I. SHEKULLI I STUDIMEVE SHQIPE
Studimet letrare shqipe manifestohen fuqishëm në variantet e kritikës letrare. Shekull i tyre është shekulli XX, shekulli i letërsisë shqipe.1
Po nënvizojmë menjëherë, pjesa më e madhe e studiuesve letrarë shqiptarë janë shkrimtarë.
Në shtrirjen njëshekullore studimet letrare shqipe takuan dijen evropiane, u ngurtësuan nën diktatin e realizmit socialist, rigjeten shtratin e vjetër kulturor me autorët e Qarkut të Prishtinës,2 për t’u hapur rishtas në fund të shekullit.
Ky shekull dha Faik Konicën, Fan S. Nolin, Krisit Malokin, Eqrem Çabejn, Mitrush Kutelin, Dhimitër S. Shuteriqin, Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën, Sabri Hamitin, Kujtim Rrahmanin etj., autorë tepër të ndryshëm.
Është shekull i Kohëtores… së Konicës, i introduktave të Nolit, psikanalizave e polemikave të Malokit, kërkimeve të hershme letrare të Çabejt, i librave kritikë të Kutelit, historive të Shuteriqit, kritikës integrale të Qosjes, të promovuar fillimisht nga Noli, i aventurave semiologjike e shpirtërore të pashoqe të Rugovës, sprovave e poetikave të Hamitit etj.
Shekulli i ri ka nisur me kërkime të thelluara në fushën e intertekstualitetit, me leximin e autorëve të ndaluar, me kërkime metakrike sistematike e artikulime të fuqishme teorike. Dekadën e parë të këtij shekulli e përkëdhelin rrezet e një Dielli shkëlqimtar. Të besojmë në dekada të tjera përplot letra të tilla!
II. KRITIKA LETRARE
Kritika letrare është fusha më e gjerë e studimeve letrare shqipe. Fusha që u përthye më së shumti, që anticipoi idetë letrare, por edhe ato sociale e ideologjike. Ndaj, leximi i kritikës letrare shqipe shpie edhe tek idetë e mëdha, që dominuan jetën shqiptare përgjatë shekullit.
Këtu do të ndiqen metoda, autorë e tekste, gjithnjë të përthyera në një diskurs rezymues.
II. 1. Metoda
Metodat e kritikës letrare janë produkt e objekt i teorisë letrare moderne. Metodat, si edhe format e kritikës, janë universale. Teoria letrare mëson, nga kërkimet e drejtpërdrejta, se nuk ka një metodë finale, se natyra e kritikës letrare është e hapur, se metoda s`është doktrinë, por dije e procedurë kërkimi.
Kritika shqipe ka provuar metodat themelore të kërkimit, nga shfaqjet iniciale, te specializimet e thella. Në çdo rast, suksesi është kushtëzuar nga formimi dhe fuqia e kërkuesit.
Por, si manifestohen metodat tek autorë të caktuar, si jetojnë ato në rrjetin e kërkimeve letrare shqipe?
Faik Konica është autori i parë shqiptar që teorizoi çështjen e metodës së kërkimit, përqasjen, krahasimin. Ai gjykon se veprat e reja duhet të krahasohen me veprat klasike, me kryeveprat, gjithnjë për të vlerësuar. Duke e njohur kritikën si vlerësim, Konica lidhet për esencën e këtij zhanri. Nëse një letërsie i mungojnë kryeveprat, ato kërkohen te letërsitë e tjera.
Konica propozoi edhe një tip kërkimi, matjen e fuqisë së motivimit të tekstit, logjikën e jetës në tekst: një personazh keqbërës duhet të jetë i tillë deri në fund, meqë askush s`e beson mirësinë e të ligut. Jago mbetet Jago.
Bashkëkohësi i Konicës, Fan S. Noli, lexoi idetë në formën e introduktës. Leximi i tillë tek ai ka parabazë teorinë sociale dhe jetën shqiptare. Introduktat shoqërojnë tekste të përkthyera nga vetë Noli dhe kanë pretendimin të orientojnë lexuesin shqiptar palëve të ideve, gjithnjë duke i interpretuar tekstet në lidhje me kontekstet shqiptare.
Metoda e Nolit më së miri manifestohet tek introdukta për Don Kishotin e Servantesit, e vitit 1932.
I sistemuar në punë të metodës së kërkimit shfaqet Krist Maloki. Metoda e tij është psikanaliza e tipit klasik, e kryqëzuar me teoritë kulturore e estetike. Tekstet më të njohura të tij janë Naim Fra-shëri (1925) dhe A asht Poet Lasgush Poradeci? (1938/1939), në të cilat diskuton çështjen e Poetit nacional. E kemi të njohur, poeti (Dichter-i) që do ai është Gjergj Fishta.
Kërkimet e Malokit janë tematike, ndërsa metoda saktësohet e aplikohet më sistematikisht te studimi për Naimin.
Kërkimi imanent, si analizë e interpretim, shoqëruar nga leximi intuitiv, bën metodën themelore të Mitrush Kutelit. Më së thelli manifestohet te studimet për Poradecin (Poeti Lasgush Poradeci, 1937) e Nolin (Poeti Fan S. Noli, 1943). Kuteli analizon e karakterizon tekstin në planin poetik (sistemin poetik të Poradecit e stilin e Nolit) dhe e interpreton atë tematikisht. Analiza e tij u shëmbëllen kërkimeve formaliste (ruse) dhe analizave të shkollës morfologjike gjermane (evropiane).
Dhimitër S. Shuteriqi, nuni e kujdestari themelor i realizmit socialist në teori e letërsi, që herët absolutizoi funksionin social/pragmatik të letërsisë.3
Përpos teksteve për autorët e vjetër shqiptarë, Naimin etj., Shuteriqi drejtoi punën për shkrimin e dy historive të letërsisë: Historia e letërsisë shqipe (1959/1960) e Historia e letërsisë shqiptare (1983).
Kritika integrale është metoda e Rexhep Qosjes. Pavarësisht zhanrit, kritika integrale e tij bën bashkë jetën e veprën e autorëve që lexohen dhe thekson një moral pragmatik, si funksion të veprës.
Kërkesë themelore e tij është angazhimi i letërsisë në çështjet sociale e të politikës së ditës.
Mensur Raifi riktheu kërkimet psikanalitike në kulturën shqiptare. Psikanaliza e tij bën bashkë frymën strukturaliste dhe mësimet e Zhak Lakanit.
Raifi çmohet sidomos për interpretimet psik-analitike të poezisë së Lasgushit, Nolit e Migjenit, por edhe me kritikat për Anton Pashkun, autorin e tij të adhuruar.
Metoda e Ibrahim Rugovës shfaqjen më sistematike e gjen te Vepra e Bogdanit 1675-1685 (1982), në të cilën kryqëzohet kërkimi gjenetik, strukturalist/semiotik e poststrukturalist, i lakuar si analizë e interpretim teksti. Rugova kërkon gjenetikën dhe bën analitikën e veprës së Pjetër Bogdanit.
Rugova njihet me esetë e kritikat për autorët bashkëkohës. Të parat kanë objekt fenomene letrare, që në tekstin e Rugovës marrin zgjidhje e prapë mbeten të hapura. Të dytat janë analiza e vlerësime të librave të veçantë ose të opuseve të plota të autorëve të caktuar.
Shenjë themelore e kërkimeve të tij është leximi i letërsisë si differentia specifica.
Por, vepra e madhe e Rugovës s’nënkuptohet nga një metodë, ajo jeton e përçon frymën e një humanisti të thellë, frymën e individit, të lirisë së tij e të kombit.
Sabri Hamiti është autori më i artikuluar në gjithë kritikën shqipe. Në diskursin teorik e në kërkimet e tij, kritika letrare është lexim personal, një dhënie kuptim veprës sot; kritika nuk zbulon, por jep kuptime. Jo se teksti vdes, por se lindet lexuesi, për të thurur dialogun me tekstin. Manifestimi më i hapur i pikëpamjes e i kërkimit të tillë të Hamitit duket te Faik Konica: Jam unë (1991), që është një kritikë dialogjike, një parafrazë e veprës së Faik Konicës.
Metoda e kërkimit e Kujtim Rrahmanit shpjegohet dhe aplikohet me durim te libri i rëndësishëm Intertekstualiteti dhe Oralitetit – E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku (2002), në të cilin analizohen relacionet intertekstuale të veprës së Koliqit, Kutelit e Pashkut me oralitetin dhe interpretohet teksti mbi bazën e këtyre relacioneve.
II. 2. Autorë
Faik Konica është themeluesi i kritikës letrare shqipe. Ai, te revista e njohur Albania, teorizoi çështje të kritikës letrare, si metoda e funksioni, dhe shkroi për vepra të veçanta. Kritika letrare e Konicës është manifestim i modelit kulturor/letrar kritik, pro-pozuar e të ndjekur gjatë gjithë jetës nga vetë ai.
Në kapërcyell të shekullit XX, Konica kërkonte diferencimin e veprimtarisë jetësore nga letërsia, për të lexuar letërsinë si art. Ilustrimin themelor kjo kërkesë e gjeti te pranimi i Naimit veprimtar, atdhetar, e te mohimi i Naimit poet. Konica kërkonte vlerën letrare si esencë të veprës.
Teksti më i njohur i Konicës në fushën e kërkimeve letrare është Kohëtore e Letrave Shqipe (1906), një teori e përqendruar e metodës dhe e funksionit të kritikës. Vërtet, ky është teksti që hap rubrikën e kritikës tek Albania. Niste kështu gjykimi i prodhimit letrar shqiptar bashkëkohës.
Dy zhanret themelore të kritikës së Konicës janë eseja dhe recensioni. Diskursi vlerësues i karakterizon këto zhanre, por manifestimin statutar e gjen te recensioni. Konica vlerëson, argumenton e ilustron duke patur parabazë shijen personale, që buron nga kultura e zgjedhur letrare e tij.
Përfundimisht, kritika letrare provon edhe një herë Faik Konicën stilist. Është thënë tashmë se autorët mbahen mend për idetë ose për stilin.
Krist Maloki dhe Eqrem Çabej, dy nxënës të rrallë të shkollës gjermane. I pari bëri studimet e hershme psikanalitike e kulturologjike shqipe. I dyti nisi të kërkojë rrënjët e literaturës shqipe (Për gjenezën e literaturës shqipe, 1938/1939), pastaj e atë shqipe përkrah e përballë romantizmit në Evropë (Roman¬tizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare, shkruar më 1945, botuar më 1994). Te Maloki, në radhë të parë, manifestohet psikanaliza e teoritë estetike/filozofike; te Çabej – shkolla kulturo-historike gjermane. Ndaj, Maloki kërkimet letrare i lidh me analiza të caktuara, ndërsa Çabej me shfaqjet e mëdha tipologjike, si qarqet let-rare.
Dy tekstet e njohura të Malokit në fushën e kritikës letrare, Naim Frashëri e A asht Poet Lasgush Poradeci?, shfaqin shenjat e formimit të autorit dhe fuqinë e tij të kërkimit e të diskutimit të çështjeve. Duke lexuar Naimin e Poradecin, këtë të dytin edhe përmjet polemikës me Mitrush Kutelin, Maloki, vërtet, diskuton çështjen e Poetit nacional (Dichter-it). Vetëdija nacionale te Naimi, në leximin e Malokit, del të jetë shfaqur vonë; ai duket më tepër poet universal se nacional (Dichter). Lasgushit i mungojnë temat nacional-heroike. Duke përjashtuar të dy, Maloki gjen Gjergj Fishtën Poet të shqiptarëve. Vetëm po nënvizojmë këtu se në 20-vjetorin e vdekjes së poetit, Maloki shqiptonte dilemën A asht Hero Gjergj Fishta?.4
Pikëpamja themelore e Çabejt në kërkimet letrare është ajo e qarkut letrar. Çabej vë qarkun përballë periodizimeve historike, duke e ditur se ato s’arrijnë ta shpjegojnë natyrën e transformimeve të letërsisë. Qarku është nocion që përshkruan letërsinë nga brenda. Çabej tipologjizon: Qarkun katolik të Veriut, Qarkun ortodoks të Jugut, Qarkun italo-arbëresh dhe Letërsinë nacionale të shekullit XIX. Duket që këto janë qarqe kulturore-letrare. Secili e ka njësinë e vet; të gjithë derdhen në shtratin e Letër-sisë nacionale, që manifeston më thellë e më hapur njësinë e kombit.
Po në Për gjenezën e literaturës shqipe, Çabej konstaton lidhjen e fortë të letërsisë shqipe, si të letërsive të Ballkanit, me letërsinë popullore dhe ngjyrën politike si veti të saj. Kur shkruan për poezinë e Lasgush Poradecit, më 1928, ai shenjon ikjen nga kjo ngjyrë, si shenjë të modernitetit të poe-zisë së Poradecit.
Mitrush Kuteli është autori i parë në kulturën shqipe që ka botuar libër kritik, Poeti Lasgush Poradeci (Bukuresht, 1937). Duke patur parasysh edhe librin tjetër, Shënime letrare (1944), duket që Kuteli të jetë kritiku themelor i modernitetit letrar shqiptar të gjysmës së parë të shekullit XX.
Te libri i parë Kuteli lexon për nga forma e tematikisht poezinë e Lasgush Poradecit, duke kërkuar aty, saktësisht te gjuha, Poetin nacional. Pra, për të kurorëzuar Poetin e shqiptarëve, Kuteli ka kriter themelor gjuhën, ndërsa Maloki kërkonte e çmonte temat. I pari ecën pas si-së letrare, i dyti pas çka¬-së.
Kuteli shkruan me dije e dashuri për poezinë e Poradecit, për të provuar edhe një herë se shkruhet bukur për autorët që i do.
Duhet të theksohet se Kuteli njeh për esencë të veprës formën e saj. Ai analizon poezinë e Poradecit duke filluar nga tingujt dhe arrin te sistemi poetik.
Përpos vjershave të shkruara herët, e gjithë vepra letrare e Ibrahim Rugovës është diskursive. Kërkimet e Rugovës nisën si rikrijim emocional i teksteve të lexuara (Prekje lirike, 1971), provuan shkallën e parë të konceptualizimit te Kah teoria (1978), u lakuan si eseistikë, kritikë e teori te Strategjia e kuptimit (1980) e Refuzimi estetik (1987), gjetën monografinë (Vepra e Bogdanit 1675-1685, 1982 e Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983, 1986). Fuqinë e tij prej kërkuesi e provojnë më së thelli dy librat monografikë.
Vepra e Bogdanit 1675-1685 është studimi më interesant për Pjetër Bogdanin, madje për gjithë periudhën të cilës i takon ky autor, deri më sot. Rugova lexon veprën e Bogdanit në qarkun e vep-rave të kohës, pastaj interpreton nga bashkëkohësia, për të provuar universalitetin e Çetës së Profetëve dhe kritikën si lexim që ringjall tekstin e vjetër në diskursin e ri për të.
Teksti i Rugovës është përplot informacion për veprën, Bogdanin e periudhën letrare, të cilës i takon ai. Kur Rugova shkroi Vepra e Bogdanit 1675-1685, Çeta e Profetëve njihej pak nga opinioni, ndaj studiuesi sjell informacione që ndihmojnë lexuesin të ambientohet me pikëpamjet e Bogdanit.
Pjesa themelore e studimit të Rugovës është Analitika e veprës, në të cilën analizohet e ribëhet teksti i Bogdanit në një aventurë semiologjike e interpretuese të rrallë. Edhe këtë herë, Rugova lë hapur veprën e Bogdanit, për të tërhequr vëmendjen drejt natyrës së saj të hapur. Vetëm veprat e hapura bëhen klasike, pra universalizohen. Rugova e heton thellë se Bogdani jep zgjidhje për fenomene e çështje, me vetëdijen se çështjet që shqyrton janë universale, prandaj do të kërkojnë edhe zgjidhje të tjera.
Projekti më i gjerë kërkimor i Sabri Hamitit përbëhet nga Variante (1974), Teksti i dramatizuar (1978), Arti i leximit (1983), Vetëdija letrare (1989) e Letra shqipe (1986), që shoqërohen nga metateksti Sprova për një Poetikë. Poetika, që kërkon me durim të rrallë gjatë gjithë jetës Hamiti, buron nga kërkimi i varianteve të formave e të ideve, po edhe të fenomeneve tipike të letërsisë shqipe. Kërkimi i tillë shtrihet në gjithë letërsinë shqipe dhe takon e shpjegon përthyerjet e thyerjet themelore, pra transformimet e saj. Poetika që propozon Hamiti është lidhje e kritikave për autorë e tekste, kurrë e prekur me normën, e shoqëruar nga esetë dhe studimet për fenomene letrare të caktuara, si: kodet tematike, ligjërimet, nocione të letërsisë shqipe, shkollat letrare etj.
Këtu, si kudo, Hamitin e veçojnë leximet personale, idetë e thella e stili i zgjedhur. Vepra diskursive e Sabri Hamitit lexohet me kënaqësi të rrallë. Diskursi i tij është i hapur, substancial, shpje-gues, përherë analitik.
Autorët e dashur të Hamitit janë Poradeci e Pashku, Konica e Xhaferri, Çabej e Rugova – po kaluam në një rrafsh tjetër. Me veprën e Lasgushit e të Pashkut ai u shoqërua gjatë gjithë jetës. Lexues i thellë i tyre, interpretues autentik, njeriu që shpëtoi poetin e madh e prozatorin themelor shqiptar, kur vepra e tyre po mbytej në keqkuptim (edhe të qëllimshëm). Studiues që rikthen në kritikën e kulturën shqiptare Faik Konicën, me librin e paharruar Faik Konica: Jam unë, dhe Bilal Xhaferrin, duke e botuar e studiuar me dashuri e dhembje.
Sabri Hamiti është afirmues i hershëm i koncepteve themelore të Çabejt në fushë të kërkimeve letrare, një mbrojtës i kahershëm i teorisë së qarqeve letrare. Ai është i pari që e lexoi (me shkrim) autorin e madh shqiptar, bashkëkohësin Ibrahim Rugova; Memento për Rugovën (2007) është libri që bën bashkë shkrimet e Hamitit, të botuara në rrjedhën e tri dekadave, për veprën e madhe të Rugovës.
Hamiti, viteve të fundit, ka publikuar edhe veprat e rëndësishme, Bioletra (2000), Shkollat letrare shqipe (2004), Tematologjia (2005) e Albanizma (2009), që i veçon diskursi përgjithësues, teorik. I pari thur e provon një teori të shkrimit e të leximit të letërsisë. I dyti bën tipologjinë e shkrimit shqip, duke patur kriter poetikën. I treti dhe i katërti thurin Poetikën historike të letërsisë shqipe, si anticipim të Historisë së kësaj letërsie. Vërtet, këta libra dalin si rezultat e rezyme i kërkimeve të gjata të këtij autori në fushë të letërsisë shqipe.
II. 3. Tekste
Fan S. Noli: Introduktat
Tekstet e veta kritike Noli i quajti introdukta. Emërtimi i tillë i referohet statusit dhe funksionit të tekstit kritik. Introdukta është tekst që e shoqëron (intra)tekstin, pra është një paratekst. Vetë termi introduktë (angl. introduction), hyrje e paraqitje, jep funksionin e kritikës së tillë: leximi (i shkruar) si hyrje në tekstin që shoqëron.
Noli shoqëroi me introdukta tekstet që ktheu në gjuhën shqipe. Introduktat e tij japin informacione themelore për autorin e veprën, pastaj shtrihen si parafrazë ose koment. Duke dhënë informacione, in-trodukta vendos në kohë autorin e veprën. Duke komentuar tekstin, niset të krijojë një tip lexuesi.
Introduktat e Nolit janë pjesë të Librit dhe jo të Tekstit. Ato japin leximet e Nolit. Sado të pretendohet për paraqitje, këto janë paraqitje personale. E vënë ndërmjet lexuesit e tekstit, introdukta hap dhe njëkohësisht konstrukton, në masë që s’mund të shpërfillet, komunikimin me tekstin.
Noli shoqëroi me introdukta: Otellon, Makbethin dhe Jul Çezarin e Uiliam Shekspirit; Armikun e popullit dhe Zonjën Ingra të Ostrosit nga Henrik Ibsen; Rubairat e Omar Khajamit; Don Ki-shotin e Migel Servantesit.
Leximet e Nolit janë sociale, me nënvariantet ideologjike/politike e morale. Ai e konsideron veprën si produkt të tezës së autorit dhe vetë lexon me tezë. Duke qenë eksplicite për nga natyra, kritika zbulon Nolin e ideve/ideologjisë. Patjetër, Noli pro-jekton skemën e vet mbi tekstin që ka në tavolinë. Skema herë e redukton tekstin e herë shtrihet përtej tij. Në të dy variantet, ajo shpie drejt leximit skematik.
Skema e Nolit e vë literaturën në funksion të ideve e të lëvizjeve shoqërore, më saktësisht në funksion të ideve revolucionare. Literatura lexohet si thirrje për ndërhyrje e rrënim të skemave sociale/politike. Shfaqjen më eksplicite leximi ideologjik i Nolit e ka tek introdukta për Don Kishotin e Servantesit. Në leximin e Nolit, Don Kishoti është produkt i rrethanës sociale. Teksti lexohet duke u projektuar ngjashmëritë e rrethanës së veprës me rrethanën socio-politike në Shqipëri.
Jo larg saj qëndron introdukta që shoqëron Armikun e popullit të Ibsenit.
Skema ideologjike përjashtohet më dukshëm nga tekstet e Shekspirit. Noli e dallon mirë këtë, ndaj bën lexime etike.
Fan S. Noli i kritikës letrare është tjetër nga ai i poezisë e i dramës. Atje flet me gjuhën personale (poezia) ose hap dilema dhe i lë ashtu para lexuesit (te drama). Te kritika zgjedh të shkruajë për tekste impersonale dhe do t’i mbyllë dilemat që hapin ato, për t’i plasuar si vepra të mbyllura.
Ky Nol i dyfishtë, e shpëton letërsinë e tij, e hap për modernitetin, por e rrezikon leximin/kritikën. Letërsia e tij jeton në figura, ndërsa kritika rrëshqet drejt retorikës sociale/ideologjike.
Mitrush Kuteli: Shënime letrare
Shënime letrare është libri i dytë kritik i Mitrush Kutelit. Autori e shpall vëllim të parë; i dyti s’doli kurrë. Dimë që as libri i skicuar i Kutelit, Sulme letrare, s’e pa dritën.
Shënime letrare ka dy tërësi; e para përbëhet nga shkrime kritike, ndërsa e dyta, Viti letrar 1943, është një tip sociologjie e letërsisë.
Teksti themelor i tërësisë së parë, që është më pretenduese e argumentuese se e dyta, dhe i tërë librit mbetet vështrimi Poeti Fan S. Noli. Tekstet e tjera janë shënime, recensione, tekste hyrëse (introdukta), autokritikë, një pjesë e mirë e tyre e botuar edhe më parë.
Te Poeti Fan S. Noli Kuteli skicon vetitë e stilit të Nolit e të poetikës së tij përgjithësisht, tipologjizon e interpreton tematikisht poezinë. Kuteli bëhet kështu interpretuesi i parë i thellë i kësaj poezie.
Kritiku letrar Mitrush Kuteli kërkon Nolin poet edhe te shqipërimet, duke i parë ato si ekuivalente shqiptare të teksteve autoriale.
Në gjithë tekstin, diskursi i Kutelit është i përqendruar, i rrafshtë, ndërsa leximi – sistematik.
Veçojmë te tërësia e parë edhe Poeti Mihail Eminesku, si dhe shënimet Vargje mbi gurë varresh e Në Prizren midis të vdekurve e të gjallëve, në të cilat Kuteli bën kritikën e kryeshkrimit, të shkrimit në gurë varresh, si shkrime që anticipojnë historinë e jetës. Vargjet e tilla Kuteli i gjen tipologjikisht të afërta me prodhimin folkloristik të vjershëtarëve anonimë. Vargje para të cilave heshtim thellë, me dhembje, për të medituar përmbi jetën e vdekjen. Te Në Prizren midis të vdekurve e të gjallëve vargjet e tilla Kuteli i lexon edhe si shenja të jetës etnike, të përkatësisë etnike të atyre që pushojnë ndër varre.
Te Viti letrar 1943 Kuteli bën panoramën e jetës letrare të një viti në Shqipëri. Pasi mban zi për Konicën e Koçën, ai shqyrton çështje të sociologjisë, si: shkrimtari, editura, shtypi, lexuesi etj., pastaj jep Panoramën e librave, Panoramën e revistave dhe Pa-noramën e fletoreve. Panorama e librave është pjesa themelore e kësaj tërësie të librit të Kutelit. Aty paraqitet prodhimi letrar e përtej tij, përmjet shënimeve kritike. Ai gjykon rreptë, në tekste të shkurtra. Ndonjë nga tekstet shtrihet në kufijtë e recensionit dhe forcon diskutimin për librin që paraqitet. Veprat e paraqitura janë origjinale, me të cilat Kuteli merret më gjatë, përkthime e ribotime. Ndërsa, Panorama e revistave shqyrton revistat “që kanë lëndë letrare”5 dhe “që rrijnë në vijat e permanencave shqiptare”.6 Kuteli veçon e çmon revistat që veçohen vetiu, Hylli i Dritës e Leka. Viti letrar 1943 mbyllet me Panoramën e fletoreve, në të cilën para-qiten shkurtimisht të përditshmet, përmjet një diskursi të rreptë.
Në diskursin kritik të Kutelit te Viti letrar 1943, duke u paraqitur e vlerësuar prodhimi letrar, hapen edhe plane të jetës sociale e politike të Shqipërisë, gjatë e para vitit 1943. Kuteli prek e shkruan ashpër, i rrëmbyer nga jeta shqiptare. Ai grindet, gjykon, jo rrallë gjen akuzën. Duket që diskursi përjashtues është në vetë natyrën e debatit social e politik.
Shënime letrare hapej me: “Kushtuar kritikut të vërtetë të së arthmes me dëshirë e urim që rrethi e rrethanat shqiptare t’i japën më shumë liri për shprehjen e mendimeve letrare”. Ky është një kons-tatim e një gjakim. Rrethi e rrethanat në Shqipëri, dekadave që pasuan, vranë kritikun e vjetër Kuteli dhe robëruan të riun. Ndoshta, këtu duhet të kërkohet përgjigja se pse nuk dolën verat që projektoi e shpalli Kuteli.
Ibrahim Rugova: Kahe dhe premisa…
Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1504-1983 është studimi themelor metakritik i Ibrahim Rugovës, libri më i mirë i kësaj fushe ndër ne. Aty Rugova praktikisht lexon gjithë tekstet dis-kursive shqipe, nga viti 1504 deri në vitin 1983, gjithnjë duke kërkuar kahe (drejtime, orientime, interesime) e premisa (pikënisje teorike dhe rezultate të kritikës). Kërkimi i tillë shtrihet në një diakroni të gjatë (Rolan Bart), përherë të përthyer në analizë tekstesh të veçanta. Rugova zbulon, emërton e komenton kahet dhe premisat themelore të kritikës shqiptare. Vetiu, kërkimi ecën drejt një tipologjie (të pashpallur) të kritikës, shoqëruar me vlerësime të thella autoriale.
Ky libër provon edhe një herë dijetarin e rrallë Rugova në fushën e teorisë letrare, studiuesin e duruar e të dashuruar me kulturën shqiptare; edhe në shfaqjet më të diskutueshme të kritikës shqipe, ai ni-set të shpëtojë ç’mund të shpëtohet.
Kahe dhe premisa… ka dy tërësi të mëdha: të parën e bën teksti studimor, ndërsa e dyta është një bibliografi e gjerë përshkruese (e librit 1861-1944) dhe komentuese (e kritikës në shtypin shqiptar 1883-1944), që mbyllet me Listën e organeve të shtypit 1884-1944. Komentet e Rugovës te Bibliografia janë të afërta me tekstin studimor të librit, por ta kujojnë edhe Kritikën letrare (1979), një antologji e komentuar e kritikës shqipe, nga De Rada te Migjeni, e që Rugova e nxori në bashkautorësi me Sabri Hamitin.
Teksti studimor ka dy pjesë, e para me objekt kritikën e traditës, që nga fillimi, ndërsa e dyta – kritikën bashkëkohore. Kritika shqiptare i nënshtrohet periodizimit historik të letërsisë shqipe. Rugova kërkon kahet dhe premisat e një periudhe, i provon ato tek autorë e tekste.
Duke ecur në këtë diakroni, Rugova ndjek e përshkruan kritikën shqiptare nga stadi i shfaqjeve të pikëpamjeve kritike, te konstituimi i saj si zhanër i veçantë dhe e mbyll me paraqitjen e përshkrimin e praktikave kritike bashkëkohëse.
Proceduralisht, Rugova paraqet, përshkru-an/karakterizon e vlerëson. Kjo procedurë merr pamjen e metodës së kërkimit, që prodhon pamjen e kritikës shqiptare, orientimet themelore, konstantat dhe rezultatet e saj. Vërtet, pamja e kritikës që jep ai është më e plota që ka dhënë deri më tash diskursi shqiptar për kritikën, ndaj i referohemi si një episteme të rrallë.
Kahe dhe premisa… shfaq shenjat themelore të diskursit të Rugovës: analizën e thellë, komentet substanciale, vlerësimet e rralla e përgjithësimet e forta teorike. Diskursi i tij është i hapur, përplot informacion, i këndshëm edhe kur bëhet nocional.
Kahe dhe premisa… është një nyjë e fortë në kërkimet shqipe, një libër i domosdoshëm për secilin që ka mall të jetojë me shkrimin diskursiv shqiptar.
Sabri Hamiti: Faik Konica: Jam unë
Faik Konica: Jam unë është një nga librat më të njohur e më përfaqësues të Sabri Hamitit. I shkruar bukur, me dashuri të rrallë, i mbushur ide, i përflakur në emocionin e zbulimit të një autori e vepre, ky libër hyn në qarkun e librave diskursivë më të mirë të kulturës letrare shqiptare.
Faik Konica: Jam unë parafrazon veprën letrare të Faik Konicës, ndërton e rindërton atë. Një libër i fushës së kritikës dialogjike, që përfshin në dialogun e gjallë botën e veprës e botën e lexuesit. Në dialogun e tillë, vepra e lexuesi/kërkuesi japin e marrin ndërmjet vete. Teksti hapet sot, pa i tretur shenjat imanente, pa e humbur botën e vet.
Diskursi i Hamitit në këtë libër është eseistik, i mbushur emocione, jo rrallë i figurshëm. Diskursi i tij është përplot me diskursin e Konicës, gjë që Faik Konica: Jam unë e bën faqe tjetër të veprës së Konicës.
Strukturalisht, libri përbëhet nga ese të lidhura, që së bashku japin librin eseistik, pandanin modern të librit monografik tradicional.
Parafrazën e veprës së Konicës Hamiti e nis nga Parashtresa mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (shkruar në frëngjisht, më 1899), që trajton Lëvizjen Kombëtare Shqiptare; vijon me kritikën letrare, duke njoftuar e komentuar; kalon tek eseistika, në të cilën Konica është mbret; pastaj gjen poezinë, për ta lexuar poetin Faik Konica; tashmë lexon e interpreton thellë prozën letrare të Konicës; prapë eseistika, esetë e lidhura nën titullin Shqipëria si m’u duk dhe esetë e zbuluara pas vdekjes së Konicës: Shqipëria – Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore; së fundi, shqyrton punën e Konicës në fushën e shqipes së shkruar. Në këto nyja Hamiti rindëron veprën e Konicës, herë duke zbuluar shkëlqimin e saj si Diell e herë duke hedhur dritë mbi të.
Esetë e lidhura të Hamitit nën titullin Faik Konica: Jam unë zbulojnë Faik Konicën autor krejt të veçantë në letërsinë e në kulturën shqiptare, themeluesin e modelit letrar kritik, të kritikës letrare shqipe, themeluesin e prozës së shkurtër shqipe, stilistin e rrallë, dijetarin e madh, njeriun që s’la shfaqje të jetës shqiptare pa gjykuar dhe, jo në fund, por në fillim, njeriun që themeloi e udhëhoqi revistën Albania, ndoshta revista më e rëndësishme e gjithë kulturës shqiptare.
Konica i tillë tërë jetën punoi e provoi natyrën perëndimore të gjuhës e të kulturës shqiptare. Ai kritikoi ashpër, sepse donte të qëronte lëvozhgën që mbante mbyllur esencat shqiptare, shpirtin e kombit. S’do mend, Konica gjen jetën shqiptare jo te për-faqësuesit politikë, por te populli, te jeta e gjallë. Me një fjalë, Hamiti këtu zbulon për vete e për ne shkrimtarin, njeriun e veprimtarin Faik Konica.
Gjithë këto, edhe në leximin e Hamitit, Konicën e bëjnë Një, të veçantë. Këtë shenjon edhe titulli dhe e provon secila faqe e librit Faik Konica: Jam unë.
III. HISTORITË E LETËRSISË SHQIPE
III. 1. Historitë
Shkrimet e natyrës historike në kulturën letrare shqiptare kanë nisur me doracakët, antologjitë e komentuara, kanë vijuar me tekste historiografike të tipit tradicionalist.
Këtij rendi i shtohen edhe tekstet në gjuhë të tjera me pretendime historiografike e informuese, pra promovuese të letërsisë e të kulturës shqiptare.
Historitë e letërsisë shqipe mbeten të lidhura me historinë nacionale e politike të shqiptarëve, me jetën e autorit ose bëhen lexime veprash konkrete, punë kjo e kritikës letrare.
Në pjesën më të madhe shkrimet historiografike shqipe dominohen nga metodologjia tradicionaliste. Jo pak nga ato janë totalisht ideologjike, pa edhe një dimension interpretimi letrar. Duke njohur karakterin ideologjik të sociales e sociologjisë, shkrimet e tilla hyjnë thellë fushës së historisë sociale.
Po natyra ideologjike, përpos që doktrinarizoi Historitë e letërsisë shqipe, përjashtoi autorë themelorë, siç ndodhi me Gjergj Fishtën, Faik Konicën, Ernest Koliqin etj., si dhe eklipsoi të tjerë.
Periodizimi, një çështje e përhershme e historive shqipe dhe një çelës tradicional për sistemimin historik të letërsisë, në pjesën më të madhe buron nga parabaza politike-historike, ndaj kërkimet shqipe i identifikojnë periudhat politike/historike e ato letrare.
Nga evidencat del se Historia e letërsisë është fusha kërkimore që u rrëgjua më së shumti gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, kur letërsia e kërkimet shqipe u skematizuan egër. Historia u shndërrua në institucion zyrtar të kontrolluar nga shteti. Letërsia shqipe ishte vetëm ajo që pranohej nga ky institucion. Përjashtimet mbi bazën e ideologjisë u bënë të tmerrshme. Autorët e mëdhenj mbeten jashtë. Fenemonet themelore u shpërfillën ose u interpretuan keq, qoftë edhe me qëllim. Historiani mori funksionin e kujdestarit ideologjik në fushë të letërsisë. Kjo bëri që letërsia shqipe të mbetet pa historianë.
Përfundimisht, të lidhura në nyjat që evidentuam, Historitë e letërsisë shqipe, përgjithësisht, e konsiderojnë letërsinë si pasojë dhe kanë objekt atë që e kushtëzon (sipas tyre), duke mos arritur ta lexojnë si esencë e në esencë. Një histori e tillë vështirë se mund të jetë e letërsisë.
III. 2. Tekste
Në vijm, për të provuar lakoren e shkrimit të historisë letrare shqipe, po shfletojmë disa nga doracakët, antologjitë e historitë e letërsisë, duke i hapur në disa nyja.
Doracakët historiko-letrarë janë më shumë informues dhe përshkohen nga kërkesa e mësimdhënies. Janë tekste për përdorim, por jo rrallë shkojnë përtej statusit të tillë, siç ndodh me Shkrimtarët shqiptarë I, II (Tiranë, 1941/1942).
Alberto Stratico:
Manuale di letteratura Albanese
Me Manuale di letteratura albanese (Milano, 1896), të Alberto Stratikoit, vihen bazat e historiografisë letrare shqiptare. Në frymën e teksteve italiane e evropiane të kësaj natyre, Stratiko së pari flet për origjinën, historinë e gjuhën e popullit shqiptar, pastaj për monumentet e para gjuhësore e letrare, përqendrohet te letërsia popullore, përfundimisht kalon te vështrimet monografike për autorët.
Fuqia e kërkuesit duket më së thelli te kapitulli për letërsinë popullore. Stratiko e vështron atë në planin zhanror e tipologjik. Ai vuri bazën e klasifikimit të kësaj letërsie. Letërsia popullore, për Stra-tikoin, është dëshmi e lashtësisë së shqiptarëve.
Vështrimet për autorët ecin në një skemë kërkimi: jeta, veprimtaria, karakterstika të veprës letrare të tyre. Kjo skemë shoqërohet me citate e vlerësime për vendin e autorëve në historinë e letër-sisë, pra provohet sistemimi.
Stratiko shkroi për Bardhin, Bogdanin, Varibobën, Santorin, De Radën, Seremben etj. Mungon Naimi.
Të nënvizojmë se doracaku i Stratikoit letërsinë shqipe e koncepton si një, pavarësisht vendit ku u shkrua, parim që shfaqet në pjesën më të madhe të kërkimeve historiko-letrare shqiptare që erdhën më pas.
Eqrem Çabej:
Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe
Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe (1936) e Eqrem Çabejt është një doracak, destinim që ka përcaktuar natyrën e tekstit, strukturën e diskursin. Një libër “informativ, kompilator dhe përmbledhës”7 – e definon vetë Çabej.
Ky libër është strukturuar në tërësitë: I. Gjuhësi, II. Literaturë, III. Pjesa të zgjedhura. Pjesa e parë merr shkurtimisht çështje teorike/tipologjike, çështje të gjuhës e të gjuhësisë shqiptare. Çabej jep infor-macione themelore për origjinën, përhapjen, dialektet e shqipes etj. Pjesa e dytë bën skicën historike të letërsisë shqipe, nga shkrimtarët e vjetër tek ata të fillimit të shekullit XX, duke përfshirë edhe poezinë popullore, burimin e gjallë të shkrimtarisë shqipe. Pjesa e tretë është një antologji tekstesh, me funksion të parë ilustrimin e pjesës paraprake, dhe zë pjesën më të madhe të librit.
Pjesa e dytë e librit, me objekt literaturën shqipe dhe poezinë popullore, është më sistematikja. Vetë Çabej, sa u takon të dhënave biografike e bibliografike, shpall referencë Popolo, lingua e letteratura albanese të prof. Gaetano Petrotës. Çabej lexon autorët me radhë, duke evidentuar e karakterizuar shpejt e me saktësi të admirueshme. Pjesët më insistuese u janë kushtuar De Radës, Zef Skiroit, Naimit e Fishtës. Teksti për poezinë popullore, pos karakterizimeve, sjell një evidencë të folkloristikës shqiptare.
Te kjo pjesë e librit, si në gjithë kërkimet letrare, Çabej lexon letërsinë si shprehjen më autentike të “shpirtit shqiptar, shprehje estetike dhe shprehje etnike”.8
Shkrimtarët shqiptarë I, II
Shkrimtarët shqiptarë I, II (1941/1942), një doracak i tipit antologjist, është strukturuar në dy pjesë, e para me objekt Prodhimin letrar shqiptar para Lidhjes së Prizrenit (1462-1878), e dyta – Prodhimi letrar shqiptar pas Lidhjes së Prizrendit. Kjo ndarje është bërë për lehtësi studimi dhe “veçanerisht për arësye historike”.9 Pikë e thyerjes bëhet Lidhja e Prizrenit, lidhja e shqiptarëve, amza e jetës kulturore e letrare shqiptare, e lidhur për njësinë e kombit.
Ky periodizim fillestar, përthyhet më tej sipas kriterit letrar e kulturor: Pjesa I – Dokumentet e para të gjuhës shqipe, Shkrimtarë të vjetër të Veriut, Shkrimtarë të vjetër të Jugut, Shkrimtarë të vjetër myslimanë, Prodhimi letrar përpara Lidhjes së Priz-rendit, Prodhimi letrar i arbëreshëvet t’Italisë, Arbëreshët e Greqis; Pjesa II – Shkrimtarë të Rilindjes, Shkrimtarë të Kohës, Shkrimtarët arbre-shë.
Vetë titulli Shkrimtarët shqiptarë shenjon kërkimin e lidhur me autorët, ndaj themelor bëhet portretimi i autorëve dhe analiza e veprës së tyre. Kështu, për të portretuar shkrimtarët, ndiqet një skemë e përsëritur: jetëshkrimi (informacione biografike), veprimi letrar (bibliografi, analizë e karakterizim), fragmentet/tekstet e zgjedhura nga vepra letrare.
Shkrimtarët shqiptarë I, II është një libër përplot informacion dhe ecën nëpër gjithë prodhimin letrar shqiptar që njihej deri atëherë. Një praktikë e tillë nuk u ndoq nga doracakët e historitë e letërsisë shqipe që dolën në Shqipëri më pas.
Kjo vepër i kushtohej mësimit të letërsisë në shkollat e mesme. Destinimi i tillë ka kushtëzuar në masë metodën e diskursin.
Prof. Papas Gaetano Petrotta:
Popolo, Lingua e Letteratura albanese
Shenjë e parë e Popolo, Lingua e Letteratura albanese (Palermo, 1931) të Gaetano Petrotës është karakteri enciklopedik. Siç shpallet që në titull, Petrota merr në planin historik popullin shqiptar, gjuhën dhe letërsinë. Pjesa më e madhe dhe më e rëndësishme e librit i është kushtuar letërsisë. Vetë autori nënvizon se “Ky punim nuk ka si qëllim të jetë një Histori e letërsisë shqipe, vetëm dëshirohet të jepen njoftime për burimet më të vjetra dhe më të rëndësishme për studimin e gjuhës shqipe.”10 Sido që të jetë, Petrota ruan një fill të ecjes nëpër histori.
Libri është shkruar me shumë referenca e dije. Një referencë e rrallë në kërkimet historiko-letrare shqipe.
Letërsia shqipe është strukturuar në: A. Dokumente gjuhësore, B. Letërsia popullore, C. Letërsia e kultivuar – Shkrimtarë shqiptarë: prozatorë dhe poetë, D. Shtypi periodik – revista dhe gazeta: 1848-1930. Vërejmë që s’kemi të bëjmë me një periodizim historik të letërsisë shqipe.
Te Dokumente gjuhësore përfshihen autorët e hershëm, si: Buzuku, Matranga, Budi, Bardhi, Bogdani etj. Kapitull informues, më parë se analitik.
Ndërsa, Letërsia popullore është kapitull i shkruar me ngé, gjithnjë duke e marrë letërsinë popullore si reflektim të shpirtit të një kombi. Petrota studion lëndën letrare popullore, duke nisur nga rrëfimtaria popullore, te letërsia me frymë popullore e poezia dhe proza fetare, pastaj merr me radhë përmbledhjet e mbledhësve e studimet për letërsinë popullore. Kërkimi i tij bëhet më insistues dhe më i thellë kur bën objekt letërsinë popullore arbëreshe.
Letërsia e kultivuar përbëhet nga portrete autorësh, duke filluar me Muhamet Çamin, për t’u mbyllur me evidencat për Dhimitër Paskon e Simon Shuteriqin. Portretet nisin me shënime biografike, vijojnë me të dhëna bibliografike dhe mbyllen me përshkrime e komente të veprave letrare. Portreti që dominon është ai i De Radës.
Ndërsa, Shtypi periodik është një bibliografi përshkruese e revistave dhe e gazetave nga viti 1848 (L’Albanese D’Italia) e deri te viti 1930 (Vullneti i Arbenisë). Në përshkrimin e periodikut, Petrota ka parasysh vetëm “rëndësinë e tyre letrare dhe veçanërisht gjuhësore”.11 Ai sjell të dhëna edhe për drejtues të revistave e të gazetave.
Pjesa e tretë e librit, Studimet shqiptare, shqyrton studimet sipas fushave tematike: A. Gjuha dhe dialektet, B. Alfabeti, C. Gramatika dhe Fjalorë, D. Etnografi dhe gjuhësi, E. Arkeologji. Histori. Folklor. Të ndryshme, F. Lëvizja kulturore: Institucione. Shkolla. Shoqata. Kongrese. Këtu Petrota lexon studimet e autorëve të huaj e shqiptarë, duke përfshirë fjalorë e enciklopedi. Edhe këtë herë autori ndjek principin bibliografik. Ç’është e vërteta, ky princip duket përgjatë gjithë librit të Petrotës, i lakuar si evidencë, përshkrim, koment dhe i shoqëruar me ndonjë vlerësim. Sa jemi te vlerësimet, të nënvizojmë se zgjedhje e parë e Petrotës është letërsia popullore e arbëreshëve të Italisë dhe letërsia e kultivuar arbëreshe.
Edhe nga ky përshkrim/karakterizim yni duket gjerësia e objektit të Petrotës, objekt që e bën Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare një enciklopedi të kulturës shqiptare: histori, histori e gjuhës, folklor, letërsi, publicistikë/gazetari.
Tashmë, po kalojmë te tekstet që mbajnë titullin Histori, për të përshkruar e ilustruar më tej natyrën e shkrimeve historiko-letrare që i kushtohen letërsisë shqipe.
Vepra kolektive Historia e letërsisë shqipe I, II (Tiranë, 1959/1960) është historia e parë shqipe me pretendime akademike e sistematizuese.
Qysh në Hyrje, kjo histori e letërsisë shpallet “një dëshmi modeste e punës së madhe që është kryer në atdheun tonë, këto pesëmbëdhjetë vjet çlirimi, nën udhëheqjen e Partisë së Punës së Shqipërisë, në rrugën e socializmit”.12 Metodologjikisht, vërtet ideologjikisht, vepra udhëhiqet nga parimet marksiste-leniniste. Gjithë kjo ka kushtëzuar interpretime e zgjidhje ideologjike të dukurive, autorëve e veprave të veçanta. Të nënvizojmë se ky tekst përjashton ose përmend në kontekstin më të zi autorë të rëndësisë së parë, si Fishta e Konica.
Gjithnjë në frymën ideologjike, letërsia, historia e letërsisë, konceptohet si pjesë e historisë së popullit. Nga këtu, rruga për t’u përfshirë në Historinë e letërsinë shqipe folklori, amza kolektive kulturore, është e hapur.
Historia e letërsisë shqipe I, II është strukturuar në: Folklori shqiptar, Letërsia e vjetër shqipe, në të cilën janë përfshirë edhe autorët shqiptarë që shkruan në gjuhën latine, Letërsia shqipe e Rilindjes Kombëtare.
Secila pjesë ka nga një kapitull hyrës, me objekt periudhën e caktuar, dhe vijon me kapituj të veçantë për autorët, që nisin me të dhëna biografike, vijojnë me paraqitjen e veprës letrare të tyre, pastaj trajtohet një vepër ose karakteristikë që autorët e historisë e gjejnë si tipike.
Struktura e tekstit reflekton periodizimin që i bëjnë letërsisë shqipe autorët. Kriteri periodizues është kohor: e vjetër, e Rilindjes. Periodizimi i tillë, këtu si kudo, nuk e reflekton natyrën e brendshme të letërsisë.
Historia e letërsisë shqiptare e vitit 1983 (Tiranë), e mbështetur te vepra paraprake, është histori marksiste e letërsisë, historia zyrtare e letërsisë shqiptare. E hartuar nga disa autorë, “redak-timin e përgjithshëm e përfundimtar”13 e bëri Dhimitër S. Shuteriqi.
Kjo histori ka lënë jashtë autorë të mëdhenj të shqipes. Vërtet, emra si Konica e Fishta përmenden vetëm në anatemën që u bëjnë hartuesit e historisë, dhe mezi ka prekur Poradecin e Kutelin. Ndërsa, autorët e përfshirë janë lexuar ideologjikisht, ndaj portretet e tyre burojnë më parë nga skema e leximit, se sa nga vepra letrare (e tyre) e lexuar. Skema ideologjike është bërë edhe skemë vlerësimi e autorëve, por edhe e ecjes së letërsisë. E konceptuar si zhvillim, kjo ecje gjykohet të ketë arritur shkallë më të lartë me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e rrethanës historike. Por, teoria dhe empiria letrare provojnë se aksiologjia letrare s’është progresite.
Një histori letërsie e kapur nga ideologjia e nga “kushtet historike”. Me një fjalë, nga shteti i pushtetit.
History of Albanian literature (New York, 1995) e Robert Elsie është “përpjekje për ta trajtuar zhvillimin historik të letërsisë në gjuhën shqipe, nga fillimet e deri rreth vitit 1990”.14 Kjo vepër pati synim fillestar njoftimin e lexuesit të huaj me kulturën e letërsinë shqipe, ndaj autori sjell shumë informacione, shpesh të panevojshme për lexuesin shqiptar.
Elsie niset të paraqesë një kulturë në rrugë historike, meqë kultura shqipe konceptohet si “pas-qyrim” i fatit të popullit shqiptar ndër shekuj. Një letërsi mimetike, ndaj një lexim mimetik. Autori s’shpëton nga leximi ideologjik, por s’hyn në shër-bim të një ideologjie të caktuar.
Sa i takon periodizimit, që është një nyjë e çdo historie (kronologjie) të letërsisë, Elsie, si dhe autorët e tjerë, nuk ka një kriter, por skemën e tij e dominon kriteri kulturoro-kohor, p.sh. Shkëlqimi i Orientit, Letërsia myslimane e shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX, Trashëgimia e Bizantit, Shkrimet në traditën ortodokse në shekullin XVIII dhe në fillimin e shekullit XIX, Periudha e Rilindjes, Letërsia e zgjimit kombëtar shqiptar etj.15
IV. TEORIA LETRARE
Teoria letrare, si fushë që shoqëron letërsinë, shfaq shenja në kulturën letrare shqipe qysh te Bogdani, por manifestimet e mëdha i arrin në shekullin XX. Në vijim do të lidhemi me disa autorë e tekste, për të anticipuar një pamje të teorisë letrare shqipe. Të nënvizojmë se teoria letrare shqipe përherë, bashkë me letërsinë, bën objekt edhe kërkimet letrare.
Kohëtore e Letrave shqipe (Albania, Londër, 1906, nr. 5, ff. 99-102) e Konicës problematizon e do të definojë teorikisht disa nga nyjat e kritikës letrare si zhanër. Konica i drejtohet lexuesit shqiptar lidhur me çështje universale, si: natyra, metoda e funksoni i kritikës, gjithnjë duke patur parasysh kontekstin e kulturës letrare shqipe.
Kohëtore e Letrave Shqipe niset “të vê përpara syve të botës shqiptare qi këndon e qi mendon, një kritikë të lidhur të veprave letrare qi dalin në gjuhë t’onë.”16 Konica vlerëson të jetë rritur cilësia e librave që botohen, por edhe cilësia (kultura) e leximit, kriter që bën të mundur “një të vërtetë kritikë letrare”.17
Po, ç’është kritika letrare sipas Konicës?
Një gjykim i vlerës së veprave. Gjykimi mund të jetë i shkurtër, i prerë, dhe i arsyetuar, i provuar. Duket, Konica do të dytin, në të cilin shpallen e provohen pëlçimet e ç’pëlqimet (mospëlqimet) e kritikut. Mbështetja themelore e kritikut është shija, që buron nga kultura letrare e tij.
Për Konicën, kritika letrare s’është shkencë, por e ka një metodë të veten: përqasjen, krahasimin. Veprat e reja krahasohen me kryeveprat. Nëse një letërsie i mungojnë pikat e përkrahjes (kryeveprat), ato, deri në një pikë, mund të zëvendësohen me kryevepra të letërsive të tjera. Por, Konica sugjeron një qasje tjetër, edhe këtu duke patur parasysh letërsinë shqipe, ndjekjen e natyrës së gjërave: “Është, në natyrë e në jetë, një mënyrë logjike, së cilës ësht’ i shtrënguar t’i lidhet ç’do gjëndrë letrare qi mer për pasqyrë jetën dhe natyrën. Për tregim, le ta zëmë theatrën. Në këtë degë të letrëtyrës, është një kanun afërmëntsh: njësia e karakterve. Po i dhê një njeriu një karakter, në qoftë se do të na bintsh të besojmë në të qënë të njeriut, duhet të ia mbash atê karakter gjer në funt, e, si në jetë, t’a bêsh të sillet pas karakterit të tij.”18
Konteksti letrar e kulturor shqiptar shtyn Konicën të diferencojë atëdhesi-në (veprimtarinë atdhetare) e letrëtyrë-n, të ndara për nga vetë natyra e tyre. Njeriu mund të ketë ndjenjën atdhetare e talentin letrar bashkë ose njërin nga këto. Një vepër në shërbim të idesë së atdheut, s’është detyrimisht një vepër estetikisht e vlershme. Këtë ndarje Konica e ilustron me Naimin, duke e pranuar atë si atdhetar të nxehtë dhe veprën e tij atdhetare, por duke e mohur si shkrimtar.
Vlerësimi letrar i Konicës, i ndarë nga vlerësimi i veprimeve jetësore, shenjon kritikën e veprës pa biografi.
Ndërsa, në planin e funksionit, kritika letrare, sipas Konicës, përgatit lexuesin të kuptojë më mirë veprat, ndërsa shkrimtarët i bën të shkruajnë më me kujdes. Kjo s’mund të shpjegohet pa patur parasysh kontekstin kulturor shqiptar. Letërsia nuk mund të rritet pa kritikën letrare, gjykon autori ynë.
Doracaku i Justin Rrotës, Letratyra shqype, i botuar së pari më 1925 dhe i plotësuar e botuar së dyti më 1934, ka shenjat edhe të një udhëzuesi (të ilustruar) të retorikës. Koncepti i hartimit, si procedurë e strukturimit të ligjëratës dhe si ligjëratë, rregullat e hartimit, d.m.th. rregullat e retorikës/poetikës, shtrihen në tërë Librin I – Parime letratyret (Shkodër, 1934). Është Libri I që do të përshkruhet e karakterizohet këtu shkurtimisht.
Retorika e Rrotës ëshë ajo tradicionalja, herë-herë e kryqëzuar me koncepte të stilistikës. E gjitha bën një mësim për mënyrat e ligjërimit.
Doracaku i referohet hartimit që përmjet buku-risë sjell kënaqësi, por edhe që përcjell një moral ose njohuri me dobi për jetën.
Parime letratyret së pari formulon parimet e përgjithshme, të konceptuara nën emrin Stilistikë, vërtet Retorikë. Aty hyjnë veprimet retorike: gjetunia, mbarshtrimi, shprehja a elokucjoni, figurat, stili.
Nga parimet e përgjithshme, të vlershme për hartimin në përgjithësi, Rrota kalon te parimet e posaçme, që vlejnë për literaturën, të klasifikuar në prozë e poezi. Proza klasifikohet më tej në: hartime përshkruese, kallxuese e parashtuese. Rrota e di që hartimet e tilla diferencohen teorikisht, ndërsa praktikisht plotësojnë njëra-tjetrën. Hartimet e tipit të parë përshkruajnë pamje, sende, veti etj., ato të tipit të dytë rrëfejnë ndodhi reale ose të trilluara, kurse të të tretit shprehin mendim, kanë natyrë diskursive, dhe përfaqësohen nga traktati, ligjërata orale, dialogu, letra, por edhe nga shkresa administrative e të fushës së pragmatikës përgjithësisht.
Teoria e poezisë e Rrotës nis me metrikën dhe përqendrohet te hartimet poetike (zhanret e poezisë). Autori definon zhanret shkurtimisht, funksionet e tyre dhe ilustron me tekste të zgjedhura nga autorë të huaj e shqiptarë. Ai mëson se lirika është poezi pa ndodhi, poezi e zemrës. Argumenti e bën të naltë, mjesme ose të ulët; princip i njohur ky i poetikës tradicionale. Epika, rrëfimi i ndodhive, ka formë themelore poemin heroik, karakterizuar nga argumenti e stili i lartë. Poezia dramatike ndodhinë e jep përmjet dialogut e veprimit të vetjeve (personave). Llojet klasike të saj janë tragjedia e komedia, ndërsa moderniteti solli dramin modern, që rri ndërmjet tragjedisë e komedisë, duke dhënë jetën e njeriut me të gjitha gëzimet e mjerimet. Poezia didaktike mëson në vargje, jep njohuri, shpie tek e vërteta morale. Forma më e ndërliqshme e saj është poemi didaktik, me histori qysh nga Hesiodi.
Edhe nga ky përshkrim e karakterizim duket se në këtë plan të tekstit Rrota bën poetikën e poezisë (vargut).
Parashtrimet e sakta teorike, ilustrimet e zgjedhura, diskursi i autorit flasin së bashku për kulturën e pashoqe të tij.
Teoria letrare mbeti përherë fusha e dashur e Ibrahim Rugovës. Ai u soll si teoricien kur bëri objekt fenomene letrare, por edhe kur u mor me vepra e korpuse veprash, meqë përherë kaloi nga analiza te përgjithësimet. Kjo e bëri Rugovën kërkues të përhershëm të esencave, të universalieve estetike/letrare.
Siç e shenjon vetë titulli Kah teoria, që herët, diskursi i Rugovës niset drejt teorisë, me objekt natyrën e letërsisë dhe metodologjinë e kërkimit. Aty mbrohet e provohet pikëpamja për letërsinë si një fushë e veçantë, natyra e hapur e veprës letrare, por edhe mungesa e një metode finale kërkimi. S’do mend, Rugova njeh metodën si dije e procedurë, asnjëherë si doktrinë.
Është sinjifikative sjellja e Rugovës si teorici-en/estet edhe kur lexon letërsinë shqipe, po te Kah teoria, siç është e tillë zgjedhja për të shkruar për konceptet kritike të Faik Konicës.
Te pjesa e tretë e librit Strategjia e kuptimit, e titulluar Teoria e poezisë shqipe, Rugova lakmon teorinë si një tipologji të poezisë. Në këtë princip, teoria e rezultatet tipologjike bëhen provë e anasjelltë. Saktësisht, Rugova kalon nga teoria e tipologjisë te tipologjia e poezisë shqipe (të Kosovës), pastaj ndalet ta vlerësojë këtë poezi. Në shtrirjen teorike e në kërkimin e drejtpërdrejtë, ai njeh tipologjinë si disiplinë që ndjek rrymat (historia letrare) e ndikimet (letërsia e krahasuar). Tipologjia është fusha që pajton historinë e letërsinë e krahasuar.
Kritika letrare, dija letrare përherë mbeti një objekt i zgjedhur i Rugovës. Ai problematizoi metodologjinë e funksionin e kritikës letrare te Kah teoria (1978), bëri tipologjinë e kritikës shqipe te Kahe dhe premisa… (1986), vijoi të shoqërohej me të te Refuzimi estetik (1987), pjesa e katërt e të cilit mban titull Teoria e kritikës. Aty Rugova interpreton Teorinë e letërsisë së Rene Uelekut e Ostin Uorenit, problematizon relacionin e kritikës letrare me mark-sizmin, hap interesimet bashkëkohëse teoriko-letrare, në fund vë kritikën bashkëkohore shqipe përballë evropianes. Të themi se autori ynë kudo vë diskursin e tij teorik në funksion të afirmimit të kërkimeve letrare si një fushë e dijes.
Zejnullah Rrahmani së pari kërkoi teorinë letrare shqipe, nga rrënjët (pikëpamjet themelore) e te diferencimi i saj në fusha të veçanta (Nga teoria e letërsisë shqipe, 1986), pastaj kaloi te historia e teorive letrare universale (Lindje e Perëndim).
Projekti i Rrahmanit në fushën e teorive letrare përbëhet nga disa libra19 dhe ka pamjen e një historie të teorive, që ndjek pikëpamjet, autorët e tekstet themelore të epokave. Librat e tillë, në radhë të parë, u kushtohen studimeve të letërsisë, por edhe studiuesve të kësaj fushe. Diskursi i Rrahmanit është i hapur dhe shpesh takon kufijtë e rrëfimit, për të theksuar leximin personal e, paradoksalisht, për të lënë prapa diskursin nocional. Te Teoritë letrare klasike ka më shumë diskutim, te librat e tjerë rritet sa-sia e informacionit, dominon paraqitja, sidomos te Teoritë letrare moderne.
Me shtrirjen në historinë e teorive, numrin e madh të autorëve, veprave e çështjeve të paraqitura ose të shqyrtuara, projekti i Rrahmanit sjell në kulturën letrare shqipe nyja të mendimit të madh teorik për letërsinë. Librat e tij ftojnë për t’i lexuar teoritë letrare nga fillimi.
Në këtë pikë të diskutimit, duhet të nënvizojmë artikullin e njohur Vox clamantis in deserto, të botuar më 1 tetor 1971, në të përditshmen Rilindja të Prishtinës e të nënshkruar nga disa autorë,20 si dhe separatin/librin Le të rrjedhë lumi (1972), po ashtu publikim i përbashkët i disa autorëve.21 I pari konsiderohet manifest (inicial) i Qarkut letrar të Prishtinës, ndërsa i dyti mbron e provon më tej pikëpamjet e skicuara te Vox-i.
Vox-i vihej përballë realizmit socialist, që po vinte nga Shqipëria, i shpallur ideologji nacionale, s’pranonte patronatin e “etërve të letërsisë”, kërkonte lirinë, letërsinë e figurës, fiksionin, botën pa të ngjarë të letërsisë… Ai u prit ashpër, autorët u de-noncuan publikisht në diskutimin e egër ideologjik e politik.
Le të rrjedhë lumi gjithë këto i provon shtruar, mbështetur në dijen letrare moderne.
Rexhep Ismajli, në kapërcimin nga linguistika te poetika, teorizon e provon natyrën simbolike të gjuhës së letërsisë, kur shtrohej detyra e qartësisë së ligjërimit. Anton Pashku, tek eseja Mbi komunikimin poetik, relacionin e veprës artistike me realitetin e përshkruan jo si relacion të kopjes (vepra) me origjinalin (realiteti), por të shenjës, të gjuhës, me realitetin. Mensur Raifi është krejt afër tezave e pikëpamjeve të Vox-it. Ai, pos të tjerash, e gjykon të palejueshëm bërjen kriter vlerësimi letrar të pranisë ose jo të realitetit/realizmit, meqë kriteri i tillë lë jashtë të gjitha poetikat, me përjashtim të realizmit. Gani Bobi e karakterizon punën e kritikut duke konsideruar se ajo që për shkrimtarin është shenjë (vepra), për kritikun bëhet kuptim, ndërsa ajo që për shkrimtarin është kuptim, për kritikun bëhet shenjë. Ai kërkon që kritika shqipe të hapet para dijes bashkëkohore. Hysni Hoxha shenjon shenjat e një “udhe të re” të kritikës shqipe. Ali Podrimja bën objekt poezinë bashkëkohore, çështjen e angazhimit letrar, relacionin e letërsisë bashkëkohore me traditën, si dhe kritikën letrare përballë letërsisë bashkëkohore. Eqrem Basha kërkon të njihet njeriu bashkëkohës nga brenda, psikologjikisht; ky njeri është heroi i letërsisë. Ndërkaq, Sabri Hamiti, më i riu në këtë përbërje, problematizon relacionin e letërsisë bshkëkohore me traditën letrare (Tradita dhe thyerjet); letërsia bashkëkohore është filiz i traditës. Tradita ruhet përmjet ndikimeve, ndërsa thyerjet hapin rrugë për individualitetin krijues.
Edhe në këtë paraqitje duket që Vox-i e Le të rrjedhë lumi anticipojnë teorikisht në shkallë të mirë atë që ngjante në letërsinë shqipe, por edhe shumë nga rrjedhat që erdhën më vonë. Arsye jo e vogël për t’i kujtuar edhe këtu.
Viteve të fundit, autorë të rinj, si Kujtim Rrahmani, Dhurata Shehri, Nysret Krasniqi, autori i këtyre radhëve etj., shfaqen fuqishëm me kërkimet teorike të letërsisë shqipe.22 Teoria letrare bashkëkohore shtrihet e shkrihet në diskursin e këtyre autorëve, qoftë kur flasin për fenomene letrare, autorë, por edhe për vepra të veçanta. Nuk mungojnë as artikulimet e pastra teoriko-letrare, e përtej tyre, siç ndodh me Antropoetikën e Kujtim Rrahmanit.
Duket që brezi i rinj i dijetarëve shqiptarë kërkon ta pajtojë rishtas teorinë me kritikën letrare, kur zbut të parën në diskursin e kritikës ose kur forcon të dytën me diskursin e teorisë.
Prishtinë, shkurt 2010
____________
1 Shih Kujtim M. Shala, Shekulli i letërsisë shqipe, Buzuku, Prishtinë, 2006.
2 Shih Kujtim M. Shala, Acta Albanica: Qarku letrar i Prishtinës, Buzuku, Prishtinë, 2009.
3 Drejtimet e rea letrare dhe Prap mbi „Drejtimet e rea letrare“, në Bota e re, nr. 4, 6, 7, 8, Korçë, 1936.
4 Krist Maloki, Refleksione, Faik Konica, Prishtinë, 2005, f. 97.
7 Dr. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, Tiranë, 1936, f. III.
8 Po aty, f. IV.
9 Shkrimtarët shqiptarë I, Tiranë, 1941, f. 10.
10 Cit. sipas Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqipe, Almera, Tiranë, 2008, f. 69.
11 Po aty, f. 403.
12 Cit. sipas Historia e letërsisë shqipe, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, Prishtinë, 1971, f. 3.
13 Cit. sipas Historia e letërsisë shqiptare, Rilindja, Prishtinë, 1989, f. 7.
14 Cit. sipas Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Pejë, 2001, f. VII.
15 Çështje të Historisë letrare shqipe kemi trajtuar te Historia letrare, në po këtë libër.
16 Cit. sipas Ibrahim Rugova e Sabri Hamiti, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1979, f. 69.
17 Po aty.
18 Po aty, f. 71.
19 Teoritë letrare klasike (Prishtinë, 2001), Letërsia e Mesjetës – Teoritë letrare (Prishtinë, 2002), Ligjërata mbi artin e Renesansës (Prishtinë, 2004), Teoritë letrare moderne (Prishtinë, 2005).
20 Hysni Hoxha, Ali Podrimja, Samedin Mumxhiu, Gani Bobi, Rexhep Ismajli, Eqrem Basha, Mensur Raifi, Anton Pashku.
21 Rexhep Ismajli, Anton Pashku, Mensur Raifi, Gani Bobi, Hysni Hoxha, Ali Podrimja, Eqrem Basha e Sabri Hamitiu.
22 Kujtim Rrahmani: Intertekstualiteti dhe Oraliteti – E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku (Prishtinë, 2002), Antropoetikë – Një confession (Prishtinë, 2009); Dhurata Shehri: Koliqi midis malit dhe detit (Tiranë, 2006); Nysret Krasniqi: Libri i Pashkut (Prishtinë, 2005), Udha kratilike (Prishtinë, 2008), Autori në letërsi (Prishtinë, 2009); Kujtim M. Shala: Vox-i i Anton Pashkut (Prishtinë, 2002), Kujtesa e tekstit – Mitrush Kuteli (Prishtinë, 2003), Miniatura (Prishtinë, 2005), Shekulli i letërsisë shqipe (Prishtinë, 2006), Expo – Letërsia shqipe në katër pamje (Prishtinë, 2007), Elipsa (Prishtinë, 2008), Acta Albanica: Qarku letrar i Prishtinës (Prishtinë, 2009)…