Eduard Zaloshnja, 14.01.2010
Pasi uragani Katrina përmbyti Nju Orleansin në verën e vitit 2005-së, opozita dhe shumica e opinionistëve amerikanë fajësuan administratën Bush për dështimin e sistemit të digave mbrojtëse, si dhe për menaxhimin e dobët të situatës së emergjencës pas përmbytjes.
Si rezultat, Majkëll Braun, drejtori i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave dha dorëheqjen, ndërsa Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane pranoi gabimet e bëra në projektimin e strukturës së digave mbrojtëse të Nju Orleansit, dhe filloi rinovimin e tyre.
Por, pavarësisht nga pranimi i përgjegjësisë nga zyrtarët e lartë të administratës Bush për përmbytjen e Nju Orleansit, opinioni publik amerikan i dha vetë presidentit Bush një fshikullimë të fortë.
Kuotat e tij në sondazhet e opinionit pësuan rënien më të madhe mujore të regjistruar ndonjëherë për ndonjë president amerikan – plot 10 pikë përqindje. Ndërsa nga sondazhet e kryera më vonë, efekti Katrina u konsiderua si një nga faktorët më të rëndësishëm të humbjes së rëndë të Partisë Republikane në zgjedhjet kongresuale të radhës.
Zhvendosemi tani 5 vjet më vonë dhe 10 mijë kilometra më në lindje – në Shkodrën e përmbytur të ditëve të sotme. Opozita dhe shumica e opinionistëve shqiptarë fajësojnë qeverinë Berisha si për keqpërdorimin e sistemit të digave të Drinit, ashtu dhe për menaxhimin e dobët të situatës së emergjencës.
Por, ndryshe nga administrata Bush, në administratën Berisha, asnjë drejtues i lartë nuk ka pranuar ndonjë gabim, e jo më të japë dorëheqjen. Dhe vetë Berisha është vënë në krye të zërave që mundohen të mbrojnë vartësit e tij nga kritikat e opozitës dhe shumicës së opinionistëve.
Duke bërë një paralelizëm mes përmbytjes së Nju Orleansit dhe asaj të Shkodrës, duket sikur po sugjeroj se Berisha ka nxënë nga trauma e Bushit në bursën politike amerikane pas Katrinës, e prandaj po mundohet me çdo kusht që t’i nxjerrë vartësit e tij të palagur nga milionat kubë ujë që kanë përmbytur Shkodrën. Kjo mund të jetë një arsye, por jo kryesorja. Berisha ka një shembull shumë më të afërt në kohë dhe hapësirë, nga i cili mund të mësojë – Gërdecin e 2008-ës.
Pas tragjedisë së Gërdecit, pavarësisht se u bënë ca përpjekje fillestare për t’ia shitur atë opinionit publik si një aksident teknologjik apo një sabotim të importuar nga jashtë, Ministri i Mbrojtjes mori përsipër përgjegjësitë politike, duke dhënë dorëheqjen.
Dhe pavarësisht se procesi i përcaktimit të përgjegjësive penale u zgjat pafundësisht, në mendjen e shqiptarëve u ngulit idea se qeveria Berisha kishte pasur dorë në gatimin e tragjedisë së Gërdecit.
Në Shqipëri nuk zhvillohen sondazhe periodike të opinionit publik e, për rrjedhojë, është vështirë të matet me saktësi efekti i Gërdecit në bursën politike shqiptare. Por, sidoqoftë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet nga ato pak sondazhe që u zhvilluan para qershorit 2009.
Në tetorin e 2008-ës, gjatë javës së skandalit “Fazlliç”, në qytetin e Tiranës u zhvillua një sondazh me 2500 të anketuar. Koalicioni i udhëhequr nga Berisha rezultoi me 30% përkrahje, ndërkohë që në shkurt 2007, kishte marrë 42% të votave në Bashkinë e Tiranës dhe në qershor 2009-të mori 42.8%.
Krahasimin po e bëj në qytetin e Tiranës, ku nuk ka pasur pretendime për manipulime në dy zgjedhjet e fundit. Dhe ky krahasim tregon se elektorati tiranas është i ndjeshëm ndaj skandaleve qeveritare, por edhe i fal ato me kalimin e kohës.
Por, a ka pasur këtë lloj reagimi edhe elektorati përtej Tiranës? Përgjigjja e kësaj pyetje është pak e koklavitur për shkak të manipulimeve të mundshme të zgjedhjeve në provincat, por sidoqoftë po mundohem ta jap më poshtë.
Kur u bë sondazhi i parë kombëtar në dhjetor 2008-të, u konstatua një avantazh i thellë i PS-së ndaj PD-së, por jo aq i thellë sa ai në Tiranë gjatë javës së skandalit Fazlliç. Sidoqoftë, nga sondazhi në sondazh, avantazhi i PS-së filloi të ngushtohej.
Sondazhet nuk arritën të tregojnë pse ky avantazh kishte qenë i thellë në fillim dhe pse më pas ishte ngushtuar, por shifrat tregonin se, dalëngadalë, të pavendosurit e fillimit po anonin nga PD-ja.
I vetmi shpjegim që të vjen menjëherë ndër mend për këtë fenomen është se, fillimisht, elektorati i lëkundur ishte ftohur me Berishën si rezultat i tragjedisë së Gërdecit dhe skandalit “Fazlliç”.
Më pas, si rrjedhojë e kthimit të Shqipërisë në një kantier të madh ndërtimi dhe përdorimit të pafre të parave të taksapaguesve për reklama qeveritare, një pjesë e mirë e elektoratit të pavendosur e fali qeverinë Berisha për Gërdecin dhe Fazlliçin, duke e ngushtuar kështu avantazhin fillestar që kishte pasur PS-ja.
Në pamje të parë, rrjedha e sondazheve parazgjedhore duket sikur sugjeron se Gërdeci apo Fazlliçi nuk ndikuan në llogari të fundit te rezultati i zgjedhjeve. Por, nuk duhet harruar se u deshën shpenzime gjigante elektorale dhe një numërim i keq ose shumë i keq në 1/3 e zonave që koalicioni Berisha të mbërrinte në kuotat ku kish qenë para Gërdecit.
Në qoftë se nuk do të kishte ndodhur Gërdeci e më pas Fazlliçi, ato shpenzime dhe manipulime mund të kishin prodhuar një rezultat 4-5 pikë përqindje më të lartë për koalicionin Berisha. Dhe në atë rast, nuk do të lindte nevoja që votat e Priftit e të Metës të mbanin qeverinë në këmbë…
I vetëdijshëm për këto luhatje në bursën politike, Berisha sot nuk lejon asnjë vartës të vet të pranojë edhe gabimin më të vogël për përmbytjen e Shkodrës. Ai shpreson se elektorati i lëkundur do ta pranojë fabulën e shitur nga mediat pranë tij, në qendër të së cilës qëndron i vetëm si fajtor i Gjithëfuqishmi Zot.
Se sa sukses do të ketë kjo strategji e Berishës, mbetet të shihet. Por, një gjë është e sigurt – në qoftë se shumica e elektoratit bindet se faji i përmbytjes bie mbi qeverinë, do të duhet të shpenzohen shumë e shumë para në prag të zgjedhjeve të ardhshme për të rikuperuar rënien e kuotave nga përmbytja e Shkodrës. Dhe, ndoshta, atëherë qeveria nuk do të ketë më aq para sa pati para zgjedhjeve të 2009-ës…