Kumbaria antishtetërore

0
61

Nga Enver Robelli

Pse dështoi koalicioni mes Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut? Një bilanc i shkurtër i një agonie të gjatë

1. Duqet me zullum.

Kaq e kishte kjo punë. Së pari u fundos anija presidenciale (me dorëheqjen e Fatmir Sejdiut), tani po fundoset edhe anija qeveritare (pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni). Kumbaria politike mes Fatmir Sejdiut dhe Hashim Thaçit arsyetohej me „interesin e shtetit“, madje këtë përrallë e kanë përtypur edhe disa (b)analistë që moti kanë pështyrë mbi parimet e paanësisë së paku formale publicistike dhe si një tufë korbash krakëllijnë në të gjitha ekranet e mundshme.

Në fakt, siç është dëshmuar vazhdimisht edhe nga mediat e pavarura, koalicioni PDK-LDK ishte një kumbari për ndarjen e resurseve të shtetit në shërbim të interesave personale, private, klanore dhe partiake. Një kumbari antishtetërore. Ti atë tender, unë këtë bord. Ti çajin, unë kafen. Ti kosin, unë tamblin. Ti mishin e pulës, unë të mëzatit. Ti turshitë, unë rasojin. Ti rrugët, unë rrugicat. Ti punësoje në postë çikën e tezës së nënës së gjyshes, unë po e punësoj në spital motrën e gjyshes së njerkës. Ti dërgoje djalin në filan ministri që të kërkojë një duq para nga tenderi, unë po i them vëllait ta kurdis edhe një tender. Kush sundon me logjikë të tillë, herët apo vonë i zihet fryma nga zullumi që e ka shkaktuar vetë.

2. Vokabular falangash.

Ata zëra kritikë që kanë paralajmëruar fundosjen e anijes për shkak të keqqeverisjes janë quajtur dashakeqës, të frustruar, konspirativ. Etj. Etj. Para disa muajsh Hashim Thaçi me pseudonimin Bekim Çollaku shkruante në gazetën „Express“ se anija nuk do të përmbytet kurrë. Pastaj tellalli i kryeministrit me fjalor të prijësit të falangave latinoamerikane kërkonte që gazetarëve që me fakte kritikojnë qeverinë t’u merrej shtetësia e Kosovës. Kryetari i Kuvendit të Kosovës (tani edhe president i vendit në detyrë) e krahasonte misionin e Bashkimit Evropian me policinë e Serbisë vetëm pse EULEX-i kishte bërë një hap të vogël për të depërtuar në moçalin e korrupsionit dhe krimit.

Tani, në prag të zgjedhjeve, kryeministri Thaçi po përpiqet t’i lajë duart në pafajësi, të arsyetohet se vetë është i pastër, por ja disa prej funksionarëve të partisë së tij të veshur me kostume ministri kanë bërë keqpërdorime. Tani këshilltarët e tij thonë: Po, është e vërtetë që disa ministra nga radhët e PDK-së „kanë vjedhur“, por Thaçi do të bëjë përpjekje t’i largojë ata, gjë që nuk „do të jetë punë e kollajshme“. Nëse nuk bëhet një spastrim i përgjithshëm i Partisë Demokratike prej figurave të akuzuara për korrupsion dhe vepra të tjera edhe më të rënda, atëherë agonia politike e këtij vendi vetëm do të vazhdojë. Nëse nuk ndodhë ky proces urgjentisht i nevojshëm, atëherë vështirë t’i besohet retorikës së Hashim Thaçit për qeverisje të mirë.

3. Bregu i Fildishtë i indiferencës.

Gjithë këtë debat mbi keqqeverisjen dhe të gjitha aksionet modeste të EULEX-it kundër korrupsionit presidenti tashmë i larguar Fatmir Sejdiu i ka vëzhguar me indiferencë nga Bregu i tij i Fildishtë; si kryetar i vendit ai ka qenë i detyruar nga Kushtetuta të përfaqësojë dhe demonstrojë unitetin e popullit, ka qenë i obliguar të kërkojë llogari nga partneri i koalicionit dhe të angazhohet që të shtohet efikasiteti i punës. Këtë s’e ka bërë Sejdiu, sepse bashkë me djemtë e tij, bashkë me një pjesë të kryesisë së LDK-së dhe me disa ministra ka qenë përfitues nga kumbaria me Hashim Thaçin. E kanë duruar jo vetëm Zanzibarin, por edhe poshtërime të tjera. Tani, pasi ka mbetur i lagur nga aventura e tij politiko-private, Sejdiu pa asnjë fije morali flet se LDK duhet t’i dalë përballë të keqes, anarkisë, korrupsionit.

Mileti po e dëgjon këtë mesazh, por nuk po i beson, sepse ai që e ka mundësuar të keqen s’mund t’i sanojë pasojat e saj. Ai që me heshtje dhe me aksione politike të pamenduara mirë është bërë bashkëpjesëmarrës në krizën më të madhe institucionale dhe morale të këtij vendi nuk mund të jetë assesi ndreqës i gjendjes. Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që ende besojnë se LDK mund të jetë motor i zhvillimit pozitiv të Kosovës. Fatmir Sejdiu mund t’i bëjë vetëm një shërbim LDK-së: Të heq dorë nga ambicia e tij për të qenë në krye të partisë. Zgjedhësit dhe mbështetësit e LDK-së po i brohorasin me zërin e dëshpërimit figurave të tjera partiake. Javën që shkoi simpatizantët e LDK-së në Prishtinë i brohoritën Isa Mustafës dhe jo Fatmir Sejdiut, ndonëse ky i fundit për të treguar fuqinë e tij e kishte ulur edhe të birin në safin e parë.

Kur para disa ditësh në Mitrovicë përkujtohej ish-kryetari i këtij qyteti Faruk Spahija të pranishmit në sallë i duartrokitën Ukë Rugovës, pasi shahistët shpirtngushtë të Sejdiut me asnjë fjalë s’e përmendën të birin e ish-kryetarit historik të Kosovës, i cili ishte ulur para syve të tyre, në rendin e parë. Nuk është çështja këtu që Ukë Rugova të idealizohet, sepse si çdo politikan edhe ai duhet të dëshmohet, por është e pandershme të injorohet apo të diskualifikohet me humor bajat se ai qenkësh ende fëmijë. Faktorizimin e tij në LDK po e bën anëtarësia, prandaj ky zhvillim nuk duhet të mohohet nga krerët e partisë. Puna në LDK tani është sa e pashpresë aq edhe e qartë: Sejdiu mund t’i fitojë zgjedhjet – kryesisht të manipuluara – brendapartiake dhe ta fundos LDK-në edhe më shumë, kështu që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare mbështetja për këtë parti mund të shënojë rënie drastike.

Alternativa tjetër është që ish-presidenti i njollosur si shkelës i Kushtetutës të kuptojë se LDK-në e ringjallë vetëm ndonjë personalitet i guximshëm, i cili nuk i nënshtrohet asnjë shantazhi nga ana e PDK-së dhe vazhdimisht ka qenë kritik ndaj kumbarisë antishtetërore mes Thaçit dhe Sejdiut. Me një udhëheqje të re LDK-së mund t’i bashkohen Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) dhe një pjesë e madhe e elektoratit të Aleancës Kosova e Re (AKR). Ata që ia kanë dhënë kokrrën partisë së Behgjet Pacollit kanë shpresuar naivisht në mrekullira, të cilat s’kanë ndodhur. Madje partia e Pacollit më shumë ka qenë patericë e Thaçit se sa opozitë e mirëfilltë. Mënyra se si Sejdiu me kamarillën e tij vendosi të tërhiqet nga koalicioni është sinjal i qartë se ish-presidenti po vepron si piroman i shtetit me të vetmin qëllim: ruajtjen e pozitës së kryetarit të LDK-së. Për fat të keq në LDK nuk ka tash për tash rezon politik që të vërehet dëmi që po ia shkakton partisë vetë kreu i saj bashkë me një pjesë të kryesisë.

Fatmir Sejdiu pak a shumë gjendet në pozitën e shefit të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) Ivo Sanader, i cili si kryeministër ishte rrethuar me politikanë servil dhe nuk kishte guxim të çrrënjoste korrupsionin dhe keqpërdorimet, prandaj dha dorëheqje nga posti i kryetarit të qeverisë nga mesi i vitit 2009. Kur hetimet përfshinë rrethin e ngushtë të tij, Sanader u përpoq të rikthehej në politikë dhe për këtë pagoi një çmim të shtrenjtë: HDZ gjeti forcën dhe e përjashtoi Sanaderin për shkak të dëmit që ia kishte shkaktuar partisë. Në Kosovë Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se kryetari i shtetit e ka shkelur ligjin themeltar, por ai prapë po sillet sikur s‘ka ndodhur asgjë dhe po përpiqet me çdo kusht të mbesë në krye të partisë i (pa)vetëdijshëm për çmimin e kësaj kryeneçësie.

LDK një ditë ose do ta gjejë forcën sikur HDZ dhe do t’i ndëshkojë të gjithë ata që partinë e kanë shndërruar në pronë private dhe po kalërojnë nga humbja në humbje ose partia e Ibrahim Rugovës do të luajë një rol minor në skenën politike të Kosovës. Fakti që opinioni vazhdon të jetë i interesuar mbi zhvillimet në LDK ka të bëjë edhe me historinë e kësaj partie: ajo u ka prirë shumë proceseve të rëndësishme politike në dy dekadat e fundit, ndërsa sot është degraduar në organizatë të interesave të ngushta dhe paraqet rrezik për stabilitetin e vendit.

4. Votat e acarta.

Pa marrë parasysh se a do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme apo të parakohshme Kosova gjendet para një rreziku të madh, i cili e ka emrin vjedhje votash. Dimri është koha më e përshtatshme për këtë mizori. Zgjedhjet fillojnë me terrin e mëngjesit dhe mbarojnë me terrin e akshamit. Një kohë ideale për manipulime. Stina e vjeshtës dhe dimrit janë kohëra zakonisht të acarta, kur në zgjedhje dalin kryesisht militantët. Do të ishte befasi e këndshme nëse shteti i brishtë i Kosovës dhe liderët politikë arrijnë të organizojnë një proces zgjedhor, i cili nuk do të kontestohet në të ardhmen.

Nëse ky proces nuk do të jetë i pastër, atëherë në Kosovë fillon faza saliberishiste dhe ediramqe, pra faza e retorikës së fëlliqtë, e cila e paralizon vendin. Atëherë Kosova në një mënyrë do të bashkohet me Shqipërinë. Ky lloj bashkimi nuk u duhet dy vendeve, ai do të jetë i dëmshëm dhe larg synimeve për integrimin e të gjithë shqiptarëve në Bashkimin Evropian.