Kundër vendimit për prishjen e Piramidës

0
66


Nga: BLENDI KAJSIU, 29 Tetor 2010

Vendimi për shembjen e Piramidës aktuale dhe ngritjen aty të një godine për Parlamentin është në thelb një vendim piramidal. Ai është një vendim që është marrë nga maja e piramidës shtetërore, në mënyrë sa arbitrare, aq edhe jo transparente. Asnjë debat publik mes historianësh, urbanistësh apo arkitektësh nuk është zhvilluar as për prishjen e Piramidës, dhe as për ndërtimin e godinës së Parlamentit në vend të saj. Pa folur për konsultimin me qytetarët, që trajtohen si jabanxhinj në qytetin e tyre. Ata janë përballë një fakti të kryer; duan apo s’duan, Piramida do shembet dhe aty do ngrihet Parlamenti. Ekzekutivi sillet sikur kryeqytetin ta ketë pronë private ku mund të ndërhyjë sipas midesë.

Në këtë aspekt, vendimi për prishjen e Piramidës është identik me vendimin për ngritjen e saj. Piramida dje u ndërtua me të njëjtën arrogancë dhe mungesë transparence nga piramida komuniste. Nuk pati asnjë debat publik përpara ngritjes së saj. Vendimi thjesht u mor ‘nga lart’. Qytetarët u përballën me një fakt të kryer. Në zemër të qytetit të tyre u ngrit një piramidë, sepse kështu kishte vendosur udhëheqja komuniste, që Tiranën dhe Shqipërinë e trajtonte si pronë private.

Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një vendimmarrje piramidale. Është një vendimmarrje jo transparente, arrogante dhe që buron ‘nga lart’. Problemi si gjithmonë është se në vend që të diskutohet mbi interesin publik, politikat ndërtohen mbi interesin e ngushtë të atyre në pushtet.
Në rastin konkret, Kryeministri Berisha deklaron se Piramida duhet zhdukur për të hequr qafe kujtimin e Enver Hoxhës.

Të gjithë mund ta kuptojmë dhe madje të na vijë keq që Berishën ende e mundon kujtimi i Enver Hoxhës. Ama ky nuk është një shqetësim mbarë popullor. Shumica e popullatës, kur shohin Piramidën, nuk tronditen nga kujtimi i Enverit. Pjesa më e madhe, sidomos të rinjtë, e kanë harruar jo vetëm Enverin por edhe vetë të kaluarën komuniste. Ndaj nga aspekti historik, Piramida duhet të mbetet aty ku është, minimalisht që brezat e rinj të mos e harrojnë diktaturën komuniste dhe arkitektin e saj, Hoxha.

Por akoma më i rëndësishëm se aspekti historik është aspekti publik i Piramidës. Për qytetarët e Tiranës, Piramida është një hapësirë publike rreth të cilës ata mund të shëtisin, të ulen, të takohen, të bëjnë sehir, muhabet, etj., etj. Piramida ka qenë ndër të paktat ndërtesa qendrore në Tiranë të hapura për publikun. Të gjithë ndërtesat e tjera qeveritare janë të mbyllura dhe të ruajtura me ushtarë ose bodiguardë. Vilat qeveritare në bllok me kopshtet e tyre të bukura janë të mbyllura për publikun. Lulishtja e bukur brenda zyrave të Parlamentit (ish-komiteti qendror) gjithashtu. Po kështu, edhe parku apo lulishtja rreth godinës së Kuvendit të Shqipërisë. Po kështu, edhe Pallati i Kongreseve (që si ndërtesë komuniste duhet prishur). Ashtu sikurse edhe hapësirat e gjelbra brenda shtëpisë së ushtrisë.

Në kushte të tilla, ndërtimi i Parlamentit shqiptar aty ku sot është Piramida, rrezikon që të eliminojë një hapësirë publike në zemër të Tiranës, që sot përdoret nga qytetarët e thjeshtë. Ai rrezikon të krijojë një hapësirë më shumë të rrethuar me ushtarë e bodiguardë, që qytetarët mund ta shikojnë, por jo ta shijojnë. Ndaj ka rrezik që Piramida e Enverit të zëvendësohet me një piramidë të re. Vetëm se kjo e fundit do jetë e mbyllur për qytetarët. Edhe pse ndërtohet në emër të tyre.