KUKUISUF!

0
63

Sokol Pepushaj

nga Sokol Pepushaj

Haberi
Shkodra dëshmon të jetë djepi i kulturës, i harmonisë fetare mes besimeve…, mund ta niste një reportazh një gazetar i pavjerrur.
Shkodra është kthyer në kantier ndertimi apo bum investimesh… ky qytet është shkatërruar nga socialistët (megjithëse asnjëherë nuk drejtuan as bashki as patën deputetë tu ndihet zëri), një tjeter afër pozitës.
Ndersa gazetarët opozitarë shumë- shumë mund ta titullonin reportazhin:
“Kërkohet hapja e kutive, ish të përmbyturit tashme janë përmbytur prapë” e ndonjë tip broçkulle të tillë.
Asgjë më shumë se kaq nuk kam lexuar në këto 20 vjet, përjashto një shkim nga Arben Çokaj me një titull diçka të tillë: “Stambolli digjet, kurva krihet”.
Askush nuk foli për ndërtimet pa leje, për vjedhjen e thesarit të Shkodrës që njerëzit i patën ngarkuar paratë në makina ditën për diell dhe në dosje ka emra konkretë, per rrugën pedonale që u shpenzuan mbi 800 milion lekë dhe janë vendosur ca pllaka që të kallin tmerrin dhe kërkon pak rrugë të mos bjerë këmba në vrimë, për tenderat që i marrin vazhdimisht nja katër vetë, për shkatërrimin e qendrës së qytetit, për shfrytëzimin e pushtetit e politikës në funksion të pasurimit, për kartelet e ndertimit që me pasuritë e tyre kanë varfëruar popullin e sakatuar qytetin, për dukuritë e frikshme të trajtimit të temave e lakimit të emrave konkretë.
Pse-në nuk ia vlen ta trajtosh, pasi redaksitë këtu në Tiranë duket se janë më të kënaqura ti marrin shkrimet thjesht miell, e mëpastaj ti gatuajnë vetë, ndersa disa nga mediat lokale janë në dorë të ca pronarëve që nuk dinë se nga bie me shtepi parimi profesional dhe në abuzim të profesionit të shenjtë, si transvestitë, nga frika që kanë për bizneset e pista, përdorin edhe kartën e gazetarit. Pra, tjetër janë e tjetër shiten.
Janë injorantë e kapardisen si gazetarë, janë të akuzuar e akuzojnë ose krehin bishtin e të tjerëve. Gazetarët janë në darën e tyre.
Transvestitët prej vërteti ndoshta i ndjen dikush, po për këta nuk ia ndjen mendermethana askujt, përveç ca injorantëve si deputetë a kryekomunarë në kohë fushatash, për tu hapur hapësirat për broçkulla. Për rrënat e radhës.
Duket pra se edhe fobia për ta ngritur median në lartësinë që kërkon publiku, pa pretenduar me çdo kusht në fronin e lirisë, siç qëndron vetëm gazeta Shqipëria etnike, ku nuk ka një rast të vetem në jetën e saj 10 vjeçare që nuk i kemi botuar dikujt qoftë edhe një shkrim për arsye që lidhet me presionin politik, kriminal apo mafioz, nuk mund ti përkasë as se si një objektivi të mirëfilltë, por një synimi të fiksuar për të mbrojtur bizneset e pista në ndertim, kazinotë apo fitimin e parave pa mund e pa moral deri në fitim parash me diploma. Një dukuri e tillë ku universitetet shesin diploma dhe shfrytëzojnë edhe dobësinë e seksit për të shitur provimet, është më se e dukshme, e përqëndruar edhe në duar që falë ndikimit të mbrapshtë në media, funksionojnë.

Sabahi
Vetëm disa njerëz që janë të prirur të mësojnë shumë, e dinë kuptimin e kësaj fjale. Këtu, në “portën” e Shkodrës, tek Kisha e Zojës, një Shpend, më i lashtë se njeriu, pasi Zoti e krijojë ditën e pestë e njeriun e krijojë të gjashën, kukuvajka, hipur në pishë, këndon në terezi të saj, këngën e saj, “kukuisuf”.
Pak metra më tej është xhamia e Plumbit, një monument kulture, ndërtuar më 1773, e mbytur në ujë çdo vit deri lart mesit dhe ku nga pjesa jashtë saj, duket se kullon plumb në rrezatim argjendi, për njerëzit që lexojnë edhe qyqen, e cila sipas legjendës, në Shkodër është një motër që pasi i vdiq vëllai Isufi, u shndrrua në zog e qysh kur nuk e di askush. I këndon vëllait. Ky shpend, vërejeni, ju përsërit çdo ditë ritualin e vet sipër pullazit, majë antenës së televizionit, kudo. Ka të drejtë. Qyqja vazhdon të vajtojë vëllanë e vet, por atyre që dëgjojnë edhe këngën e zogut u duket se qyqja ndoshta do mësojë edhe vargun… “kuku Shkodër”, nëse reagimi qytetar do vazhdojë gjumin letargjik.

Akshami
Po, po, sot shkodranët mburren vetëm me atë që u ka krijuar natyra dhe me historinë e të shkuarës, por kurrsesi me punën dhe të ardhmen e tyre. Kompetenca në drejtim e vendimmarrje kanë patur ata që janë pasuruar vetëm nga paratë e bankave të vjedhura, nga ndertimet pa leje apo nga tjetërsimi i pronave publike.
Pasi bjen nata (akshami), askush nuk mund të dalë pa frikë të bëjë një xhiro nëpër qytet me motrën në krah. I lirë. Nëse vëllai vonohet në darkë pa u mbyllur në shtëpi, është një motër që pret me ankth. Nëse një baba vonohet në mbrëmje, është një grua dhe fëmijë që presin. Një nënë lutet për të birin, të vijë shëndosh, se nata në Shkodër është e huaj. Pra e krimit, e hajdutit, e hyqymetit.
A është kështu?
Në qoftë kështu, më thoni atëherë a ka të drejtë kukuvajka që vazhdon të thërrasë Isufin?
Në rregullin e artë të lirisë njerëzorë, bën pjesë morali, që edhe qyqja e ka shumë më të lartë se ata të cilët, vëllai- vëllait e motra- motrës, deputeti- deputetes e deputetja- deputetit, i nxjerrin sytë për një pronë, për pushtet, per përfitime të pista, leje ndërtimi, tendera, poste të pameritëta, pushtim pronash publike…
Disa i besojnë Zotit, disa Djallit.
Po kush është më i pushtetshëm këtu në Shkodër?
Zoti thotë, puno sa të mundesh të të ndihmoj. Dhe ata që punojnë janë pak.
Po Djalli ç’u thotë?
Hajdeni pas meje, uzurponi prona, rrini afër bijve të mi, pushtetarëve e politikanëve, merrni tendera e vidhini gati gjithë paratë. Në kohë fushate vidhni vota, plaçkitni banka e thesare se nuk u heton kush sa të keni mbështetje politike.
Një Djall, i shkurter si xhuxh, afër pushtetit në Olimp, thuhet se ka shumë prona në Shkodër.
Ai shquhet për para të madhe, bythë të madhe, kokë të madhe e arrogancë të madhe. Ky xhuxhi, që thonë se ka vjedhur edhe vota, flitet se ka tentakula në Veri dhe ka kapërthyer problematika serioze që në një të ardhme hetimi, mund të sekuestrohen shumë pasuri.
Të kujt the?
Jo, nuk u tha emër, megjithëse një shtet perëndimor, një “bosi” në Shkodër, i ka refuzuar me vulë të kuqe, vizën. E ky miku i bosit në rënie atje majë Olimpit, si për çudi shquhet po për katër bëma: Vjedhje të madhe, bandë të madhe, media të madhe, mëndje të madhe.
Pra, shumëçka është në shërbim vetëm të pasurimit e krimit, duke bërë demarshe të vritet fjala e lirë, demokracia, mundësia e reagimit intelektual e qytetar. Të vritet haberi, sabahi e akshami.
Veç qyqen s’kanë mundur ta pushkatojnë duke paguar killer.
Ajo po u këndon qysh nga sabahi e deri në aksham, atyre.

P.S. Cdo referim per persona apo fakte konkrete ne kete ese, eshte thjeshte rastesi.