
– Nga Omer Stringa – Dekan i Fakultetit Ekonomik, anëtar i kryesisë së PD
Z. Stringa si ish-anëtar i Këshillit Kombëtar dhe kryesisë së Partisë Demokratike, si e gjykoni Kuvendin e IX të Partisë Demokratike, ku nuk u zhvillua asnjë analizë për zgjedhjet, mungoi debati për funksionimin e partisë dhe ku kryetari i saj u rikonfirmua me 99.9% të votave?
Kongresi i IX i Partisë Demokratike ka qenë një Kongres vetëm formal. Në gjykimin tim, Kongresi duhet të kishte tre ose katër drejtime kryesore. E para, duhej të ishte debati i madh për qeverisjen 2005 -2009 të drejtuar nga Partia Demokratike. Debati i dytë i madh në Kongres duhej të ishte për procesin zgjedhor. Debati i tretë i madh duhej të ishte për qeverisjen e ardhshme të Partisë Demokratike, detyrat dhe funskionet e saj. Debati i katërt duhej të ishte për aleancat dhe mënyrat e organizimit të tyre dhe debati i pestë duhej të ishte se çfarë duhet bërë për mirëfunksionimin e Partisë Demokratike. Fatkeqësisht, të gjitha këto që përmenda nuk u bënë. Unë mund të them që Kongresi qe diçka formale dhe në gjykimin tim Kongresi bëri vetëm diçka, formalizoi një Këshill Kombëtar të ri. Kryetari i PD-së ishte i formalizuar sepse nuk kishte konkurrent tjetër de fakto dhe de jure, ndërsa formalizoi edhe Këshillin nga i cili do të dalin edhe organet e tjera drejtuese të Partisë Demokratike.
Si mendoni, cila ka qenë arsyeja që parimi “një anëtar një votë” u hoq nga statuti?
Do të ishte mirë të ishte dhe ky, por nëse nuk zbatohet çfarë do të ndodhte? Sado që ta përmirësosh ligjin, nëse nuk ndryshon konceptin e zbatimit, nuk bën asgjë. Do të futej “një anëtar një votë” po e njëjta gjë do të ndodhte. Edhe nëse votohet me “një anëtar një votë”, vetë mënyra e funksionimit të Partisë Demokratike do të kishte po të njëjtin rezultat siç u dha në Kongres. Themelore është që partia duhet të ngrejë institucione që përkrahin vlerat, duhet të ngrejë institucione që përkrahin karrierën. Këto janë çështje që ndodhin kur vetë lidershipi ka dëshirë ta demokratizojë partinë. Nëse lidershipi nuk ka dëshirë të ndryshojë asnjëherë, nuk ndryshon partia. Lidershipi është ai që i jep shpirtin e ndryshimit, që jep shpirtin e vlerave. Nëse lidershipi ka dëshirë të jetë gjithë jetën lidership, partia automatikisht fillon e ndrydhet. Partia është një zyrë e madhe ku janë aksionet e të gjithëve, nëse ikën Berisha dhe vjen një tjetër, rezultatet do të jenë po të njëjta me ndryshime fare të vogla. Në Partinë Demokratike, mund të merresh pa asnjë meritë dhe bëhesh i treti ose i dyti dhe mund të ikësh nga i dyti e del fare jashtë partisë. Kjo tregon që nuk ka vlera dhe nuk funksionon institucioni. Nëse do të funksiononte statuti unë të garantoj që do të forcohej edhe lidershipi, do të forcohej edhe ata që kanë dëshirë për karrierë dhe konkurrenca në këtë rast do të ishte evidente. Por, nëse lidershipi nuk ka dëshirë kjo nuk ndodh asnjëherë.
Ju nuk jeni rizgjedhur në Këshillin e ri Kombëtar, si i e vlerësoni procesin zgjedhor për zgjedhjen e 100 anëtarëve të këtij Këshilli?
Unë kam një parim që me gjykimin tim mund të kuptoj shumë gjëra, por nëse nuk kam fakte unë nuk flas. Unë gjykoj që votimi u bë normal, meqë unë nuk kam fakte, për të thënë të kundërtën, pavarësisht nga çfarë mund të nuhas. Unë nuk mora votat për të qenë anëtar i Këshillit Kombëtar dhe nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të uroj anëtarët e Këshillit Kombëtar, të cilët shpresoj dhe uroj që ta bëjnë punën më mirë se unë në të gjitha drejtimet që ka Partia Demokratike.
Pjesa më e madhe e kritikëve brenda Partisë Demokratike janë lënë jashtë Këshillit Kombëtar, përfshirë edhe juve, si mendoni pse ka ndodhur kjo?
Kur më është krijuar mundësia për të folur në institucionet e partisë, unë nuk jam shprehur në media. Unë zakonisht jam shprehur në media kur kam parë që janë probleme të rëndësishme. Mundësia për t’u shprehur në institucionet e partisë nuk më është krijuar. Nëse i gjithë debati, që unë kam krijuar ka qenë në raport me elementët e rëndësishëm që kanë të bëjnë me Partinë Demokratike. Nëse kemi bërë një debat të madh më 2007, ka qenë debati kemi fituar apo kemi humbur në zgjedhjet e 2007. Unë pa u nisur nga ndonjë qëllim, kam kuptuar diçka të rrezikshme në Partinë Demokratike, e cila vazhdon edhe në zgjedhjet e 2009-ës. Partia Demokratike kishte filluar të humbte qytetarinë, kishte filluar të humbte qytetet e mëdha dhe i gjithë debati ka qenë në këtë drejtim. I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në vitin 2009. Partia Demokratike po humbet qytetarinë. Ky është një problem jo i madh, por është një problem shumë i madh për një parti, e cila ka krijuar pluralizmin në Shqipëri. Është padyshim që duhet të merret në konsideratë. Shpresoj që këta që vijnë ta kenë në konsideratë, se përndryshe Partia Demokratike ka për të humbur gjithçka.
Cilat janë arsyet që po ndodh ky fenomen?
Problemi qëndron tek vetë mënyra e sjelljes së partisë, mungesa e demokracisë, mungesa e institucioneve. Në Partinë Demokratike nëse do të zbatohej statuti, institucionet do të punonin në mënyrë perfekte. Çështja qëndron se mosfunksionimi i mirë i institucioneve qëndron tek moszbatimi i statutit aktual. Ne mund të bëjmë statutin më të mirë, nëse nuk zbatohet ai, asgjë nuk bën. Statuti që është ligji i partisë nuk zbatohet si duhet zbatuar. Nëse zbatohet, nuk do të thotë që partia do të ishte shumë më demokratike. Problemi i vërtetë i institucioneve në Shqipëri është mozbatimi i ligjit.
Një nga eksponentët kritikë të Partisë Demorkatike, Aleksandër Biberaj ka ngritur shqetësimin se procesi i numërimit të votave dhe listat e hartuar për në Këshillin Kombëtar është manipuluar nga lidershipi. A mendoni se është i manipluar ky proces duke qenë se dhe ju mbetët jashtë Këshillit Kombëtar të PD-së?
Unë nuk kam dëshirë të luaj rolin e gjykatësit. Çështja është se edhe unë e ndiej, por unë kam një parim që nëse them diçka unë duhet ta vërtetoj. Vërtetimi i kësaj është mjaft i vështirë. Unë nuk mund të vërtetoj nëse votat janë manipluar, megjithëse në mendjen time mund të kem diçka. Çështja është që mbasi e thua, duhet të kesh fuqinë ta vërtetosh. Biberaj ka një të drejtë, që nuk ka pasur transparencë dhe vetë procesi i votimit ka qenë i diskredituar sepse në votim vinin përqark njerëz, të cilëve nuk u lejohej të vinin përqark, të cilët sillnin mesazhe të lidershipit dhe që ishin njëkohësisht konkurrentë vetë.
A është normale që emrat me kontribute në Partinë Demokratike janë zëvendësuar me figura krejt të panjohura që nuk njihen për ndonjë kontribut të veçantë?
Partia Demokratike nuk ka krijuar institucionin e vlerave. Nëse Partia do të funskiononte sipas statutit, vlerat krijohen vetë. Cilësia e anëtarësisë rritet dhe voton vlerat. Shpeshherë në Partinë Demokratike nuk votohet vlera dhe ky nuk është faji i anëtarësisë, ky është faji i vetë partisë që nuk ka krijuar sistemin e vlerave.
Sistemi i vlerave në Partinë Demokratike është ky; nëse e ke mirë me Berishën ke vlera dhe nëse nuk e ke mirë me Berishën nuk ke vlera. Ky sistem është ngritur dhe ky sistem është ai që i bën dëm Partisë Demokratike.
A mund të flitet për demokraci të brendshme në PD për mënyrën sesi po operon ajo?
Demokracia e brendshme vjen si rezultat i zbatimit të statutit. Kur nuk zbatohet statuti ka probleme të demokracisë. Partia nuk ka krijuar masën e matjes së vlerave. Ky është edhe fakti që sa herë kemi bërë prurje të reja, vetëm një pjesë e vogël e tyre e kanë justifikuar veten si në drejtimin intelektual, si dhe në drejtimin profesional ashtu edhe në drejtimin partiak. Shpresoj që kjo pjesë që ka ardhur tani, të jetë e vërtetë. Por të mos harrojmë që Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike i 2009-ës ngjan me atë të vitit 1996. Unë nuk dua të bëj paragjykime, por gjykoj që janë marrë njerëz të cilët partia po i bën dhe jo ata të bëjnë partinë. Partia Demokratike ka nevojë për njerëz që bëjnë parti dhe jo t’i bëjë partia. Një pjesë e mirë atyre që janë marrë i ka bërë partia, mos them që i ka bërë Berisha. Ky është problemi më madhor që ka partia si strukturë në të cilën të gjithë ne demokratët kemi aksionet tona.
A mendoni se mënyra sesi po funksionon Partia Demokratike do të ketë pasoja në zgjedhjet e ardhshme lokale e parlamentare?
Çështja është që Partia Demokratike duhet të kalojë me sukses krizën politike që ekziston në Shqipëri. Kur dy veta grinden, të dy janë me faj dhe zakonisht ai që ka pushtetin ka faj më shumë. Kjo është një krizë, e cila me pak mend dhe me pak dëshirë për të dhënë zgjidhje, mund të ishte zgjidhur pa arritur në këtë masë. Por, nuk duhet të harrojmë që kriza politike dalëngadalë trashet dhe kalon në kriza të gjithanshme. Të mos harrojmë që Partia Socialiste përfaqëson 65 deputetë dhe në gjykimin tim, është një gjë që duhet marrë në konsideratë. Qëndrimi me kokëfortësi nuk do t’i sjellë asgjë të mirë as Partisë Demokratike, as shqiptarëve. Çështja është që kush do të lëshojë i pari, PD apo PS. Për mua është e rëndësishme që palët të afrohen dhe të bisedojnë. Por, gjuha që po përdorin të dy palët, tregon që nuk duan të bisedojnë. Kjo gjykoj që nuk i bën mirë Partisë Demokratike, po në rradhë të parë nuk i bën mirë shqiptarëve.







