Kryeministri nuk ka çfarë të ofrojë veç përçarjes së kundërshtarëve

0
79


Nga Mero Baze

Nxitimi i kryeministrit Berisha për të provokuar një debat mbi shkëmbim pushtetesh me opozitën, ndërkohë që procesi zgjedhor në Tiranë ka ngelur përfundimisht në klasë qeverinë shqiptare, duhet parë si një sinjal për taktikat e reja që Berisha po mendon për të dalë nga izolimi ndërkombëtar. Zgjedhjet në Tiranë varrosën shpresat për një standard zgjedhjesh të lira dhe të ndershme, dhe po t’i shtosh kësaj goditje humbjen e tij plebishitare në gjithë vendin dhe refuzimin arrogant që po i bën Perëndimi, duhet lexuar me kujdes përpjekja e tij për tu ringritur.

Në taktikën e tij politike prioritet mbetet përçarja e kundërshtarëve të tij, dhe meqë tani ata janë shtuar shumë, ai kërkon të neutralizojë së paku dikë prej tyre. Realisht ai ka tani dy kundërshtarë të qartë, opozitën shqiptare dhe Bashkimin Evropian. Pëshpërimat e tij për oferta që opozita të marrë institucionet konsensuale, apo të propozojë ndryshime në Kod, janë përpjekje tipike për ta zhvendosur debatin nga humbja e tij shumëfishe, si elektorale ashtu dhe politike e diplomatike, tek kthimi i tij në faktor paqeje që ofron pushtet nga pushteti i tij i vjedhur.

Pra, nga një njeri në pikë të hallit, nga një humbës dhe politikan i izoluar, ai po përpiqet të shfaqet si bamirës pushteti, që lëshon pesha të tepërta që ka marrë gjatë rrugës. Edhe loja e tij me postin e mundshëm të presidentit është po në këtë logjikë. Gjithçka është ashtu siç e tha dhe siç e kanë komentuar dhe dy gazetat e afërta të tij, Panorama dhe Mapo, dhe se përgënjeshtrimi është ashtu siç ai i bën këto punë për ta thënë dhe mos ta thënë një gjë konkretisht.

Shqetësimi i tij serioz është se Bashkimi Evropian, por dhe shumë opinionbërës në Bruksel mendojnë se Shqipëria duhet të shkojë në zgjedhje parlamentare para Majit të vitit 2012 dhe deri atëherë të shkohet me një qeveri konsensuale për të kryer reformat që i duhen Shqipërisë për BE. Një artikull i tillë u botua si editorial në New York Times tri muaj më parë nga një prej njohësve më të mirë të problemit të Shqipërisë. Berisha po përpiqet ta thjeshtëzojë këtë objektiv të Perëndimit duke nxjerrë tezën e dhurimit të presidentit për të mos dorëzuar pushtetin e tij. E gjitha është thjesht një gënjeshtër dhe një taktikë e vjetër e tij.

Në këtë pikë zbulohet dhe mentaliteti i tij paternalist mbi institucionet. Ai i konsideron ato si pronë të atij që i zgjedh dhe jo si institucione që funksionojnë sipas ligjit.

Shqipëria ka nevojë për një president që të kryejë detyrimet e tij kushtetuese dhe të jetë balancë për institucionet e kapura nga pushteti në këtë vend. Berisha ka koncept krejt tjetër për të. Ai mendon se duke emëruar një president, ka deleguar pushtetin e tij dhe në presidencë dhe pikërisht pse ka këtë koncept mendon se duke ja ofruar opozitës propozimin, është duke i bërë asaj ndonjë nder. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për Avokatin e Popullit apo kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilëve po u mbaron mandati.

Por mbi të gjitha Berisha ka probleme me mosplotësimin e asnjë rekomandimi të BE për të marrë dikur ftesën për vend kandidat për anëtar në BE, ftesë për të cilën në Prill të vitit 2009 ai vrapoi pa leje të Brukselit në Pragë për t’ia kërkuar atë presidencës çeke, ndërkohë që kishte marrë miratimin e kryeministrit grek Karamanlis pasi i kishte falur ujërat shqiptare dhe mbështetjen e presidentit francez pasi i kishte premtuar se do t’i blinte 70 milion euro helikopterë. Me paret tona dhe pasuritë tona kombëtare ai donte të bënte një truk për të na mbushur mendjen se po na fuste në Evropë, por tani që duhet të plotësojë kushtet, ai po bën gjithçka për ta kthyer mbrapsht edhe pse ujërat na i shiti dhe paret e helikopterëve ja dha atij që ja premtoi.

Debati që po provokon Berisha është thjesht një shpresë për të ngjallur zëra pro tij brenda opozitës, ndonjë që i janë premtuar poste konsensuale në emër të opozitës. Ai po ashtu do të përçajë Perëndimin për t’i thënë dikujt prej aleatëve të vet se është duke bërë lëshime për opozitën. Në të vërtetë ai nuk ka asgjë në dorë veçse të lëshojë pushtetin që ka dhe të bashkëpunojë me opozitën për një qeveri reformash dhe zgjedhje të parakohshme. Ai as presidentin e Republikës nuk e zgjedh dot. Edhe pse votimi parasheh që ai në votimin e fundit zgjidhet me 71 vota, nëse kemi parasysh precedentin Pacolli në Kosovë, në dy votimet e para duhet një kuorum prej 84 votash dhe ai s’do të ketë asnjë shans të ketë votat e opozitës për atë operacion.

Ai po ashtu nuk do të ketë asnjë shans të ketë vëmendjen e opozitës për ta zhvendosur debatin nga votat e vjedhura tek institucionet e vjedhura. Ai nuk mund të gënjejë shqiptarët duke forcuar një pushtet që nuk e ka. Ai duhet të dorëzojë pushtetin që ka si jolegjitim. Për këtë e gjithë loja e luftës së tij me medien e vet, apo pëshpërimat për kompromise, tregojnë thjesht që ai është në një hall të madh, por jo në një reflektim të madh. Është duke menduar një gënjeshtër të re, që nuk ka nerva t’ia dëgjojë askush.