Kur duhen përgëzuar policët që vrasin!

0
48

Nga Mero Baze

E mbani mend Sali Berishën, Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin më 23 janar të vitit 2011. Në një sallë të ftohtë, të improvizuar me urgjencë në një repart të Gardës në Tiranë, njëri i kërrusur nga pesha e krimit, tjetri i nxirë nga akti i krimit, dhe i treti i trembur që ishte pjesë e krimit, mblodhën disa gardistë të trembur për t’i dekoruar dhe për t’i shpërblyer. E bënë me aq zell dhe gjakftohtësi këtë, kur kufomat sapo kishin zbritur nën tokë, sa dukej që mezi kishin pritur një ditë që të vrisnin. Po dekoronin dhe inkurajonin policë dhe oficerë garde që kishin vrarë katër qytetarë të pafajshëm, të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur në mes të bulevardit vetëm pse protestonin.

Në katin e përgëzimit të tyre kishte aq shumë cinizëm dhe aq shumë mesazhe kundër lirisë dhe ligjit në këtë vend, sa nuk besoj se do të ketë ndoshta më kurrë nëse ky vend nuk rrëshqet në diktaturë. Përgëzonin njerëz që nuk donin të përgëzoheshin. Dekoronin oficerë garde që fshihnin fytyrën se nuk donin të njiheshin. Inkurajonin vrasje të qytetarëve tek njerëz që nuk donin të vrisnin qytetarë. Dhe e gjitha bëhej në emër të kërcënimit dhe frikësimit të qytetarëve që të mos kërkonin më të protestonin dhe të dilnin në sheshe kundër pushtetit.

Në këtë fillim janari, dy prej këtyre tre fytyrave po dalin përditë dhe po i kërkojnë llogari Saimir Tahirit përse ka përgëzuar policët që kanë asgjësuar një qytetar të armatosur, që ka qëlluar mbi një polic për motive kriminale, dhe që është betuar në telefon se nuk dorëzohet pa vrarë disa policë. Është një rast klasik i përplasjes së shtetit me krimin, ku ka fituar shteti.

Këta fytyra, që kanë përgëzuar policë dhe kapterë pse kanë vrarë qytetarë të pafajshëm dhe të paarmatosur, që kishin dalë në shesh të protestonin kundër pushtetit, tani i kërkojnë llogari Ministrit të Brendshëm përse përgëzon policët që në përballjen me një njeri të armatosur, të betuar për të vrarë policë, ka mbrojtur dhe përgëzuar policët.

Ky në fakt është dallimi thelbësor mes Sali Berishës dhe pushtetit të tij, ku përfshihet dhe Lulzim Basha, dhe ekipit të ri që qeveris vendin. Policët janë po ata, kriminelët në rrugë janë po ata, qytetarët në rrugë janë po ata. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se tani kemi një polici, e cila asgjëson një kriminel të armatosur dhe merr përgëzime nga pushteti, ndërsa tre vjet më parë, në janar të vitit 2011 kishim një polici dhe gardë, që asgjësonte qytetarë të paarmatosur, të parrezikshëm dhe të pambrojtur, vetëm se rrezikonin pushtetin me protesta, dhe dekoroheshin nga regjimi.

Kjo është një diferencë, e cila tejkalon detajet teknike dhe bën diferencën mes një pushteti që sillet si regjim kundër qytetarëve dhe një pushteti, që sillet si shërbëtor në mbrojtje të interesave të qytetarëve nga krimi.

Sali Berisha dhe Lulzim Basha kanë përgëzuar policë dhe kapterë pse kanë vrarë qytetarët që rrezikonin pushtetin e tyre, ndërsa Saimir Tahiri ka përgëzuar policët që kanë mbrojtur qytetarët nga krimi dhe përplasja e krimit me shtetin.

Reagimi i Berishës dhe Bashës në këtë rast është instiktiv dhe buron nga bindja e tyre e sinqertë se pushteti mund të vrasë vetëm kur rrezikohet pushteti dhe jo për interes të rendit dhe ligjit.

Nga ana tjetër, Berisha dhe Basha duan të japin dhe një mesazh popullor për krimin, i cili nëse vepron, ka mbështetjen e tyre. Ata duan që kushdo, i cili ka iniciativë t’i kundërvihet shtetit, të vrasë policë dhe të bëhet një Robin Hud shqiptar, të jetë nën garancinë e tyre se nuk do të preket.

Strategjia patetike e Berishës për “përmbysje” dhe “rrëzim” bazohet pikërisht tek gjeste të tilla, të daljes në krah të atyre që vrasin policë dhe sulm mbi qeverinë që mbron shtetin ligjor.

Është në të vërtetë një panoramë klasike se si politika kërkon të bëhet mburojë e krimit dhe të mundë me të shtetin, duke synuar pushtetin. Por është nga ana tjetër dhe një motiv më shumë për t’i prerë krahët krimit dhe për ta izoluar atë nga përkrahja politike. Është koha që Berisha të ekspozohet siç po ekspozohet, vetëm në anën e kriminelëve. Është diferenca reale mes rastit kur duhen përgëzuar policë që qëllojnë mbi krimin dhe rastit kur Berisha e Basha mbronin një krim politik duke përgëzuar gardistë që kishin vrarë qytetarë.