Nga Maklen Misha
Diçka më shumë se një vit më parë, në një opinion mbi përplasjet e qeverisë Berisha me Prokurorinë e Përgjithshme, pasi deklaroja se kryeprokurores i duhej dhënë mbështetja e të gjithëve ne, pata shkruar se Prokuroria e Përgjithshme dhe zonja Rama kishin përpara një sfidë të dyfishtë: nga një anë iu duhej të përballeshin me rezistencën e egër dhe agresive të mazhorancës, por, ç’ishte më e rëndësishmja, ato kishin shansin dhe detyrimin të rikthenin besimin dhe respektin e shqiptarëve tek sistemi i drejtësisë duke mos u dorëzuar përpara presioneve politike.
Fatkeqësisht, sot më duhet të konstatoj se kryeprokurorja dhe institucioni që ajo drejton, jo vetëm që kanë dështuar në këtë mision, por, ç’është më e keqja, po kontribuojnë për të shtuar edhe më atë mosbesim dramatik që ekziston tek qytetarët për sistemin e drejtësisë. Padyshim që qysh në fillim të gjithë e kishin të qartë se zonjën Rama e priste një detyrë tepër e vështirë, dhe kjo jo vetëm sepse kryeprokurorët në Shqipëri s’e kanë pasur kurrë jetën të lehtë, por edhe sepse, siç dihet, veç pak kohë pas marrjes së detyrës zonjës Rama iu desh të përballej me problematikën e Gërdecit, çështjen e rrugës Durrës-Kukës, apo dhe atë të Fazlliçit që për shumëkënd janë skandalet më të mëdha që ka njohur vendi gjatë periudhës së tranzicionit. Të gjithë e kujtojnë sa agresive ishte mazhoranca dhe sidomos zoti Berisha me znj. Rama në muajt e parë të karrierës së saj si Kryeprokurore.
Ishte pra e qartë që zonjës Rama dhe institucionit të drejtuar prej saj do t’i nevojitej një dozë e lartë kuraje dhe përkushtimi për t’u përballur me presionet e skajshme të mazhorancës dhe të kryeministrit, të cilët natyrisht kishin – dhe ende kanë – shumë për të humbur nga hetimet e këtyre çështjeve. E megjithatë ishin të shumtë ata që, të inkurajuar nga disa hapa deri diku të guximshme të ndërmarra fillimisht, guxuan të shpresonin se kjo zonjë, pavarësisht përshtypjes që të krijonte prej një çupëline të ndrojtur e të brishtë, gjë që dilte edhe më në pah përballë ndërkryerjes së kryeministrit, do t’ia dilte mbanë të bënte diçka që s’e kishte bërë deri në atë kohë asnjë kryeprokuror i kësaj republikës sonë: të hetonte seriozisht dhe të nxirrte para drejtësisë disa njerëz nga ajo kasta e të paprekshmëve që prej thuajse 20 vjetësh janë politikanët shqiptarë.
Fatkeqësisht, dy vjet pas emërimit të zonjës Rama nuk ka më asnjë arsye për të ushqyer shpresa të tilla. Sepse, sado që të përpiqesh, në të vërtetë kryeprokurorja jonë ka sot vetëm një arritje e që ia vlen të përmendet: ajo ia ka dalë mbanë me shumë sukses – madje më mirë edhe se paraardhësit e saj – ta kthejë Prokurorinë e Përgjithshme në një institucion thuajse inekzistent. Dhe kjo është padyshim një arsye për t’u shqetësuar. Kemi parë gjatë kësaj kohe një Prokurori që ia ka dalë mbanë me sukses të dështojë në të gjitha çështjet e rëndësishme e skandaloze të korrupsionit, ku dyshohet se janë përfshirë njerëzit e pushtetit.
Diku për faj të një zarfi që nuk shkon në kohë apo që rikthehet në mënyrë misterioze tek shkallët e prokurorisë, diku për shkak të zvarritjes së procesit, diku tjetër për shkak të shkeljeve procedurale… me pak fjalë Prokuroria e zonjës Rama është shndërruar në prokurorinë e ëndrrave të çdo avokati mbrojtës në këtë vend. (A nuk është për të vënë kujën që edhe vetë avokatët mbrojtës të zotit Mediu akuzuan prokurorinë për faktin që klienti i tyre ia hodhi pa i hyrë gjemb në këmbë gjyqit mbi tragjedinë e Gërdecit?)
Gjërat janë katandisur deri aty sa tanimë Prokuroria dhe Prokurorja e Përgjithshme me ç’duket as që përpiqen më, as dhe për dukje, të na tregojnë se kanë ndërmend të bëjnë diçka, qoftë edhe kur bëhet fjalë për ngjarje të përmasave të tilla si shembja e tunelit të Kalimashit, dështimin aq të bujshëm të gjyqit ndaj Fatmir Mediut, apo dhe akuzat e përbindshme që kanë helmatisur ditët e fundit mbarë hapësirën publike të vendit. Zonja Rama dhe Prokuroria e saj vetëm heshtin.
Ç’bëhet me paditë e shumta për shpifje e korrupsion që janë duke u depozituar në një prokurori, që duket sikur është shndërruar në një pus ku humbasin pa nam e pa nishan të gjitha çështjet që lidhen qoftë edhe tërthorazi me politikanët? Në fakt, kryeprokurorja që në fillimet e detyrës së saj të re mbushte ekranet, revistat e faqet e para të gazetave, tashmë është zhdukur.
Sigurisht që do të tregoheshim të padrejtë nëse gjithë përgjegjësinë për gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet sot sistemi i drejtësisë do ta reduktonim vetëm tek kryeprokurorja. Por zonja Rama padyshim që i detyrohet publikut shqiptar një shpjegim në lidhje me këtë situatë të papranueshme ku është katandisur ky institucion kaq i rëndësishëm dhe për të gjitha dështimet që në çdo vend normal demokratik do të përbënin një skandal më vete. Qoftë dhe për hir të atyre shpresave që ngjalli dikur, ajo duhet të na shpjegojë nëse kjo situatë është pasojë e presioneve të papërballueshme politike, e kompromiseve dhe ortakërisë me politikën, e komprometimit, paaftësisë apo çfarë…!
Sidoqoftë, ajo duhet të sqarojë se ç’ka ndërmend të bëjë – nëse ka ndërmend të bëjë diçka – për ta ndryshuar këtë situatë që thjesht nuk mund të tolerohet më. Sepse zonja Rama duhet ta kuptojë se asaj i ka qëlluar fati i mirë ose i keq që të drejtojë një institucion kyç të drejtësisë, në një moment kur shqiptarët po e humbasin me ritme të frikshme besimin tek drejtësia dhe tek shteti ligjor. Dhe për këtë, s’ka asnjë dyshim, se ajo mban dhe do të mbajë jo pak përgjegjësi.