Kudo që të jesh – histori dashurie mes Holokaustit

0
69

Arjan Th. Kallço

Çdo shkrimtar që do ta kishte dëgjuar këtë histori, me siguri do ta kishte shkruar, duke dashur që ta përfundonte sa më shpejt. Një histori e dhimbëshme dashurie mes llahtareve të një marëzie kolektive naziste që solli pasoja tepër tragjike në Europë. Por forca e saj i kapërcehu vështirësitë e ndarjes së parë, për të rënë në vështirësi të tjera, përsëri të kurdisura nga mendje të mbrapshta që në themel të interesave të qytetarëve, vunë interesat e tyre personale për pushtet.

E sot tek përkujtojmë Nënë tonë të madhe, Gonxhe Bojazhiun, histori të tilla kaq tragjike dhe njëkohësisht të pabesueshme, kishin nevojë për një dorë prindërore, misionare, shenjtore të prometeshës që u sakrifikua për njerëzimin. Humanizmi i saj nuk ka kufij, përdëllima e saj kristiane e kishte nëj dashuri shumë herë më të madhe, prandaj këtë grua me trup të vogël, por me shpirt të madh, e respektojnë në këtë ditë në të gjithë botën. Ne jemi krenarë se kemi një ante që do t’i jemi përjetë mirënjohës, një dritë tek e cila duhet ta drejtojmë vëmendjen gjithmonë, një shembull që kurrë nuk duhet të harrohet, Shenjtoren e njerëzimit.

Mendoni një vajzë të re në kulmin e rinisë së vet, 20 vjeçe, që sfidon Gestapon, SS duke kërkuar njeriun me të cilin dëshironte të martohej. Quhet Olga Watkins, 89 vjeçare dhe tash jeton në Londër. Hyn në tmerret e Dachau-t, mes kufomave të shumta të kampit të shfarrosjes, dhe zbulon listën e të internuarve me emrin e të dashurit të saj Julius, por që nuk ndodhej aty, i transferuar në Buchenwald.

A mund t’i besojmë një historie të tillë? Përsëri Olga, e re e dashuruar, nën bombardime që shkon në Buchenwald, edhe pse Gjermania e kishte fiormosur kapitullimin, shumë të burgosur gjenden përsëri në barakat e izolimit. Në Buchenwald gjen të dashurin e saj dhe martohen : “O zot, po si më gjete”? Olga një palë këpucë dhe një këmishë nate, ndërsa Juliusi ishte kockë e lekurë, pa dhëmbë me një uniformë të ushtrisë gjermane. Më pas ikja për një liri që nuk e gëzuan kurrë. Olga është kroate, Juliusi ishte hungarez. Stalini dhe Titoja do të zihen dhe arsyet shtetërore do ta hedhin në erë martesën, divorciohen, por nuk e harrojnë njëri-tjetrin.

Nja tridhjet vjet më parë një mik e bindi Olgën që t’i shkruante kujtimet. “Unë pa përvojë, i hodha në letër peripecitë e mia në Europën e pushtuar nga Hitleri, 3 mijë km të përshkuara nga Zagrebi në Budapest, nga Viena në Norimberg dhe Vimar që ta gjeja të dashurin tim”. Ato shënime u shndërruan në një dëshmi të depozituar në muzeun e luftës në Londër dhe më pas në libër me titullin Dashuri e madhe, në Itali Kudo që të jesh. Mes dhimbjeve të Holokaustit, në ferrin e Shoah-së ka ngjarje dytësore, por të jashtëzakonshme si këto, të fshehura, por që duhen njohur, sepse na ndihmojnë që të rindërtojmë se bashku historinë me dashuritë dhe mizoritë e veta.

“Në Dachau pashë një të burgosur të uritur të zvarritej për të marrë një karotë që ra nga një kamion dhe një roje që ia copëtoi kokën me qytën e pushkës. E dini se ishin të paktë ata që e morën seriozisht këtë histori”? Por odisea e Olgës ishte një udhëtim real në tragjedinë e luftës së dytë botërore. Pasi i ati u nda, u largua dhe më pas ishte njerka që duke patur kontakt me disa diplomatë të Budapestit, e drejtoi tek rrethi i hungarezëve të Zagrebit. Aty njohu Juliusin e saj. Zagrebi ishte në duart e bashkëpunëtorëve të nazistëve, po aq të pamëshirshëm dhe brutalë.

Me yllin e Davidit ishin damkosur shumë hebrenj, midis të cilëve edhe vetë Olga. Në kryeqytetin kroat ndodheshin rreth 11 mijë hebrenj dhe në fund të luftës mbetën me dhjetra. Juliusi ishte 10 vjet më i madh se Olga. U dashurua dhe nga kjo dashuri sfidoi regjimin e Zagrebit, Budapestit, Berlinit. Në sajë të një leje diplomatike kërkoi një të afërme të Olgës. Dikush më pas e tradhtoi dhe e denoncoi. Në vitin 1943 e kthyen në atdhe, por jeta ime – thotë Olga – nuk do të ishte e njëjta. E arrestuan dhe e internuan në fillim në Komaron dhe më pas në Dachau. “Ma rrëmbyen dhe nuk mendova veç ta gjeja, kudo që të ishte.

Duke ndjekur gjurmët e disa letrave, nuk u ndal kurrë. I mashtroi SS-të dhe e punësuan në Dachau, në departamentin e administratës, ku shfletoi arkivat dhe e gjeti se ku kishte përfunduar Juliusi. “ Të burgosurit zvarriteshin dhe e mbanin shikimin poshtë, sikur të mos dëshironin të shihnin dhe të mos jetonin”. Etapa e fundit e odisesë ishte Buchenwaldi. Amerikanët dhe sovjetikët ishin tek portat, gjermanët e mundur, në një barakë shtrirë mbi krevat ndodhej Juliusi, i sëmurë me tifo dhe trombozë në këmbë nga goditjet.

“Më pa dhe pëshpëriti” – martohemi tani këtu. Mos presim, sepse do më transferojnë në Hungari dhe ty në Jugosllavi”– kujton Olga fjalët e Juliusit. “Përreth kishte skelete që endeshin pa asnjë qëllim, e kryem nën hijen e kryqeve që binin”. Drama e dashurisë nuk kishte marrë fund. Të dy u nisën drejt Budapestit të pushtuar nga Armata e kuqe ku të legalizonin martesën dhe të jetonin bashkë. Në 1948 prishja e marrëdhënieve mes rusëve dhe jugosllavëve i ndau sërisht. “Ma mohuan vizën e hyrjes dhe të qëndrimit”-kujton ajo. Në vitin 1950 mbërriti edhe divorci me prokurë. Lamtumira. Juliusi vdiq me tumor në vitin 1994. Mbajtën korrespodencë të shpeshtë dhe u takuan në vitin 1985 në Vienë. “Ai ishte me të birin Gabor. U përshëndetëm dhe ngritëm dolli, për ëndrrat tona të thyera”.

Përgatiti Arjan Th. Kallço