Kur humbet arsyeja

0
34

Afrim Krasniqi

Në politikë arsyeja është një vlerë morale që rrallë arrin të bëhet pjesë e identitetit politik. Politikat e arsyeshme janë tipar i demokracive funksionale, ku vlerat kanë më shumë rëndësi sesa aktet politike, ku vendimmarrësit politikë e konsiderojnë veten në shërbim të interesit publik. E kundërta ndodh në vendet jo demokratike, në të cilat qëllimi mbetet objektivi kryesor dhe në funksion të arritjes së tij, nuk kanë rëndësi as vlerat morale, as arsyeja dhe as raporti me interesin publik e qytetar. Shqipëria përbën një rast të mesëm, një vend ku kushtetuta dhe ligji vendosin limite dhe norma të arsyeshme në ushtrimin e pushtetit dhe ku, njëherësh, ka një diferencë të madhe midis politikës deklarative dhe real-politikës.

Në tërësi, paria politike shqiptare, e krijuar përmes mekanizmave fiktivë (grupeve lobiste, shërbimeve personale, njohjeve me liderit vendimmarrës, përkatësisë krahinore ose interesave të dyshimta financiare), nuk e pranon institucionin e meritës, të karrierës dhe të kontrollit; ajo refuzon transparencën, përballjen me publikun dhe testimin e ndershëm elektoral. Të tejngopur …nga mbipushteti, nga privilegjet e detyrës dhe atyre që burojnë nga abuzimet me detyrën, nga imuniteti ekstrem dhe pamundësia e kontrollit publik, ata arrijnë një pikë kritike, në të cilën, gabimisht, ata e identifikojnë vetveten me popullin, me interesin publik e kombëtar, me shoqërinë dhe fatet e ardhshme të saj, me institucionet dhe kushtetutën, me Shqipërinë dhe simbolet kombëtare.

Në këto rrethana paria politike humbet sensin e arsyes, priret nga vendime personale, refuzon transparencën dhe krijon alergji nga zërat kritikë, duke u shndërruar dalëngadalë në një oligarki politike, refuzuese edhe ndaj parimeve kryesore të demokracisë. Në këto rrethana produktet e saj janë gjysmake, pa përmbajtje, afatshkurtra, propagandistike dhe jashtë çdo cilësie demokratike. Për më tepër, çdo sjellje apo akt i tyre nuk zgjidh, por krijon probleme, provokon pjesën tjetër të shoqërisë, fyen inteligjencën publike dhe imponon mendimin fatkeq se ky popull, këtë model udhëheqjeje meriton. Sëmundja e humbjes së arsyes nuk njeh moshë dhe as parti, nuk njeh përkatësi ideologjike dhe as nivel edukimi; ajo përhapet si kancer dhe diku më pak a më shumë prek çdo organizëm shtetëror e publik.

Kështu ndodh e vijon të ndodhë edhe në rastin shqiptar. Në vend që institucionet dhe sjellja e arsyeshme të veprojë, çdo ditë lindin konflikte të reja politike e shoqërore; herë në formën e protestës për një pemë të prerë, herë për një park natyror të dëmtuar, herë për një tender energjie dhe herë për një tjetër lojërash fati, herë për mandatin e institucioneve kushtetuese dhe herë për kushtëzimet e reformës zgjedhore të radhës.

Produkt absurd i humbjes së arsyes politike është ekzistenca paralele e qeverisjes në Fier, dy kryetarë, dy kryesi, dy qarqe për një qytet! Në rang vendi kemi rreth 10 njësi me rëndësi vendore ku konflikti artificial nuk lejon miratimin e buxhetit lokal, siç kemi dhjetëra njësi të tjera ku nuk vepron njëri prej dy institucioneve të zgjedhura, kryetari ose këshilli. Pengje të politikës mbeten Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Këshilli Drejtues i RTV, KKRT, KLD, dhe deri edhe një e treta e posteve në administratën publike, të cilat edhe më 2012 vijojnë të trajtohen si plaçkë tregu midis partive informale në parlament.

Një tregues i humbjes së arsyes politike është edhe paradoksi i fundit: ndryshimi i ministrit të jashtëm ditën që vendi ynë merr drejtimin praktik të Këshillit të Evropës, apo disa emërime politike që të kujtojnë katapultimet e klasës punëtorë në Byronë Politike të viteve ’60. Nuk ka shenja progresi në reforma, nuk ka sens reflektimi dhe as bilanci, nuk ka ndjenjë përgjegjësie nga ata që marrin vendim dhe as ndonjë shpresë se gjërat do të jenë ndryshe në muajt apo vitin e ardhshëm. Dhe kështu, vendi vijon të pasqyrojë nivel të lartë të përçarjes dhe konfliktit të brendshëm politik në kohën kur 100 vjetori i shtetit dhe integrimi në BE kanë parakusht dialogun dhe bashkëpunimin politik, funksionimin institucional dhe stabilitetin demokratik.

Çfarë na pengon të veprojmë ndryshe? Që para se të krijojmë struktura paralele në Fier apo qytete të tjera, të respektojmë ligjin dhe votën? Që para se të shkarkojmë apo emërojmë zyrtarë të lartë të bëjmë bilancin publik të arritjeve apo CV të tyre? Që para se të mbajmë peng institucionet kushtetuese e ligjore të zgjedhim alternativën kushtetuese të çlirimit/plotësimit të tyre? Që para se të presim pemë apo parqe publike të pyesim qytetarët, ti bëjmë ata vendimmarrës dhe të respektojmë votën e deleguar të tyre? Që para se të privatizojmë asetet publike të bëjmë transparencë me vetë publikun “pronar”? Që para se ta copëtojmë administratën në llokma pushteti midis partive fiktive dhe klaneve të pushtetit, të krijojmë një administratë ligjore, profesionale dhe të qëndrueshme në shërbim të publikut dhe qeverisjes afatgjatë?

Që para se ta përjetojmë votën për qeverisje si e drejtë sundimi apo votën për qëndrim në opozitë si votë (vet)përjashtimi, të respektojmë qytetarët votues për jetë normale parlamentare, debat alternativash dhe zgjidhjesh për më të mirën e vendit? Që para se të identifikojmë Tjetrin (kritikun apo palën e kundërt politike) si e keqja e këtij vendi, si pengesë zhvillimi, si fajtorë për gabimet dhe dështimet tona, të respektojmë mendimet e tyre dhe në rrugë demokratike të marrim vendime sa për përfaqësuese dhe transparente? Asgjë. Absolutisht, nuk duhet të na pengojë asgjë. Por realisht kemi një pengesë, një mallkim që na ndjek dhe ajo është ndjenja e babëzisë me pushtetin, e trajtimit të shtetit si pronë private, ndjenja e bezdisë ndaj detyrimeve publike dhe rregullave demokratike. Nëse nuk do të ishte kjo pengesë, atëherë me siguri energji të shumta do të shkonin në dobi të forcimit real të demokracisë funksionale.

Kjo nuk ndodh sepse fatkeqësisht, rasti ynë është rast i politikës post-fakt, i mungesës së arsyes dhe vullnetit për politikë të arsyeshme. Shqipëria ka humbur shumë në shanset e saj historike, shqiptarët e identifikojnë shpesh veten me një popull të shanseve të humbura, viktimë të keqqeverisjes dhe kushteve minimale të mbijetesës. Në fakt, fatet tona nuk janë imponuar; ato janë produkti ynë, i sjelljes dhe mossjelljes tonë, i zgjedhjeve të gabuara dhe i pafuqisë sonë për të kuptuar dhe arritur ndryshimin. Mund të humbet kohë, mjete, energji, mundësi, por midis të gjitha humbjeve, humbja e arsyes dhe shpresës përbën humbjen më të madhe, më të dhimbshme dhe më penalizuese për fatet e një shteti dhe shoqërie.