Nga Mero Baze
Ka një humbje qetësie të dukshme të Berishës me Lulzim Bashën. Nuk janë në një gjatësi vale me të as tezat politike, as toni i zërit, as vëmendja që duhet të marrë në media, por mbi të gjitha nuk është duke u bërë një opozitë, e cila mbush boshllëkun e tij. Sot doli vetë. Pa ndonjë arsye të fortë që të lidhet me ndonjë ngjarje të sotme, pa ndonjë paralajmërim për diçka që mund të lidhet me të ardhmen e tij në burg apo liri, pa ndonjë paralajmërim nga lidershipi formal i PD-së për nevojën e tij në opinion publik, ai thirri kamerat e veta, jo për t’i treguar qeverisë se ç’duhet të bëjë, por për t’i treguar PD-së dhe Bashës si duhet të sillet në opozitë.
Thelbi i daljes së tij publike është një leksion për Lulzim Bashën se si e do ai opozitën. Dhe janë qartazi tre tipare që ai nuk i toleron në këtë situatë. E do radikale deri në luftë guerile kundër regjimit, siç bëri thirrje për t’u vetëmbrojtur nga “shteti policor”. E do antiamerikane për të mobilizuar energji të errëta të shoqërisë në këtë periudhë të vështirë. E do për vete, si një imunitet për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtësisë apo hetimeve kundër pasurimeve të paligjshme dhe gjobave që i ka vënë biznesit shqiptar.
Të tre këto tipare, të cilat Berisha kërkon t’i ngjizë opozitës së re, që formalisht ia ka lënë Lulzim Bashës, dëshmojnë se ai është i qartë për krizën e fortë ku gjendet opozita. Një opozitë në rënie të lirë, e pamotivuar, e përçarë dhe me rrjedhje të vazhdueshme, mund të mbijetojë vetëm nëse auto-sugjestionohet si opozitë e një regjimi policor, që kërkon kokat e tyre.
Theksi i tij i parë tek opozita radikale ekstreme, që paralajmëroi vrasje policësh dhe kundërshtim të atij që ai e quan “shtet policor”, ka të bëjë pikërisht me inkriminimin e opozitës si e vetmja garanci që ajo të ketë çfarë të mbrojë. Për ta bërë më të prekshme situatën, ai i referohet prishjes së pallatit të Lulzim Bashës në Vlorë, si një shembull ku duhet qëndruar dhe fizikisht. Me këtë ton të ngritur, Berisha nuk është i shqetësuar realisht as për nja dy kate të familjes së tij aty, dhe as për vetë pasurinë e Lulzim Bashës, por për të prodhuar një kazus opozitar të rrezikut që i pret të gjithë opozitarët. Njësoj si pas vitit 1997, kur radikalizmi ishte e vetmja armë mbijetese në politikë prej tij, edhe tani ai po shikon si të vetmen mundësi për t’i rezistuar pushtetit, radikalizmin ekstrem dhe vetëmbrojtjen fizike ndaj pushtetit dhe zbatimit të ligjit. E bën këtë jo se popullit opozitar po i kanoset ndonjë rrezik real, por se vetëm një autosugjestion si opozitë e rrezikuar fizikisht, mund të mobilizojë elementë kriminalë dhe një opozitë militante që mund të përballojë aksione deri guerile ndaj pushtetit.
Nga pikëpamja politike kjo nuk përbën ndonjë shqetësim për qeverinë, përkundrazi është një lehtësi për të. Por kjo është e vetmja zgjidhje që Berisha ka për të ndalur shkrirjen e PD-së. Retorika e Bashës, gjuha e zvargur e tij, fjalitë boshe dhe pa përmbajtje, mungesa e autoritetit dhe ideve politike, po e bëjnë opozitën një vend të mërzitshëm dhe për opozitarët. Berisha e ka kuptuar qartë këtë dhe po i fton ta fusin opozitën në llogore dhe të prodhojnë një konflikt me pushtetin për të mbijetuar.
Theksi i tij i dytë është antiamerikanizmi i maskuar si betejë personale me ambasadorin apo si një “JO” ndaj lëndëve kimike. Berisha nuk është një antiamerikan i lindur, por është një antiamerikan që bëhet i tillë sa herë i duhet për pushtet. Ai është konfliktuar me thuajse gjithë ambasadorët amerikanë në Shqipëri, pikërisht sepse qëndrimet e tyre kanë qenë ndesh me politikat e tij. Sulmi ndaj ambasadorit Arvizu zbulon në të vërtetë thelbin e qëndrimit të tij antiamerikan në këtë histori, pasi Basha u ka thënë “PO” amerikanëve, dhe nën presionin e tij u detyrua të bëhet qesharak dhe të mohojë dhe bisedat zyrtare.
Në këto momente, Berisha e kupton se antiamerikanizmi u instalua pak si trend për të rinjtë pas protestave dhe si një paranojë që lidhej me rrezikun e lëndëve kimike dhe ai nuk mund të mos vrapojë për ta bërë pjesë të politikës së tij këtë frymë. Ai ka nevojë për çdo kauzë që mbledh njerëz në shesh, dhe kur e qëllojnë me shishe plastike për ta zbuar prej andej si qen të rrahur.
Dhe theksi i tij i fundit opozitar është paralajmërimi për linçime politike të opozitës, që ai e shikon si rrezik të përditshëm për të dhe familjen e tij. Tani që kanë ikur nga pushteti dhe kur disa biznesmenë po dëshmojnë për gjobat deri në miliona dollarë që familja u ka marrë për çdo firmë në emër të pushtetit dhe leje për biznes. Të rrezikuar nga sjellja e pafytyrë me biznesin dhe të shqetësuar për mënyrën se si do të legalizojnë pasuritë e tyre, njerëzit e familjes po përpiqen të ngrenë paranojën e ndëshkimit të tyre politik si imunitet për t’i shpëtuar drejtësisë. Kthimi i Berishës në krye të PD-së pa pyetur Bashën, dhe pa ndonjë nevojë urgjente, është një thirrje për tu treguar të gjiyhëve se ai është kryetari real dhe askush të mos guxojë ta prekë. As Basha bile! Thjesht duhet ta kuptojë që është një kryetar në përdorim, të cilit Berisha i ka marrë me qira fytyrën, emrin dhe kartëvizitën.