Kryeministri, në luftë me të vërtetën

0
45

Mero Baze

Nga Mero Baze, “Faktori Plus

Për të disatën herë rresht kryeministri Berisha po vë në qendër të sulmeve të tij ekspertë të pavarur apo zëra autoritarë të shoqërisë që kanë bërë paralajmërime serioze dhe të verifikueshme për situatën në Shqipëri, duke zhvlerësuar propagandën e qeverisë dhe duke qenë në anën e qytetarëve shqiptarë.

Të gjithë e mbajnë mend se në fillim të këtij viti, kryeministri Berisha sulmoi me egërsi dhe mungesë të thellë etike, dy inxhinierë të shquar shqiptarë që kanë ndërtuar digat mbi Drin dhe tunelet e shkarkimit, Inxhinierin e njohur Farudin Hoxha dhe Inxhinier Dhimitër Cico, vetëm pse këta të dy folën në kohë për rrezikun që i kanosej Shkodrës nga mos menaxhimi i duhur i kaskadës së Drinit. Madje zoti Hoxha ishte shumë neutral në paraqitjen e tij publike. Ai vetëm i kërkoi politikës t’i qëndrojë larg menaxhimit të kaskadës.

Kaq mjaftoi që Berisha t’i quante ata delirantë dhe sharlatanë. E njëjta situatë ndodhi dhe me kolonelin në lirim Myslym Pashaj, i cili paralajmëroi për gafat e qeverisë shqiptare në faljen e një territori të konsiderueshëm ujor shtetit grek. Berisha, i cili e firmosi atë marrëveshje në ditët e para të fushatës elektorale kur i duhej mbështetja e qeverisë greke, reagoi si një njeri jashtë kontrollit ndaj Kolonelit, me epitete të padëgjuara, sikur të kishte bërë një krim kundër shtetit shqiptar.

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Kolonelit, por Berisha nuk kërkoi ndjesë. Një befasi tjetër në gjuhën e Berishës ka qenë sulmi ndaj producentes dhe shkrimtares së njohur shqiptare Elivra Dones, e cila në një artikull në gazetën “La Republica” polemizoi me kryeministrin italian Silvio Berluskoni për fyerjet që ai u bëri vajzave shqiptare të trafikuara në Itali gjatë një konference shtypi poshtëruese me kryeministrin e Shqipërisë në krah.

Zoti Berisha, jo vetëm nuk kërkoi falje për pafuqinë e tij për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve shqiptare, por sapo u kthye në Tiranë sulmoi me një egërsi primitive zonjën Dones, duke trilluar dhe histori të jetës së saj private. Dje kryeministri Berisha përsëriti ritualin e tij. I gjendur në krizë besimi për shkak të parametrave të këqij ekonomik të vendit të vet, ai sulmoi ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore, Shkëlqim Cani, i cili ka parashikuar një vit më parë pikërisht këtë fenomen që po ndodh sot me ekonominë shqiptare.

Duke thelluar deficitin e brendshëm dhe duke qenë ne krizë për valutë, kryeministri Berisha po përpiqet të ngrejë besimin e investitorëve të huaj, duke dhënë shifra të gënjeshtërta për ekonominë shqiptare. Me shpresë se dikush do të blejë një borxh prej 400 milionë eurosh, që ai ka nxjerrë në tregun ndërkombëtar, Berisha po përpiqet të sulmojë dhe ti mbyllë gojën çdo eksperti të besueshëm që flet për gjendjen realiste të ekonomisë shqiptare. I vendosur që ta ndajë shoqërinë në njerëz pro tij ose kundër tij, ai është kthyer në një luftëtar të pamoralshëm të zërave të pavarur, dhe kritik, të cilët nëse nuk janë në një gjatësi vale me të, përpiqet t’i diskreditojë publikisht apo t’i pozicionojë si kundërshtar të vet.

Sikundër e thamë muajt e fundit të tij janë të mbushur më shumë me sulme ndaj eksperteve të pavarur dhe medies kritike, se sa me sulme kundër opozitës së tij politike. Atë e shqetëson çdo e vërtetë që besohet dhe pikërisht për këtë shkak gjithë energjitë e tij po shkojnë për të luftuar të vërtetën dhe jo për ta ndryshuar vendin drejt zhvillimit të vërtet.