
Andrea Stefani, 19.03.2011
Mund të thuhet me shumë shqetësim, por pa aspak frikë, se gabon që Shqipëria është sot një nga ato shtete të tmerrshme ku mund t’ia marrin jetën qytetarëve dhe të mos e marrë vesh askush se ç’ngjau. Thonë akoma se është demokraci, paçka se vetëm në diktatura ndodh që një pushtet të vrasë qytetarët dhe të vazhdojë të quhet “pushtet i popullit”. Një gjë e tillë ka ndodhur në Shqipëri për 45 vjet nën diktaturën komuniste. Por, disa shqiptarë e kanë harruar.
Prandaj dhe sot vazhdojnë të mbështesin dhe votojnë një pushtet që ka vrarë qytetarët e Shqipërisë. Duket se shumë prej tyre, tamam si dikur, besojnë se qeveria Berisha më 21 janar i ka vrarë 4 qytetarët me të drejtë, domethënë në emër të popullit. Është në lirinë e tyre të besojnë si të duan dhe të votojnë kë të duan. Por, në një shtet demokratik kërkohet që të jetë dikush tjetër dhe jo partia dhe qeveria që t’i tregojë publikut me prova se edhe nëse qeveria ka vrarë, ka vrarë në interes të sovranit dhe ligjit. Dhe ky dikush është fillimisht prokuroria, dhe më pas gjykata.
* * *
Tashmë është bërë zakon në Shqipëri që pikërisht krimet më të tmerrshme, veçanërisht ato që duket se e kanë autorësinë lart, në kupolën e pushtetit, të mos hetohen dhe të mos ndëshkohen. Ka nisur në vitin 1997, me krimin e piramidave financiare për të vazhduar me grushtin e shtetit të vitit 1997, me aksidentimin e një qytetari në Shkallnur, me rrugën Durrës-Kukës, me tragjedinë e Gërdecit, me video-skandalin Meta dhe shumë të tjera skandale korruptive dhe kriminale. Nuk do shumë nuhatje për të kuptuar se njerëz të rëndomtë si njerëz, por të pushtetshëm si politikanë, ja kanë arritur të sigurojnë një status mbiligjor, duke u bërë të paprekshëm nga drejtësia. E gjithë kjo dukuri pandëshkueshmërie është rrjedhojë e suksesit që kanë pasur këta politikanë dhe klanet e tyre mafiozo-politike në rrënimin e pavarësisë së prokurorisë dhe gjykatave.
Por, thuajse dy muaj nga 21 janari, pas vrasjes në mes të bulevardit nga ushtarët e Kryeministrit të 4 demonstruesve opozitarë, kjo dukuri ka arritur një kulm që nuk mund të mos shënojë rrënimin e shtetit. Sepse ky i fundit nuk është, sikundër pandehin jo pak shqiptarë, një vend ku një turmë qeveriset nga një individ dhe klani i tij që kanë monopolin e zgjuarsisë dhe drejtësisë dhe si të tillë, nuk i japin kurrkujt llogari edhe nëse vrasin e presin. Por i tillë është shteti diktatorial, ku lideri dhe partia në pushtet janë edhe ekzekutorë, edhe prokurorë, edhe gjykatës.
Shteti demokratik që rrekemi të krijojmë që nga viti 1991 e këtej është e kundërta e tij. Shteti demokratik është një marrëveshje e gjithë banorëve të lirë të një vendi për të zbatuar disa ligje dhe rregulla, që ndërsa përjashtojnë nënshtrimin, nuk lejojnë as edhe në gjendjen e natyrës, ku secili mund të vrasë e grabisë secilin pa i dhënë kurrkujt hesap dhe pa u ndëshkuar. Por kur një qeveri vret qytetarë dhe nuk jep hesap se përse i vrau, ajo ka dalë nga kushtet e marrëveshjes që është thelbi i shtetit demokratik dhe është në gjendjen e natyrës në raport me qytetarët e vet.
Po ashtu, edhe masa e qytetarëve të lirë me qeverinë që ka vrarë. Ashtu si janë në gjendjen e natyrës në raport me njeri-tjetrin edhe ata qytetarë që nuk i binden ligjit, por këmbëngulin të zbatojnë zakonin e gjakmarrjes. Dhe gjendja e natyrës është fundi i shtetit me liri. Prandaj, ose qeveria duhet të bjerë, ose qytetarët do i nënshtrohen dhunës së saj. Pra, do të bjerë marrëveshja e shtetit demokratik, duke i lënë vendin një tjetër shteti. Këtë herë pa liri, pra edhe pa marrëveshje. Shteti komunist nuk qe një marrëveshje, sepse nënshtrimi nuk mund të jetë marrëveshje.
* * *
Prandaj mund të themi se pas 21 janarit në Shqipëri kemi kaluar në një gjendje ku kemi pushtet, por nuk kemi shtet demokratik në kuptimin thelbësor dhe liberal të fjalës. Sepse, në asnjë shtet normal nuk mund të ndodhë që të vriten me plumba në mes të ditës 4 qytetarë, të vriten para automatikëve të ushtrisë dhe përsëri “askush” të mos e dijë se kush i vrau. Është e dhimbshme të shikosh sesi prokuroria ka dy muaj që rend e rreket pas trajektores së plumbave të Berishës, kur e gjithë Shqipëria dhe bota e kanë parë si u vranë dhe kush i vrau.
Të gjithë bëjnë sikur nuk e dinë atë që e dinë të gjithë! Por pavarësisht të gjitha frikërave, heshtjeve dhe verbërive, krimi i 21 janarit ka vetëm dy përgjigje të mundshme: Njëra, e pambështetur deri tani nga asnjë provë, pohon se të katër protestuesit ishin pjesë e një puçi të armatosur kundër një qeverie të ligjshme, sikundër pretendon Kryeministri Berisha. Dhe si të tillë, ata e meritonin, si do i pëlqente të shprehej Jozefina Topallit, plumbin ballit. Në këtë rast ata duhet të konsiderohen nga të gjithë jo dëshmorë, por kriminelë. Të tillë duhet të konsiderohen edhe organizuesit opozitarë të këtij puçi antikushtetues dhe duhet të marrin dënimin sipas ligjit.
Por kuptohet, në bazë të provave të dhëna nga prokuroria dhe të konfirmuara nga vendimet e gjykatës. Përgjigja e dytë për 21 janarin, e mbështetur në prova të para nga miliona shikues nëpërmjet medias, është e kundërta e të parës: ushtarët e Gardës kanë vrarë 4 demonstrues paqësorë në prezencë të ministrit të Rendit, Basha dhe Kryeministrit Berisha, duke dhunuar thelbin e Kushtetutës dhe shtetit, që është mbrojtja e jetës së shtetasve. Prandaj, 4 të vrarët janë jo kriminelë, por martirë të lirisë.
Në të kundërt, si ata që shkrehën armët, ashtu edhe ata që urdhëruan apo frymëzuan politikisht një krim të tillë kapital (drejtuesit e Gardës, ministri Basha dhe vetë Kryeministri Berisha), duhet të përgjigjen para ligjit për krimin e rëndë të vrasjes. Në një shtet ligjor askush nga qytetarët, as qytetari që është përkohësisht Kryeministër, nuk mund të dalë mbi ligjin pa i dhënë fund shtetit. Dhe nëse asnjeri prej këtyre dy opsioneve nuk ndodh dhe pa vonesë, atëherë nuk mund të mos themi se shteti ka marrë fund. Të paktën shteti demokratik!







