Ku shkoi firma ime z. ish-deputet i Mirditës?

0
76

Nga Aleksandër Ndoja, 27 Mars 2013

Paneli me Luigj Gjoka, Zef Përpjetri, Filip Gjomarkaj

Por ka ardhur koha që edhe mirditasit të jenë më vigjilentë, të mos mashtrohen nga ndonjë shpikje tjetër e ngjashme, sado që protagonistë apo leva mund të jenë profesorë, apo akademikë

Katër vite më parë, pikërisht në fundin e muajit shkurt 2009, tre burra mirditas, por me qëndrim në Tiranë, shpeshtuan ardhjet e tyre në Mirditë. Misioni i tyre ishte i madh dhe kudo shfaqeshin entuziastë. Boll na e hëngrën hakun në shekuj ne mirditasve, por tashmë kjo mori fund, artikulonin në kor kudo që shkonin dhe me këdo që takonin. Jemi të sigurt në nismën tonë, pasi këtë e ka bekuar Zoti, pra e ka bekuar dhe Ai, kryeministri, artikulonin të ardhurit nga Tirana. Një ditë më parë kemi qenë në zyrën e tij, na ka dhënë sigurinë se do të mbështesë bashkimin e trojeve të Mirditës, të copëtuar në disa krahina të tjera kryesisht nga komunizmi, por edhe nga qeveritë para ardhjes së komunizmit.

Ata ishin profesor Luigj Gjoka, ish- deputet i Mirditës, i ndjeri Zef Përpjetri (Noci) ish- i dënuar gjatë nga regjimi komunist, dhe z. Filip Gjomarkaj, përfaqësues i kapedanit të mirënjohur mirditas.

Fushata po temperohej derisa një ditë në sallën kulturore të Bashkisë Rrëshen u realizua “bashkimi” i Mirditës me protagonist këta të tre por që herë pas here këmbëngulnin se ishte mbështetje e fortë e kryeministrit. Ftesat, serioziteti, por edhe arsyeja bëri që aty të mblidheshin shumë pjesëmarrës, ndër ta të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave mirditase, që janë jashtë kufirit administrativ të Mirditës, dhe ata brenda kufirit administrativ. Në atë takim u thanë shumë fjalë, u mbajtën shumë fjalime, u kënduan këngë, pse jo, pati edhe ndonjë pikë loti, sidomos nga atë ardhurit nga “diaspora”.

Paneli i dominuar nga treshja e ardhur nga Tirana u bënë heronjtë e ditës, ndërsa pjesëmarrësit nxitonin të shkruanin emrin e tyre dhe të firmosnin në peticionin që fotokopjohej pambarimisht për tu çuar në zyrën e kryeministrit, siç kishte kërkuar ai. Gjithçka është e dokumentuar në shtypin e katër viteve më parë, por edhe në websiten e Bashkisë Rrëshen.

Edhe pse ishte koha kur Partia Demokratike përpiqej të merrte mandatin e dytë qeverisës, shumë besuan se kjo nismë ishte rastësore dhe e domosdoshme, ndaj nxituan të firmosnin peticionin, me shpresë se kishte ardhur koha të vihej në vend padrejtësia e madhe ndaj Mirditës, me të cilën është vepruar siç vepruan fuqitë e mëdha ndaj Shqipërisë, duke hequr pjesë nga trungu i saj e duke ja dhuruar shteteve fqinje. Po kështu u veprua ndaj Mirditës etnike, ku pjesë të saj ju dhuruan rretheve të tjera, konkretisht Vigu dhe Mnela ju kalua Shkodrës, Gjegjani, Fusharrësi deri në qafën e Malit iu dhuruan Pukës, Kalori dhe Ungrej i bashkëngjitur Lezhës, ndërsa Bajraku i Rrazës me Bazin dhe Ulzën etj u kaluan në administrimin e Matit.

Katër vite më vonë…

Jemi sërish në prag zgjedhjesh, ndërsa pas atij takimi, dhe pas nënshkrimit të peticionit profesori i nderuar z. Luigj Gjoka nuk është dëgjuar më. As pas një muaji siç u premtua në tubim, as pas një viti dhe sot pas katër vitesh nuk është ndërmarrë asnjë nisëm. Them në nisëm në sensin e deklaruar nga tre protagonistët, sepse pikërisht pas atij tubimi me mbështetje kryeministrore, pas mashtrimit deri në ditën e votimit, nisi një fushatë e shfrenuar qeveritare, jo për bashkim trojesh, por për shkatërrimin e atyre që ishin trashëguar. Në pak muaj Mirdita u shua edhe si rreth, u larguan të gjitha institucionet shtetërore, u ndërprenë fondet, dhe rrugët u lanë në mëshirë të fatit.

U largua edhe policia, duke e kthyer në një postë të zakonshme, duke krijuar hapësira për krimin, ku ndodhën ngjarje nga më të rënda, të pa dëgjuara më parë. Pra ai takim “bashkues” ishte preludi i një “thike pas shpine” për Mirditën dhe mirditorët, aq sa emri “Mirditë” u shua nga çdo tabelë e rrugës, ndërsa ndërhyrja ishte po aq djallëzore dhe në sistemin elektronik, teksa kudo që shkruan Rrëshen, të del ngjitur fjala Lezhë dhe jo Mirditë.

Z. Luigj Gjoka, ish-deputet i Mirditës…!

Ka ardhur koha tu thoni dy fjalë mirditasve dhe të gjithë atyre që ju i premtuat dhe morët firmat për t’ia çuar kryeministrit. Ka ardhur koha të tregoni se ku shkoi ai peticion, ku shkuan firmat e qindra vetëve aty, ku shkoi firma ime. Ka ardhur koha të kërkoni ndjesë përse mashtruat publikisht, ka ardhur koha e një reflektimi, pse u tallët apo pse u tallën me ty ata që ta ngarkuan këtë mision të gënjeshtërt. Kujt i shkoi ndërmend të prekë në atë pikë të rëndësishme për çdo mirditas brenda dhe jashtë Mirditës administrative. Ka ardhur koha që gjithë atyre të zgjedhurve, drejtues bashkish dhe komunash që i detyruat të mbanin fjalime në atë sallë dhe të jepnin “besën” e bashkimit, tu thoni të vërtetën.

Por ka ardhur koha që edhe mirditasit të jenë më vigjilentë, të mos mashtrohen nga ndonjë shpikje tjetër e ngjashme, sado që protagonistë apo leva të jenë profesorë, apo akademikë.