…Kur humbnerën e territ ta ndricojnë talenti dhe sytë e mendjes…

1
43

Bisedë me këngëtarin, kompozitorin, poetin dhe publicistin Gjokë Vata

Nga Pjetër Logoreci

Duke lexuar për jetën dhe veprën e muzikantes së verbër austriake Maria Theresia Paradis, mbi famën e saj si pianiste, këngëtare, kompozitore apo pedagoge muziket, mu duk sikur jeta e saj më ngjasonte e më sillte ndër mend një artist të njohur shqiptar. Rastësia me solli sqarimin e kësaj dileme ndërsa po ndiqja një program muzikor në një television shqiptar ku doli për të kënduar këngëtari-autor Gjokë Vata.

Verejta që në mes të dy personazheve kishte shumë ngjashmëri. Sikurse Maria Theresia Paradis edhe Gjokë Vata e humbi dritën e syve pas një sëmundje foshnjore, që për kohën ishte shumë e vështirë të shërohej. Talenti, dashuria për muzikën, zotërimi i instrumentave muzikore, shumëllojshmëria e muzikës së kompozuar, miqësia dhe kontaktet me përsonalitete të muzikës e të artit, janë një emërues i përbashkët për të dy artistët.

Meqënëse Maria Theresia Paradis, falë aftësive e talentit të saj zë një vend të rëndësishëm në enciklopedinë e personaliteteve austriake, mendova që është një shëmbull i mirë për mua që të pasqyroj sadopak (duke e parë nga ky këndvështirm) për publikun shqiptar edhe jetën e një artisti të shumëanshëm si Gjokë Vata, i cili megjithëse me aftësi të kufizuara, është shumë i njohur për talentin dhe veprat e tija që kanë lënë gjurmë në muzikën tonë.

Foto 1: Këngëtari-autor Gjokë Vata me instrumentistin Mateo Guralumi

Ashtu si vjenezja Maria Paradis, pat njohje e lidhje arti me muzikantë të njohur të kohës si Mozarti apo Joseph Haydn, artisti Gjokë Vata gjatë jetës së tij pat kontakte pune apo miqësi me shumë përsonalitete të njohura të shumë sferave në vendit tonë. Po përmend këtu kontaktet me muzikantët Preng Jakova, Pjetër Gaci, Marie Kraja, Lukë Kaca, Abdullah Grimci, Tonin Harapi, Alqi Kareco…..apo instrumentistet Gjovalin Lazri, Ida Melgushi, Gjovalin Doda, Gjon Halili, Gjovalin Xhanxhafili, Gjosho Vasia, të cilët ndikuan pozitivisht në botën shpirtërore e krijuese të artistit.

Foto 2: Gjokë Vata me shokun e tij të moshës Mark Tatiq

Një histori e shkurtër e jetës të pashëmbull të artistit Gjokë Vata?
Gjoka lindi në Vermosh me 15 korrik 1935. Malësia e Vermoshit është një krahinë e begatë dhe shumë e përmendur për patriotizëm, burrëri e bujari, që e përbledh rrethi i Shkodres. Fati e deshti që i jati i Gjokës, Marku, u martua tri herë pasi dy gratë e para i vdiqën. Gruaja e tretë Drandja pat vetëm një djalë, Gjokën, i cili (nga babai) ka edhe një vëlla e dy motra. Kur Gjoka ishte 5 vjec, familja u shpërngul për një jetë më të mirë në qytetin e Shkodres.
…nana më zbriti prej Vermoshit e m´i kande gjithmonë krenarisë teme me e përmend si vend të origjinës time. Sa herë ndigjoj emnin e vëndlindjes time, më duket i afërt si emni im. Vetë përbamja e malit më ban krenar. ….(Gj.V. Ditari i kujtimeve të mija, f 49)

Foto 3: Dekorate

Për nënë Dranden, jeta në qytet ishte e shumë e vështirë pasi mundësitë e saja ekonomike ishin shumë të kufizuara. Për të mbajtur e ushqyer fëmijën jetim e me aftësi të kufizuara, ajo u detyrua të bënte punë të ndryshme ndër familjet e qytetit apo në fshat.
…….Ndonji herë nana, tregon Gjoka, – tue mos pasë mundësi me gjetë tjetër mënyrë jetese, gjatë kërkimit të lëmoshës, më merrte me vedi si me dashtë me iu paraqitë njerzve nëpërmjet meje, portretin e mjerimit, që e shtërngonte me dale me shkop e me shtrajcë….

Foto 4: Gjoka duet me te bijen Venona

Mungesa e shkollave speciale si dhe e ligjeve në përkrahje sociale për të vërbërit, bëri që Gjoka që në fëmijëri të përjetojë vështirësi e sakrifica të mëdha. Ndërkohë edhe vetë qyteti i Shkodres përballej me një gjendje të rëndë ekonomiko – shoqërore. Papunësia, injoranca, mjerimi e bënin të zymtë jetën e qytetit e banorëve të tij.

Foto 5 – Mirënjohja nga Pjetër Arbnori

Falë zërit e sjelljes së tij, Gjoka u bë shumë shpejt fëmija më i njohur i qytetit. Për të fituar dicka, që të ja lehtësonte sado pak jetën vehtes e nënë Drandes, ai përshkonte cdo ditë rrugët e qytetit duke u takuar me njerzit dhe duke kënduar për to këngë të njohura të kohës të cilat i kishte mësuar nga muzikantë bamirës që asokohe luanin ndër lokalet e shumta të qytetit. Djali i vogël fukara, rrobat e të cilit mbuloheshin vetëm nga harnat e qepura nga nëna sa për të mos i lanë vend erës të fshikullonte trupin e tij të njomë, zotëronte karakter të fortë malësori dhe besim të madh te Zoti. Ai nuk donte të qëndronte para derës së kishës apo në ndonjë cep rruge për të lypur bukën e tij të përditëshme.

Foto 6 – pas prezantimit të librit me poezi

…një herë, tregon Gjoka në librin e tij biografik, …për me u përshëndet me Mehill Delinë, të vërbërin tjetër të lagjes tonë, shkova te kandi i qëndrimit të tij të zakonshëm ku u lyp lëmoshë kalimtarve. Motoja therëse si një vetëplagosje: “ FALNI QORRIT PA SY” …mu duk si zani ma i vrazhdë i mjerimit …mendova: “Sa e tmershme asht persëritja e panumërt e kësaj fjalie, cdo përsëritje e së cilës e ban ma pak therëse dhimbjen e shqiptimit të saj, deri sa bahet aq e zakonëshme sa e shqipton në mëndyrë të pavetëdijëshme, sikur të ishe nji robot…

Foto 7 – Gjoka dhe familja

Lufta për jetën e për bukën e gojës bëri që të shpërthenin talentet e tij, dhuratë e Zotit. Qysh në moshën 8 vjecare ai filloj të hjedh në vargje emocionet e revoltën që i buronin nga shpirti i tij i trazuar….. e po ashtu filloj të ishte i përhershëm e të aktivizohej sa mundej në ambientet e aktivitetet e kulturës që organizonte qyteti. Falë dashamirësisë së mjeshtrit Preng Jakova, Gjoka fillon të mesojë në mëndyrë autodidakte notat muzikore dhe pianon duke u munduar të provojë sa më shumë ndër ato pak instrumenta që kishte shteti. Fati e solli që në sajë të ngjyrës së të zërit unikal e tonalitetit të tij të vecantë, dëshirës së tij për artin dhe falë ndërhyrjes së Preng Jakovës tek autoritetet, ti jepet mundësia për të vazhduar Liceun Artistik të Tiranës për piano.

Me ndihmën e mësuesve dhe të nxënësve dashamirë, Gjoka filloj të ambientohet me muzikën, instrumentet e jetën e kryeqytetit. Në vitin 1952 ai shkruan këngën e tij të parë: Dashuri Baritore (tekst e muzikë), e cila u vlerësua shumë nga Komiteti i Arteve dhe Abdulla Grimci. Bukuria e zërit të tij, vullneti dhe këmbëngulja për të ecur përpara, befasuan të madhen Marie Kraja, e cila kërkoj nga drejtori i shkollës që Gjoka të filloj njekohësisht me pianon edhe leksionet për kanto. Kërkesës së saj drejtuar drejtorisë të Liceut drejtori ju pergjigj me këto fjalë:

Foto 8 – Gjoka dhe vajza e tij Sidola duet

…Zonja Kraja, me gjithë respektin e madh që kam për ty, kriteri i vendosur për të nxjerrur në skenë njerëzit me të metë fizike më detyron ta refuzoj kërkesën. Kjo direktive, vërtetë nuk është e shkruar, por megjithatë është vendosur normë e shoqërisë tonë. Ne kemi porosi nga lart ta nxjerrim Gjokën vetëm një herë në fund të këtij viti shkollor për të pasqyruar përkrahjen e shtetit e stop. Daljen në skenë të njërzve me të meta fizike shteti jonë e konsideron ngacmim emocional, i papreferueshëm nga politika jonë. (Gj.V. Ditari i kujtimeve te mija, faqe 177)

Në kryeqytet Gjoka njihet me personalitete të botës akademike, me të cilët diskuton për letërsine, muzikën, autorët e huaj. Ka kontaktet me Jorgo Bllacin, Mihallaq Luarasin, Robert Schwarcin, Hysen Pelinkun, me përkthyesin Vedat Kokona nga i cili merr idenë ti hyjë botës së përkthimeve.

Foto 9 – Gjoka dhe autori shkrimit

Edhe në shumë ambiente muzikore e shoqërore të Tiranës, Gjoka me këngët e tij që ishin hit-et e muzikës italiane, spanjole apo angleze, u bë shumë i njohur, gjë që e dëmtoj shumë “reputacionin politik” të tij. Pas paralajmërimeve të autoriteteve të shkollës, atij ju hoq bursa për të vazhduar studimet në Ceki, ndërsa filloj të përgjohej nga sigurimi i shtetit “për qëndrim të keq politik”. Ndërkohë me revolucionin hungarez, situata politike në Europën lindore pësoj një goditje të madhe dhe ngjalli shpresa për cdo shpirt të lirë të shtypur nga diktatura.

Duke përfituar nga verbëria e tij, sigurimi i shtetit përgjonte Gjokën edhe gjatë udhëtimeve të tija në Shkodër ku ai në takimet me shokët i fliste atyre për muzikën bashkëkohore, poezinë, lirinë e fjalës e të artit, ku ai shprehte simpatinë e tij për revolucionin hungarez apo për poetin “reaksionar” Gjergj Fishta.

Kjo solli që në vitin e tretë ai të përjashtohej nga Liceu dhe të arrestohej e të keqtrajtohej në hetuesi nga sigurimi i shtetit për të pranuar 3 akuza të sajuara: Agjitacion e propagandë, …Tentativë arratisje me grup, …Përpjekje për të përmbysur pushtetin popullor… Lirohet nga hetuesia për mungesë provash si dhe me motivin, …se “pushteti i popullit” nuk dënon në burg njerëz me aftësi të kufizuara si Gjokë Vata.

Këtu fillon për Gjokën kalvari i mundimeve, papunësisë dhe i izolimit të plotë nga shoqëria. Në Shkodër ai diskriminohet nga zyrtarët lokalë të partisë dhe shtetit në format më të egra. Nuk e lejojnë të punojë, të këndojë, të ketë kontakte me shokë dhe miq të cilët sigurimi i kërcënonte, nuk lejohet të hyjë në ambientet e kulturës (klubin e rinisë, tatrin Migjeni, shtëpinë e kulturës). Persona të rëndësishëm partiak por edhe spijunë të rregjimit e fyejnë apo e kërcënojnë publikisht.

Për të treguar “zemërgjërësinë e partisë” ndaj një njeriu si Gjoka të cilit po i cenohej egzistenca, gjindet mëndyra nepërmes gjeneral Hilmi Saitit, kryetarit të degës së punëve të mbrendëshme në Shkodër. Gjeneral Hilmiu, një komunist fanatik me “fytyrë njërzore” i ofron Gjokës punë në vatrën e kulturës Fushë Arrës, ku punëtorët dhe banorët e qytezës e shohin si armiku i klasës. Më pas, ekstremistët e kuq të Komitetit të partisë në Pukë e largojnë “për të ruajtur të pastër artin komunist”.

Edhe në momentet më të vështira të jetës, Gjoka ka gjetur frymëzimin të shkruaj poezi, të kompozojë muzikë dhe të këndoje duke gëzuar me tingellimën e shpirtit të tij festa të ndryshme familjare në qytet. Ai është këngetari i dëshiruar, instrumentisti, bejtexhiu, humoristi që mahnit me barcaletat e tij.

Me ndihmen e shokëve e miqve, bëhet pjestar i grupit të famshëm të estrades në fabrikën e cingareve në Shkoder, ky punon për tri dekada. Ky grup ku bënin pjesë humoristët e mirënjohur Gzim Kruja, Gjosho Vasia, Muharrem Nurja, apo këngëtarët Fatmira Puka e Tonin Tershana, kishte marrë disa cmime kombëtare në levizjet amatore për interpretim dhe humor. Gjatë shfaqjeve dhe turneve të ndryshme, Gjoka mahnit spektatoret si solist apo në duet me këngetaren Fatmira Puka.

Gjatë levizjeve për demokraci, Gjoka ishte shumë aktiv me artikuj në gazeta, intervista apo biseda të ndryshme në radio, televizion e në publik. Së bashku me familjen, vajzat e tij Venona dhe Sidola, ai u gjind kurdoherë në ball të revoltave popullore për liri, në Shkoder. Me 11 nëndor 1990, në ngjarjen e madhe të rihapjes së institucioneve fetare, Gjoka mahnit me zërin e tij të gjithë të pranishmit vendas e diplomatet e huaj, me AVE MARIA të Schubertit me të cilën u hap mesha e që u transmetua nga Zëri i Amerikës. Ai nuk u kursye asnjëherë për të dhënë ndihmesen e tij të vyer edhe për shoqatën e të verbërve të Shkodres ku disa kohë ishte edhe kryetari i saj (1992)

…Artisti Gjokë Vata…

Në vitet e rinisë, mbi libretin e Nikollë Dakës e koreografinë nga Filip Gjergjit, Gjoka kompozon tabllonë muzikore “Klasë e Lavdishme” e cila u nderua me cmim në levizjen kulturore të qytetit dhe më vonë në atë kombëtare në Korcë. “Cuditërisht” ndër afishet e shfaqjes shkruhej –nga kompozitori Kolë Vata. Njëkohësisht ai vazhdon të shkruaj poezi të cilat i botonte në rubriken e poetëve të rinj në revisten kulturore NENTORI. Në një konkurs me rastin e përvjetorit të vdekjes së poetit Naim Frashëri, ai merr cmim të parë me një poezi prej 20 vargjesh. Në vitin 1963, me nxitjen e Preng Jakovës, kompozon (tekst e muzikë) disa këngë për femije për festivalin kombëtar si PEMA DHE FEMIJA e një vit më vonë MIRE SE VJEN DALLANDYSHE, ku vlersohet me cmime të dyta. Gjatë jetës së tij artistike, Gjoka ka kompozuar rreth 100 këngë, dy nga të cilat i ka kënduar duet me të bijën në festivalin e këngës.

Në vitin 1993 ai kompozon “Baladën e Mërgimtarit” (tekst e muzikë) si kolonë zanore të dokumentarit “Armiku im” që është xhiruar në Shqipëri për TV –në italiane RAI, që më pas bëri xhiron e Europës duke u vlerësuar shumë nga kritika gjermane. Me vonë, në Radio – Shkodra, në një projekt të ideuar nga kompozitori Zef Coba, Gjoka drejtoj dhe komentoj rreth 40 emisione mbi historikun e muzikës klasike.

Me 17 korrik të vitit 2000 ai u nderua nga bashkia e Shkodres me titullin: MIRENJOHJA E QYTETIT me motivacionin: PER CILESI TE LARTE NE FUSHEN E KRIJIMTARISE MUZIKORE DHE TE INTERPRETIMIT, DUKE DHENE NJE KONTRIBUT TE CMUAR NE FIZIONOMINE E ARTIT TONE KOMBETAR.
Aktualisht ai këndon në emisionin muzikor KENGA IME në TV-Klan.

Si përkthyes, Gjoka ka shqipëruar 10 këngë nga Komedia Hyjnore, pjesë poetike nga Kipling dhe vargje prej veprës Filozofia e Dashurisë nga Shell.

Librat e tij që panë dritën e botimit janë:
1. Ditari i kujtimeve të mia / Autobiografi
2. Nata e dhimbjeve / Poezi (1995)
3. Gjuha e Thimcit / Satire ( 2009)
4. Frymëzime mendimesh / Poezi (2013)
5. Vendim i jashtëligjëshëm kundër gjuhës shqipe / Linguistike ( 2012)
6. Veshtrim kritik mbi shkrimet e realizmit socialist / Kritikë (2008)
Referimet e fotot e përdorura në këtë shkrim janë marrë nga shenimet e një bisede që unë bëra me artistin Gjokë Vata në Shkoder, si dhe disa paragrafe nga libri i tij: Ditari i kujtimeve tëmia.

Vjenë, me 7 maj 2014

1 COMMENT

  1. Mendja e Gjokës sheh, jo sytë!
    z. Pjetër, me kujdes të veçantë dhe vëmendje të përqendruar lexova këtë “roman” të vogël, kushtuar z. Gjokë Vata dhe që në fillim po ju shprehu një falënderim të veçantë.
    Të shkruash për një njeri me aftësi të kufizuara aspak nuk është e lehtë, sespe njerëz jemi, ndjenja kemi. Dhe ky prezantim i juaj i z. Gjokë, natyrisht se më preku në shpirt. Por, duke lexuar për aftësitë artistike të Gjokës, pak sa u forcova dhe pas leximit të këtij “romani” të vogël, vendosa të jap pak fjalë në formë komenti.

    Një e vërtetë më dha forcë se: Mendja e Gjokës sheh, jo sytë!
    Kur e them këtë, mbështetëm në një të vërtetë nga jeta ime: Në vitin 1970 më ftuan të marr pjesë në një organizim që mbahej në “Ilixhé” – Banjën e Pejës – gara në lojën e shahut. Meqë edhe vetë e luaja shahun (me teori, kisha arritë kateg. e parë (I-rë) dhe isha edhe “refer shahu”, aty më caktuan të referoj disa nga lojet e shahut dhe ishte për mua tejet intersant, kur ju erdhi radha që të verbëtit të laujnë shah. Ishte hera e parë të shihja një mrekulli të tillë: ata që nuk shohin fare të luajnë shah!? Dhe ju luta referit kryesor që, par se të fillojnë lojën e shahut të verbëtit, të më njohton pak sa për disa veçori! Se pari u befasova për të mirë kur referi kryesor ma sjelli një tabël shahu për të vërbëtit: ajo tabëlë dallohej me shumë “gjëra” nga tabelat e shahut të zakonshëm: tabela i kishte “fushat” e bardha pak sa të ngritura e të zezat të ulëta, secila fushë ishte e shpueme me nga një vrimë dhe secila figurë ngulitej/shtihej në atë vrimë (që gjatë prekjes me dorë të mos lëvizë e të rrëzohej); Figurat e bardha veçoheshin nga ato të zeza, sepse kishin nga një maje/cep që me të prekur të dallohen se cilat figura janë.

    Shahisti i verbët, kur iu vije radhe të luajë, së pari i prekte me gishtat e të dyja duarëve të gjitha figurat, të cilat dridheshin dhe luhateshin, por nuk rrëzoheshin se ishin të ngulitura në vrimat dhe gjatë kësaj prekje, shahiste edhe fliste “vet me veti” duke theksuar se ku gjendej secila figurë dhe me të prekur e dinte se cilin “potez” e kishte luajtur kundërhstari i tij dhe, ashtu duke mbajtur të gjitha figurat (të bardhat e të zezat) me gishta, mendonte e mendonte dhe kur vendoste ta levizte/luante potezin (lëvizjën) e duhur, figurë që do të luane si potez, e kapte me dorën e djathtë dhe me dorë të majtë e gjente vrimën në fushën, ku donte ta luante potezin dhe m’u aty e fuste bishtin e figurës dhe i thonte kundërshtarit: q’e unë q’etu e luajta! Porsa i hiqte duart nga figura e vendosur në vrimë, fiurat pushonin se luhaturi dhe pasi komunikonin me gojë me kundërshtarin, tash ai (kundërshtari) e fitonte të drejtën me luajtë “potezin” dhe e kontrollonte gjendjen, duke prekë të gjitha figurat dhe e dinte se ku e ka luajtë potezin kundërshtari ku e kishte vendosur figurën e luatur së fundit herë, dhe si e prekte atë figurë e dinte se ky ishte potezi i fundit i kundërshtarit dhe ndodhet që i thonte me gojë: a ti këtu e paske lujatë?

    Ishte intersante për mua kur njëni e humbi lojën e po ua bën të tjerëve: “e hupa lojen se NUK IA PASHË MBRETËRESHËN QE E PASKA PASË Q’ATY!” Pra, të shprehurit e tij NUK IA PASHË, ISHTE ajo e veçanta, çfarë nënkupton se shahisti i verbët- vërtetë nuk sheh me sy, POR MENDJA E TIJ SHEH dhe duart e tij veprojnë vetëm ashtu si i “urdhëron” MENDJA E TIJ.
    z. Pjetër, vërtetë nuk është e lehtë të qendrosh, të bisedosh… me një të verbët, por kur dëgjon prej tij ato fjalë të folura me një thesk të veçantë, kur ai shpesh të thotë: “nuk e pashë, nuk e vërjeta, por e njohta në zâ… e njohta kur e preka, kur ma dha dorën…! kjo është e mrekullueshme!

    Pra, të verbëtit e kanë të dëmtaur të pamit, por e kanë të zhvilluar JASHTËZAKONISHT të dëgjuarit, të prekurit me gishtat e dorës, të nuhaturit…TË MBAJTURIT MEND, e tjera veçori me të cilat BËJNË MREKULLIRA, BËJNË ATO QË AS NJERIU ME TË DY SYTË NUK ËSHTË NË GJENDJE TA BËJË.

    Prandaj, ATA SHOHIN, DEGJOJNË, mbajnë në mend gjatë e gjatë… ME MENDJE!
    Mendoj se ndaj tyre duhet të shprehim respekt të veçantë, të mirësjellemi dhe të JU NDIHMOJMË me të gjitha llojet e ndihmave, e veçmas me anën HUMANE…!
    Përshëndetje.

    Ismet Hasani, Suedi

Comments are closed.