Kujtime e mia mbi Mons. Dr. Zef Oroshin tek varri i nacionalistit të flaktë General Abas Kupi (1892-1976)

0
45

Tomë Mrijaj

(In memoriam në 34 – vjetorin e kalimit në amshim)

Tomë Mrijaj, New York

Peligrinazh përjetësie

Komuniteti shqiptaro – amerikanë, ruan një respekt të veçantë për bijtë e shquar të nacionalizmit, që me dhimbje në shpirt jetuan dhe punuan larg atdheut, që ishte mbërthyer nga lufta e përgjakshme civile e organizuar dhe udhëhequr nga krerët e diktaturës komuniste. Ata me shembuj konkretë provuan ndjenja të thella për trojet etnike shqiptare. I tillë ishte biri i Krujës historike të Gjergj Gjon Kastriotit, legalisti nacionalist General Abas Kupi, që deri sa kaloi në amshim nuk e hoqi mendjen nga Atdheu.

Atij i vinte keq për vuajtjet dhe përsekutimin, që po kalonte populli shqiptar nën sundimin e egër të diktaturës komuniste, e cila nga ana e saj kishte dekada që zhvillonte një propagandë antinacionaliste dhe në qendër të sulmeve propagandistike ishte edhe General Abas Kupi me shumë nacionalistë të tjerë.
Kushdo në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë e njeh simbolin e rezistencës kombëtare, burrin trim e sypatrembur, ushtarakun e lartë të mbrujtur me virtyte të pastra shqiptare, luftëtarin e flaktë të trupave të Mbretit Zog, kundër hordhive të ushtrisë pushtuese italiane më 7 Prill 1939. General Abas Kupi, ishte dhe mbeti nderi dhe lavdia e gjakut të patriotëve të vërtetë, që për interesa të larta të atdheut ishin gati të bëheshin fli, sikurse thotë poeti ynë i madh kombëtar At Gjergj Fishta O.F.M. e “bajn deken si me le”.
Komuniteti ynë, me këte gjest fisniëkrie përkujtimi mundohet të kultivojë tek gjeneratat e reja nacionaliste sot nderimin dhe respektin që ata duhet të tregojnë për jetën dhe veprën e madhe patriotike të General Abas Kupit, për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj dhe kthetrat mizore të komunizmit të zi.

Varri i gjeneral Abaz Kupit

Kujtime nga Mons. Oroshi per General Abaz Kupin
Ishim duke udhëtuar me makinë drejt aeroportit J.F.K. Për fat të mirë, nuk kishte trafik makinash gjatë rrugës. Porsa mbërritëm pranë varrezave në “Maple Grove Cementry” në Kew Grandens (Queens, New York), Imzot Zef Oroshi, më tha, që të ktheheshim tek varri i Gjeneral Abas Kupit( ).
Për çudi, në mbishkrimin e rrasës së varrit të tij gjendet numri 444, që, po t’i shtosh një njësh përpara, i bie të jetë 1444, koha kur është mbajtur Besëlidhja e Lezhës, nën drejtimin e kryekomandantit të luftrave për liri nga zgjedha turke, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
Abas Kupi, vinte nga kjo tokë e begatë me histori, tradita, luftë dhe rezistencë, kundër pushtuesve të huaj italianë dhe gjermanë dhe, së fundmi kundër komunizmit.
Kruja, për Kupin, mbeti dashuria më e madhe, që i digjte zemrën në mërgim. Gjithashtu, në pllakën e varrit të tij gjendet edhe shqiponja dykrenare dhe përkrenarja me brirët e dhisë, që mbante mbi krye heroi legjendar i Arbërisë – Gjergj Gjon Kastrioti. Ai sakrifikoi një jetë të tërë në shërbim të vatrave martire shqiptare.
Duke qenë dakort me mendimin e Mons. Dr. Oroshit, ngadalë iu afruam banesës së amshimit. Meshtari, shumë i emocionuar e i zhytur thellë në mendime, tha fjalët: “Miku im, Abas! E kreva amanetin tand dyfish.” Mbasi tha disa uratë për shpirtin e tij, vendosëm disa lule të freskëta dhe më pas morëm rrugën e kthimit në shtëpi.
Gjatë vazhdimit të udhëtimit e pyeta Mons. Dr. Zef Oroshin, se cili ishte ai amanet i dyfishtë, për të cilin u shpreh para varrit të nacionalistit të madh, Abas Kupi Ai, mbas një heshtjeje të shkurtër, drejtoi sytë nga unë e, i përqendruar thellë në historitë e së kaluarës, shtoi:
“Gjeneral Abas Kupi, para se të kalonte në amshim, ma kishte lanë të shkrueme amanetin e çekun me nji shumë të caktueme, për t’i thanë meshë për nji vit.
Nji ditë më kishte dalë nga kujtesa e nuk isha i sigurt nëse a i kisha çue të gjitha meshët smbas rradhës. Dhe kështu vijova sërish edhe nji vit tjetër, me ma shumë kujdes, që të mos kaloja asnji ditë pa thanë meshë, për shpirtin e nacionalistit të shquem, Gjeneral Abas Kupit.
Për këtë erdha sot, me kujtue mikun tem të paharruem, për t’i thanë se ia kreva amanetin dyfish, duke thanë meshë 2 vjet me rradhë. Ky burrë i madh i popullit shqiptar, që shkriu gjithçka për Atdheun tonë, meritonte ma shumë respekt.
Edhe sikurse ai të mos ma lente këtë amanet, që nuk e tretë as dheu, unë isha përgatitë të veproj, sikurse kam veprue deri tashti, në kujtim të shpirtit të tij të pavdekshëm.
Pushoftë në Paqe!”.
Kështu, gjatë gjithë udhëtimeve bisedonim, sa herë që binte fjala për atdhetarin e madh, Gjeneral Abas Kupi dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë. Ai shfletonte nga kujtesa e freskta vitet e shkuara, plot kujtime të bukura për mikun e tij të shtrenjtë nacionalist.
Kontributi i shquar i Abas Kupit, ishte i mbushur me përpjekje për këto ideale patriotike dhe me frymë të thellë atdhedashurie në dobi të trojeve etnike shqiptare, qoftë kundër ndërhyrjeve të shtetëve fqinjë, për të penguar nga brenda konsolidimin fillestar të shtetit të ri shqiptar, ashtu edhe kundër qëllimeve pushtuese të shtetëve megallomane.
Ai është shquar për pikëpamjet përparimtare për krijimin e një shoqërie shqiptare moderne, duke iu larguar gjithnjë e më shumë rrymave politike bolshevike, që, si sëmundje kancerogjene, kishte prekur si individët, ashtu dhe një pjesë të rinisë së shoqërisë shqiptare…
Shkëlqimi dhe madhështia e Abas Kupit, u pa edhe gjatë ditëve sa qëndroi në Shtëpinë Mortore (Funeral Home), edhe gjatë ceremonisë së varrimit. Në Sh.B.A., vetëm imzot Noli, mund të jetë përcjellë me nderime aq të mëdha.
Pjesëmarrja e miqve anglezë të luftës, ishte për ne vëllezërit er tij shqiptaro-amerikanë çdo lëvdatë. Në Funeral Home dhe tek varri i të ndjerit, të gjithë shqiptarët u lutën për shpirtin e tij.
Në shtëpinë mortore dhe tek varri në “Maple Grove Cementry” në Kew Grandens (Queens, New York), Monsinjor Zef Oroshi, tha një lutje pranë kufomës së tij.
Vetë General Abas Kupi, ia kishte lënë këtë amanet Mgrs. Oroshit, kur ishte gjallë. Genarali legalist Kupi, i mbrojti dhe i nderoi të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine. Nuk urrente njeri për pikëpamje politike. Jetoi, punoi e luftoi për liri e bashkim kombëtar. Vdiq me dhimbje në shpirt, që nuk e pa më atdheun dhe familjen e tij të dashur.
Jo larg prej sot, shpresojmë, që shteti demokratik shqiptar, duhet të kërkojë kthimin e eshtrave të tij në atdhe, sëbashku me eshtrat e shumë nacionalistëve bashkëatdhetarë që ende sot prehen në dherat e huaja…
Pronari i Entit Botues: “Gjonkelaj Publishing Company New York”, botuesi dhe ish gazetari i “Zërit të Amerikës” z. Gjek Gjonlekaj, që njëkohsisht është edhe botuesi i jetës dhe veprës së patriotit të madh General Abas Kupi, shkruar nga shkrimtari e ish i pëndjekur politik Makensen Bungo, ndër të tjera shprehet:
“General Abas Kupi, meriton respektin e përjetshëm në tokën mëmë. Atje duhet të shkruhet historia e tij, e cila u shëmtua për aq dekada nga regjimi komunist. Historianët dhe njerëzit e artit dhe të kulturës kanë detyrë, që me veprat e tyre artistike, ta nderojnë këtë figurë të shquar të historisë.” (Gjekë Gjonlekaj, “Abas Kupi, një nga shtyllat e mbrojtjes kombëtare, heroi i 7 prillit”, “Illyria”, New York, 9 Janar 2001.)