Ku janë doktorët?

0
19

Dr. Adem Harxhi

Është e vërtetë që mjeku, para së gjithash, duhet të jetë një shërues i zoti, i devotshëm të ndihmojë, të kujdeset dhe të restaurojë shëndetin e pacientëve të tij. Kontrata sociale që shoqëria ka bërë me profesionin e mjekut, i jep formën dhe përmbajtjen këtij përkushtimi themelor. Çfarë është kjo kontratë?

E vërteta është se kjo kontratë asnjëherë nuk ka qenë e shkruar, por, po t’i hedhim një shikim historisë së profesionit të mjekut, qartësisht do të shikojmë, se kontrata gjithnjë ka ekzistuar. Me këtë kontratë të pashkruar, shoqëria u jep doktorëve lejen që ta praktikojnë profesionin e tyre në mënyrë autonome dhe me autoritet të veçantë. Duke u dhënë këtë monopol të licencuar, shoqëria, u ka garantuar mjekëve një jetesë shumë më të mirë, nga shumica e shoqërisë.

Doktorët, në nivel personal, kanë disa privilegje të rëndësishme. Ata kanë privilegjin e madh që të gëzojnë besimin dhe respektin e të sëmurëve. Pacientët u tregojnë doktorëve gjëra që nuk do t’ia thoshin askujt tjetër; ata ekspozojnë para mjekut jo vetëm trupat e tyre, por edhe ndjenjat e tyre më të brendshme. Ata jetën e tyre të shtrenjtë e dorëzojnë në duart e doktorëve. Këto dhe shumë gjëra të tjera, të sëmurët ua besojnë doktorëve, nga që mendojnë se doktorët janë të çliruar nga shumë paragjykime dhe se edukimi i tyre është në përputhje me detyrën që kryejnë.

Doktorët duhet ta dinë, se as e kanë paguar dhe as kanë për të paguar, ndonjëherë, koston e edukimit të tyre të gjatë. Madje, ata nuk e paguajnë këtë kosto edhe kur shkojnë të punojnë në institucione private. Kur doktorët fillojnë të bëjnë praktikën mjekësore, shpenzimet e larta për ambientet ku ata do të punojnë, në pjesën më të madhe, janë të paguara nga populli që paguan taksa. Kur një doktor operon një të sëmurë në spital, të gjitha pajisjet, ambientet dhe ndihmësit që duhen për të bërë kujdes për pacientin e tij, të gjitha i jepen pa para. Kjo është njëra anë e kontratës.

Cila është ana tjetër e kontratës?

Doktorëve, u janë dhënë të gjitha këto, në këmbim të asaj që shoqëria e pret prej tyre. Doktorët duhet t’u shërbejnë në radhë të parë interesave të pacientëve. Doktorët, si gjithkush tjetër, kanë të drejtën të paguhen për një jetë dinjitoze. Por, pa asnjë dyshim, interesat ekonomike të doktorëve duhet të jenë në plan të dytë. Pavarësisht pagesës dhe çdo kompensimi që atyre u jepet, nga doktorët pritet që të shërbejnë. Nga doktorët pritet të bëjnë gjithçka të domosdoshme, në çdo situatë të dhënë. Nga doktorët pritet që të marrin vendime, në radhë të parë, në interes të të sëmurit dhe jo në interesin e tyre. Kjo është kontrata midis doktorëve dhe pacientëve.

Po qe se e zmadhojmë këtë kuptim dhe pacientin e bëjmë shoqëri, ajo ç’ka thamë më sipër do të ishte kështu: Nga doktorët shoqëria pret të japin këshillat më të mira të mundshme, në interes të shoqërisë dhe të mbështetin shëndetin e saj. Doktorët, vërtet nuk janë autoritete në ekonomi ose politikë, por ata janë autoritete në fushën e shëndetit. Ja pse shoqëria dhe qeveria duhet të mbështeten tek doktorët, të cilët kolektivisht dhe individualisht, duhet të japin këshillat më të mira për të mbrojtur shëndetin publik dhe kjo është vendi, ku interesat e doktorëve u afrohen më shumë se kurrë interesave të vendit.

Unë jam i moshuar dhe e mbaj mend mirë kohën e luftës së ftohtë . Në atë kohë, shtetet më të fuqishme të botës vringëllinin armët nukleare. Krejt ndryshe, doktorët, kudo në botë, në kundërshtim me veprimet e qeverive të vendeve të tyre, ndjenë detyrimin t’u sqaronin njerëzve dhe shoqërisë, se nuk ka ndihmë mjekësore për dëmtimet që vinë nga lufta nukleare. Ata e bënë të qartë se po pati një luftë nukleare, me miliona njerëz do të vdesin në mënyrë të tmerrshme.

Mjekësia dhe doktorët, siç e shihni, nuk kishin asgjë që të ofronin. Por, ata kishin detyrimin ndaj shoqërisë që të bënin edukim, që t’u shpjegonin dhe t’i bindnin njerëzit për të këqijat që u kanoseshin. Doktorët kishin detyrimin t’u shpjegonin njerëzve se kjo nuk duhet të ndodhte. Ata duhet ta bënin të qartë faktin, se po të bëhet një luftë nukleare ata që do të mbijetonin, do t’ua kishin zili atyre që vdiqën të parët. Ata shpjeguan se lufta nukleare është një ferr i pabesueshëm. Ishin pikërisht doktorët, ata që kuptuan se ç’mund të ndodhte dhe këtë ata duhet t’ua thoshin njerëzve.

Le të vijmë në realitetet tona. A nuk është detyrë e doktorëve që të ngrihen të parët kundër plehrave që kanë mbuluar vendin. Të ngrihen kundër plehrave që do të vinë nga jashtë dhe që do të shkatërrojnë shëndetin e fëmijëve. Të ngrihen kundër ndërtimit të centraleve bërthamore dhe gjithë çështjeve të tjera që dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Kur mjekët nuk e bëjnë këtë, ata kanë shkelur kontratën që kanë bërë me shoqërinë.

Unë nuk mendoj se doktorët janë më të mençurit nga kushdo tjetër. Por ata, me siguri, dinë më shumë se çdokush tjetër për rreziqet që vinë nga plehrat dhe centralet atomike mbi shëndetin e njerëzve dhe këtë ata duhet ta tregojnë me zë të lartë.

Le të kthehemi edhe njëherë tek shembulli i luftës së ftohtë. Mjekët nuk mund të pajtonin kampet kundërshtare, por ata dinin shumë mirë se për çfarë do të përdoreshin këto armë bërthamore dhe sa të rrezikshme ato ishin për jetën e njerëzve. Kjo ishte ajo që ata duhet t’i tregoni opinionit publik dhe ta bindnin atë se armët bërthamore nuk duheshin të përdoreshin kurrë. Ishte kjo arsyeja që Shoqatës Ndërkombëtare të Mjekëve për Parandalimin e Luftës Nukleare të asaj kohe, iu dha Çmimi “Nobel”. Ata e morën këtë çmim, nga që shpërndanë këtë mesazh të fortë e të rëndësishëm.

Sot, tek ne të gjithë flasin për të drejtat e njeriut. Por të drejtat e njeriut nuk do të thonë asgjë, po qe se do të lejohen të ndërmerren veprime që dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Të drejtat e njeriut janë shumë të rëndësishme, por rruajtja e jetës dhe shëndetit të njerëzve është e drejta kryesore dhe para saj nuk duhet të vlerësohet asgjë tjetër. Në këtë përpjekje, roli i mjekëve është i paçmuar.

Ky duhet të jetë imazhi moral i mjekëve dhe roli i tyre i vërtetë në shoqëri.

New York, Nëntor 23.2011