Kryeministri si drejtor i spitalit të burgut!

0
52

Nga Mero Baze, 12 Tetor 2012

Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko sot kanë më shumë shpresë për jetën dhe më pak dhimbje. Ata gjenden në duar më të sigurta dhe në klinika më të mira. Njëri në Itali dhe tjetri në Greqi, falë një ndërhyrje modeste të kryetarit të opozitës tek autoritetet fqinje. Por e gjithë kjo histori, më shumë se sa ndonjë meritë të Edi Ramës, dëshmon një mizori të kryeministrit të Shqipërisë, i cili më kujton një barbar që disa ditë më parë vrau gruan me thika dhe kërcënonte mjekët mos ta preknin me dorë derisa të jepte shpirt.

Ai jo vetëm që nxiti zjarrvënien e tyre, duke tentuar t’i poshtërojë, por u bë një roje e ndyrë e vuajtjeve të tyre në spitalin, edhe ashtu gjysmak të Tiranës. Nuk pranoi të flasë me ta si kryeministër, por më keq akoma, pasi i çoi drejt vetëflijimit, nuk pranoi t’i takojë ata si mjek. Dhe në fund e çoi në ekstrem urrejtjen e tij. Kur falë një interesimi modest të kryetarit të opozitës tek autoritetet fqinje, ai nuk denjoi të bënte dhe gjënë më njerëzore, të merrte përsipër transportin e tyre jashtë Shqipërisë.

Një sjellje e tillë shtazarake me dy të vetëflijuar për shkak të tij në prag të vdekjes, mund të motivojë vetëm një njeri, i cili nuk ka respekt për jetën e askujt, nëse ajo i rrezikon pushtetin. Kjo tregon më së miri se ai ka vrarë me qetësi dhe bindje edhe më 21 Janar, kur demonstruesit i dukeshin se po i merrnin pushtetin. Kjo tregon se ai e ka parë dhe vazhdon ta shikojë këtë grevë si një puç, si një instrument kundër tij, dhe thellë- thellë nxiti dhe po ruante me çdo kusht procedurën e vdekjes së tyre. Ai po sillet me ta jo si kryeministër, jo si mjek, por si një infermier burgu, i paguar të zhdukë kundërshtarët e pushtetit.

Në historinë e tij si mjek gjatë regjimit komunist ka disa shembuj të mënyrës se si ai ka trajtuar të sëmurë të burgosur politikë, të cilat janë të ngjashme me sjelljen e tanishme. Ky njeri, që ka firmosur me qetësi ekspertizën e vdekjes së Fiqret Shehut sikur vdiq nga zemra, ndërkohë që vdiq nga dajaku, dhe që ka bërë gjeste të tjera të ngjashme dhe me të dënuar të tjerë të ndërgjegjes, sot është rikthyer në origjinën e tij të hershme, jo si mjek civil, por si mjek regjimi, që përdoret për të firmosur vdekjet e kundërshtarëve të tij.

Siç u pa nga të gjithë shqiptarët, shpëtimi i tyre ishte i thjeshtë. Edi Rama biles thjesht sa u ka hequr sikletin ambasadorëve të Italisë dhe Greqisë, se duket se ata kanë qenë shumë të gatshëm t’i ndihmonin të vetëflijuarit. Ambasadori amerikan, nga ana tjetër ka një javë që merret me të burgosurit, si të ishte prind, vëlla, politikan, kamerier, mjek dhe përgjegjës për fatin e tyre në diktaturë dhe demokraci. Bashkimi Evropian me ambasadorin e tij këtu, por dhe komisionerin Fyle apo eurodeputetin Kukan, po merren me grevën e tyre si me një hall të shtëpisë së tyre.

I vetmi njeri që po shfaq një portret kriminal, me gjithë tiparet e egra të një njeriu që nuk i dhimbset jeta e njeriut para karriges së tij, është Sali Berisha. Një reporter më tregoi pamjet kur Gjergjin e hipën në ambulancë dhe u trishtova. Ishte vetëm, i braktisur nga shërbimi shëndetësor i vendit të tij, thuajse po i ndërronin qelinë dhe jo spitalin. E gjitha ndodh se çdo mjek, çdo infermier, çdo ministër, biles dhe ditëziu që është president, sillen siç do t’i pëlqente Sali Berishës. Dhe ata e dinë që ai e urren Gjergjin, e urren Lirakun, e urren Fatmirin dhe gjithë grevistët, ndaj dhe sillen ndaj dy pacientëve si ndaj dy armiqve të pushtetit.

Ky shtet klasor, kjo frymë urrejtje ndaj dy pacientëve vetëm pse ata janë kundërshtarë të kryeministrit, ilustron më së miri standardin perëndimor të këtij pushteti. Edhe robërit e luftës, kur kapen të gjallë, trajtohen më mirë se sa Sali Berisha trajtoi në spitalet e veta Gjergj Ndrecën dhe Lirak Bejkon. Dhe ka një arsye të fortë pse ndodh kjo. Arsyeja është se mjeku i regjimit të dikurshëm tashmë ka bërë regjimin e vet dhe ka përballë të njëjtit kundërshtarë, të cilët e kanë sfiduar duke u shenjtëruar me vetëflijim para tij. Kaq ka mjaftuar që atë ta shndërrojnë nga kryeministër, në një drejtor të rëndomtë të spitalit të burgut politik, detyra e të cilit është vdekja e armiqve të pushtetit.