KRYEMINISTRI QË KËRCËNON INTEGRIMIN

0
64

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Ndërsa politikanët e lartë të Tiranës dhe Brukselit kanë dalë pa ndonjë rezultat nga restoranti “Krokodil”, duket se është fati i Shqipërisë ai që ka hyrë në gojën e “krokodilit”. Tashmë, mbi kokën e saj qëndron një ultimatum që vjen prej europianëve: ose zgjidheni krizën brenda dy javëve, ose rrezikoni integrimin në Europë! Kështu, 20 vjet pas nisjes së një tranzicioni nën moton “drejt Europës”, shqiptarët rrezikojnë të mos e arrijnë kurrë atë.

A ndjehet i shqetësuar për një gjë të tillë Kryeministri Sali Berisha, që shfaqet përsëri në qendër të një krize që mund të qorrollisë edhe më keq se më parë fatin e shtetit që ai drejton? Dhe a e percepton ai ultimatumin që vjen nga Europa si një humbje? Nuk mund të jesh fare i sigurt për këtë. Ka shumë tregues që të bëjnë të mendosh se fitorja e vërtetë, por e fshehur e Berishës, do të qe pengimi i integrimit të Shqipërisë. Sepse në këto 20 vjet në krye të politikës, Berisha nuk ka pushuar së zhvilluari një energji prej autokrati që jo vetëm nuk e ka ndihmuar, por e ka penguar procesin e europianizimit të Shqipërisë.

Autoritarizmi dhe shteti ligjor i tipit europian nuk kanë asgjë të përbashkët ndërkohë që kryeqëllimi i fiksuar i Berishës ka qenë dhe mbetet kapja e institucioneve që duhet të balancojnë qeverisjen dhe shndërrimi i kësaj të fundit, në sundim. Mes kësaj strategjie të paepur autoritariste dhe faktit që Shqipëria mbetet nga vendet e Ballkanit më pak të avancuara në procesin e integrimit, ka një lidhje fatale që nuk fshihet dot.

Edhe kriza e sotme, më e gjata në këto vite tranzicioni, ka në themel të saj këmbënguljen e Kryeministrit, për të mos i hapur rrugë një kërkese normale të opozitës për transparencën e votës, duke përdorur si pretekst ligjin dhe Kushtetutën. Një pretekst që duket se është kuptuar më në fund në darkën e restorantit “Krokodil”. Ndaj dhe ultimatumi 2-javor i “ndërkombëtarëve” tingëllon si një ultimatum drejtuar Kryeministrit që po pengon integrimin e Shqipërisë.

* * *

Tashmë, vështirë të ketë shqiptar që të mos e ketë kuptuar se Kryeministri i bëhet pengesë transparencës për hatër të mbajtjes së një pushteti të pamerituar dhe jo për hatër të respektimit të gjyqësorit. Si kurdoherë, edhe në këtë rast, transparencës i vihen shkopinj nën rrota jo në emër të drejtësisë, por të padrejtësisë. Por kjo që po ndodh në krizën e sotme nuk është, në thelb, aspak e re. Më shumë se një dekadë më parë qe po Berisha, që për hatër të qëndrimit në pushtet, bllokoi për vite me radhë transparencën e piramidave financiare.

Dhe kur ky aktivitet i errët përfundoi në kolaps, ai këmbënguli të qëndrojë në pushtet edhe pse shihej qartazi që e kish humbur mbështetjen popullore. Ishte kjo kokëfortësi, me rrënjë në një epsh të ekzagjeruar për pushtet, që solli më pas edhe kolapsin e shtetit. Të njëjtin qëndrim Berisha po e përsërit sot. Ka mbi 9 muaj që i është bërë pengesë transparencës së votës po për qëllime pushteti. Por ndërsa në vitin 1997 mungesa e transparencës i bëri shqiptarët të humbasin paratë, në vitin 2010 mungesa e transparencës për votën i rrezikon të humbasin lirinë dhe integrimin europian.

Me gjithë protestat e mëdha të opozitës, me gjithë grevën e urisë prej 19 ditësh, Berisha këmbëngul të pengojë hedhjen e dritës në kutitë e votimit. Dhe kush preferon errësirën në vend të dritës, ai diçka fsheh. Tashmë është bërë e qartë se ajo që kërkon të fshehë Kryeministri, janë hallatet e mekanizmit të vjedhjes së votave të mbuluara përkohësisht jo me gjethe fiku, por me Kushtetutë dhe me vendimin e një Kolegji Zgjedhor të kapur nga Berisha.

* * *

Por zhvillimi i ngjarjeve po dëshmon se Berishës po i soset uji i gamiles. Ky autoritarist që nuk rresht përpjekjet për të kapur gjykatat (edhe dje shumica e tij rrëzoi një kandidaturë të Presidentit për Gjykatën Kushtetuese) ka 9 muaj që e zvarrit Shqipërinë dhe torolleps “ndërkombëtarët” duke penguar “në emër të pavarësisë së gjykatave” një transparencë që mund të jetë kërcënim vetëm për vjedhësit e votave, por për asnjë fitues të ndershëm. Zhvillimet e raportuara nga darka në “Krokodil” të japin të kuptosh se këtij mashtrimi me lot krokodili për drejtësinë po i vjen fundi dhe se i ndodhur nën presionin ndërkombëtar, Berisha nuk ka mundur t’i bishtnojë akordit për hapjen e kutive me materiale zgjedhore.

Tashmë, mosmarrëveshja është përqendruar te mënyra si do të veprohet me kutitë ku ndodhen votat. Krejtësisht i painteresuar për transparencën, Berisha këmbëngul që votat të digjen, gjë që është kundërshtuar jo vetëm nga Rama, por edhe nga ndërkombëtarët. Madje edhe nga të djathtët e PE-së. Duket se Berisha nuk do të ketë më shanse të maskojë me sukses mungesën e dëshirës për transparencë, me ligjin, Kodin Zgjedhor apo Kushtetutën. Dje e pengoi transparencën e kërkuar nga opozita duke dhunuar Kodin Zgjedhor me anë të një KQZ-je dhe Kolegji Zgjedhor të kapur, dhe sot përpiqet ta pengojë përsëri transparencën “në respekt të Kodit Zgjedhor”!

Por meqenëse opozita nuk mund të heqë dorë nga kërkesa për transparencë pa shkatërruar vetveten dhe demokracinë, pikërisht divergjenca e papajtueshme për kutitë e votave mund t’i japë një tjetër spirale edhe më të rrezikshme krizës politike në vend, pas asaj zbatice që ajo përjetoi me mbylljen e grevës së urisë. Këtë duket e ka kuptuar jo vetëm plaku Godo në Tiranë, por edhe “ndërkombëtarët” në Strasburg. Madje, edhe të djathtët e PE-së që deri më sot kanë mbështetur verbërisht Kryeministrin.

Tashmë ka një dinamikë zhvillimesh që nuk kompozojnë një bilanc pozitiv për këtë të fundit. Ajo që po del më në pah është intoleranca autoritariste e Berishës, që nuk ka bërë deri më sot asnjë lëshim. Madje sot ai po kundërshton edhe rrugëzgjidhje që deri dje i ka pranuar. Një nga ato është edhe pranimi i opinionit të Komisionit të Venecias për hapjen ose jo të kutive të votimit. Në të kundërt, opozita ka bërë një zinxhir të gjatë lëshimesh. Ajo ndërpreu bojkotin total të Kuvendit dhe u paraqit në seanca për ta zgjidhur krizën atje.

Dhe nuk është faji i saj që Berisha e K° u përpoqën që këtë lëshim ta keqpërdorin për ta shndërruar opozitën në një garniturë të tiranisë së shumicës. Opozita ndërpreu grevën e urisë, ndërkohë që ka modifikuar disa herë kërkesat e saj për t’i bërë sa më të pranueshme për shumicën. Ka treguar gatishmëri, për shembull, për të hequr dorë nga hapja e kutive në disa zona dhe, për të shmangur qoftë edhe përplasjen e shpikur të transparencës me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, ka kërkuar hapjen e kutive në disa zona të tjera.

Më në fund duket se qëndrimi shkëmbor i Berishës ka rënë në sy të ndërkombëtarëve, të cilët raportohet të mos jenë pajtuar edhe me antimitingjet e organizuara kundër opozitës, antimitingje që duket të jenë parë me shqetësim si përshkallëzim i frikshëm tensioni politik dhe “nxemje” e fanatikëve si përpara një konflikti civil kërcënues. Ndërkombëtarët kanë dhënë dy javë kohë.

Por vështirë të besosh se ky ultimatum do të bëjë që Berisha të hapet ndaj një transparence që do t’ia deligjitimonte përfundimisht jo vetëm pushtetin, por edhe reputacionin. Kemi përshtypjen se ai do të kundërshtojë me lloj-lloj pretekstesh “ligjore” jo vetëm hapjen e kutive të votimit, por edhe ato të materialeve zgjedhore që, sikundër dëshmoi edhe Ruzhdia, përmbajnë jo pak fakte mbi atë që do t’i shndërronte zgjedhjet e 28 qershorit nga më të mirat, në ato të manipuluara dhe grabitura më mirë.

Berisha do përpiqet ta shkatërrojë një zgjidhje të ofruar nga “ndërkombëtarët” edhe duke u fshehur pas këmbënguljes së opozitës për mosdjegien e kutive. Por Shqipëria nuk mund të vazhdojë më kështu. Tashmë bllokimit të reformave integruese i shtohet edhe ultimatumi për pezullimin e procesit të integrimit. Po afron momenti që do ta detyrojë Berishën të vendosë: ose të hapë kutitë dhe të deligjitimohet, ose t’u drejtohet zgjedhjeve të parakohshme në një moment jo aq të përshtatshëm për të.