Kryetar Bashkie apo sekser xhamie?

0
41

Nga Mero Baze, 9 Tetor 2013

Komuniteti Mysliman i dha fund një gënjeshtre që po zgjaste lidhur me pazaret e Lulëzim Bashës me truallin ku do të ndërtohet Xhamia e Namazgjasë. Me një deklaratë të shkurtër pa shumë komente, përfaqësuesit e myslimanëve të Shqipërisë shpresojnë se qeveria Rama do t’i mbështesë në ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, duke injoruar alarmin e Lulëzim Bashës për prishjen e kontratës së tokës për shkak të pazarit të bërë në hije prej tij.

Argumenti që Lulëzim Basha paraqiti publikisht është se pronarët e tokës së Namazgjasë i kanë dhuruar dy mijë metra tokë për xhaminë, me kusht që Basha t’u jepte leje ndërtimi për dy kulla!!! Nëse këtë deklaratë do ta kisha bërë unë apo ndonjë kritik tjetër i Bashës, nuk do besohej. Problemi është që këtë e bëri vetë Lulëzim Basha, pa iu dridhur syri me sinqeritetin e një sekseri trojesh në Tiranë larg kostumit të kryebashkiakut.

Këtij njeriu dikush duhet t’i thotë që është kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe jo sekser i trojeve të Tiranës. Detyra e një kryetari Bashkie është të zhvillojë qytetin përmes projekteve që harmonizojnë zhvillimin me historinë dhe paqen sociale. Detyra e tij në këtë rast është të ofrojë një vend ku duhet të jetë Xhamia e Namazgjasë dhe të miratojë projektin e saj. Objektet e kultit janë interes publik dhe kanë prioritet mbi interesat e klientëve të tij. Në këtë rast nuk ka rëndësi kush është pronar toke, pasi atij i blihet toka. Rëndësi për një kryebashkiak është të ketë një projekt modern, të pranueshëm, në harmoni me qytetin dhe që i shton atij një vlerë urbanistike dhe historike.

Po ta shikosh fjalorin e Lulëzim Bashës, të duket sikur ai qan hallet me Kunatin që i kanë ikur ca lekë nga duart me këtë leje, dhe jo që Tirana do ketë një xhami, e cila duhet të ndërtohet në një vend dinjitoz me një projekt dinjitoz. I zhytur në batakun e pazareve për truallin e xhamisë, ai foli si një sekser, me të cilin duhet të ketë punë prokuroria.

Këtij njeriu i duhet kujtuar se nuk e diktojnë pronarët e tokës planin urbanistik të Tiranës, por Bashkia. Nëse ata janë klientë të zhgënjyer të Bashës si pazarxhinj, kjo është histori mes sekserëve dhe pronarëve, por jo histori mes myslimanëve dhe qytetit të Tiranës. Me logjikën që flet Basha, i bie që dy kullat që do ndërtoheshin aty, mund të mos ndërtoheshin nëse nuk spostohej aty projekti i xhamisë. Nga kjo logjikë rezulton se Basha e ka spostuar xhaminë nga Pallati i Kulturës tek Namazgjaja, pikërisht për të bërë këtë pazar dhe jo për të ndërtuar xhaminë.

Edi Rama e bëri një projekt modern për xhaminë pas Pallatit të Kulturës, por nuk hyri në pazar për trojet e pronarët. Thjesht bëri detyrën si kryebashkiak dhe tha se Tirana ka nevojë për këtë xhami moderne në këtë vend. Nuk dëgjuam që ai kapi një pronar, i premtoi dy kulla që ai t’i jepte tokën xhamisë, etj. Sulmi që atëherë Lulëzim Basha dhe Sali Berisha i bënë Edi Ramës, ishte pikërisht se njolla e xhamisë ishte në troje private dhe ata nuk mund të dëmtoheshin. Askush nuk thotë të dëmtohen. Ata thjesht duhen dëmshpërblyer sipas Kushtetutës me çmimin e tregut dhe xhamia të ndërtohet aty ku është më mirë. Fakti që Basha dhe Berisha e spostuan projektin e Ramës nga Pallati i Kulturës tek Namazgjaja, dhe e çuan sërish në tokë pronarësh duke bërë pazar të fshehtë me ta, tregon se ata kanë pasur interes direkt në këtë histori për trojet dhe jo për xhaminë. E pranuar nga vetë Basha publikisht, kjo bëhet dhe më e rëndë.

Së fundi, dua të them se vendimi për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë dhe bllokimi i ndërtimit të dy kullave në krah të saj, është ndoshta një nga vendimet më të mira të Edi Ramës qyshkurse është bërë kryeministër. Përmes këtij vendimi, u nda përfundimisht gënjeshtra e Lulzim Bashës për xhaminë nga interesat e tij kontraktore lidhur me truallin e saj dhe iu kthye myslimanëve një e drejtë legjitime. Por mbi të gjitha u prezantua para qytetarëve se cili është interesi themelor që lëviz vendimmarrjen e Lulzim Bashës. Ata që mendonin se ai hiqej si mysliman për disa vota, janë ende shumë larg qëllimit real.

Ai e përdori Komunitetin Mysliman për interesa tërësisht klienteliste, që nuk kanë të bëjnë me xhaminë, por me pazaret për trojet, që ai dhe njerëzit e tij bëjnë orë e çast në Tiranë. Ai është aq i vogël dhe meskin, sa nuk ka fuqi t’i rrijë larg këtyre pazareve, por i bën ato publike si shqetësim kryesor. Është tipike çfarë ndodh me mashtruesit kur u del gënjeshtra dhe nuk dinë si të justifikohen para atyre që kanë mashtruar. Është tipike për dikë që ka harruar se quhet kryetar Bashkie dhe jo sekser xhamie!