TemA Online, 14 Dhjetor 2011
Kryeministri Sali Berisha ka pësuar një paralizë të pjesshme të trupit që i erdhi nga tensioni i lartë i gjakut, problemet kardiake nga të cilat vuan deri në kufijtë e një tromboze që për fat të mirë nuk i shkaktoi çrregullime serioze për jetën. Kreu i kabinetit ka pësuar këtë goditje si pasojë e problemeve që ka pasur në vazhdim, (këtë e shpjegon edhe termi zyrtar mjekësor i shpërndarë lipotemi, shkak i një sëmundje bazë).
Mësohet se paraliza është e lehtë, e pjesshme, në gjymtyrë, po që për momentin nuk paraqet shqetësime tejet serioze. Por më e keqja është se mjekët i kanë këshilluar kryeministrit një pushim tejet absolut dhe tërheqje nga aktivitetet politike dhe institucionale. Nuk lejohet ngarkesa e madhe fizike, psikologjike dhe emocionale, pasi një tjetër litotomi do të ishte fatale për shëndetin e kreut të mazhorancës.
Pavarësisht se sot kryeministri u tha publikisht shqiptarëve se ndihet i ri, e vërteta është e kundërta. Se ai ka nisur të mendojë shkëputjen pa asnjë kusht i mundur nga shëndeti dhe mosha e jo nga dëshira. Mjekët më të mirë të fushës kanë kontrolluar kryeministrin gjatë tre ditëve me radhë, duke i bërë analiza të shumta. Mësohet se edhe në Francë kryeministri ka bërë një kontroll dhe ka marrë të njëjtat këshilla. Por në vijim i ka neglizhuar me të njëjtin intensitet.
Mjekët shpjegojnë se të kthehesh nga katër ditë vizitë jashtë vendit, të flasësh, takohesh me personalitete, të kthehesh me avion, e më pas në punë në të paktën 5 takime zyrtare, përfshi dhe festën e 21 vjetorit, është katastrofave për një shëndet të tillë dhe atë moshë. Ndaj edhe lodhja e madhe fizike, emocionale dhe psikologjike ka sjellë pasojën e mbrëmjes së hënë.
Burimet thanë se Berishës i është këshilluar jo më shumë se një orë punë aktive në ditë në zyrë dhe pak e nga pak tërheqje totale nga jeta politike dhe institucionale. Mjekët nuk kanë marrë përsipër pasojat për të ardhmen nëse kryeministri shmang këshillat e tyre. Por të gjitha këto informacione përpiqen t’i mbajnë sekrete e të mos i mësojnë qytetarët, me qëllim të mos krijohet imazhi i një kryeministri të sëmurë te armiqtë dhe elektorati.
Madje po ta vësh re për dy ditë me radhë mediat qeveritare e kanë neglizhuar duke e konsideruar dobësi, por faktet dhe lëvizjet tregojnë qartë se kryeministri nuk mund të mbingarkojë veten me axhendat e tij. Vajtja e Bashës dhe Topallit në zyrë një ditë më pas tregon se ai u ka dhënë këshilla konkrete e të prera për të ardhmen politike. Kurse dalja sot vetëm për një kohë 10 herë më të shkurtër nga çfarë dilte zakonisht në media gjatë mbledhjes së qeverisë, tregon se shëndeti i tij nuk është i prekur nga një dobësi apo virozë.
Ama-News