Kujtesa e së keqes — ky alarm në heshtje

0
51

Guri Filozofal
Shkodra dhe pllakëzat e emaluara të Parisit

Në ditët e para të janarit u bëmë dëshmitarë të çmendurisë së ujërave të Gjadrës, Drinit, Kirit dhe Bunës, që përdesh rezultuan apokaliptike edhe për qytetin e Shkodrës. Do të ishte një katastrofë e tmerrshme, fatale dhe shumëplanëshe: urbanistike, ekonomike, historike dhe kulturore. Shkodra mund të qe fshirë nga faqja e dheut.

Shkodra, një qytet që mbart mbi supe një histori 2400 vjeçare. E themeluar aty nga shek. IV para Krishtit, kjo qendër e fisit ilir të Labeatëve gjatë sundimit të Gentit (181-168 para Krishtit) njohu një zhvillim në arkitekturë urbane, në infrastrukturë (nëpër Shkodër kalonte rruga e njohur tregtare-ushtarake që vinte nga veriu dhe nëpër luginën e Drinit kalonte në Kosovë e më tej) dhe në kulturë, për t’u shndërruar në kryeqendra e qytet-shtetit ilir, çka dëshmohet qartazi nga monedhat e kohës, që mbajnë emrin e qytetit, dhe nga statujat e shumta.

Falë këtij zhvillimi, Shkodra u vu në shënjestër të lakmisë së romakëve, të cilët arritën ta pushtonin në vitin 168 para Krishtit. Që nga kjo kohë, qyteti do të kalonte në kalvarin e një vargu pushtimesh. Më 1040 u pushtua nga serbët dhe ishte kryeqendra e Zetës. Gjatë shek. XIV u bë qendër e rëndësishme komune autonome me institucione të zhvilluara dhe më pas qendër e feudalëve Balshaj. Më 1396 u pushtua nga venedikasit, sundimi i të cilëve u ndërpre nga një varg kryengritjesh të popullsisë. Më pas erdhën osmanët; pas qëndresës që shfaqi gjatë dy rrethimeve osmane, më 1474 e 1478-79, ra në duart e tyre, duke përjetuar një rrënim të mbramë, aq sa u kthye në fshat, për të lënë pas vetes atë qëndresë heroike që pati jehonë ndërkombëtare dhe u përcoll nga penda e humanistit të madh dhe një prej personaliteteve më të shquara të Rilindjes Evropiane, Marin Barletit. U rimëkëmb dhe në shek. XVII arriti 1800 shtëpi dhe u bë qendër kryesore ekonomike e Shqipërisë së veriut dhe e sanxhakut të Shkodrës, ndërsa në shek. XVIII u bë qendra e pashallëkut të Shkodrës nën sundimin e Bushatllinjve (1757-1831). Lulëzimi i hovshëm i zejtarive, i punimit të armëve, mëndafshit, argjendarisë, arkitekturës etj. i dha qytetit një zhvillim të qëndrueshëm në planin ekonomik, duke e kthyer në një qendër të rëndësishme tregtare për rajonin, ku mendja të shkon vetvetiu tek pazari i madh i qytetit, më i madhi në Ballkan, me rreth 300 dyqane, për të cilin një vizitor i huaj shkruante: “…Aso kohe Shkodra ishte Qendra e tregëtisë së madhe. Pazari ishte plot popull nga të gjitha anët…”. Ky zhvillim ekonomik dëshmohet edhe nga tri bankat e huaja që ushtronin veprimtaritë përkatëse në Shkodër, si dhe nga e para bankë shqiptare, e cila i hapi dyert më 4 shkurt 1863, ndërkohë që “Oda e Tregëtisë” e këtij qyteti hijerëndë rezulton të jetë krijuar 300 vjet më parë, si një nga më të vjetrat e Evropës. Ishin pikërisht këta faktorë të fuqishëm të cilët i atribuan Shkodrës autoritetin e Bursës së Ballkanit. Ndërkaq, zhvillimi që njohu në planin ekonomik krijoi kushtet për zhvillimin e kulturës, çka vërehej dukshëm qysh në mesin e shek. XIX. “Ky qytet”, shkruan Kadare, ”…përveç kështjellës dhe kishave, përveç kullave, kumbanareve dhe minareve, kishte jetën kulturore. Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin dhe diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura me histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit… por dhe kopshte të bukura të veshur me shermashek, vegëtimë stinash virgjine, burra me qokë, malësorë kreshnikë, që zbrisnin nga malet, vajza si zana që mund t’i kishin zili hyjneshat greke…”. Arkitektura dhe pamja e këtij qyteti të veçantë, ku çdo lagje shpaloste fizionominë e vet, ku mbretëronte gjelbërimi, rregulli, pastërtia, ku shtëpitë rrethoheshin me mure të larta me një derë të madhe në mes e ku dilte përpara një banesë tipike me çardak dhe shkallë guri, mbasi kaloje nëpër oborre plot lule të shumëllojshme, frymëzuan banorët e tyre që t’i këndonin aq bukur jetës me të gjitha shfaqjet e saja.

E pra, e tërë kjo panoramë rrezikoi paq të fundosej. Dhe ky rrezik nuk ishte i parë, madje, deri diku, as edhe i papritur; prej kohësh Shkodra ka qenë thuajse çdo vit nën “kërcënimin” e të tilla “përmbytjeve”, të cilat kanë rrezikuar deri edhe ta zhdukin përgjithmonë.

Drama që përjetoi Skutari i lashtë më ndërmendi jo dramën e përmbytjes biblike, por dramën e përmbytjes së Parisit, më 20 janar 1910. Porse, ajo që më mundësoi këtë ndërmendje, nuk ishte përkimi i muajve, por diçka më komplekse; më së pari fare, “brishtësia”, “hapshmëria” e vazhdueshme, pothuajse ciklike, e qytetit të Shkodrës ndaj përmbytjeve. Dhe kjo është ajo çka shpeshherë e kemi mbështjellë me errësirat e harresës apo më muzgjet e mosvëmendjes. Kjo e bën të ndryshme dramën e saj me atë të Parisit, për aq sa pjesa “natyrore” ndjek thuajse të njëjtin ritual, duam të kujtojmë, ndonëse me përmasa të ndryshme. Mjafton të sjellim në kujtesë përmbytjen e Parisit, e cila la gjurmë të thella në shpirtin dhe në mendjet e bashkëkohësve, madje edhe përtej kufijve të Francës.

Më 20 janar të vitit 1910, shirat e rrëmbyeshëm dhe shkrirja e dëborës shkaktoi fryrjen e ujërave, të cilat brenda javës arritën nivelet nga 3,80 m në 8,50 m. Mbi 450 hektarë u gjendën nën ujë, dymbëdhjetë lagje u përmbytën. Stacionet e Orsay-it dhe të Invalides-ve, u përmbytën edhe ato, njëlloj si ato të Lyon-it dhe të Saint-Lazare-it. Rryma elektrike u ndërpre, skelat e Senës nisën të pluskonin mbi ujërat që kishin nisur të vërshonin si kuaj të hazdisur, duke depërtuar me uturimë deri edhe nëpër tunelet e metropolitanës së porsandërtuar. Brenda disa orësh qyteti u paralizuar. Duke qenë se Les Halles i kishin shpëtuar përmbytjes, qyteti nuk pati zi buke, porse depot e Bercy-së u mbytën. Ishte një përmbytje e tmerrshme; ujërave iu desh një muaj kohë për t’u tërhequr: dëmet materiale arritën në 400 million franga ari, ndërsa 150.000 parizianë dhe 200.000 banorë të periferisë mbetën në mes të katër rrugëve. Një frikë strëgjyshore kishte mbërthyer Parisin. Për të shmangur epidemitë, prefekti i policisë Louis Lepine urdhëroi hedhjen e mbeturinave drejt e në Senë – imazhi nëpër foto i copërave të pisllëqeve që derdhen që nga ura e Tolbiac-ut është mbresëlënës… Për të përkujtuar njëqind vjetorin e ngjarjes, Biblioteka historike e qytetit të Parisit çeli një ekspozitë: më shumë se njëqind tirazhe origjinale fotografish nga fondi i saj, shumica të pabotuara, dhe plot të tjera nga koleksionet e ndryshme pariziane paraqisnin pamjet e atyre ditëve: ujëra që kishin mbërritur gjer në majë të harqeve të urave, barkat që plluskonin përmes arterieve të bulevardit Haussmann, borgjezë të veshur sojëllisht që rendin të shihnin përmbytjen mend si të shkonin të shihnin një shfaqje teatrale. Rezultati: një evokim pasionant i përmbytjes, që arrin deri në përmasa spektakulare.

E megjithatë, lipset të them se ajo që më ysht ta shoh dramën e Parisit të ndryshëm nga ajo e qytetit të Shkodrës nuk është panorama e mësipërme, por diçka tjetër, që ka të bëjë me një përvojë më vetjake.

Dramën e përmbytjes së Parisit nuk e njoha përmes ekspozitës së hapur për njëqind vjetorin e gjëmës. As nga kartolinat apo fotografitë që hidhen shpeshtas në qarkullim. As nga librat apo artikujt që flisnin rreth kësaj ngjarjeje. Jo, dramën e përmbytjes e njoha nga disa pllakëza të emaluara, të cilat qëndronin të mbërthyera në lartësi të ndryshme nëpër muret e ngrehinave pariziane. I pikasa një të diel të vakët marsi, përpara tre vjetësh, kur isha ulur dhe po gjerbja kafenë, në një nga kafenetë e shumta të bulevardit Haussmann. Siç mësova asaj dite, ato pllakëza sa të “çuditshme”, po aq edhe modeste, nuk përkujtonin lavdinë, shkëlqimin, krenarinë apo heroizmin e kryeqytetit të botës, nga ato që shohim rëndom; jo, ishin pllakëza e kujtesës së gjëmës pariziane. Pas përmbytjes së Parisit më 1910, Bashkia e qytetit pati propozuar që, sipas dëshirës, parizianët t’i vendosnin pllakëzat e emaluara në mure, në lartësinë maksimale ku kishin arritur ujërat, në mënyrë që ngrehinat të ruanin gjurmën e ngjarjes së rëndë, çka më shtyu shpeshtas që t’i kërkoja dhe t’i gjeja, herë kollaj dhe herë me vështirësi, mureve të Parisit. Porse, përpos ngjarjes, ato pllakëza të emaluara do të shërbenin edhe si një lloj mjeti mprehës për kujtesën kolektive, duke u përafruar kësisoj me simotrat e tyre, me pllakëzat mnemotike, “kujtesore”, që përdoreshin ndër rrethet rishtarike të traditës orfeike, të cilat shihnin tek Kujtesa (Mnemosine) një hyjneshë (bija e Uranit – Qiellit – dhe e Gjeas – Tokës). Kur largohej nga kjo jetë, rishtarit i i vendosej në qefin edhe një pllakëz, ku shkruhej jo thjesht një tekst-shprehje besnikërie ndaj Kujtesës, por një lloj “amësimi” të saj: “jam bir i Kujtesës” – kjo frazë ishte refren i të tëra pllakëzave mnemotike, “kujtesore”. Njohja e “amësisë” së Kujtesës ishte e vetmja mënyrë që arrinte ta shpëtonte shpirtin nga “ndëshkimi” apo “mallkimi” apo “fatkeqësia” e “rimishërimit”, i “përsëritjes ciklike”. Të përdorura kësisoj, pllakëzat ishin një dokument-monument, porse në një domethënie tejet të veçantë: e vockël në përmasa, ndryshe nga “monumenti” apo “përmendorja” e aksh apo aksh njeriu të dëgjuar, pllakëza e Mnemosinës, e Kujtesës, nuk shërbente për të tjerët, por më së pari për mbartësin e saj, që mëtonte t’i shpëtonte “ciklit të metampsikozës”, të “rimishërimit”, kalimit të shpirtit nga një trup në tjetrin, që nënkuptonte jetesën e po të njëjtit cikël ekzistencial, e të njëjtës natyrë të lëndueshme dhe të brishtë njerëzore. Edhe pllakëzat e emaluara që prej një shekulli qëndronin të mbërthyera nëpër muret e Parisit kryenin një funksion të ngjashëm. Dhe kjo e bën fort të ndryshme dramën e përmbytjes së Parisit nga ajo e Shkodrës së para disa javësh. Drama që shoqëroi Shkodrën rrezikon të mbetet e përkohshme, njëlloj si simotrat e saj në kanosjet e mëparshme, duke përfunduar shumë shumë në cepin e ndonjë psherëtime, për t’u harruar më pas, apo, për të qenë disi më të saktë, për të kaluar nëpër atë proces që në psikologji njihet si transfertë, duke iu nënshtruar sitës së Unit që kërkon me patjetër që të harrojë ngjarjet e rënda, ngjarjet që shkaktojnë dhembje, për të ruajtur në kujtesë vetëm çastet e bukura. Kjo mund të jetë deri diku përdëllyese dhe lehtësuese për psikën e një individi, por jo për psikozën e një shoqërie. Të përkorë në përmasa, këto monumente-dokumente janë një pedagogji shenjike, na përcjellin përmes shenjave jo vetëm atë çka ka ndodhur, por edhe nevojën për të qëndruar me sytë katër. Kjo anë, ky qëllimtësim nga ana e njeriut, e bën kujtesën njerëzore të ndryshme nga ajo e kafshëve; ndryshe nga kujtesa biologjike, që lind dhe shuhet aty për aty, pa përcjellë kurrfarë mesazhi, pa mprehur shqisat përpos se për një kohë të shkurtër, ndoshta diçka më tepër sesa kohëzgjatja e traumës apo e dhembjes, Kujtesa e shoqërisë njerëzore, e kultivuar dhe e shfrytëzuar sipas disa qëllimeve të caktuara, e diktuara nga shkaqe dhe rrethana nga më të ndryshmet, e lëvruar në forma nga më të larmishmet, e përcjellë përmes kanalesh të shumta komunikuese, shtrihet përtej kufijve dhe kohës së një individi, duke edukuar dhe mprehur shqisat e brezave.

Nëse mbajmë parasysh “brishtësinë” e vazhdueshme ndaj rrezikut të përmbytjeve, atëherë, krejt vetvetiu, besojmë se gjithë për sa Shkodra ka nevojë të ngutshme janë pllakëzat e Kujtesës, e asaj Kujtese që nga njëra anë mund të rikthejë peshën e dhembjes tek disa individë, porse nga ana tjetër, do të mprihte jo pak shqisat dhe vëmendjen e qeverive rreth faktit se Shkodra është një qytet fort i cënueshëm, fort i lëndueshëm, i brishtë, i hapur ndaj rrezikut të përmbytjes, dhe se një qëndrim harrestar ndaj këtij aspekti rrezikon të përkojë herët a vonë me një përmbytje të parashpallur të këtij qyteti.