Nga Ardian Vehbiu*, 7 Shkurt 2013
Gjykata e Rrethit Tiranë sapo i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për vrasjet e 21 janarit, me ç’rast Kryeministri Berisha shpjegoi se “nuk do të më gjeni kurrë mua duke komentuar vendime gjykatash”, ndërsa Kryetarja e Kuvendit Topalli se “kur flet drejtësia të gjithë duhet të heshtin”; fjalë që më kujtuan, kushedi pse, fjalinë e fundit të Tractatus Logico-Philosophicus të Wittgenstein-it: “Wovon man nicht sprechen kann, darüber muss man schweigen.” (angl. “Whereof one cannot speak, thereof one must be silent,”) e cila në shqipe pak a shumë mund të sillet si “për çfarë nuk mund të flitet, duhet ndenjur pa folur.”
E megjithatë, edhe kjo larje duarsh e krerëve institucionalë është një lloj diskursi specifik, ndaj të cilit këshillën e Wittgenstein-it nuk e ndjekim dot, sidomos edhe ngaqë ka shumë për t’u thënë, pa përsëritur ç’kemi thënë më parë për ato katër vrasje në mes të ditës e në dritë të diellit, nga forcat policore të shtetit, që janë lënë, kushedi qëllimisht, të pandriçuara nga Drejtësia.
Duke ua lënë të tjerëve komentin politik për këtë vendim të gjykatës, dua të ndalem pak vetëm në një reagim të Kryetares së Kuvendit në seancën e sotme të Kuvendit, në përgjigje të protestave përkatëse të opozitës.
Sipas “Panoramës”, Topalli që nga foltorja e vet mbi nivelin e detit:
Jeni mësuar ju, se këtu 50 vite bënin prokurorin edhe gjykatësin edhe kërkonin t’i varnin në litar. Të njëjtët jeni, ti mund të jesh sekretari par i Tiranës po as si Xhelili nuk je, ik mor andej, kur flet gjykata ju duhet të mbyllni gojën, ju që flisni çdo ditë, pa pyesni pak Luiza Xhuvanin, a ishte nënë ajo moj zonjë që iu vra djali nga djali yt, mu më dhimbesh edhe ti moj, po don me fol ti, nuk është kinemaja kjo që kërkoni të varen në litar, ka drejtësi sot. Ti nuk ke faj, s’kam gjë më ty as me brezin tjetër, por parimit duhet ti qëndrojmë; flet drejtësia heshtni, ikni frikacakë, i çoni për t’i vrarë e pastaj ikni. Boll keni vra 50 vite ka ikur koha juaj.
Fjalë që vijnë prej një personi institucional, i cili gjetiu njihet edhe me emrin “Speaker” i Parlamentit, ose si figura institucionale që flet – prandaj edhe ia vlen të shihet më nga afër diskursi (kaotik) i kësaj “folëseje” së Kuvendit, ose i zërit zyrtar të pushtetit legjislativ në Tiranë.
Ka një logjikë, në diskursin e çalë të Topallit; një logjikë që, kushedi në emocion e sipër, nuk arrin të nyjëtohet në fjali, as të mpikset në mendim racional – e pikësuar siç është nga shpërthime të vogla emocionale, të llojit “ik mor andej”, “moj zonjë”, “mu më dhimbesh edhe ti moj”, “po don me fol ti”, “ikni frikacakë”, e ndonjë tjetër.
Kjo logjikë shtjellohet sipas dy aksesh: (1) Politika e sotme si revansh ndaj krimit komunist dhe (2) Mbylleni gojën.
Që roli i Topallit është të bashkërendojë edhe debatin në Kuvend, këtë e dimë; sikurse e dimë që, në një parlament si ai i Tiranës bashkërendimi i debatit si rregull konsiston në censurimin e këtij apo atij parlamentari, që nuk respekton rregullat e Kuvendit ose të seancës.
E megjithatë, Topalli këtë lloj censure formale e përdor për të ushtruar artin ironik të një “spikere” të Parlamentit, që nuk lë njeri të flasë e t’i flasë, duke u hedhur në fytyrë oratorinë prej gruaje në revansh të përhershëm, të pasur në non sequitur dhe në diversione nga më të ndryshmet, e që nuk do të ngrinin peshë, sikur të mos paralajmëronin tonin dhe strukturën e diskursit politik të PD-së, në fushatën elektorale që po afrohet.
Filli që e mban bashkë këtë diskurs, është referimi këmbëngulës ndaj “drejtësisë” totalitare, që nga “varja në litar”, te Xhelili dhe te “kinemaja” (salla famëkeqe e Kinema Republikës, ku u zhvilluan gjyqet kundër armiqve të regjimit komunist, në gjysmën e dytë të viteve 1940).
Duket sikur Kryetarja e Kuvendit është etikisht e motivuar, në rolin e vet dhe në zotimin e saj politik, nga dëshira për t’u hakmarrë për padrejtësitë dhe krimet institucionale të 60 vjetëve më parë, të cilat – sikurse gjithashtu e kemi thënë – kanë mbetur të padënuara, qoftë edhe simbolikisht, nga drejtësia shqiptare e këtyre 20 vjetëve të fundit.
Si në një rast edhe në tjetrin, drejtësia e pas 1990-ës nuk ka guxuar të prekë politikën, as të djeshmen as të sotmen.
(Dhe për këtë drejtësi u dashka heshtur, kur flet!)
Natyrisht, farsa e drejtësisë komuniste, në gjyqet popullore të zhvilluara në kinematë, ose pikërisht në vendet e destinuara për të konsumuar fiksionin e filmit dhe për t’u zbavitur me spektakël, nuk e përligj as mund ta përligjë farsën e sotme të një drejtësie që i vidhet përgjegjësisë së vet dhe sidomos të institucioneve të larta të shtetit dhe të personave që i mishërojnë, të cilat sillen si të ishin protagoniste të një reality show.
Gjithnjë sipas Topallit, opozita e sotme përfaqëson, në thelb, po ata njerëz që dje nuk ngurruan t’i varin në litar kundërshtarët e tyre: “jeni mësuar ju, se këtu 50 vite bënin prokurorin dhe gjykatësin”, “boll keni vra 50 vite, ka ikur koha juaj”; ajo u drejtohet deputetëve të PS-së si të ishin të dërguar të prokurorëve të Enver Hoxhës, duke e energjizuar veprimin e vet politik, dhe vetë diskursin e vet institucional, me nevojën për të marrë hak.
Ky koluzion i drejtësisë me hakmarrjen, tipik për mendësinë patriarkale të shqiptarit rural, është sanksionuar tashmë si realitet i pranuar, madje si argument në mbështetje të çdo arbitrariteti të forcës në pushtet, në marrëdhëniet e saj me opozitën e majtë.
Nuk ka dyshim se Topalli vetë e beson këtë; kushedi edhe ngaqë e ka provuar në lëkurën e vet arbitraritetin e dhunës totalitare – dhe nuk e kupton ironinë e pozitës së saj, në krye të një institucioni të cilit i është besuar, ndër të tjera, detyra për të ruajtur e për të mbrojtur gjithçka të ndyrë, amorale dhe kriminale që regjimi i sotëm ka trashëguar nga i djeshmi, drejtpërdrejt dhe në trajtat e jashtëqitjeve të këtij të dytit.
Veç kësaj, nuk di as sa mund të tolerohet, nga pikëpamja qytetare, që Kryetarja e Kuvendit, në rolin e saj institucional, të përdorë këtë logjikë tribale, kanunore, që e sheh dhe e shpjegon veprimin politik, çdo veprim politik, në kontekstin vertikal të etërve dhe të bijve – sikurse duket në përmendjen e pakuptueshme të “Xhelilit”, ose në një krahasim logjikisht qesharak të 21 janarit me një vrasje ordinere që paska kryer djali i deputetes së opozitës L. Xhuvani.
Ky farë spektakli i vjen publikut shqiptar pikërisht nga “speaker”-ja e Kuvendit; ose mishërimi i zërit dhe i pranisë publike të një institucioni i cili përmbledh, në arsyen e qenies së vet, vullnetin e zgjedhësve; por që, në rastin konkret të Topallit, rregullisht integron, në këto performances të saj, elemente të jetës së saj si qytetare private, si grua, si shkodrane, si katolike, si ish të përndjekur, si veriore – ose të gjitha ato tipare të cilat nuk kanë fare të bëjnë as me Kuvendin si të tillë, as me Kryetarin e saj.
*Marrë nga blogu Peizazhe të Fjalës
http://xhaxhai.wordpress.com/2013/02/07/kur-flet-drejtesia/