“KULTURA E KOMANIT DHE KOMANASIT” I AUTORIT NDOC SELIMI

0
64

Pas dy promovimeve në Pukë dhe në Klinë (Kosovë) me duket se ky studim i mirëfilltë historik po merr pasaporten e një libri të plotkompletuar në të gjitha drejtimet si historike, etnografike, gjeografike dhe onomostike.

Autori, pas një studimi disavjeçar, boton në vjeshten e kaluar librin me titull “Kultura e Komànit dhe Komanasit”, i cili është një trajtim historik që vjen te lexuesi i bazuar në dokumenta te shumta të autorëve vendas e të huaj, si dhe në arshiva të ndryshme europiane.
Libri ndahet në dy pjesë të rëndësishme. Pjesa e parë flet për Kulturen e Komanit si një nyje lidhëse midis Ilirëve të dikurëshem dhe shqiptarëve të sotëm, si dokumenti nëntokësor më i plotë për krijimin e vazhdimësisë së ekzistences si komb.

Duke iu referuar dokumentacionit të bollshëm që përdorë autori, ka mundur të na japë informacion për fillimet e zbulimit dhe perpjekjet që janë bërë për njohjen ndërkomëbtarisht të vazhdimësisë së ekzistences, si nga vendasit, po ashtu edhe nga historianë te huaj.

Gjithashtu libri është i ilustruar me foto të shumta , ku autori i ka shkelë me këmbë çdo objekt – rrënojë të të dhjetë kishëve që rrethojnë Kalanë e Dalmaces dhe vendin perqark. Kështu vijnë njëra pas tjetres vendrrënojat e kishës së Shën Andreas (Shën Ndreut), kisha e Mjerë, qujtur nga vendasit dhe jo e “Mirë”, siç e paraqesin disa studiusë në punimet e tyre për këtë zonë. (Shen Katerines, sipas Gjergj Bardhit, 1637). Pastaj vijnë me radhë kishët e Shën Gjergjit, Shën Shirgjit (Sergio), e Shën Mëhillit, e Shën Gjonit, e Shën Ndojt, e Shën Todrit (Teodorit) e deri te kisha e Shën Markut, pajtorit te fshatit Koman. Në kompleksitetin e Kulturës së Komanit, autori nuk le jashtë qytetet kryesore bregadrinase, pa të cilët, siç citohet në këtë material se “..nuk do të kishte një zhvillim kaq të madh të një qytetërimi në një pikë të veçuar,siç është Kalaja e Dalmaces mbi Koman”.

Duke shënuar data e fakte na vijnë me radhë qytetet si Danja, Sapa, Sarda, si dhe një sërë emertimesh e vend – banimesh të vjetra si në Shllak, Karmë e deri në Koman. Aty përshkruhet jeta në këta qytete si dhe shkatërrimi i tyre nga barbarët, por edhe rindertimi më vonë (1290) nga banorët e zonës dhe ndihma që u jep atyre mbretëresha Helenë e Rashës, që edhe pse e martuar në familje mbretrore me fe ortodokese, bija katolike me origjinë franceze, mbeti për gjithë jetën besnike e pathyeshme e fesë së pagëzimit të saj fillestar.

Në shtjellimin që i bën autori Kulturës së Komanit, vijnë për herë të parë fakte të reja, siç janë ndikimi i kulturës kelte në këtë kulturë dhe anasjelltas duke bërë një krahasim në detaje të objektëve të gjetura në muzetë e kultures kelte në Sesto Calende dhe Golasseca në Itali që përkojnë në mjaft raste me ato objekte të gjetura ne nekropulin e Komànit, siç jane torque, pektorali (pettoral), apo edhe braçole ne formën e kokës së gjarpërit që i perket përbërësit së kulturës ilire.

Me mjaft interesë është spjeguar një objekt i gjetur në varrezat e Dalmaces siç është urori ( unur ne gegnisht), i cili përdoret për të ndezur zjarrin. Autori e krahason me fushat me urna që u përdoren nga keltët që nga shekulli i VIII para Krishtit e deri në shekullin e III pas Krishtit. Këto paragrafe të çojnë te fakti se fjala unë zjarri (urë toskërisht) është pjesë zjarri, po ashtu urna (kampi di urna)ka kuptimin e kufomes së djegur, por edhe unur ose uror është mjeti ndezës. E arsyetuar në këtë formë del se emertimi i këtij mjeti e ka zanafillen qysh ne kohen e hekurit, pra 800 vjet para Krishtit dhe ka ardhë e gjallë deri ne ditët e sotme.

Autori në pjesën e parë shtjellon gjithashtu disa çështje të ndara në nëntituj siç janë Bytyçi i Buzhalës, Rruga e Bregut ose e dimrit, Jetesa ne vendbanimin e Dalmaces, Ndikimi romak e Bizantin, Kultura e Komànit pronë e muzeumeve shqiptare, si dhe me mjaft interes është nëntitulli Vendbanimi i Dalmaces mbi Komàn në një vështrim të ri.

Këtu lexuesi mund te gjejë mendimin e shprehur se Kultura e Komanit është e ndarë në dy pjesë; ajo ilire, qe është edhe kryesorja dhe që shkon deri në shekullin e VIII, si dhe nga faza e dytë e banuar nga një popullsi tjetër dhe që rimerr pas shekullit VIII e deri ne shekullin e XIII duke spjeguar në një farë mënyre edhe konkluzionin që ka dalë ekspedita e fundit e arkeologëve shqipëtaro – francezë, për mundësinë e banimit të një larmie popullsie.

Në pjesën e dytë të këtij studimi flitet për Komanet. Kush janë e nga vinë, gjë që del për herë të parë në historinë shqiptare në një shtjellim të gjatë. Pastaj vazhdohet me nëntitujt si Komanet në krye të shteteve e dinastive europiane, Komanët në eposin e kreshnikeve, Ekzistenca e komanëve në trojet shqiptare e deri të kalaja e Dalmaces mbi Koman.

Një pikë mjaft e debatueshme mund të jetë nëntitulli që autori bën pyetjen se “A mund të jenë Balshajt Komànë”?. Në këtë pikë të dhënat bazohen në shumë thënje të historianëve e analizuesve të vëndit e të huaj mbi periardhjen e dinastisë së Balshajve dhe në fund bën pyetjen e mësiperme.
Kronologjikisht ky studim vazhdon me spjegimin e shumë toponimeve, që mund të sjellin një dobi të madhe për studiusit e mëvonshëm.

Një homazh të madh i bën autori fshatit tij të lindjes Komàn duke shpjeguar me imtesi se si u ruajt nën diktaturë e gjithë ikonografia e famullisë së Komanit, si një dhunti që perveç Zotit – thotë autori – nuk mund të gjendet një fuqi tjetër që bëri të mundur këtë akt të pakrahasuar kolektiv.

Në fund mund të përsëris fjalët e kumtesës që mbajti z. Prel Milani në promovimin e këtij libri në Klinë (Kosovë), ku ndër të tjera thotë: “Autori është treguar shumë i guximshëm duke sjellë diversitet mendimesh edhe në çeshtje madhore, prandaj ky libër vlenë të studiohët e jo të lexohët”.

Me këtë rast ia rokomandoj edhe Akademisë së Shkencave të Shqiperisë. Libri eshtë i paisur me bibliografi si dhe me indekse të emrave e personave.

Gjin Musa, Romë.