Kryeministri mesianik dhe Presidenti pa popull

0
55

Gëzim Basha, 04.04.2011

Bashkëpunimi i Kryeministrit Thaçi me kryetarin e AKR-së, ish-biznesmenin Behgjet Pacolli, u komentua gjerësisht si një Political Marriage ose më troç, si një martesë politike. Fryti i këtij bashkëpunimi e la Thaçin në karrigen e Kryeministrit, ndërkohë që kryetari i partisë parlamentare më pak të votuar u bë President. Ngutja për formalizimin e kësaj lidhjeje solli për pasojë dy probleme të mëdha për Kosovën; së pari, cenim të kushtetutshmërisë në procedurën e zgjedhjes së Presidentit, dhe së dyti dëmtim të rëndë të frymës konsensuale brenda spektrit politik shqiptar.

Nëse për pasojën e parë u prit vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për pasojën e dytë (që është po aq serioze) u vu alarmi qysh të nesërmen. Aq të befasuar dukeshin analistët e huaj nga vendosja në kreun e shtetit të ri e një politikani me përkrahje elektorale minimale saqë një e përditshme gjermane në editorialin e saj do ta quante Pacollin, “Presidenti pa popull”.

Në republikat parlamentare, Presidenti zgjidhet me konsensus dhe për këtë kërkohet një personalitet me aktivitet politik apo publik relativisht të gjatë në mënyrë që e kaluara e tij të jetë një lloj garancie për rolin e tij si faktor bashkues. Në republikat parlamentare preferohen kryesisht politikanë që janë në fund të karrierës së tyre politike, figura me apel popullor që bien në konsensus midis palëve. Pacolli, ndonëse biznesmen me një histori të gjatë suksesi, politikisht është ende në fillim të karrierës, ende i paprovuar e për pasojë, është e pamundur të bëhet, momentalisht, personalitet unifikues. Veç kësaj disa të vërteta të tjera si: jeta për disa dekada larg Kosovës apo kapitulli moskovit i suksesit nuk është se kanë kaluar pa hedhur një hije skepticizmi mbi të.

Një prirje orientale për t’u dukur çka u manifestua në ndërtimin prej tij të një rezidence prej 25 milionë eurosh dhe ekspozimin e saj në TV-të e vendit më të varfër të Europës, aty ku GDP për frymë mezi arrin 2000 eurot, apo disa detaje të tjera si numri i shërbëtorëve etj., e kanë të huajzuar edhe më Pacollin. Pakujdesia e tij në public relation si dhe paaftësia për të artikuluar qartë një numër prioritetesh kanë çuar në një perceptim të përgjithshëm sipas të cilit presidenca e Kosovës është vetëm një trofe më shumë që Pacolli u shton sukseseve individuale. Behgjet Pacolli mund t’i shërbente më mirë Kosovës nëse i bashkohej kabinetit qeveritar me një portofol që do të kishte të bënte me zhvillimin ekonomik të vendit e nëse do të kishte sukses (ky do të ishte suksesi i tij i parë në Kosovë) ambicia për Presidencën do të dukej normale.

Nga ana tjetër, Kryeministri Thaçi duket se e ka marrë këtë mandat të dytë si një lloj carta blanche për të vendosur i vetëm. Seanca parlamentare e zgjedhjes së Pacollit President tregoi haptas se ai di ta përdorë mirë diktatin personal në salla të mbyllura. Pakënaqësia e dukshme e Kryetarit të Parlamentit, Krasniqi, dhe indiferenca e Thaçit ndaj tij dhe të tjerëve janë heshtje që flet…

12 vjet me parë, Bob Dole, ish-lider i shumicës republikane në Senat dhe ish-kandidat për President i Shteteve të Bashkuara, i lodhur nga pritja disaditore e Hashim Thaçit, do të çonte duart lart në dëshpërim duke thënë; who is this invisible man?! (kush është ky njeri i padukshëm?!) Ndonëse me një luzmë pikëpyetjesh në mendje, shumë shqiptarë e mirëkuptuan mosnxitimin e atëhershëm të Thaçit për të firmosur marrëveshjen e Rambujesë. E mirëkuptuan, sepse siç u tha atëherë, Thaçi kishte shkuar në terren për të marrë pëlqimin e ushtarakëve të UÇK-së, duke treguar se lideri i ardhshëm ishte i prirur për konsensus, gjë e rrallë për udhëheqësit tradicionalë shqiptarë.

Si sot e kujtoj ditën kur ish-senatori Dole, sillej nëpër ambientet e një hoteli të Shkupit me një zhgënjim të lexueshëm në fytyrë ngaqë shqiptarët, kauzën e të cilëve ai e kishte mbrojtur gjatë, nuk po nxitonin t’u jepnin mundësi SHBA-së dhe NATO-s të ndërhynin ushtarakisht në emër të tyre. Ishte dërguar aty në një mision diplomatik prej Presidentit Klinton si njeriu ndoshta më me ndikim mbi shqiptarët, por në vend që të ushtronte ndikimin e vet i duhej të shtynte orët brenda mureve të një hoteli me shkëlqim të zbehur ku si mobiliet dhe pajisjet (përjashto përgjuesit e padukshëm) me gjasë, ishin instaluar kohë përpara se të fillonte rrënimi i Jugosllavisë.

Senatori Dole, një figurë ikonike e politikës amerikane të gjysmës së dytë të shek 20-të, mund të mos ketë parë te mungesa e Thaçit atë që pamë ne; prirjen për konsensus. Senatori Dole mund të ketë parë te Thaçi atë që ne nuk e pamë dot, liderin që kujton se bota sillet rreth tij, liderin që nuk është i zoti të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur, liderin oportunist që nuk rrezikon asgjë të vetën, liderin që llogarit vetëm për vete. Ne, publikut shqiptar, na u deshën 12 vjet ta zbulonim këtë anë të personalitetit politik të Thaçit.

Who is this invisible man ?…

Pyetja e senatorit Dole 12 vjet më parë, në ditët e para të Marsit ’99, ishte më shumë një pyetje retorike, një nga ato pyetjet që nuk kanë nevojë për përgjigje, ngaqë përgjigjja është aq e qartë saqë nuk ka nevojë të shqiptohet. 12 vjet më vonë të gjithë e kuptuan se Kryeministri Thaçi është vërtet i padukshëm, vërtet një invisible man, në sensin politik të fjalës. Individualisht ai duket i gatshëm për të bërë pazar me këdo që i mundëson qëndrimin në pushtet. Pragmatizmi i tij manifestohet hapur në koalicionet me minoranca etnike që hyjnë në Parlament si kapriçio numerike e pakos së Ahtisarit dhe jo si realitet politik në terren.

Ai me mungesën e aftësisë për të bashkëpunuar me partitë e tjera kryesore u tregua pa pikë ndjeshmërie ndaj mbajtjes në këmbë të konsensusit të gjerë që i duhet Kosovës për të përballuar sfidat e shumta. Më shqetësuese është prirja e tij mesianike për ta konsideruar gjithë ç’është arritur dhe ç’do të arrihet në Kosovë si arritje të tij personale. “Unë, – u përgjigj Kryeministri Thaçi moderatorit të emisionit “Opinion” – e realizova projektin tim politik të çlirimit të Kosovës, tani kam përballë integrimin në strukturat euroatlantike!!!”

Kryeministri mesianik tashmë ia ka mbushur mendjen vetes se me të lidhet çlirimi i Kosovës, në të vërtetë ky çlirim s’paskësh qenë gjë tjetër veçse projekti i tij individual politik!

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me zhvlerësimin e martesës politike të Kryeministrit mesianik dhe Presidentit pa popull, manifestoi rëndësinë jetësore që ka parimi i ndarjes së pushteteve, duke i dhënë secilit hakun. Dueti politik Thaçi – Pacolli, për këtë shkak, mbaroi ende pa filluar mirë, ndërkohë që shpresa për një zgjidhje që do të bashkojë të gjitha palët është ende gjallë