah e madhja, dhe sikur përpiqet të na bind se çdo gjë në univers dhe në tokë është bërthamë e vogëlsisë… / dhe ndize një shkarpë në shkarpë/ rreth vatrës akujt të shkrijnë…/…dhe, sikur në ndihmë i vjen Diogjeni ”Kërkoj njeriun…”.

ALEKSANDRI: ”KËRKO ÇFARË TË DUASH, DO TA KESH!”
DIOGJENI: “LARGOHU NGA PJESA E DIELLIT TIM!”

Vargjet e Fran Tanushit, pra, janë një eufoni poetike në prizmin rrafshor lirik, pa patetizëm, pa ofe e blofe, dhe asnjë varg i librit “Shkarpat” nuk himnizon, nuk gjunjëzohet, nuk i thur ode padronit zuzar, as puthadorit, as t’keqes, por vargu lirik dendësohet, ngrohet, forcohet me ninëzat e së djeshmes e të sotmes, faqebardhë në frymëmarrjen e gjallimit, në stilin: Ha për të jetuar, mos jeto për të hëngër! Po kjo poetikë e zotit Tanushi, ka edhe shumëçka për të thënë të pa thënë, që s’e tha e pathëna deri me sot. Poezia e dukagjinasit Fran Tanushi mediton hapur, sy me sy, është mish e lëkurë e vetë poetit, dhe kërkon zëshëm që të pathënat le të flasin nëse kanë diçka për të thënë të pa thënë… sepse, ato që s’u thanë deri me sot mbetën vetëm të pathëna e kushedi pse s’u thanë kurrë të thënat e pathëna…

Sipas poetit mërgimtar, shumëçka u lind e pathënë, rroi siç rron e pathëna, e bën me dije Jeta ka shumëçka për të thënë të pathënë për t’u bërë e thënë! / thuaje fjalën e pathënë/ e heshtjen vraje/ pra a se (ajo) ty të te vras/ /. Për më tepër, relievi i vargjeve të kësaj vepre poetike kap domenin nga gjeografia, historia, tallazet e jetës, uni i gjirmës së brendshme të poetit, shqetësimet, prushitma e mallit të një mërgimtari, për të kulmuar me shkarpën, si një identitet i së djeshmes, e pse jo edhe i të sotmes: varfëri ekonomike, nostalgji, katandisje, paqartësi, shqetësime, vuajtje, humbje e shpresës, deri të humbja e vlerave sublime morale, zakonore, kulturore, historike, kombëtare.

Ja, pra, pse poeti antiapologjet, Tanushi, e ka zgjedhur bash shkarpën, edhe si toponim, edhe si kulm që mbështjell të sotmen e vendlindjes së poetit, siç u tha, shkarpa paraqet një sinonim të një katandisje kolektive të vlerave kyçe të njerëzimit. Ja, ky është poeti dukagjinas, i cili me vargje hip në piedestal të gjykimit:
Aleksandri:”Kërko çfarë të duash, do ta kesh!”.
Diogjeni: “Largohu nga pjesa e diellit tim!”

“MACJA E ZEZË MA KISHTE TRUPUAR RRUGËN…”
Brezi i krijuesve dhjetë vjet më i hershëm: Adem Demaçi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rifat Kukaj, Rexhep Qosja, Qerim Ujkani, Fazli Greiçevci, Rexhep Hoxha, Teki Dervishi, Adem Gajtani, Hasan Hasani, e të tjerë, sikur me shumëçka kishte trasuar udhën e artit letrar shqip, veçmas, me intensitet më të shtuar, poezinë. Falë asaj urtësisë popullore “po hyre nën dardhë, zor e ke të mos hash dardhë”, brezi i Fran Tanushit (1963), dhe i shumë vërsnikëve të tij të tjerë, të themi kushtimisht, ishin më të fatshëm, sepse, tashmë ishte shtuar numri i veprave letrare gjinish të ndryshme, që kishin botuar poetët e viteve ’50, e më pastaj, që mund të konsiderohen si vepra letrare që u hapen rrugë jo vetëm krijuesve shqiptarë në Kosovën (atëherë) e pushtuar dhe e anatemuar skajshmërisht, por hapen shtigje të reja edhe për lulëzimin e letërsisë shqipe kosovare.

Me ka rënë fati të lexoj shumë poetë të brezit të viteve 50’, e të tjerë, Shqipëri-Kosovë, dhe e them me bindje, se nga brezi më i ri i viteve ’70, e deri me sot, defiluan emra të shumë krijuesve, mori hov zhvillimi e pasurimi i letërsisë shqipe në Kosovë, kapërcej kufijtë e Evropës, mirëpo, sikur kohëve të fundit pena e poetit Fran Tanushi (deri me tash botoi vetëm tre libra me poezi!), jo vetëm se mund të merret një kipc i brezit të Ali Podrimës, e të tjerëve, por qe besa ka gjasa që pena e këtij poeti mërgimtar të bëjë emër dhe të zërë vend të merituar në zhanrin e poezisë.

Fati e deshi, edhe djaloshit dukagjinas / macja e zezë ia kishte trupuar rrugën e fëmijërisë/ dhe qysh i ri detyrohet me ia kthyer shpinën vendit të lindjes dhe me marrë udhën e kurbetit, atje ku jeton e vepron edhe sot. Frani vite të tëra përcjell e lexon e studion e hulumton artin letrar jo vetëm në Kosovë, gjithandej Evropës, dhe tek pas afro pesëdhjetë vjetësh starton para lexuesve me veprën e parë me poezi “Jeta e censuruar” (2011), dy vjet më vonë del me veprën e dytë, po ashtu me poezi “Ishulli im” (2013), dhe dy vjet më vonë, ja që botoi librin e tretë me poezi “Shkarpa” (2015).

“KUR I VRANË LIRINË ILIRIKUT… E QUAJTËN BALLKAN!”
Dakord, vargjet e poezisë “Shkarpa” janë dëshmi e një pjekurie kulmore të një poeti mërgimtar, i dërrmuar nga prushitma e gjirmës së mallit edhe për caranin e oxhakut, edhe për lisa e plisa, për të gjallë e të vdekur. Shkarpa vihet në funksionin e një boshti, rreth të cilit mbështillet tërë ideja, qëllimi, synimi i poetit, duke mos harruar edhe poezinë tjetër “Vrasja e lirisë”, ku me aq pak vargje, si sasi, arrin sendërtimin e një cilësie dhe mesazhi nga kohë tepër të lashta të Ilirisë:
/ Kur i vranë lirinë – Ilirikut/ emrin ia tjetërsuan/ e quajtën Ballkan!/ e kthyen në vullkan / në vend të llavës së valët/ le të vjell gjak, i thanë!/ lëkurën varur ia lanë/ e shtatin mbushur me plagë/ copë-copë ia nda…/.

A s’është kjo një mrekulli mjeshtërore e një pene letrare, aq e kursyer me sasi, aq mjeshtër me skalitje të vargut, aq i pasur me cilësi, aq i saktë me histori, si një etnolog, hulumtues dhe historian, në një hapësirë fare të ngushtë, me një sasi vargjesh fare të vogël, me një mjeshtri të veçantë, me një kulturë prej ustai të rrallë, Frani tregoi të vërtetën e shtrirjes së Ilirisë gjithandej Ballkanit të sotëm, Azisë, Evropës.

Frani s’e shkruan poezinë, as që merret me lërimin e saj, por poeti Tanushi e shkrinë poezinë, e pi nektarin e saj, ngre dolli me të, mish e thua me të, i nxjerr gjak mbi vetull vargut poetik, e skalit dhe e fuqizon vargun, përdor me veçanti dinamikën, eufemizmin, veçantitë gjuhësore… Poeti mërgimtar zoti Tanushi vërtet është një antiapologjet, edhe kur vargëzon për poetët, i qartë, shkruan pak e thotë shumë, ai s’e do poezinë, por poezia e do atë, janë si dy vëllezër siamezë, poeti i falë mjeshtërinë, poezia poetit i falë kënaqësinë: / mik, zgjidh një ditë/ nga jeta e poetëve/ e grishi në tryezë/ të shkruajnë poemën: Mjeranët i vrasin poetët/.

PËRSHËNDETJE NGA KOSOVA, POET FRAN TANUSHI!
Lehtë mund të falim një fëmijë që ka frikë nga errësira! Tragjedi e vërtetë e jetës është kur njerëzit kanë frikë nga drita!” – thoshte Diogjeni. Po ngjan njeriu të frikohet nga drita, ai frikohet edhe nga poezia e mirë, e realizuar bukur, frikohet edhe nga liria, edhe nga Zoti. Vërtet poezi moderne, e këndshme, e dashur, që le mbresa, magjepse, kryelartë. Dikujt i çahet zemra kur sheh se dikush dritëson më shumë se ai, shkruan poezi më mirë se ai. Kjo i ndodh atij krijuesi skizofren, të cilit, afër ujkut i shfaqet qengji. Afër lepurit, qeni. Skllavëria i shfaqet si liri. Tallen me poezinë e tij. Edhe vetë poezia i zë pritë. Kështu i fanitet atij që shkruan poezi, por jo edhe atij që shkrihet në poezi, ai që shndërrohet mish e lëkurë e gjak në poezi…

Poeti Fran Tanushi (pata fatin me i marrë të tri librat e tij me poezi), me 86 poezitë që i ka sistemuar në faqet e librit më të ri “Shkarpa”, për disa nuanca janë vargje që janë dalë nga mishi e gjaku e ashti i poetit, janë më të veçanta e më të avancuara artistikisht karshi dy librave të mëparshëm, si për nga cilësia, dinamika, për nga shumësia e motiveve, e veçan lexuesi ka rast të bindet për përkujdesjen gjuhësore, të figurave e të mjeteve, me të cilat prodhohet brumi i poezisë, si dëshmi e një mjeshtërie të veçantë, të një përvoje të gjatë letrare.

Takimi për herë të parë me zotëri Tanushin, me poezinë e tij, u bë në Takimet Letrare të Mërgimtarëve në gusht të sivjetmë dhe për më tepër me vjen mirë që u takova me poezinë, me një penë prej krijuesi të veçantë, me një vëlla të dashur e plot nder nga Mërgata shqiptare. Me mban shpresa se në Takimet e ardhshme, poeti Frani do ta gëzojë edhe më një vepër me poezi. E mirëpresim! Shëndet, suksese, mbarësi e pjellshmëri letrare, vëlla Fran Tanushi! Përshëndetje nga Republika e Kosovës! Mirë u takofshim!

Dërgoi për publikim: Gjin Musa

1 COMMENT

  1. Ju lutem me ndihmoni se me shpernda dheme publikuar kete shkrim ne FB dhe gjithandje.

    Eu, po mrekullisht qenka publikuar!

    Faleminderit

    Riza Greiçevi, shkrimtar

    Riza, e kopjon adresën në krye të faqes (këtë këtu: http://www.fjala.info/?p=4565 ) dhe atë shkon dhe e ngjet, e futën në Facebook, apo diku tjetër…

Comments are closed.