Enis Sulstarova
Që nga rënia e komunizmit e deri tani, marrëveshjet e nënshkruara midis Greqisë dhe Shqipërisë kanë pasur një konstante: njëri dikton e tjetri nënshkruan. Pavarësisht se cila parti ka qenë në pushtet në Greqi a në Shqipëri, pavarësisht se cili ka qenë Kryeministër në Athinë a në Tiranë, në thelb nuk ka pasur asnjëherë negociata serioze midis dy vendeve, ashtu si nuk mund të ketë negociata të mirëfillta midis sovranit dhe vasalit.
Edhe kur ndonjëherë në Shqipëri ka pasur zëra proteste apo orvatje të artikulimit të ndjenjave dhe interesave kombëtare, politikanët kryesorë shqiptarë janë ngritur dhe kanë luajtur rolin e Kalit të Trojës. Ose më saktë, rolin e atyre politikanëve, që te poezia e Kadaresë, “Laokonti”, mbronin futjen e kalit të drunjtë grek në qytet: “Erdhi koha që shpatat t‘i kthejmë në parmenda/ armiqtë në miq erdhi koha të kthejmë”.
Në secilin rast parullat nuk kanë munguar aspak: qoftë me apelin e integrimit europian, qoftë në emër të paqes në rajon, qoftë në emër të mënjanimit të ekstremizmave etj., qëllimi është arritur: synimet greke në Shqipëri janë plotësuar, sikurse edhe synimet pushtetare të politikanëve tanë. Jo më kot është thënë se politikanët tanë e japim provimin në Athinë: kush merr notë kaluese atje i hapen përpara perspektivat e ushtrimit të pushtetit shtetëror në Shqipëri.
Prandaj, të mos habitemi se si kemi arritur gjer këtu, se si ditën me diell firmosen marrëveshje që e privojnë Shqipërinë nga hapësira detare që i takon. Për dhjetëra vjet me radhë kemi lëshuar mallkime mbi Zogun për dhurimin e Shën Naumit Jugosllavisë, por nuk i kemi nxjerrë mësimet e duhura nga historia, derisa sot përsëritet një situatë analoge, kësaj radhe me Greqinë. Sigurimet që jep ministri i ri i Jashtëm nuk kanë vlerë, sepse po të ishte gjithçka në pajtim me interesat e Shqipërisë, atëherë pse duhet gjithë ky nxitim i madh për ta ratifikuar.
Pse të mos i lihet kohë që edhe zërat dyshues në shoqërinë shqiptare të binden se nuk ka asnjë dallavere poshtëruese pas kësaj marrëveshjeve? Pse Kryeministri ynë, që nuk humb asnjë rast për të dalë në media dhe flet edhe për çështje të rëndomta, të mos e sqarojë opinionin publik? Presidenti Klinton për të bindur popullin e tij për luftën e NATO-s në Jugosllavi u paraqit në televizion me një hartë, ku shpjegonte se ku ndodhej Kosova dhe se pse duhej që Amerika të ndërhynte atje. Pse Kryeministri ynë nuk del me një hartë që të shpjegojë para popullit se si qëndron çështja me kufirin detar? Pse nuk zbret një edhe një herë në Sarandë dhe t‘ua shpjegojë banorëve se kjo marrëveshje jo vetëm i mbron interesat e tyre, por edhe i avancon ato? Nëse e bën këtë, të marrë të paktën një hartë me shënime në gjuhën shqipe.
Tani, sytë janë kthyer për nga Kuvendi i Shqipërisë. Atyre burrave a grave që kanë hyrë atje u është besuar përkohësisht roli i përfaqësuesve të sovranitetit shqiptar. U është besuar ushtrimi i detyrës së mbrojtjes së territorit, interesave kombëtare dhe Kushtetutës së Shqipërisë. A do të dinë ata burra e gra që të ngrihen mbi diktatin e shefave të tyre partiakë dhe të mos e ratifikojnë marrëveshjen gjersa edhe dyshimi më i fundit të jetë sqaruar. A do të lejojnë ata tjetërsimin e territorit shqiptar?
Duke pasur parasysh përvojën “demokratike” të gati njëzet viteve të fundit, gjasat janë të vakëta, por le të shpresojmë. Të shpresojmë se ata nuk janë njerëz të listave, thjesht numra për t‘u renditur, por mbi të gjitha qytetarë të Shqipërisë, që kanë marrë përsipër barrën e rëndë të përfaqësimit të popullit dhe interesave kombëtare; të shpresojmë se ata e dinë rëndësinë e çështjes dhe të pasojave të vendimit që do të marrin.
Në rast se marrëveshja ratifikohet nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo gjë do të na kushtojë shumë shtrenjtë. Do të jetë hera e parë në historinë e Shqipërisë, por ndoshta edhe në historinë e Europës edhe më gjerë, kur me anë të votave dhe sipas procedurave demokratike hiqet dorë nga një pjesë e territorit. Të mos harrojmë: kufijtë e Shqipërisë, përfshi edhe atë shqiptaro-grek janë imponuar me luftë dhe nga faktori ndërkombëtar.
Edhe dhënia e Shën Naumit u krye nga një President që kishte ardhur në pushtet me forcën e armëve dhe e kishte vendosur vendin nën shtetrrethim. Tani do të jetë hera e parë, kur në emër të popullit rrezikon të nënshkruhet ricopëtimi i Shqipërisë, duke shërbyer edhe si precedent për raste të ngjashme në të ardhmen. Në rast se sistemi demokratik nuk është i aftë të garantojë paprekshmërinë e territorit dhe sovranitetit të republikës, atëherë njerëzve do t‘u humbë besimi te demokracia dhe institucioni i Kuvendit.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje dëmton rëndë jo vetëm Shqipërinë, por edhe përpjekjet e tanishme të kombit shqiptar. Nënshtrimi i shtetit tonë na gjymton rëndë në aspiratat tonë kombëtare. Nëse ne dorëzohemi në këtë mënyrë, si mund të shprehemi dhe të veprojmë në përkrahje të vëllezërve tanë në Kosovë, Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi. Si mund ta ngremë më zërin tonë në përkrahje të çamëve të dëbuar përdhunshëm nga shtëpitë, pronat, varret e të parëve dhe atdheu i tyre?
Në rast se parlamentarët tanë nuk kanë zënë mësim nga historia dhe nuk u ka mbetur as edhe pak ndërgjegje kombëtare; në rast se Presidenti, Gjykata Kushtetuese nuk kundërpërgjigjen; në rast se intelektualët, “pronarët” e organizatave të shoqërisë civile, analistët e ekraneve televizive nuk e thonë fjalën e tyre dhe nuk ushtrojnë presion që politikanët tanë të mos e vdesin Shqipërinë, siç paralajmëronte Konica; në rast se nuk u biem kambanave të alarmit dhe të mobilizohemi në protesta popullore, si atëherë kur u bë i njohur Traktati i Fshehtë i Londrës; nuk mbetet tjetër veç të themi me zë të lartë vargjet e Fishtës: “Mbas sodit/un s‘jam shqyptar/… Për mua Shqypnija/kufij ma s‘ka”.