Kryeministri nuk e lufton dot korrupsionin

0
56


Nga Kico Blushi, 18.10.2010

Nisur nga mësim-pësimet me ngjitje-ngritje, nga përvoja e gjatë vetjake e një drejtuesi të rrahur me vaj e me uthull të stërvitur nëpër kurthe, kulisa, pabesira e pusira, i aftë për të mos njohur sentimentalizmin kur duhen sakrifikuar edhe bashkëpunëtorët më të afërt për hir të sigurisë në pushtet, logjika më elementare e lyp që i plotfuqishmi Berisha, në këtë përbaltje masive, duke qenë përgjegjësi kryesor, duhej të ish më i interesuari për të dhënë shembuj të luftës pa kompromis kundër korrupsionit… Kjo “betejë e jetës sime”, si e ka quajtur vetë, nuk mund të justifikohet me ca lepuj të vegjël, me do mjekë, me policë burgjesh a rrugësh e mësues të rangut të tretë, që e shumta marrin ca euro bakshish, por duke “therur” publikisht të paktën një nga lepujt e mëdhenj të qeverisë, ministër a deputet, këshilltar a familjar.

Natyrisht, këtë “operacion në zemër” Doktori nuk ka pse e bën për t’i bërë qejfin opozitës, as ndërkombëtarëve, të cilët nuk rreshtin së kërkuari shembuj të tillë pastërtie, duke na dërguar çdo muaj emisarë, komisionerë dhe ultimatume, ku si kusht parësor për integrimin vihet antikorrupsioni, por më së paku për të dëshmuar me prova konkrete se ai vetë është i pastër, i drejtë, i pakorruptuar, i palëkundur për instalimin e shtetit të së Drejtës.

Sigurisht nuk është vetëm Gërdeci, as vetëm rruga e Kombit, as koncesionet e hidrocentraleve, as lidhjet e kunetërve apo lepujve me mafien rajonale ose atë të ndërtimit, që presin një përgjigje e ndarje të prerë nga kryeministri. Në këtë klimë kur nuk mund të besohet se dikush ka mbetur i papërlyer, antikorrupsioni ngjan si një lodër, demagogji, gënjeshtër e radhës, një manovër e padobishme që nuk vlen për mashtrim të mëtutejmë të elektoratit nga të dy palët: pozitë-opozitë.

Para zgjedhjeve, para popullit, para premtimeve se do të bënte namin kur të vinte në pushtet, para militantëve, madje edhe para historisë, me të paktën një të tillë shembull ndëshkimi, kryeministri do të kish provuar qysh në mandatin e parë se ka qenë e ka mbetur politikani më i ndershëm e i përkorë i “duarve të pastra”. Kësisoj do të lante sadopak fytyrën nga akuzat për lloj-lloj aferash e privatizimesh të dyshimta, të cilat derimë sot kanë mbetur pa “u zbardhur” si nga ai, ashtu edhe nga organet me-lepur-në-bark të Drejtësisë.

Por, Berisha nuk bën dot një kurban të tillë jo vetëm ndaj të afërmve të tij, por as mes ministrave dhe deputetëve. Jo se nuk do, jo se nuk e kupton që kjo do të ishte më e mira dhe e vetmja zgjidhje politike në këtë përbaltje të tejembantë me korrupsion, por për imazhin e tij ky do të ishte një veprim i mençur dhe i dobishëm për rritjen e besimit, për pastrimin e sadopaktë moral të atij vetë e, si rrjedhim, edhe të politikës e shoqërisë… Kryeministri nuk bën dot një harakiri të tillë, apo, si thuhej dikur nga rivalët e tij, një katarsis. Nuk mundet për shkak të numrave të kufizuar e kërcënues të deputetëve, pasi “qeveria ime” do të binte automatikisht dhe ai mund të dilte në pension të parakohshëm…

I zhveshur nga pushteti, “lavdia” e sotme do të kthehej në të kundërt; ai do të përfundonte, si pararendësit, i pambrojtur dhe më i përfoluri për keq. Nëse do të lëshonte Priftin, Mediun, Bregun, Bashën apo Vokshin, për të dhënë një shembull aq të dëshiruar të pastërtisë dhe “tolerancës zero”, Berisha nuk do të mbetej dot kryeministër, qeveria-parti dhe fuqia e tij e pagjykueshme do të shkërbëheshin më lehtë se në 1997-ën, pa nevojën e protestave, grevave të urisë dhe akuzave të përditshme të opozitës e mediave.

Një Berishë i rrëzuar për herë të dytë, edhe pse jo me “rebelim të armatosur”, por kësaj here nga brenda, me mjete demokratike, me humbje të numrave në Kuvend, do të dilte shumë më i dobët, më i flashkët, më pa rrugëdalje se në 1996-7-ën….I hedhur në opozitë për herë të dytë pas rënies së “gurëve të dominosë” (që tash ndodhen në duar të Metës), në një kohë kur “letrat” e privatizim-përvetësimeve ende janë të hapura, Berisha do ta kishte ku e ku më të vështirë për t’u ringritur nga hiri. Më mirë se kushdo këtë rrezik potencial e ndjen ai.

Për shkak të rrethanave, moshës, kohës, vetëkonsumimit, luftës së pashmangshme brenda llojit, do të gjendej ndoshta përfundimisht jashtë loje; dhe vartësit, këshilltarët, militantët, deputetët, besnikët, bashkë me togat e zeza të Drejtësisë e blutë e policisë (të cilat sot për sot rrinë sus para tij) me siguri do të iknin në drejtim të paditur. Shembulli i vetes, kur u detyrua të lëshonte me përdhunë Presidencën, por sidomos i Nanos që u vetëdorëhoq më pas nga partia, mjaftojnë për të kuptuar e mos harruar këtë pësim-mësim-ndëshkim-dënim me “vetmi të madhe” të një kryetari që quhej edhe “historik”, edhe karizmatik…

Në një theqafje të tillë, jo vetëm nga numrat, por edhe në zgjedhjet e pritshme vendore, Berisha do të bëjë të pamundurën e të pabërën të mos ia lejojë vetes rrëzimin për herë të dytë. Sepse në Ballkan një Familje politike e shthurur kësisoj dihet se ku e çon, më të parin, përçorin humbës të kopesë. Ja përse qëndrestarët e korruptuar nuk mund të dënohen, të kritikohen, të hiqen nga postet e nga favoret. Janë këta që e kanë pushtetin real, jo Berisha. Ky varet prej tyre, jo e kundërta.

Historia na mëson se në logjikën e çdo grupimi politiko-mafioz, ndëshkimi jepet vetëm atëherë kur dikush nga brenda tradhton, kur pranon të bëhet “pentito” (i penduar, si p.sh, Mero Baze), kur rrëfehet, kur hap barkun; ndërsa kur qëndron besnik, kapo-kryetari i partisë të mbron dhe, si rezultat, stani me lepuj nuk shthuret….Deputetët dhe ministrat janë të urtë e të bindur se e dinë që për shkakun e mësipërm, si dhe të një maxhorance si rrallëherë të kufizuar në numra, Berisha nuk ka asnjë mundësi të sakrifikojë kërkënd.

Në Murin e tij të Rozafës që quhet qeveri, n’daç parti, asnjë nuk ka për t’u bërë kurban…Ja përse ministrat, deputetët dhe zëdhënësit janë aq të qetë, sfidues, cinikë, hokatarë e të sigurt. Nëse një prift apo një priftëreshë do t’i jepej “falas” Drejtësisë, atëherë humbet kohezioni, shkrihet besimi në grup, shkërmoqet uniteti i çeliktë…Më keq edhe se priftërinjtë e dekonspiruar të korrupsionit, pa postin e kryeministrit, Berisha nesër do të ish më i kërcënuar se koncesionarët apo tenderngrënësit e tij të panginjur. (Pyesni veten: përse Dritan Prifti që u duk sikur do të bënte namin, e ka mbyllur gojën?).

Sepse rregulli i pashkruar është ky: nëse një “lepur” dorëzohet, ai duhet ndëshkuar e rrjepur së gjalli para se ta marrë Drejtësia…Por nëse partia (kupto: kryetari) të hedh si mish për top te Drejtësia dhe te dhembët e opozitës, atëherë përfundimisht je i humbur e i pashpëtueshëm. Vetëm ky “moral” ka vlerë e kuptim në qerthullin e politikës së sotme! Sepse, kur ndodh katrahura, pra, nëse fillon e prishet stani me lepuj, askush nga ushtarët dhe kapterët e parti-qeverisë nuk jep siguri e garanci se nesër, për të mbrojtur veten, nga goja e kushedi sa “pentitove” do të dalin të tjera dëshmi rrënqethëse të vjedhjeve, abuzimeve e grabitjeve…

Kushedi sa zyrtarë të lartë, të lebetitur nga frika e paniku do të dorëzohen pa kushte, duke ia hedhur gjithë fajin shefit të madh….Kjo është logjika e çdo organizimi mafioz: oborrtarët duhet të pranojnë të varrosen bashkë me “faraonin”, ndaj në gjallje “faraoni” është i detyruar të ndëshkojë pa mëshirë ata që dalin kundër, ata që kapërcejnë gardhin e guxojnë të hapin gojën. Tjetër rrugëdalje nuk ka…! Pluralizmi shqiptar këtë “përvojë” e ka përkthyer si një rregull të pashkruar të demokracisë: nuk ndëshkohet ai që vjedh, por ai që tregon kush vjedh.

Ka shumë emra e shembuj në këto 20 vjet që provojnë se nga të gjithë politikanët e lartë, Berisha është i vetmi që pa frikë e pa drojë ka marrë në mbrojtje të gjithë “besnikët” me dosje të vjetra apo të reja, mjaft që të kenë dhënë prova se nuk e kanë lënë në baltë, se nuk kanë pranuar të rrëfehen për mëkatet dhe gjynahet, edhe kur janë vënë para bankës së akuzës… (Kujtoni psh të arrestuarit e 14 shtatorit). Kjo veti atij i quhet “meritë”, aftësi, zotësi, talent në politikëbërje… Këtu qëndron, sipas të afërmve, çelësi i suksesit dhe i jetëgjatësisë së tij në politikë. “Berisha të mban, nuk të lëshon!”… Kjo do të thotë që dosjet nuk do të hapen për “qëndrestarët” që kanë bërë vjedhje e privatizime disa milionëshe, por edhe për ata që kanë kryer krime monstruoze me anë të SHIK-ut famëkeq…

Të gjithë këta nuk janë lejuar të ndëshkohen as nga opinioni publik, as nga Drejtësia; në të kundërt janë graduar e riemëruar qëllimisht pas 2005-ës për të dhënë shembullin e shëlbimit. Emrat e “qëndrestarëve” të shpërblyer me prona, poste e grada të pamerituara janë propaganda më efektive për rekrutimin e mercenarëve të rinj. Këta shërbejnë si autoshkollë për prijësin, si amalgamë për të vënë rregull e për të mbajtur gjallë besimin, për të ushtruar disiplinë në rreshtim e në bindje pa kushte. Mercenarizmi, ky zanat i lashtë i yni, ka gjetur, më në fund, ustain e vet më të përkryer.

* * *

Mund të duket e çuditshme, por Berisha nuk bën dot kurban as ndonjë lepur të korrupsionit nga opozita, pasi edhe këtë kartë e ka djegur me F.Nanon vite më parë, kur e arrestoi politikisht. Ndaj ai është i destinuar të vuajë frikën mos akuzohet se po burgos sërish opozitën, njëlloj si bëri kur ishte President. I kapur dhe i mbetur peng te demagogjia e vet, pa e kuptuar, tash gjendet në kurth e në çark të akuzave pa bazë, pa masë e pa moral që pat ngritur kundër gjithë atyre që i pat cilësuar kundërshtarë politikë.

Në këtë kuptim ai është viktima numër 1 e gabimeve, e ngutjeve, e tahmasë, e ambicies së pafre, e mendësisë bajraktaro-komuniste, e padurimit dhe e shpifjeve që tekefundit burimin e kanë te politika drumepre, e cila më shumë prish e shkatërron, se ndërton. Fakti që dhjetëra nga ish-‘kryemafiozët’, ish-‘kapobandat’, ish-‘kriminelët’, ish-‘kryehajdutët’ me çizme të pozitës së djeshme, të cilësuar të tillë para se të bëhej Kryeministër e që sot nuk i përmend më (madje shumë syresh i ka miq e këshilltarë), provon jo vetëm pafuqinë, por edhe pengmarrjen e tij.

Në këto kushte Berishës nuk i mbetet asnjë mjet politik, vetëm të bëjë gam-gam e ham-ham kundër korrupsionit e trafiqeve nëpër sheshet e katundeve, para kamerave, madje edhe para ndërkombëtarëve, duke e lënë korrupsionin të pandëshkuar, një zot fuqiplotë e të paprekshëm, – administratorin suprem e të vetëm të politikës shqiptare të 20 përqindëshit. Kjo tregon se duart e zëna në kurthin e demagogjisë e në çarkun e gënjeshtrës nuk mund të jenë të pastra; ato nuk lajnë dot njëra-tjetrën, as fytyrën, as teshat, as emrin, as ndërresat, as lëveret, as të kaluarën, as shtëpinë, as të ardhmen, as familjarët, as trashëgimtarët….Dhe, vetëkuptohet, aq më pak kundërshtarët! Ja përse mjedisi ynë sa vjen e po bëhet më i ndotur!