Kryeministri nuk është ngushtë për para të vogla, ka tri rroga

0
44

Shkruan: Sadri Morina

Letër e hapur vetes…!

400 mijë lëndë presin drejtësinë nëpër gjykata

Dinozaurët u zhdukën, sepse kullotën krejt çka panë e patën përreth. Kur nuk u mbeti çka të kullosin, filluan të hanë shoqishoqin. I fundit që mbeti plasi! Nuk pati kënd ta kafshojë e çka të hajë!

I dashuri unë,

Duke të parë se je në fillim të mbarimit të moshës së tretë e se po trajtohesh e tretesh çdo ditë keq e më keq-pa pikë qejfi, qe besa, mora te të shkruaj e të llafos me Ty… Jo si burrat që bëjnë muhabet për shtatë palë qejfe, por si skelet që je bërë për ibret, i zhveshur me nga krejt – ç’ke e ç’ke pasur!? Më beso për çdo mbrëmje, kur është koha e bartjes së bërllokut me kamion , dal për të parë se kur do të bartin në plehnajë për të kallë e bërë tymnajë! Nuk përqurrem as qaj as qes lot! Sepse, nuk je i vetmi! Bile nuk je veç i 1 mijë-ti, por sagllam i mbi 100 mijë-ti, e besa edhe 1 milionë-ti…

Me sa mund e shkollë, me sa përvojë jete e i flaktë për të mësuar e i gatshëm për të vepruar gjithherë për atdhe e Shqipëritë, sikur sugjeron poeti Ali Podrimja për vendet e banuara me shqiptarë. Ama u përvëlove e u dogje keq, pikërisht, në daç me thonjëza në daç pa to, nga patriotët e pasçlirimit, te cilët të rropën e vodhën, të shanë e të vranë e të bënë budalla në ditën për diell, duke të lënë me 140 euro pension në muaj, i dashuri unë, Ti që je i më shumë se 170 mijë pensionistë i Kosovës. Jo të gjithë e kanë 140 euro pensionin.

Për dijeni Tënde, 140 euro janë sa një heqje qimesh vegësh e në mes vegësh, të dashnoreve e grave të tyre

Janë më pak se një mëditje me dalë përtej Prizrenit. Për shembull në Kukës. E, më pak se 1 shishe verë e një ministri. Një hedhje në gjinjtë e Kallashit. Një bakshish krejt i vogël për avokatin, që do ia jep gjykatësit e prokurorit e policit për të falë e humbur gjurmë e udhë keqbërësve, kriminelëve. Pastaj, pazari me këta të fundit nuk është vetëm kaq, por shumëfish më i trashë. Është më pak se sabahllëku i secilit do qoftë pushtetarë e qeveritarë e kuvendarë. 140 euro janë hyrjet e daljet, shëtitjet e xhezdisjet e tyre në secilin lokal e vend e në secilën kohë.

Dhe, mbi të gjitha, po bash këtyre komandantëve e prijësve, politikanëve e biznesmenëve, kurvarëve e prostitutave e kurrëkushët, në mos të gjithë- sa kush e kush syretat e surratet e tyre i mbajnë në shtëpi, kulet e gji e iu këndojnë me lahutë e çifteli… Kur jemi te fotot, i dashuri unë, e di ç’të tha Xhavit Husaj, kolegu nga TVP ?-Nuk ta dërgoj as ta jap për ta parë foton e para 40 e sa vitesh si profesor që ishe në Klinë. Sepse, shtoi ai, vrap e vrap do të shkoje në banjë e do të bëje të zezën ditë…

Ti, pastaj, i dashuri unë, i përmalluar nga fotoja që s’e pe, erdhe në banesë, e pe në sa foto veten e asaj gati gjysmë shekulli më parë dhe kësaj shëmtie të sotme? I hodhe të gjitha, duke thënë se: “Ç’duan këta njerëz në konakun e albumit e tim “? Dhe, nuk është krejt kjo: Mban mend? Identifikohet polici dhe pasi kërkon leje, hynë në banesë. Ulet. Përball ka tituj librash. Janë tuajat? Po, i thua! Nuk je ai për çka akuzohesh nga fqinji, pohoi. Nuk e priti kafenë. Ngrihet në këmbë. Me lutje prifti, kërkon falje dhe del. Sa pate qenë mrekulluar nga ai gjest prej intelektualit të policit për Librin. Leximin. Sepse, e di- ke lexuar libra sa barra e një gomari. Edhe një barrë gomari presin e mbesin për t’i shfletuar e lexuar me nge.

Por, në botën e amshueshme, ti gomari tjetër, i dashuri unë. Dhe, që pse je gomar? Shumë besove në Zot. Jo nga frika pse do të te përvëlojë e djeg në zjarrin e xhehenemit. As pse do të shpërblente me xhenet për të bërë qejf me pehria e hyria. E doje Zotin që kur e kur qiell e tokë krijoi, pse ishte sinonim, emblemë e së mirës. Kaq! I dëshpëruar, ndërkohë, fillove të besoje në Zotin Tënd. Në gjithësi. Univers. Kozmos. Je i 17-ti për qind në botë që beson në Zotin e tij. Beson në Zot sikur i verbëri që beson në diell, jo pse e sheh, por e ndien. Nuk besoj që ka fe tjetër në botë te të jetë më me shumë besimtarë ? Pasha Zotin Tënd, besove shumë, njësoj e njëkohësisht, edhe në popull.

Jo pse do t’i ofronte e mundësonte të gjitha të mirat e dynjasë. As pse do t’i humbte e mungonte ato. Të mirat e dynjasë. E doje popullin Tënd, sepse Ti ishe i tij e ai yti, duke qenë fort i vetëdijshëm për shumë e shumë të këqijat e të mbrapshtat e tij e të Tuat. Sigurisht. I dëshpëruar, për të satën herë u binde se Populli është Grigjë. Tufë. Dele. Mësuesi e pyet nxënësin: Janë 50 dele. Njëra, e para nga ato, kërcen në lumë. Edhe sa dele mbesin në breg të lumit ? Edhe 49, përgjigjet nxënësi. Jo, thotë mësuesi. Kur një dele kërcen në lum, asnjë nuk mbetet në breg. Sepse, si dele që janë, vrapojnë njëra pas tjetrës dhe të gjitha mbyten. Populli, përmes votës së tij , kandidoi e emëroi Kriminelë. Flliqana. Halabakë. Hajdutë. Plaçkitës. Ta fyen inteligjencën. Librat! Librat e lexuara!? Merr vesh? Nga paslufta janë 3.300 vetëvrasje dhe tentim vetëvrasje.

Në komunikacion rrugor janë vdekur mbi 1.500 persona, me 15 mijë të lënduar në 20 mijë aksidente. Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2012 kanë ndodhur 10 vrasje. Pastaj, 15 për qind të banorëve, mezi e sigurojnë bukën e gojës. Janë mbi 80 mijë analfabetë funksional, të cilët dinë shkrim-lexim, por nuk e kuptojnë atë që shkruajnë e lexojnë vetë e të tjerët. Si të tillë, nuk mund të marrin pjesë e të kyçen në aktivitetet e jetës. Ndërkaq, janë edhe më shumë se 80 mijë të tillë analfabetë funksionalë, por që dinë shkrim e lexim dhe, në dallim nga të parët, këta marrin pjesë dhe janë të kyçur fort e mirë e për lezet në aktivitetet e jetës e punës. Edhe me të parët, edhe me të dytët jemi të parët në Evropë. Njësoj, sikur jemi edhe me rrumbullakë 55 mijë të tjerë kosovarë që janë tamam analfabetë me tapi, të cilët nuk dinë shkrim-lexim!

Janë mijëra kriminelë e keqbërës

400 mijë lëndë presin drejtësinë nëpër gjykata. Sipas regjistrimit të fundit, Kosova doli që ka 1 milionë e 733.872 banorë. Sipas regjistrimit, prandaj, më pak se një e treta e banorëve, del se kërkon drejtësi ? Por, ju garantoj se secila lëndë ka më se dy vetë të përfshirë apo të kyçur. Kjo do me thënë se gati gjysma e popullit ndodhet në gjykatë. Po nëse janë tre të paditur ose kërkojnë drejtësi, që është shumë afër mendsh, si po na del hesapi ? Kryeministri i vendit, shtoi këto ditë, se nuk është ngushtë për para të vogla. Kam tri rroga, tha. Unë do të thosha tri burime parash.

Një biznesmen thotë se 50 herë i numëron 50 euro që kanë për t’u dorëzuar 50 metra larg. Në këto 50 metra ecje deri në bankë ose postë, s’ka çare pa të mbetur ndonjë euro në xhep, ani pse të numëruara 50 herë! Pale pastaj sa të mbesin nga burimi i tri të ardhurave. Një si kryeministër, tjetrën si akademik e tjetrën si profesor. Të tillë me tri e katër, bile njëri edhe me pesë pozita, i zënë vendet e punës 900 vetëve tjerë, shënuan mediet. Po të hapeshin vetëm 9 vende pune kudo në Kosovë, e dini se çfarë sevapi do të bëhej?

Po akademikët ç’bëjnë e si janë?

Asnjë nuk bën zë. Por, ju garantoj se janë të zhurmshëm me shami e pelena. Një për hundë e tjetrën për t’ua mbajtur shurrën. Po letrarët ? Sa e kush mori para për botimin e veprave krejt pa vlerë letrare e artistike, vetëm pse ishin e janë lakej e puthadorë e përulës të qeveritarëve. Po gazetarët, kolegët e mi të pendës, që si pendël që janë, si sillen para shefave e shefave të tyre, të cilët haberin nuk ia kanë gazetarisë as shkrimit? Po profesorët me diploma magjistrature e doktorate false? Ose të pranuara e të nostrifikuara, por vetëm si letër! E, po sa kush e kush tjetër ? E tjetër? Dinozaurët u zhdukën, sepse kullotën krejt çka panë e patën përreth. Kur nuk iu mbeti çka të kullosin, filluan të hanë shoqi-shoqin. I fundit që mbeti, plasi!. Nuk pati kënd ta kafshojë e çka të hajë.