KRYEMINISTRI FSHEH KËRBAÇIN E ZGJAT KULAÇIN

0
41

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Kryeministri Sali Berisha u shfaq përsëri “i butë”, “tolerant” dhe i etur për të bashkëpunuar me opozitën. Gjatë një interviste dhënë në emisionin “Opinion”, Berisha shkoi deri aty sa kreditoi me merita të shquara liderin e opozitës (pikërisht atë që pak orë më parë etiketohej si kreu i mafies së ndërtimit), duke thënë se me Edi Ramën kish “bërë reformat më të thella dhe më të mëdha”.

Po ashtu ai deklaroi se do t’i jepte opozitës “të drejtën të hartojë çdo amendament për zgjedhjet e ardhshme dhe unë ta votoj”, se ishte i gatshëm të ulej në bisedime kokë më kokë me Ramën edhe për të zgjidhur konfliktin për sheshin “Skënderbej”. Befas ruspat e policisë ndërtimore apo darët e dhëmballëve të korrupsionit janë zhdukur në prapaskenë. Çfarë e ka bërë befas Kryeministrin të mbledhë “kthetrat” dhe të shfaqet i butë si një qengj?

* * *

Nuk është e para herë që shqiptarët e shohin Berishën të ndryshojë “marshet”, duke u hedhur nga kërcënimi i opozitës, te dëshira “e zjarrtë” për të bashkëpunuar me të. Si një timonier i sprovuar i politikës, ai i bën zakonisht të tilla kapërcime taktike, vetëm kur ndodhet përpara kthesash të forta, ose gropash që rrezikojnë ta gëlltitin me gjithë makinën e tij politike. Një e tillë gropë ishte edhe ajo e tragjedisë së Gërdecit. Prandaj dhe në atë kohë shqiptarët e panë Berishën të vinte vërdallë i butë, deri në squllje, dhe mjaft “mirëkuptues” me opozitën.

Por sapo rreziku kaloi, shqiptarët panë përsëri Berishën e vërtetë, të egër, intolerant dhe refuzues, me darët e “antikorrupsionit” në nofullat e opozitës dhe me etjen e pa vdirë për kapjen e të gjitha pushteteve dhe institucioneve, deri edhe të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH). Po sot çfarë e bën Berishën të kalojë nga kërbaçi dhe t’i ofrojë opozitës dhe Edi Ramës kulaçin? Dukuria rishfaqet në një moment kur Kryeministri sapo ka dorëzuar përgjigjet voluminoze të pyetësorit për statusin e kandidatit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Berisha duhej të ndihej më i fortë se kurrë nga ky sukses. Atëherë, përse shfaqet tolerant, simptomë kjo vetëm e situatave kur ai është më i dobët?

* * *

Kemi mendimin se gjithçka lidhet me zhvillimet më të fundit dhe me ato që Berisha dëgjoi në Bruksel. Si një lojtar i vjetër, ai e sheh se lojës së shahut politik të nisur që nga 29 qershori po i vjen fundi. Ai arriti të gjejë një alibi kundër transparencës së votave te një vendim i Kolegjit Zgjedhor. Dhe gati e arriti qëllimin, por të gjithë punën ia prishi rezistenca bojkotuese e opozitës dhe protestat e saj masive. Ato e ndërkombëtarizuan një krizë që po fshihej dhe mohohej se ekzistonte.

Berisha shfrytëzoi shumë mirë kërkesën e disa ndërkombëtarëve që opozita të hyjë në Parlament dhe ta zgjidhë atje krizën. Por edhe opozita u kundërpërgjigj me mençuri, duke hyrë në Parlament pikërisht për të zgjidhur krizën veç, jo për t’u bërë garniturë e një pushteti që i trembet transparencës. Dhe tani Berisha i trembet asaj që fshihet pas këmbënguljes së komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, për respektimin edhe të Kushtetutës, të pavarësisë së gjykatave, por edhe të parimit të transparencës të kërkuar me ngulm nga opozita. Kjo e fundit ndodhet në pozita më të favorshme se pozita, sepse është në gjendje të ofrojë për zgjidhjen e krizës një aliazh që respekton të gjitha ezigjencat e komisionerit Fule, një formulë që respekton edhe Kushtetutën, edhe pavarësinë e gjykatave, por edhe transparencën. Opozita është në gjendje t’i thotë sot Berishës:

Nuk do që të hapen kutitë në ato zona për të cilat ka dhënë vendim që të mos hapen Kolegji Zgjedhor? Atëherë le t’i hapim kutitë në disa zona të tjera. Dhe Berisha e të tijtë, mund të gënjejnë një pjesë të opinionit, duke pretenduar se vendimi i Kolegjit Zgjedhor për moshapjen e kutive në tre zona është i vlefshëm për të gjitha zonat. Por një vulgaritet i tillë vështirë “të pijë ujë” në ballafaqimin me një dërgatë tjetër nga Europa, që duket se nuk do të vonojë të mbërrijë për t’i dhënë “dum” krizës së stërgjatë politike. Berisha duket e ndjen se po vjen momenti që edhe të dërguarit e Europës do t’i thonë: Le të respektojmë Kushtetutën, vendimin e Kolegjit Zgjedhor, por edhe transparencën, ndaj le të hapim kutitë në disa zona të tjera.

Dhe Kryeministri do ta kishte të vështirë të argumentonte të kundërtën, pa ngjallur dyshime edhe më të forta për legjitimitetin e pushtetit që drejton, si dhe për sinqeritetin e “respektit” që shfaq ndaj pavarësisë së pushtetit të drejtësisë. Sepse ai që respekton drejtësinë, është edhe me të vërtetën, që është themel i drejtësisë. Dhe kush është me të vërtetën, nuk mund të jetë kurrë kundër transparencës që është thelbësore në daljen e së vërtetës. Në thelb, duke kundërshtuar transparencën në respekt të së drejtës, Berisha po del kundër së drejtës. Kryeministri e ndjen se po zhytet në një rreth vicioz, nga ai cili mund të dalë ose duke lejuar transparencën e votave dhe rrezikuar të diskreditohet, ose duke kaluar në zgjedhje të parakohshme. Në momentin e tanishëm ai nuk do as njërën dhe as tjetrën.

Prandaj shfaqet i butë me opozitën, prandaj i ofron Ramës të ulen e të bëjnë “pazar” për sheshin “Skënderbej”, prandaj edhe e komplimenton ende pa u shuar jehona e sharjeve për të, prandaj i ofron opozitës që ta bëjë “si të dojë” reformën zgjedhore. Të gjitha janë lëshime të përkohshme, kosto të vogla, që Berisha di si t’i ndreqë më vonë. Por puna është si të joshet opozita dhe të largohet nga ajo që e rrezikon seriozisht qeverinë, si të mashtrohet që të braktisë aksionin e saj të vendosur për transparencën e zgjedhjeve. Dhe në momentin kur ose të ketë dështuar, ose të ketë arritur qëllimet e tij, shqiptarët do të shohin përsëri, si shumë herë të tjera në këto 20 vjet, fytyrën e vërtetë të Berishës.