Christian Wulff
Nga Beqë Cufaj, 18 Shkurt 2012
Është një ngjarje e cila duhet të shënohet. Edhe pse politike deri në thelb, megjithatë ajo është një peisazh dhe leksion njëkohësisht, se si politika, ose thënë edhe më saktë politikanët – qofshin ata edhe në postet më të larta të mundshme, nuk mund t’i rezistojnë asaj që quhet opinion publik. Me opinion publik mund të përmbledhim këtu: mediet dhe ndikimin e tyre te qytetarët (votuesit?), por edhe drejtësia e cila e kryen punën e saj, sepse në bazë të asaj që mediet printojnë a emetojnë edhe reagojnë.
Rasti i presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, Christian Wulff, i cili dje dha dorëheqje nga posti më i lartë shtetëror në këtë shtet, tregon se si pikërisht roli i medieve jo vetëm që është esencial për shpirtin dhe para së gjithash funksionimin e një demokracie, por në pah nxjerr edhe një të vërtetë të madhe, e cila i ka dy anë të cilat mbase janë një dhe e vetmja gjë: sado që një shtet të ketë traditë dhe institucione të shëndosha, megjithatë politika dhe politikanët dijnë të jenë të korruptuar.
Por ja që janë mediet, është dimensioni i “pushtetit të katërt”- pra i medieve, ai i cili edhe pse jo i shkruar në kushtetutat e vendeve demokratike megjithatë si akterë qenësorë luan këtë rol kaq të rëndësishëm për të ruajtur shëndetin e shteteve nga sëmundjet e korrupsionit, joligjshmërisë e jokorrektësisë.
Pak a shumë e kësaj natyre mund të quhet historia e ngritjes dhe rënies së ish-presidentit të Gjermanisë, Christian Wulff.
I zgjedhur si president i Gjermanisë, post ky i cili ka më shumë karakter etik dhe reprezentativ dhe për këtë është edhe mëse i çmuar për çdo politikan, Wulff ishte i përzgjedhuri i kancelares Angela Merkel, por edhe partnerëve të saj të koalicionit nga liberalët. Me shtrëngime dhëmbësh- pse ishte i ri nga mosha, pse prapa vetes linte një post të kryeministrit të Niedersachsen-it, pse ishte tepër afër kancelares (para dy vitesh kishte deklaruar edhe vetë që nuk donte dhe nuk do të bëhej kurrë kancelar i Gjermanisë as pas Merkelit)… disi u arritën votat në Asamblenë Federale të Gjermanisë dhe Wulff fitoi.
Dhe kjo u bë pas turbulencave që ngjanë kur Horst Koehler, paraardhësi i tij në mënyrë befasuese pati dhënë dorëheqje sepse ndjehej i injoruar nga kancelarja. Gjë kjo e cila dihej dhe deri diku edhe u kuptua si një ndërskamcë e kësaj gruaje me talente të jashtëzakonshme si për politikë të brendshme ashtu edhe të jashtme. Wulff pra ishte i përzgjedhuri i saj dhe është vërtet larg mendësh që Merkel ishte prapa lojërave që presidentit të saj dhe të Gjermanisë dalëngadalë por sigurt t’i nxirreshin në shesh afera të mëdha dhe pak më të vogla të cilat atë e detyruan që dje të jepte dorëheqje. Thjesht- politikanët jo rrallë dinë ta luajnë edhe mikun në publik dhe armikun në prapavi. Këtë gjë e kemi ne, e kanë gjermanët, francezët e amerikanët. Por kauza Wulff, kjo gjë nuk vlen.
Natyrisht që për pikëshikimin tonë- ajo që Wulff kishte bërë nuk ishte asgjë. Ose ishte diçka që nuk do t’ia vlente të përmendej sepse… sepse te ne politikanët bëjnë… e ç’nuk lënë pa bërë dhe janë aty ku janë. Edhe më të fortë se sa që mund të imagjinojmë. Christian Wulff-in e kishte përcjellë me vete posti i kryeministrit të Niedersachsenit. Atje, duke e mbajtur këtë post- ai kishte marrë një kredi private nga një ndërmarrës i madh gjerman dhe atë kredi nuk e kishte lajmëruar siç e do rregulli. Këtu- kur ky lajm u bë i ditur Wulff bëri gabimin e tij fatal.
Nga Arabia kishte kapur telefonin dhe i kishte thirrur një kryeredaktor të një gazete (asaj më të madhes dhe më të verdhës) “Bild Zeitung” dhe pas tij edhe shefin e krejt imperiumit Axel Springer- dhe të dyve u ishte kërcënuar me “luftë” nëse do ta botonin lajmin në fjalë… Më pas, si në formë të një orteku bore… nuk u ndalën ngjarjet me dhe rreth presidentit.
Përkundër mbrojtjes morale e publike që kancelarja e koalicioni i bënin, mediat në formë sistematike zbuluan që kredia që e kishte marrë për kthimin e borxhit ishte kthyer me një kamatë shumë më të ulët se sa qytetarët tjerë e paguajnë. Që kishte udhëtuar e pushuar me kostot e miqve të tij bujarë të biznesit në pjesë të ndryshme të botës… dhe ata për këtë kishin marrë privilegje nga ky sa ishte kryeministër.
Një aferë, jo dramatike por për këtë sistematike ku dilte e qartë që të qenit politikan atij i jepte privilegje- të cilat ky ua kthente miqve të tij. Rreth 4 muaj luftë mediale dhe zig-zage mes presidentit dhe medieve të pavarura gjermane- të të gjitha ngjyrave.
Derisa parmbrëmë, prokuroria e Hannoverit kërkoi nga Bundestagu që të fillonte me procedurën e heqjes së imunitetit të presidentit të Gjermanisë. Për herë të parë në historinë e këtij shteti.
Nuk mjaftuan as 12 orë… dhe Wulff shkoi. Përgjithmonë dhe i përulur ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe… kulturës politike gjermane. Kaq.







