Kur bashkëpunon me talebanët?

1
73

Auron Tare, 04.07.2010

Që në krye të këtij shkrimi po e them me plot bindje se artikulli i Prof. Richard Hodges, Mirupafshim But-rint, mirë se erdhët në Kandaharin e Talibanëve, i botuar dje në gazetën “Shekulli” është mjaft i drejtë dhe shumë i saktë mbi realitetin dramatik që sot ndodhet zona e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe qytezat e Sarandës dhe Ksamilit. Ajo që po ndodh sot në Butrint, dhe jo vetëm atje, është një prej tragjedive më të rënda në fushën e Trashëgimisë Kombëtare.

Shumë shpejt edhe një prej vendeve më të ruajtura dhe të mbrojtura në Mesdhe ka rënë pre e një injorance makutërie, e cila nuk di se çfarë bën dhe po shkatërron jo vetëm vlerat universale të civilizimeve mesdhetare, por edhe të ardhmen e turizmit kulturor. Sot, është një fakt i pa mohueshëm që turizmi vjen në jug të Shqipërisë, kryesisht për të vizituar Butrintin dhe zonën e mbrojtur përreth tij. Por tashmë, Parku Kombëtar i Butrintit jo vetëm është lënë në mëshirën e fatit, por fatkeqësisht edhe të administrimit të injorantëve me tituj shkencorë.

Shkrimi i Prof. Hodges, i cili e njeh mjaft mirë Butrintin, hap një debat mjaft të mprehtë pasi thelbësisht problemet që ngrihen në këtë shkrim janë shumë të drejta dhe aktuale. Që të shkosh sot në Butrint nëpërmjet Ksamilit dhe të mos mendosh se je në një prej qyteteve afgane që shikojmë përditë në TV, është e pamundur. Duke qenë në kontakt të përditshëm me të huajt që vizitojnë Butrintit e kuptoj fare mirë se krahasimi që autori i shkrimit të djeshëm, Prof. Hodges, i bën zonës së Sarandë-Ksamilit dhe Butrintin me Kandaharin është shumë afër të vërtetës.

Para dy javësh, një tjetër njohës shumë i mirë i zonës, shkrimtari anglez James Pettifer shkruante se, guidat turistike “Blue Guide” kishin vendosur të pezullonin ri- botimin e vëllimit për Shqipërinë, pasi nuk mund t’i rekomandonin më lexuesve të tyre udhëtime kulturore në jugun shqiptar dhe pikërisht në zonën Ksamil-Sarandë-Butrint.

Ka rreth 8 muaj që një sërë dashamirësish dhe miq të Butrintit kanë insistuar pranë autoriteteve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare, për të frenuar ndërtimin e një autostrade krejtësisht të panevojshme brenda zonës së shpallur Pasuri Botërore të Unesco-s, por më kot.

Megjithatë, përveç çështjeve shumë të drejta që Prof. Hodges ngre në këtë shkrim, si dhe përbuzjes qartësisht të qartë që ai dhe miqtë e tij amerikanë të udhëtimit kanë për Talebanët shqiptarë, shkrimi ka një problem shumë të madh moral.

Talebanët dhe qeverisja e tyre ekstreme në Afganistan hynë në fjalorin modern, si forma më e ulët e injorancës dhe primitivizmit shoqëror në kohët moderne. Askush nuk do të donte sot të kishte asnjë lidhje me Talebanët apo regjimin e tyre. Kësisoj që profesori britanik të krahasojë Talebanët afganë me qeverisjen aktuale shqiptare, duhet në radhë të parë të jetë moralisht i pastër në lidhjet që ai ka dhe ka pasur me talebanët shqiptarë të qeverisjes aktuale, siç i përshkruan ai autoritetet e kulturës. Në të kundër edhe ndërhyrja shumë e drejtë e Prof. Hodges në këtë rast bie erë “pazaresh të prishura”, apo më saktë problem me fondet. Shembull ky i hasur rëndom tek të huajt që kanë pasur bashkëpunim me regjimin e talebanëve afganë për përfitime personale.

Në tetor të 2005, kur Prof. Hodges dhe disa kolegë të tij ftuan “Mulla Omarin” e talebanëve shqiptarë në Butrint, për të hapur një “epokë të re bashkëpunimi, pas qeverisjes korruptive të socialistëve shqiptarë” -fjalë këto të thëna në takimin e tij në Kalanë e Butrintit, Prof Hodges u rekomandoi talebanëve se personeli i Butrintit duhej ndryshuar krejtësisht. (Interesant ishte fakti se jo më parë se disa muaj se ky takim të ndodhte në Kalanë e Butrinti, profesori anglez kishte ftuar një Ministër socialist në Londër për të parë “Live” skuadrën e Çelsit).

Prof. Hodges dhe “Ministri i parë i Kulturës i Qeverisë talebane” një doganier dhe anonin në fushën e kulturës filluan një bashkëpunim mjaft frytsjellës, ku larguan nga puna në Butrint pa asnjë arsye të gjithë të rinjtë që vinin nga Saranda apo zonat përqark, të cilët ishin trajnuar nga një sërë programesh të donatorëve të huaj, duke sjellë për herë të parë një formë administrimi të trashëgimisë në frymën perëndimore.

Ministri Anonim taleban dhe profesor Hodges, së bashku me një prej këshilltarëve të “Mulla Omarit”, sollën në krye të Parkut Kombëtar të Butrintit një personazh tipik Taleban, i cili jo vetëm nuk fliste asnjë gjuhë të huaj dhe nuk di akoma se si përdoret një kompjuter i thjeshtë, por dikur prof. Hodges tallej me të, pasi personazhi në fjalë gjatë ekspeditave arkeologjike ishte i njohur si person që natën hante sallamin e studentëve.

Ky personazh qesharak u caktua për të administruar pasurinë arkeologjike më të rëndësishme të jugut, me rekomandimin e Prof. Hodges. Sigurisht një lolo i tillë i duhej profesorit, pasi me të mund të bënte çtë donte në Butrint dhe sigurisht të kishte akses në fondet dhe projektet e kësaj Qendre Arkeologjike. Jo vetëm kaq, por Prof. Hodgës i akordoi talebanit në fjalë një rrogë mujore dhe kur shtypi shqiptar foli për këtë rast korruptiv të pastër, Prof.Hodgës refuzoi të komentonte.

Bashkëpunimi i Prof. Hodges me Qeverinë Talebane nuk përfundoi këtu. Dy prej njerëzve më të afërt të profesorit anglez, me rekomandimin e tij, u caktuan në poste të larta drejtuese në Ministrinë e Kulturës, të drejtuar nga Ylli Pango. Pra Profesori ju dha talebanëve njerëzit e stafit të tij të ngushtë, për ta administruar trashëgiminë kulturore shqiptare. Njëri u caktua Drejtor i Trashëgimisë Kulturore dhe tjetri, po në një post të rëndësishëm të kulturës.

Për disa vite me radhë njerëzit e njohur si punonjës të Zyrës së Pakardit, (zyrë kjo e administruar nga prof.Hodgës), dhe të paguar po prej tij, ishin administratorët e lartë në gjirin e Qeverisë, të cilët profesori e quan Qeveri talebanë. Pra, nëse talebanët shqiptarë këto 5 vite kanë bërë zullume të mëdha në fushën e trashëgimisë kulturore, profesori nuk ka se si t’i shmanget të vërtetës se njerëzit që ai u rekomandoi talebanëve në krye të Trashëgimisë, ishin njerëzit e tij. Megjithëse njëri prej tyre u vetëlargua nga ajo moçalishte dhe tjetri Drejtuesi i Trashëgimisë dhe Kulturës Kombëtare iku nga zullumet e bëra me tenderët e Ministrisë së Kulturës.

Të mos harrojmë së edhe një prej rrogëtareve të Fondacionit qe ai drejton është zyrtar i lartë në Qeverinë talebane krijon një tablo të qartë të bashkëpunimit të profesorit me talebanët në pushtet.

Profesori britanik me të drejtë në shkrimin e tij ngre pyetjen e madhe se ku shkojnë paratë që mblidhen në Butrint? Tashmë si rezultat i rritjes së fluksit të turizmit në Shqipëri të ardhurat në Butrint janë të mëdha, por qartësisht mungojnë investimet në infrastrukturë, restaurime, prezantime, botime, programe të reja me universitete të huaja etj, etj. Në këtë pikë, ai është shumë i sakte. Muzeumi ndoshta më i miri në Shqipëri është në gjendje të mjerë dhe e gjithë ajo pasuri arkeologjike ruhet nga një roje plak, me një rrogë 150 mijë lekëshe të vjetër në muaj. Nuk ka asnjë cicerone apo përgjegjës për këtë Muze. Rojet dikur të trajnuar nga Federata Botërore e Rangersve janë zëvendësuar. Mungojnë programet për vizitat e shkollave. Mungojnë programet për komunitetin.

Fondi prej 1 milion USD, i akorduar nga Banka Botërore, nuk u dha asnjë herë pasi me të drejtë banka nuk kishte siguri në njerëzit që punojnë në Butrint dhe si rrjedhim ky Fond mbyllet në Shtator. Nuk ka asnjë program të ri bashkëpunimi dhe Butrinti këto 5 vjet mund të përmendet si një rast unikal, ku një Park Kombëtar nuk mbjell asnjë pemë në territorin e saj. Pra deri këtu, Profesori ka të drejtë.
Por fatkeqësisht Prof.Hodges edhe në këtë artikull nuk e vuri gishtin mbi plagë, duke mos e thënë të vërtetën ashtu siç është se Talebanët e tij janë përgjegjësit kryesorë të kësaj situate.

Është një fakt i njohur nga të gjithë, që në Butrint ka një abuzim të madh me biletat që priten nga të huajt. Edhe pse shifra që përmend profesori, 75 mijë vizitorë për vitin 2009 është shumë pranë të vërtetës, vlera e grumbulluar duhet të jetë më e lartë në se Talebani që ai e rekomandoi për administrator parku nuk do të kishte blerë shtëpi në Tiranë, ka dërguar fëmijët për shkollim në Amerikë të gjitha këto me rrogën e shtetit.

Butrinti ka një rast unikal, kur biletashitësi me një rrogë modeste shkon me pushime në Dubai, familjarisht. Por sigurisht që të gjitha këto nuk bëhen pa pasur mbrojtje politike dhe interesi nga Talebanët në Qeveri dhe për këtë profesori, i cili deri një vit më parë nuk fliste, tashmë ngurron ta përmendë në shkrimin e tij.

Nga shifrat që jep zyrtarisht, Parku i Butrintit dhe Fondacioni Butrinti për të ardhurat në Butrint kuptohet se këto 5 vitet e fundit duhet të jenë mbledhur në Butrint, diku te 1 deri në 1.5 milionë euro, përveç të ardhurave që nuk regjistrohen. Kjo shumë është një fond i madh për një qendër si Butrinti, por deri më sot nuk shikon asnjë përmirësim në infrastrukturën e këtij parku, përmirësim të të ardhurave të punonjësve të saj apo projekte mbi komunitetin. Ku shkojnë këtë para? Askush nuk jep një përgjigje publike se ku shkojnë këto fonde, të cilat me ligj duhet të përdoren në Butrint.

Profesori anglez, po kështu, harron se në dokumentin që është firmosur për hapjen e rrugës së Butrintit nga Ministria e Kulturës, pas një lufte të gjatë që shumë dashamirës të Butrintit bënë për ta penguar hapjen e saj dimrin e kaluar, është edhe emri i përfaqësuesit të Fondacionit Butrinti. Nëse Fondacioni Butrinti nuk ishte dakord më këtë rrugë, përse nuk foli zyrtarisht dhe përse nuk e denoncoi publikisht?

Po kështu, ai e di mirë se planin e ri të menaxhimit që i dërgohet për dijeni edhe Unesco-s dhe institucioneve të tjera është hartuar nga Zyra e profesorit, pasi Talebanët në Butrint nuk janë të aftë të hartojnë dokumente të tilla. E pra, si ka mundësi që një rrugë e tillë hapet nga autoritetet shqiptare pa një konsultim me institucionet e Huaja, që funksionojnë për ruajtjen e Trashëgimisë Botërore si Unesco- dhe Icomos?

Profesori me sa duket nuk ka guximin të flasë për paaftësinë totale të përfaqësuesve të këtyre institucioneve, për të ndaluar shkatërrimin në zonën e Shpallur Pasuri Botërore. Si Unesco, si ICOMOS, nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar një shkatërrim kaq brutal ndaj zonës së shpallur Pasuri Botërore dhe të paktën profesori duhet të shprehet mbi dështimin e këtyre institucioneve, për të parandaluar Talebanët shqiptarë.

Profesori, në shkrimin e tij ngre alarmin se kalatë e Ali Pashës po shkatërrohen. Sigurisht që po. Ka 5 vite që nuk është vënë dorë në asnjërën prej tyre, megjithëse Butrinti nxjerr në vit mbi 300 mijë euro të ardhura. Njëra prej tyre, Kalaja Trekendore në process restaurimi në 2005, për një kohë të gjatë ishte vendi ku flinin natën refugjatët që prisnin të kalonin kufirin. Të gjitha restaurimet e bëra janë degraduar ndoshta me qëllim, pasi Talebani i Butrintit po përpiqet që t’ia japë me qira miqve të tij politikë. Mesa duket Profesorit i ka shpëtuar edhe ky fakt i trishto, mbi fatin e Kalasë së dikurshme të Ali Pashës.

Profesori njohës i mirë i historisë e di mirë se Talebanët e afganistanit nuk erdhën në pushtet pa ndihmën e miqve të tyre të huaj, të cilët për qëllime të caktuara i përdorën ata për interesat e veta. Kur Talebanët afganë i treguan botës anën e tyre brutale, miqtë e huaj nxituan t’i tregonin ata me gisht, duke harruar të përmendnin se deri më atëherë kishin qenë ata këshilluesit dhe financuesit e tyre. Talebanët shqiptarë të kulturës, mesa duket e kanë kaluar kufirin e zullumit dhe këshilltarët dhe financuesit e tyre të dikurshëm tashmë po i tregojnë me gisht, duke harruar se ishin ata që i sollën deri këtu dhe për këtë ata duhet të quhen bashkëpunëtorë të Talebanëve.

1 COMMENT

  1. Nje gje vihet re: Ne,shqiptareve nuk na mungon zgjuarsia per t’i kuptuar gjerat, por problemi eshte tek etika e punes. E cila eshte etika e punes e nje anadollaku. Etika e punes e nje beu fshati, qe di te japi (kuptohet, me te medhenjve) dhe qe di te grabisi (kuptohet, ata qe ka poshte)
    Fakti me skandal ne kete artikull, ku flitet me sinonime, epitete, krahasime, etj., eshte rasti i rojes, biletashites qe shkon me pushime ne Dubai.
    Flitet per te ardhura 1 deri 1,5 milion dollare, perveç atyre qe nuk dorezohen, regjistrohen.

    Duket qe lidhja Hodges me qeverine po shkon si lidhja familja Bush me Bin Laden.
    Po te jete se te gjitha keto jane te verteta, athere si ka mundesi qe prokuroria lokale, apo e pergjithshme nuk ben padi kunder Kryetarit te Bashkise Sarande, Drejtorit te Parkut Nacional Sarande si dhe ministrit te financave te Shqiperise ?
    Eshte per te qare!

    Ka te drejte Gj. Keka kur thote:
    “Me një fjalë, mund të themi se është pikërisht kjo natyra e ambicies kafshore të kësaj elite të mjerë orientaliste dhe sulltaniste të kombit shqiptar, për t’i bërë njerëzit gënjeshtarë dhe mashtrues, për të fshehur të vërtetën, duke u marrë më shumë me gënjeshtrat orientale-islamike, pastaj duke luajtur lojën e zhonglimit, flasin tjetër gjë nga gojët e tyre, ndërsa në zemrat e tyre qëndron sulltanizmi dhe demonizmi, pastaj kanë arritur që t‘i shkurtojnë të gjitha miqësitë dhe t’i zgjerojnë armiqësitë në masën e interesit të tyre vetjak, dhe janë duke u munduar që gjoja të shpalosin një fytyrë të mirë (maskë), pa ndihmën e vullnetit të mirë, pastaj ushqimit dhe mbështetjes në rrënjët e së vërtetës. Ndërkaq, ata (elita orientaliste dhe sulltaniste) dhe tërë kombi shqiptar duhet ditur se çdo njollë (turpi) do të thotë të prodhosh një dogmë, e cila buron nga satanizmi i zemrave të tyre të sulltanizuara dhe të demonizuara. Kështu që duhet pasur kujdes, se si kjo elitë orientaliste dhe demoniake luan me trashëgiminë, kulturën, identitetin origjinal, civilizimin e kombit të vërtetë dhe të mrekullueshëm shqiptar.”

    Ne jemi njerez pa dinjitet! Po them ne, duke futur dhe veten time.
    Ne qofte se s’jemi ne pergjegjes per Shqiperine, kush eshte?
    Muret e jetes sone jane shembur, duhet pune e madhe per t’i ndertuar.
    Nuk eshte pesimizem, por eshte nje sfide e madhe per te gjithe ne.
    Agim Shkodra

Comments are closed.