Nga Mero Baze
Qeveria shqiptare po ballafaqohet me pasojat e shkatërrimit të infrastrukturës hidroteknike dhe sistemit të integruar të kanalizimeve që shmangin mbingarkesat hidrike, si këto që janë imponuar nga hapja e portave të digave të disa hidrocentraleve. Ky ballafaqim për fat të keq po nxjerr të humbur vetëm viktimat dhe jo fajtorët. Nga ky ballafaqim sot po e pësojnë qindra familje në zonën e Shkodrës dhe Lezhës, që po jetojnë prej ditësh nën ankthin e shkatërrimit përfundimtar të pasurive të tyre themelore duke jetuar në kushte të mbijetesës së shtëpive të fundosura nën ujë.
Kryeministri, Sali Berisha, i cili ka tri vite që po udhëheq një fushatë licencimi hidrocentralesh rurale, ku shumica janë, ose klientë të vajzës së tij, ose të Genc Rulit, tani po hesht për pasojat që po vijnë nga neglizhimi i mirëmbajtjes së infrastrukturës, që kërkon të kenë në dispozicion gjigantët e energjitikës sonë mbi Drin, të cilët po degradojnë dita-ditës dhe nuk është çudi që sipas disa ekspertëve të na kthehen dhe në fatkeqësi kombëtare.
E vetmja shfaqje publike e kryeministrit ishte për të qeshur dhe për të qarë. Ai u shfaq në zonën e përmbytur të Lezhës dhe fajësoi për përmbytjet “ngrohjen globale”, një shfajësim që na fajëson të gjithëve për nivelin fyes, me të cilin kryeministri tenton të ballafaqohet me të vërtetat e hidhura të qeverisjes së tij.
Unë e di që zoti Berisha nuk është aq injorant sa të besojë atë që s’e beson as një shkollar i fillores, kur flitet për mënyrën se si rritet niveli i ujit vetëm në Lezhë nga ngrohja globale, por kryeministri ynë shpreson të gënjejë qoftë dhe një lezhjan, dhe i duket si punë me leverdi për ta mbyllur ditën e punës. Të njëjtën gjë duket se po bëjnë dhe me fatkeqësinë e banorëve të Shkodrës, ku askush nuk po jep një përgjigje të qartë për të sotmen dhe të ardhmen e atyre banorëve që po jetojnë në makth nga një infrastrukturë e shkatërruar hidroteknike.
Problemi që dua të shtroj është se si t’i qetësojmë realisht këta njerëz, që të jetojnë të qetë aty ku janë dhe jo si t’i gënjejmë sot apo nesër me deklarata qesharake si ajo e ngrohjes globale. Problemi është se një investitor shqiptar nga Lezha apo Shkodra, që ka investuar aty miliona, sot do të dijë, nëse i ka të sigurta ato pasuri apo mund t’i fshijnë ujërat për tri minuta. Sot banorët e atyre zonave duan të dinë, nëse ia vlen të vazhdojnë të mendojnë për të jetuar në ato zona, ku kanë hyrë me leje e pa leje apo të ngrenë plaçkat e të ikin një orë e më parë.
Problemi nuk është se ç’do bëjnë sot dhe nesër nën urdhrat e shefit të Emergjencës Civile. Njeriu më i rëndësishëm i vendit është bërë papritur zoti Ferdinand Olli, një teknicien, i cili përpiqet të bëjë atë punë që i kanë dhënë. Por qytetarët shqiptarë të Shkodrës dhe Lezhës nuk duan të kenë kryeministër të jetës së tyre Ferdinand Ollin, edhe pse ky është më normal se Sali Berisha. Problemi i tyre është si të jetojnë në qetësi dhe të sigurt nën një qeverisje normale, dhe jo nën masat e një emergjence civile. Që qytetarët e këtyre zonave të jetojnë normalisht dhe pa ankth, ata duan të dinë sot planin që u qartëson atyre të ardhmen e jetës në ato zona, të bëra të rrezikshme prej neglizhencës shtetërore. Dhe këtë plan ata s’mund ta mësojnë prej Ferdinand Ollit.
Prej tij mund të mësojnë, kur do vijnë varkat, kur do vijnë helikopterët, kur do vijnë zjarrfikëset, kush do shpëtojë lopët, kush do ruajë bagëtitë dhe gjëra të tilla. Të ardhmen e jetës së tyre ata nuk mund ta kalojnë nën masat e emergjencës apo gjendjes së jashtëzakonshme, që shpall me fjalë dhe s’e bën dot kurrë me vepra Sali Berisha. Ata kanë të drejtë të jetojnë normalisht në këtë vend, dhe kjo e drejtë është një dënim për qeveri joserioze si kjo e jona dhe një kryeministër karagjoz, që mendon se i gënjeu fshatarët duke u thënë se e keqja u ka ardhur nga Zoti, d.m.th., nga ngrohja globale. E drejta e tyre për të kërkuar sot një plan të qeverisë për të ardhmen e sigurisë së tyre dhe sigurisë së investimeve në ato zona, kërkon një qeveri serioze, kërkon një kryeministër serioz dhe mbi të gjitha kërkon një shtet dinjitoz, që merr seriozisht fatin e qytetarëve të vet.
Fatkeqësisht ne jemi të dënuar të shkojmë nga emergjenca në emergjencë, pa arritur të kemi një qeverisje normale. Ndaj sot Ferdinand Olli ngjan më kryeministër se Sali Berisha, edhe pse të dy së bashku nuk po i shpëtojnë dot banorët nga fatkeqësia.