ResPublica.al, 3 shkurt 2012
Kryeministri Berisha është nisur për një tjetër konferencë në Gjermani. Në fakt, kohët e fundit zoti Berisha ka marrë pjesë në aq konferenca e seminare sa ka filluar t’i ngjajë më shumë një akademiku apo përfaqësuesi të shoqërisë civile sesa kryeministrit të një vendi. Është interesant fakti që në faqen e Këshillit të Ministrave lajmi se në konferencë do të marrin pjesë edhe shumë personalitete si Hillary Clinton, Catherine Ashton, Mario Monti, etj, shoqërohet dhe me një njoftim, shumë të varfër në detaje, sipas të cilit gjatë konferencës Kryeministri Berisha do të takohet me personalitete të ndryshme, pjesëmarrës në këtë Konferencë.
Me pak fjalë, nuk duhet të habitet kush nëse të shtunën apo të dielën mediat do të mbushen me imazhe të Kryeministrit Berisha që u zë pritë nëpër korridore dinjitarëve të ndryshëm ose bredh nga njëri cep i sallës në tjetrin, me fotografë a kameramanë me vete, për të fiksuar çastin kur i jep dorën x-it apo përshëndetet me y-in. Por puna është se, nëse përjashtojmë një vizitë në Malin e Zi dhe një tjetër në Izrael, Kryeministri Berisha u bë kohë që as ka bërë ndonjë vizitë zyrtare dhe as i ka ardhur kush për vizitë. Prandaj dhe rreket ta bombardojë opinionin publik me njoftime të cilat në thelb u ngjajnë si dy pika uji atyre historive të tipit “isha ulur në avion afër Julia Roberts…”
M.M.







