Kryqëzata e Brukselit me ushtarë të Bizantit

0
61

Sokol Balla

Shkruan: Sokol Balla, 29 Mars 2010

Po e nis me dy rreshta per veten: po i rikthehem rubrikes “Antishqiptari” pas me shume se dy vjetësh. E ndërpreva atë po tek Mapo, për arsye kryesisht profesionale. Për shkak të një detyre me ngarkesa editoriale, siç ishte ajo e Drejtorit të Lajmeve në Top Channel. Shpesh mjedisi politik nuk arrinte të kuptonte dhe të bënte diferencën mes meje si gazetar dhe meje si editor, ndaj për të shmangur keqkuptimet që po lindnin, mora atë vendim të vështirë për të ndaluar përkohësisht të shkruarit. Tani që u çlirova sërish nga vargonjtë editorialë, ja ku po rikthehem.

Por dua të falënderoj gjithë ata miq dhe njerëz të mi shumë të afërt, që prej muajsh më nxisin të rinis të shkruaj…

Dhe po rinis të shkruaj në një fazë delikate të së tashmes. Kur vendi duket më i ndarë se kurrë, më në krizë se kurrë. Këtë së fundmi na e thanë edhe ndërkombëtarët, që pasi na lanë të hallakatemi për muaj të tërë, befas e kuptuan se Shqipëria ishte kthyer sërish në rastin e artë të udhëtimeve luksoze, dietave të mëdha dhe dhuratave të paçmuara. Numëroni sa veta kanë ardhur në Tiranë në pesë javët e fundit dhe do të kuptoni se të paktën në Rogner e Sheraton, nuk ka për momentin krizë ekonomike.

Por ajo që e bën të veçantë afeksionin e ri ndërkombëtar me Shqipërinë, është edhe gjeografia e vendeve që tani kanë filluar të na japin mend në emër të BE dhe Këshillit të Europës. Si kurrë më parë turq, sllovakë, sllovenë dhe rrumunë na shfaqen në ekrane dhe mikrofonë, për të na treguar sesi duhet të ecim drejt Europës. Kujtoj për shëmbul Fule – apo Fyle nuk e di mirë. Pasardhësi i Olli Rehn, një figurë e rëndë e Brukselit, ka trashëguar vetinë e Peshës, por vetëm të shndërruar në kilogramë. Pesha e tij fizike më kujton kilet artificiale të vëna kryesisht në ije nga shumë shqiptarë pas ndërrimit të regjimit politik më 1990, që solli fillimisht ndryshimit e regjimit të të ngrënit.

Dhe në fakt ai është nga Sllovakia e një kryeministri të famshëm, që vidhte zgjedhjet e lira deri në fund të viteve 90. Më pas më vjen ndër mend fytyra e Tanja Fajon – kjo është dhe e majtë më duket – që mua më kujton vetëm nje deputete shqiptare. Dhe në fakt Fajon është tamam Arenca Trashani e Sllovenisë, vetëm se shumë më e pavendosur sesa Arenca jonë në vijën e saj politike për çështjen e krizës dhe të vizave. Për të kuptuar se çfarë paraqet Sllovenia në skenën europiane, mjaft të kujtosh se çfarë ndodhi në Brdo pak ditë më parë: një nisëm e dështuar që do mbahet mend më shumë për çështjen e dhuratave të shpërndara, sesa për deklaratën përfundimtare.

Meqë jemi te dhuratat. Më pëlqeu shumë ky turku që u zgjodh president i Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës pak ditë para se të vinte në Tiranë – dhe ky më duket se ishte i djathte, megjithëse nuk e di se çfarë demokracie ideologjike ka në Turqi, ku lejohet me ligj që politikanët t’i tredhi ushtria. Ky turku, që nuk më kujtohet as sesi quhet, duhet patjetër të deklarojë së paku se kujt ia mori nga qafa kravatën Burberry në ambientet e Rogner, ndërsa “pinte bira e bënte shere” me përfaqësuesit e opozitës.

Për fat të keq kjo nuk do të ndodhë, siç nuk do të ndodhë që Fule-Fyle të japë llogari se përse bëri një deklaratë nga shkallët e avionit, përse Edit i thoshte se “Kushtetuta e përfshin transparencën e kutive” dhe përse Salihit se “paralajmëruam Ramën se tani do të mbetet i vetëm”. Ndërsa Bamirit i fali edhe buzëqeshjet që duhet t’ja jepte Jozit, të cilën as nuk e takoi.

Ajo që do të ndodhë sigurisht nuk do të jetë rezultat i qoseve lindore me mandat perëndimor që bënë qokat këto ditë në Rinas. As fryt i dashurive politike të eurodeputeteve të reja me hamshorë të rinj shqiptarë me mandat politik, tani që Dori na u plak, bile as i dhuratave “alla Brdo”. Së paku një efekt pozitiv do japë kryqëzata e dështuar e perëndimit me ushtarë të Bizantit: krizën do e zgjidhim, sipas mënyrës sonë…