Shekulli Online, 01.06.2010
BRUKSEL – Bashkimi Evropian ka përforcuar presionin e tij ndaj klasës politike shqiptare, se pa zgjidhur krizën politike, Shqipëria nuk do të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ky apel erdhi dje nga kreu i delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan. Kukan, i cili ishte edhe pjesë e darkës së Strasburgut me liderët shqiptarë, specifikoi se Parlamenti Evropian nuk do të japë aprovimin e tij për heqjen e vizave me Shqipërinë nëse europarlamentarët nuk do të kenë në tavolinën e tyre një marrëveshje të ardhur nga liderët politikë shqiptarë për zgjidhjen e krizës politike. Duke iu referuar faktit që Parlamenti Evropian do të marrë në vetvete një vendim politik për procesin e liberalizimit të vizave, Kukan vuri në dukje se nëse do të vazhdojë ende kjo situatë politike, atëherë kjo do të ndikonte negativisht tek vendimi i eurodeputetëve për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë.
Por nuk është vetëm procesi i heqjes së vizave ai që rrezikohet nga kriza politike, por edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në një kohë kur Shqipëria ka dorëzuar Pyetësorin pranë Komisionit Evropian dhe kur pritet të dorëzojë më 10 qershor përgjigjet e 900 pyetjeve të reja, Kukan nënvizoi se hartimi i opinionit nga ana e Komisionit Evropian për marrjen e statusit kanidat nuk mund të quhet i përfunduar pa u plotësuar kriteri politik. “Pas udhëtimit të dy liderëve në Strasburg kuptohet që opozita po merr pjesë në Parlament. Por, rezultati i vlerësimit të Komisionit Evropian mbi procesin anëtarësues pa llogaritur seriozisht situatën reale politike në Shqipëri nuk mund të quhet i përfunduar.
Nëse nuk ka marrëveshje, kjo do t’i bënte dëm vendit. Ky mendoj unë se është edhe mesazhi i qartë nga Parlamenti Evropian, pasi pa këtë lloj marrëveshjeje gjërat nuk do të ecin përpara. Nuk mund të parashikoj sesi do të votojë Parlamenti Evropian nëse propozimi legjislativ i Komisionit për vizat mbërrin ndërkohë që nuk kemi ende një marrëveshje politike në Shqipëri. Por mendimi im është se një gjë e tillë do të ndikonte negativisht tek shumë eurodeputetë nëse nuk do të kishte marrëveshje politike ndërkohë’,- tha dje Kukan në një intervistë për Top Channel.
Kukan theksoi gjithashtu se faktori ndërkombëtar e ka dhënë ndihmesën e tij, dhe kriza politike duhet të zgjidhet nga liderët politikë, Rama e Berisha. Ndërprerja e grevës së urisë nga ana e opozitës, sipas kreut të delegacionit për Ballkanit në PE, ishte një sinjal pozitiv për të arritur tek dialogu për ta kthyer vendin në normalitet. Sipas Kukan-it kjo tashmë duhet të arrihet nga krerët e forcave politike shqiptare. “Vendimi u takon atyre të dyve. Ne u kemi thënë gjithçka mendomin për atë çështje që diskutohet. Ndërprerja e grevës së urisë ishte një sinjal pozitiv nga opozita si provë që ajo ka vullnet për të biseduar e për të pasur dialog duke shpresuar një marrëveshje që mund ta kthente vendin në normalitet”,- u shpreh ai.
Më tej Eduard Kukan nënvizoi se Bashkimi Evropian po pret zgjidhjen e krizës politike nga aktorët politikë shqiptarë, pasi sipas tij, shumë çështje kanë ngrirë. Ai tha se iniciativa e përfaqësuesve të Parlamentit Evropian për uljen në tryezën e Strasburgut të Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës Edi Rama, që u pasua edhe me dërgimin e ekspertëve të Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje të situatës politike nuk mund të dështojë. Por, nëse ndodh e kundërta, sipas Kukan-it, nuk mund të merret me mend se çfarë do të ndodhte me Shqipërinë.
“Marrëveshja është një dokument që firmoset nga dy apo më shumë palë dhe në këtë sens them se po presim për të reja nga Tirana. Shpresojmë sinqerisht se do të kemi ndonjë lajm që marrëveshja u arrit sepse shumë çështje kanë ngrirë. Fakti që Xhozef Dual dhe Martin Shulz përfshinë prestigjin e tyre personal duke u angazhuar plotësisht me tentativën për gjetjen e një marrëveshjeje, unë mendoj se këto janë prova fort të rënda. Në fakt nuk mund të imagjinoj që kjo iniciativë mund të dështojë. Më pas do të ishte shumë e vështirë të imagjinoje se çfarë mund të vijonte”,- nënvizoi Kukan.
Ai shtoi se periudha e reflektimit nga ana e mazhorancës dhe opozitës shqiptare, që nga darka e Strasburgut, është deri në dy-tre javë, prandaj nuk mund të përcaktohet akoma se kur do të mbahet një takim i dytë midis Ramës dhe Berishës, që mund të shoqërohej edhe nga nënshkrimi i një marrëveshjeje për zgidhjen e krizës politike.
Zgjedhjet e lira e të ndershme të qershorit janë sipas kreut të qeverisë, Sali Berisha arsyeja themelore e propozimit të KE-së për heqjen e vizave me Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes së grupit të PD-së, Berisha ka folur me nota euforike për punën e bërë nga qeveria dhe administrata për shembjen e murit të korrupsionit, kontrollin e kufijve dhe luftën me tolerancë zero ndaj krimit.
“Por të gjitha këto nuk do mjaftonin kurrë, më themelore në këtë proces kanë qenë zgjedhjet e 28 qershorit, pasi u treguam vendeve të BE dhe NATO se ne kemi vullnet të hekurt të respektojmë vullnetin e lirë të shqiptarëve dhe zhvilluam zgjedhje të lira e të ndershme, ku nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Ky është vlerësimi më absolut që i bëhet një procesi zgjedhor, ai ishte autostradë e këtij suksesi historik për cdo shqiptar”- tha Berisha.
Më tej, ai garantoi se do të plotësohen në kohë rekord tre kriteret e lëna nga Kolegji i Komisionerëve për vendimin final për lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
Dy dite me pare ministria e Jashtme premtoi se kriteret e lëna nga Kolegji i Komisionerëve për liberalizimin e vizave i plotëson brenda muajit qershor, ndërkohë që në korrik pritet grupi i ekspertëve. Deklaratën e ka bërë sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu.
“Ne presim që në muajin korrik të vijë ekipi i ekspertëve për të verifikuar raportimet tona për plotësimin e këtyre tre nën-çështjeve të fundit dhe besojmë se Parlamenti Evropian do të përmbyllë procedurat e miratimit të propozimit diku nga fillimi i vjeshtës ndoshta nga muaji shtator. Më pas, e ka radhën Këshilli i Ministrave i cili duhet të miratojë përfundimisht propozimin e Komisionit Evropian brenda vjeshtës”- ka thënë ai.
Vizat, Cercone: Plotësoni kushtet, monitorim të rreptë këtë verë nga BE
Michele Cercone, shef i kabinetit të Komisioneres së BE, Sesilia Malstrom deklaron se Shqipëria duhet të përmbushë kriteret e lëna nga ndërkombëtarët në mënyrë që të vlerësohet pozitivisht për heqjen e vizave. Gjatë një interviste për Deutsche Wellen ai thotë se nëse një gjë e tillë ndodh dhe ekspert që do të bëjnë monitorimin do të binden ka shpresa për një vendim pozitiv në vjeshtë.
—
27 maj
Vizat, KE miraton rekomandimin. Lohan: Plotësoni kriteret e lëna
UPDATE – Komisioni Europian ka miratuar propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Lajmi i mirë për të gjithë shtetasit shqiptarë është dhënë sot në mesditë nga Komisionerja e Çështjeve të Brendshme në KE, Cecilia Malmström. Nderkohe qe ambasadori i KE-se ne vendin tone, Helmut Lohan, qe ndoqi direkt konferencen, deklaroi se Shqiperia duhet te punoje per arritjen e standardeve dhe kushteve qe ka lene Kolegji.
“Jam shumë e lumtur që KE-ja miratoi rekomandimin për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Tani i takon Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës të marrin vendimin final”, tha Malmstrom në konferencën e posaçme për shtyp.
Ndërsa vijoi se ky propozim është një lajm i mirë për popujt e Shqipërisë dhe Bosnjës, po kështu është pjesë shumë e rëndësishme e politikes brenda BE-së. “Propozimi i sotëm vjen pas një pune të rëndësishme dhe dua të përgëzoj autoritetet e dy vendeve, sepse kanë bërë përmirësime në fushën e ligjeve. Megjithëatë ka ende disa kritere që duhet të plotësohen. Shqipëria duhet të ketë një strategji për riatdhesimin e shqiptarëve, duhet të forcohen kapacitetet për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe duhet zbatuar ligji antimafia. Po kështu edhe Bosnja”, u shpreh ajo.
Se si do të plotësohen këto kritere mbetet për t’u parë gjatë muajve të verës. Komisionerja Malmstrom, njoftoi se Komisioni Europian do të monitorojë gjatë veres kriteret e vendosura nga Komisioni. Pas monitorimit do të ketë një tjetër vlerësim. “Më lejoni të theksoj se duhet një përgjegjësi nga ana e këtyre dy vendeve për realizimin e kritereve”, tha Komisionerja.
Më tej ajo iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm, nëse ka një afat përfundimtar, të parashikueshëm për hyrjen të fuqi të ligjit për regjimin e vizave. Malmstron theksoi gjithçka mbetet për t’u parë, pasi ka disa kritere të paplotësuara.
Pra do të vijë një ekip i KE-së gjatë muajve të verës në Shqipëri, që do të bëjë një raport në fillim të vjeshtës, lidhur me plotësimin e tre kritereve të mbetura. Sipas saj, s’ka një datë fikse, por procedura të domosdoshme për t’u ndjekur deri në finalizimin e ligjit.
Lohan: Plotesoni standardet e kerkuara
Lohan ka përshendetur vendimin e marrë për miratimin e rekomandimit, por nuk ka bërë komente nëse kriza politike do të ndikojë në vendimin përfundimtar për lëvizjen e lirë.
“Vendimi që do të merret nga Këshilli dhe nga eurodeputetët në Parlamentin Europian mbi propozimin e Komisionit, do të jetë një vendim politik, sepse do të merret nga politikanë. Parësore mbetet që udhëtimi pa viza do të bëhet realitet vetëm kur të tëra standardet do të përmbushen”, -tha Lohan.
Ambasadori deklaroi se vendimi politik do të merret bashkërisht, pasi bëhet fjalë për një bashkëvendimmarrje nga Këshilli i Ministrave dhe anëtarët e Parlamentit Europian.
“Këta politikanë do të vendosin kur të vijë koha për të marrë vendimin. Dhe kjo do të jetë pasi Shqipëria të përmbushë standardet e vonuara. Nuk mund të shtojë asgjë tjetër sot, unë nuk mund ta marr me mend sesi politikanët europianë do të përcaktojnë votën e tyre”, tha ai.
Sipas tij, propozimi i bërë sot, i miratuar sot nga Komisioni Europian për udhëtimin pa viza për shqiptarët, është shumë i rëndësishëm dhe një një lajm shumë i mirë.
“Nuk kam asnjë koment për asgjë tjetër. Thashë edhe më parë, nuk kam asnjë koment, dhe jam shumë i lumtur të përsëris sa herë që ju do të dëshëronit dhe do të kishit nevojë, unë nuk kam asnjë koment”, tha Lohan.
Një ditë më parë Kolegji i Komisionereve ne Strasburg miratoi rekomandimin per liberalizimin e vizave per Shqiperine dhe Bosnjen. Rekomandimi i Komisionit u miratua sipas “procedures se shkruar” dhe hyri në fuqi të enjten (sot) në orën 12:00.
Media kishte bere te ditur, qe para zhvillimit te mbledhjes se pritej te merrej nje vendim pozitiv, por i kushtezuar nga përmbushja e kritereve të mbetura. Tre ishin rekomandimet qe priteshin nga nderkombetaret per vendin tone: 1- Zhvillimi i një politike dhe strategjie për të mbeshtetur integrimin e të riatdhesuarve shqiptarë; 2- Forcimi i kapaciteteve për zbatimin e ligjit të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit te organizuar; 3 – Zbatimi efikas i ligjit të ri ‘Antimafia’ për konfiskimin e pasurive të personave të botës së krimit.
Pas miratimit nga Kolegji i Komisionereve, draft – rekomandimi do t’i kalojnë për miratim Parlamentit Europian e me pas Keshillit te Ministrave te Brendshem te BE-së. Shqyrtimi i rekomandimit te Komisionit nga dy institucionet e tjera europiane shoqerohet me verifikimin ne terren te kritereve te mbetura per Shqiperine dhe Bosnjen nga ekspertet e BE-së për vizat.