Kur desh më zuri belaja me Al Kaedën

0
37

Nga: FITIM HOXHATI

Në mbyllje të këtij cikli artikujsh për problemet që na preokupojnë sot në fushën e Drejtësisë, kryesisht asaj penale, duhet dhe më vjen për mbarë të them dy fjalë për reformën legjislative në këtë fushë e të Drejtësisë përgjithësisht. Më duhet të them së pari se, për mendimin tim reformë të vërtetë në Drejtësinë shqiptare kemi vetëm në 5-vjetshin e parë të viteve ’90, me përmbysjen në kuptimin e mirëfilltë të fjalës të “parimeve”, “ndërtesës” dhe “infrastrukturës” së Drejtësisë së diktaturës së proletariatit dhe vendosjes së parimeve të shtetit ligjor e të së drejtës, ngritjes nga themelet të ndërtesës së re të Drejtësisë dhe infrastrukturës së saj me legjislacionin e pushtetit te ri gjyqësor e të prokurorisë, miratimin e katër Kodeve themelore të Drejtësisë, atë Penal e Civil dhe Proceduralet respektive, e për mua edhe me legjislacionin përmbarimor dhe të regjistrimit të pronave të paluajtshme. Pak me vonë, më 1998 kemi edhe legjislacionin e ri të Burgjeve.

Pas kësaj është një periudhe afro 10- vjeçare me akte të reja a me arnime ligjore, që paraqiten si reformë, por që në thelb nuk janë të tilla. Unë personalisht kam pikëpamjen se në këtë fazë, synim i drejtë për të përsosur frytin e fillim viteve ’90, në fakt ka sjell shndërrimin e ligjeve e Kodeve kryesore në han pa porta, jo vetëm me atë lukuni e shpeshtësi shtesash e ndryshimesh që kanë vështirësuar dhënien e drejtësisë, por edhe të panevojshme e në disa raste me gabime parimore të natyrës ngushtësisht juridike e në ndonjë rast, edhe të shkallës kushtetuese, sikurse do argumentoj me tej. Faktori kryesor i këtij hani legjislativ ishte se në fillim vitet ‘90 u kopjua a u transplantua pothuaj, legjislacioni i huaj, kryesisht italian, natyrshëm e objektivisht, sepse nga njëra anë ishte uria dhe urgjenca legjislative, nga ana tjetër mungonte jo vetëm mielli i vendit, por edhe furrxhinjtë ishin mësuar vetëm me “miell misri”. Gjithsesi, me gjithë kontradiktat dhe pasojat e tjera të ekletizmit që shoqëroi këtë import, aktet e miratuara ishin përgjithësisht dinjitoze si për cilësinë që karakterizonte mallin nga “vendi prodhues”, ashtu edhe për ndihmën e konsulencën gjatë gatimit. Ndërkohë, kemi fillimin e gjeneratës së re të juristëve fillimisht, objektivisht, me “plepistët”, për të ardhur tek gjenerata e mirëfilltë me kulturë të plotë juridike, e cila jo vetëm nuk është e kalçifikuar akoma, por po vazhdon ende me ethet objektive të romantizmit djaloshar, sikurse u them me shaka dashamirëse, “të gjithë këta të diplomuar këtu a eurpoplepista, kanë fiksionin se do bëhen Presidentë të OKB–së”.

Pas viteve ’90, sikur na u rrit mendja e sidomos me ardhjen e “europlepistëve”, kujtuam se dimë të gatuajmë alla frënga. Sidoqoftë, këta europlepistët tanë kanë meritë ndershmërinë profesionale. Të ndërgjegjshëm se janë akoma fillestarë e nuk kanë takat “të projektojnë”, “të financojnë” e “të realizojnë investime themelore”, nuk u hynë akteve të reja ligjore veç përjashtimisht, por ndërmorën një fushatë të paprecedent shtesash, plotësimesh e modifikimesh të akteve ekzistuese. Vërtetë në të shumtën ishin të nevojshme, por u shkelen ligjësitë e “Draft”-legjislacionit në standardet e limitet e ndryshimeve për një akt, në kohë, sasi, cilësi e deri në unitetin e konceptimit, të strukturës, teknikës së formulimit, gjuhës, terminologjisë së dispozitave ekzistuese me shtesat e ndryshimet kritere, që kushtëzojnë në çdo rast nëse duhet bërë meremet i aktit apo akt tërësisht i ri. Cenimi i këtyre ligjësive e kritereve shkencore solli kakofoninë e dispozitave të ligjeve kryesore, sidomos Kodeve materiale e procedurale, penal e civil, për të mos u futur më thellë me hanet e akteve të tatimeve, urbanistikës e deri në atë të kthimit të pronave, situatë që duhet të eliminohet urgjentisht e në mënyrë të planifikuar. Kjo duhet bërë jo vetëm e thjesht sepse Europa vërtet nuk ndërhyn në kakofoninë e koloristikën ‘alla gab’ të ndërtesave të Tiranës, por nuk të pranon në gjirin e saj me kakofoni e koloristikë të tillë në legjislacion. Domosdoshmëria rrjedh në radhë të parë në të mirë e për veten tonë, për të rritur në maksimum shkallën e njohjes e përvetësimit të ligjit në funksion të respektimit e zbatimit të tij me efektivitet e në përputhje me vullnetin e sovranit, në realizim e plotësim të nevojave shoqërisë në realizim e mbrojtje të lirive e të drejtave themelore të njeriut.

Tashmë jemi domosdoshmërisht para një reforme të dytë të mirëfilltë. Ndërsa e para kishte për objekt eliminimin e ndërtesës së djeshme dhe ngritjen së resë me banorët shqiptarë me pasaportë të shtetit te ri, ligjor e të së drejtës, e dyta, e tanishmja, nuk ka synim e objekt te prishë ndërtesë për ndërtuar të re nga e para, por meremetimin themelor të ekzistueses e kur është e domosdoshme, edhe “shtesa katesh” a “modernizim të çative” dhe padyshim, edhe vendosjen “e ngrohësve diellorë, antenave satelitore” etj, etj, për ta bërë të gatshme e funksionale si për ne banorët e vjetër, por me pasaportë të re si shtetas të Europës së Bashkuar, ashtu edhe për miqtë që do na vijnë, tashmë jo vetëm vëllamër, por edhe bashkështetas.

Pa guxuar të bëj skopinë, mendoj se nuk është kuptuar në thelbin e saj se reforma që kërkohet me ngulm nga Europa për Drejtësinë shqiptare nuk pranon përqendrim vëmendjeje e humbje kohe me aspektet strukturore. Pa nënvleftësuar rëndësinë e ngritjes se gjykatave e organizmave të reja, nuk duhet tepruar, sepse administrativet apo task-forcat e më the të thashë nuk janë gjithnjë zgjidhje, meqë fundja në to do punojnë po këta juristër e do veprojnë po këto ligje.

Rritja e efektivitetit të Drejtësisë, eliminimi i korrupsionit në të, lufta kundër krimit, sidomos atij të rëndë e të organizuar, në daç mafioz, nuk mund të garantohet, p.sh, me ligjin ‘antimafia’, sepse e kam thënë dhe e them, me kërkim ndjese, kësaj i thonë hiq një kurvar, por del tjetri. Mafia nuk trembet pse i more qoftë edhe miliona. Ajo është e aftë të ripërtërihet tak-fak. E patë çfarë rezultati kish ‘antigomonia’? Ulërijnë me triumf se u kap gomonia 10- metroshe, por mua më bën përshtypje jo kjo, e as pse nuk kapet gomonisti. Unë ngre problemin, nga erdhi kjo gomone sikur të ish virus i padukshëm? Pa harruar shkaqet sociale të gomonizmit, të çfarëdo lloji, lufta ndaj tij nuk do ketë sukses pa u prerë rrugën “gomoneve” të reja. Është strategjia e Marlon Brandosë tek filmi i famshëm për ishullin rebel ndaj skllavërisë, tek tha se nuk mund të luftohen rebelët pa u prerë rrugët e ushqimit e të furnizimit, sikur bëri edhe fashizmi me pezakët, jo thjesht për hakmarrje. Shikoni kronikat luftarake të të gjitha kohërave. Është kjo arsyeja e reagimit anglez a gjerman për viktimat civile në Afganistan e gjetkë, sepse u vjen era Marlon Brando. Në luftën e Suezit në fund të viteve ’50, bombardimi paraprak i aeroporteve nuk kish synim shkatërrimin e avionëve, por … të pistave të fluturimit, sepse avionët e rij vinin për 5 minuta, por pistat “nuk vinin dot” veç pas pilafit.

Janë të tilla strategji që kërkohen nëse duam të bëhemi vërtetë europianë. Legjislacioni ynë është kaq i begatshëm dhe “aeroport” për mafien e krimin përgjithësisht me gjithë atë mal dispozitash, tërë mangësira, të çara, kontradikta logjike dhe eklektike e plot broçkulla juridiko-formale ku edhe një Di Pietro apo Silvia Konti, që na mungojnë do ta humbnin toruan. Mafia dhe krimi jo. Ata në çdo “ndërtim” që duan të bëjnë, studiojnë paraprakisht të dhënat “gjeologjike” të legjislacionit përkatës, për të tatuar dendësinë dhe unitetin strukturor të dispozitave të fushës ku do të hedhin themelet e ndërtesës së tyre të kobshme, ndaj si me rëntgen zbulojnë të çarat, krisjet, boshllëqet e proçkat juridike për t’i projektuar rrugët ndërtesës së tyre kriminale, penetrimit dhe vegjetacionit, pa qenë nevoja për shpërthime. Sepse, mafia objektivat i realizon në heshtje e pa shpërthime, ndaj është vështirë të zbulohet. Sikur të gjithë diktatorët kanë dalë me flamurin e demokracisë, edhe paligjshmëria e krimi përdorin flamurin e “ligjshmërisë”. Paradoks vërtetë, por rruga më e sigurt e mbijetesës në heshtje, pa qenë nevoja për shpërthime. Shpërthimet e mafies dhe krimit të organizuar e të rëndë nuk lidhen me prodhimin e të mirave kriminale, por me zhdukjen e gjurmëve. Kur nuk mund të zhduken provat apo të mbyllen gojët, pa ngurruar shpërthejnë ndaj kujtdo që të mbyllen edhe dyert e burgjeve, më saktë të parandalojnë hapjen e atyre dyerve për ta.

Me këtë rast më duhet të them se kritika e ligjit ‘antimafie’ nuk më duket thjesht juridike. Vërtetë mendoj se aspekte tekniko-juridike të diskutueshme mund të shfrytëzohen padrejtësisht, ndaj në këto drejtime juridikisht mund të bëhen kritika me vend, por jo paralelizma historike të pavend e barazime me ligjin e Enver Hoxhës për tatimet e jashtëzakonshme të luftës. Sikurse, në mos gaboj ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese, me to nuk kishte shtetëzime enveriane, por konfiskime të natyrës përmbarimore për mos shlyerje të tatimit për fitime të padrejta gjatë luftës, praktikë që u ndoq nga shumë shtete europiane pas luftës e që Enver Hoxha nuk e shpiku, por e mori natyrshëm, sepse i vinte për shtat në aspektin ekonomik dhe politikës së tij klasore.

Studimi gjeologjik i ligjit dhe zbulimi i “sëmundjeve të tij është harresë, me a pa thonjëza, e ligjorëve, por jo e kundërligjorëve. Për me tepër nëse ligjoret tanë, ndonëse me diploma e tituj, janë të paaftë për të tilla diagnostikime, mafia me shkollë a pa shkollë është e aftë e kur nuk e bën dot vetë, nuk ngurron të investojë, sepse e ka të qartë që investimi është shpirti i biznesit të çdo lloji.

Zyrtarë e avoketër të paaftë në nder, por të aftë në zanat e hile janë objekt i këtij investimi për “rilevimin gjeologjik” të ligjit. Shteti ynë që mburret për organizimin e një ekonomie të shëndoshë të tregut, në thelb nuk mund të jetë e tillë, përderisa nuk ka frymën e investimit antikrim për këtë kërkim “gjeologjik”, tashmë me synim e ne funksion të rigjenerim të domosdoshëm të ligjit. Kam qeshur me vete me një plan madhor qeveritar të ditëve të fundit, ku vegjetojnë kryesisht detyra formalo-burokratike, sikur ia thashë dibrançe edhe shefave të mi.

Me vjen turp të përmend eksperiencat shqiptare të para afro 100 vjetëve, por them se Ahmet Zogu nuk e hante atë tek, të shembte ndërtesat ligjore anadollake me qerpiçe e të ngrinte godinën moderne legjislative europiane me zyrtarë që u mpin mëndtë e kokës rutina burokratike e ditës, pa ngritur një organ të posaçëm të pavarur nga ekzekutivi, sikurse e ngriti, Këshillin Legjislativ me ajkën e juristëve të vendit, fatkeqësisht të paarritshëm edhe sot, që i paguante si frëngu pulën. Ndaj, arritën të kenë edhe akte të tilla origjinale e brilante si Kodi Civil i vitit 1929, ndërkohë që Italia kish veç përkthime me pak salcë Italie të Kodit francez e vetëm më 1942 arriti të bënte Kodin origjinal italian.

***

Nuk ka një teori e as shpikje të “gjeologjisë” e “rivelimit gjeologjik” të ligjit për të zbuluar defektet, mangësitë e të çarat. As kam zbuluar e formuluar ndonjë ligjësi, por as e përmend për herë të parë.

Në takimin Kombëtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve lidhur me projektligjin “Për pastrimin e parave”, kam mbajtur kumtesën “Krimi Financiar dhe realiteti në Shqipëri”, botuar së pari në “Koha Jonë”, datë 30 dhe 31.7.1998, kumtesë në të cilën ndër të tjera kam tërhequr vëmendjen:

… Por, në këtë diskutim dua të tërheq vëmendjen për një drejtim ndoshta specifik për ne apo me saktë të tejkaluar për shtete të tjera.

Është fjala për legjislacionin në tërësi, e jo atë të posaçëm në luftën kundër parasë së pisët.

Ky fenomen ka qenë i panjohur tek ne, ndaj është e natyrshme që në hartimin e legjislacionit nuk është pasur në konsideratë, për pasojë në shumë drejtime ka të çara, të cilat elementi keqbërës në praktikën e zbatimit të ligjit i zbulon dhe i shfrytëzon për qëllimin e tij.

Në rast se në Shqipëri u zhvillua me boom fajdeja, me paramendim ose jo, kjo u shfrytëzua për qarkullimin e parasë së pisët, për specifikën tonë fatkeqe të lejimit të qarkullimit të pagesës cash, boshllëkut në ligj lidhur me institucionet financiare dhe mungesës së kontrollit shtetëror.

Lufta kundër parasë së pisët nuk ka marrë fund me shembjen e piramidave. Parja e pisët ka qarkulluar edhe në drejtime e forma të tjera, dhe tashmë është e sigurt që me eliminimin e formës kryesore, piramidave, do të kërkohen në mënyrë urgjente “zgjerimi i rrugëve të tjera ekzistuese dhe hapja e rrugëve të reja të qarkullimit”.

Në këto rrethana, duhet urgjentisht të organizohet puna për një kontroll total të legjislacionit për të kërkuar “të çarat”, si në aspektin strukturor, ashtu edhe në atë funksional të veprimtarisë së organeve shtetërore përgjithësisht e atyre financiare posaçërisht.

Do të ishte gabim që të përqendrohej puna në organizimin e luftës për kontrollin dhe zbulimin e qarkullimit të parasë së pisët, duke nënvleftësuar punën për eliminimin e rrugëve të këtij qarkullimi….

Të shohim Kodin e Procedurës Civile, se si bëhet konkretisht shlyerja e detyrimeve në të holla. Sipas nenit 570 për ankandin, “depozitohet në zyrën e përmbarimit një shumë të hollash e barabartë me 10% e çmimit të shpallur”. Bëhet fjalë për pagesë cash, e cila mund të jetë edhe në miliona. Nuk vihet një kufi tej të cilit garancia duhet bërë në rrugë bankare.

Lexoni Projekt-Kodin e Doganave, sipas të cilit shlyerja e detyrimit doganor mund të bëhet drejtpërdrejtë në pikën doganore në cash, pa asnjë kufi a limit, gjë që është kundërshtuar zyrtarisht nga ana jonë.

Lexoni ligjin “Për Noterinë”, nëse ka ndonjë kushtëzim të mënyrës së konfirmimit të pagesave për veprimet juridike, veçanërisht atyre të kalimit të pronësisë së paluajtshme. Në një pjesë të mirë të rasteve të veprimeve noteriale përmendet vetëm shuma me sqarimin, “se pagesa është bërë paraprakisht”, pavarësisht se flitet për miliona e qindra miliona”. A duhet të lejojë noteri të ligjërohen kalime të tilla të pronësisë po qe se nuk krijohet garanci se nuk qarkullon para e pisët?

Lexoni ligjin “Për Avokatinë” dhe rregullat për detyrimet e tyre fiskale. Avokati nuk ka pengesë ligjore të marrë në cash miliona e t’i derdhë në llogarinë e tij bankare.

Hapni Kodin Civil në pjesën për kontratën e shitjes apo huasë. Në mënyrë paradoksale është hequr përgjithësisht kushti i vlefshmërisë së veprimit juridik me formë shkresore me kalimin e një limiti të caktuar, sikurse ka qenë në ligjet e mëparshme civile, fillimisht me 5 mijë e më vonë me 15 mijë. Në kohën kur nuk kishte jo më para të pista, por as të pastra, kishte një kufizim të tillë, tani që i kemi të dyja nuk kemi asnjë kufizim.

Pa dashur të kaloj në ekstrem, do të propozoja që për veprime juridike mbi kufirin e pagesës në cash nga bankat apo me një limit tjetër, të kushtëzohet detyrimisht forma shkresore e për shuma të mëdha, ajo noteriale, çka do të ndikojë në frenimin e vënies në qarkullim të parasë së pisët. Shkelja e këtij rregulli duhet të sjellë pavlefshmëri absolute me pasojë sekuestrimin në favor të shtetit të vleftave përkatëse.