Nga Andi Bushati, 16 Prill 2013
Burri i shtetit është shndërruar brenda dy vitesh në kërcënim për shtetin. Nuk ka tanimë asnjë dyshim, se pasi i ka hedhur në koshin e plehrave “rekomandimet” urdhëruese të ndërkombëtarëve, kryeministri Berisha është futur në një rrugë pa krye. Këtë herë paralajmërimet për të kanë qenë të qarta dhe pa ekuivokë. Nuk duhet prekur KQZ-ja, iu dha ultimatum nga Brukseli, që e përsëriti më shumë se një herë mesazhin. Nuk mund të ndryshosh tani rregullat, ndryshe do hysh në spirale përplasje me ShBA dhe komunitetin ndërkombëtar, iu tha nga ambasadori amerikan Arvizu. Por, sërish Berisha e mori me dhunë atë që kish vendosur të merrte, pavarësisht nga kërkesat kërcënuese.
Këto ditë që janë artikuluar të gjitha këto deklarata të ndërkombëtarëve – ndoshta më të rëndat që i janë bërë ndonjëherë kësaj mazhorance- i kam parë shumë nga kundërshtarët e tij të fërkojnë duart me gëzim. “Ia kanë hequr vizën të gjithë – thotë dikush, tani e njohin cili është”. “Fakti që po e godasin kaq fort që kur u liruan vrasësit e 21 janarit, do të thotë se nuk e ka të gjatë”- pretendon një tjetër. “Ky është izolimi dhe fundi tij”, mendojnë shumë të tjerë.
Në fakt, ky optimizëm që shtohet edhe nga deklaratat e liderit të opozitës se “edhe në shtëpi të vet po t’i numërojë votat këtë radhë Saliu, prapë do të humbasë”, më duket i shpejtuar dhe i pavend. Sepse fakti, që shumë nga aleatët ndërkombëtarë të Shqipërisë po e shohin tashmë Sali Berishën si një rrezik për demokracinë, madje edhe si një rrezik për stabilitetin në vend, nuk është një lajm i mirë. Ata për vite e vite me radhe kanë bërë gjithçka që mos e vizatonin si të tillë. Kanë mbyllur njërin sy për kapjen e të gjitha pushteteve, kriminalizimin e familjes, vrasjen e demonstruesve, trukimin e drejtpërdrejtë të proceseve gjyqësore dhe grabitjen elektorale të Tiranës. Për një kohë të gjatë i neglizhuan të gjitha këto vetëm për ta mbajtur nën kontroll. Por, sot situata ka ndryshuar. Sepse sot ndërkombëtarët nuk kanë më gjë në dorë, pasi Sali Berisha ka vendosur t’i dalë me ndërgjegje nga kontrolli.
Ai e di se me bilancin katastrofik të katër viteve të fundit, me privatizimet që i dështuan, me arkën e shtetit bosh me skandalet që i plasin njëri pas tjetrit, nuk ka asnjë mundësi t’i fitojë zgjedhjet e ardhme nëse ato bëhet “të lira dhe të ndershme”. Aq më shumë i është shtuar kjo frikë pas ikjes së LSI- dhe humbjes reale të numrave që i jepnin siguri. Ndaj ai nuk do të ndalet më. Pikërisht për këtë bëri vjedhjen e parë të zgjedhjeve duke votuar në parlament me një shumicë të thjeshtë ndarjen e qarqeve. Pikërisht për këtë, ndryshe nga ç’i tha gjithë bota, bëri dhe vjedhjen e dytë të turpshme duke shkarkuar anëtarin e KQZ-së. Tanimë, me ata besnikë që ka në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, nuk do ta ketë të vështirë të bëjë shumë më tepër sesa ajo që kurdisi në 8 maj në Tiranë.
Por, për të arritur deri këtu Berisha ka bërë një llogari. Nga njëra anë kishte ndërkombëtarët që ishte i sigurt se do ta ndalnin në këtë galop. Nga ana tjetër kishte mercenarët që ishin të gatshëm të grabisnin shtetin për të ruajtur pushtetin. Kryeministri duket se e ka marrë rrugën e zgjedhjes së këtyre të dytëve. Në këtë kuptim, nuk është se janë ndërkombëtarët, ata, që këtë herë ia kanë hequr vizën. Është ai që nuk ka rrugë tjetër për të ndenjur në pushtet veç prishjes me ta.
Dhe pikërisht për këtë, lajmi i izolimit ndërkombëtar të Berishës, nuk është një lajm që ka vend për gëzim. Ai është një lajm i keq. Sepse dëshmon se kryeministrin tani nuk ka më as kush ta ndalë, as kush ta kontrollojë. Me vendimin e një “burri shteti sovran” që nuk pyet për të huajt, ai ka rrezik që shumë shpejt të shndërrohet në një kamikaz. Të niset në rrugëtimin e vetmuar të qëndrimit me çdo kusht në pushtet, duke mbajtur peng jo vetëm zgjedhjet e 23 qershorit, por edhe fatin e gjithë shqiptarëve.