Kthim në origjinë

0
44

Nga Mero Baze, 15 Tetor 2012

Rezistenca e grevistëve duket se ia humbi përfundimisht qetësinë. Megjithëse në rehatin e zyrës, me gjithë rojet dhe antiplumbet, me gjithë korridoret e mbushura me nipa e mbesa, që hyjnë si në çiflig të vet, ai ngjan i lodhur nga rezistenca e kundërshtarëve të vet. Zgjerimi i mbështetjes për grevën, përfshirja e të burgosurve politikë në gjithë vendin krah tyre, përveç eunukëve zyrtarë të tij, solidariteti nga SHBA, biles nga përfaqësues të Partisë Demokratike në Nju Jork, siç është ish-kryetari i saj për Nju Jorkun, Muhamet Omari, dhe sidomos heshtja e sikletshme e bazës së PD-së, e cila shikon tek cinizmi i Berishës diçka që nuk u përket atyre, e ka detyruar Sali Berishën të bëjë atë që bën gjithmonë në krizë, të ndajë në dy pjesë partinë e tij në pro dhe kundër atyre që i shpalli armiq. Armiqtë e radhës janë ish- të persekutuarit politikë të komunizmit.

Në fillim i quajti grevistë politikë, të përdorur nga Edi Rama. Nuk la gjë pa bërë që kjo të ngjiste. Gjeti dhe studion e Kristaq Ramës aty afër për t’ia bashkangjitur. Por duket se nuk i funksionoi. Përfshirja e diplomatëve amerikanë dhe evropianë, për të ulur pushtetin në bisedime me grevistët, e shqetësoi. Por duket se durimi i tij humbi kur grevistët me makina diplomatike arritën në selinë e Presidentit të tij. Kjo i dha fund refrenit të tij për grevë politike dhe e solli grevën në oborrin e pushtetit. Është e qartë se pas kësaj Bujar Nishani ka dëgjuar fyerjet e zakonshme prej tij dhe u tërhoq menjëherë në strofullën e vet. Por dëmi që i shkaktoi Berishës nuk ishte i vogël. Teza se greva ishte politike u lëpi nga vetë Presidenti, i cili pështyu i pari mbi të.

Pas kësaj Berisha përdori historitë e tij personale me grevistët. I sulmoi si njerëz anti- Berishë. E vërteta është se disa prej tyre janë denoncuesit e mëdhenj të Berishës. Skënder Tufa regjistroi me kamera dëshminë e fundit të Shoshorit, i cili deklaroi në emisionin Xhungël se Sali Berisha e ka denoncuar dhe e ka çuar në burg. Pas kësaj Tufa u arrestua dhe sipas dëshmive të tij, Agron Kuliçi i ka shkuar në qeli të tërheqë denoncimin ose do ta akuzojnë për trafik femrash. Tufa po e mbron të drejtën e tij deri në Strasburg.

Atëherë kaloi në sulm ordiner. Në mbledhjen e grupit parlamentar, ai i sulmoi ata si trafikantë, kriminelë dhe pijanecë. Është një humbje e mrekullueshme qetësie e një njeriu që shan e mallkon kundërshtarët e vet, para një grupi parlamentar që përsëri hesht. Nuk kanë fuqi as ta mbështesin, as ta kundërshtojnë. Në të vërtetë akuzat e fundit janë dhe nderi më i madh që Berisha po i bën komunizmit dhe vetë diktaturës. Regjimi i asaj kohe shumë prej të arrestuarve, sidomos kundërshtarëve të vet, u vinte dhe nofka të tilla. Kryeministri ynë ishte dje i sinkronizuar tërësisht me logjikën e ish- sigurimsave të dikurshëm, që kundërshtarët politikë i quanin vagabondë, pijanecë, kriminelë dhe i rrasnin në burg për agjitacion e propagandë. Vjen një moment dhe njeriu nuk e fsheh dot veten. Tensioni i gjatë, në të cilën grevistët po mbajnë Berishën, e ktheu atë në origjinë dhe shpërtheu me një fjalor ordiner kundër tyre.

Me këtë akt, ai njollosi më shumë se dhjetë grevistë. Njollosi një klasë të tërë të persekutuarish nga komunizmi, të cilëve do t’u heqë atributin e kundërshtarëve të sistemit të djeshëm, duke i kthyer në delikuent ordinerë. Njësoj si Hysen Shoshorin kur e ka denoncuar për trakte të hedhura në territorin e spitalit.

Ai nuk bën më kujdes të mendojë ç’ka thënë dhjetë ditë apo pesë ditë më parë. Harroi që i quajti ushtarë të Edi Ramës, harroi që i quajti kundërshtarë të tij. Në fund shkoi aty ku i rri i fshehur përfytyrimi i tij për armiqtë e komunizmit. Ka qenë ashtu siç e tha para deputeteve të tij. Ashtu i ka quajtur atëherë, kështu i quan dhe sot. Por me një ndryshim të madh. Atëherë sistemi ishte me Berishën, sot Berisha është i vetmi përfaqësues i atij sistemi në politikë. Ndaj ka humbur qetësinë, nervat, dhe disa herë në ditë lajthit dhe nga trutë, duke parë ëndërr se ka folur me Zotin.