Kryeministri dhe interpretimi i ëndrrës së tij

0
202

Myslim Pasha, 05.11.2010

1. Hyrje nga dera e pasme.

Atë çast, kur të hidhet në erë, Piramida, ne duhet ta përfytyrojmë Kryeministrin tonë, se nuk do të jetë në shfaqje, bile as shpërthimin shurdhues të tritolit në rrënjë, nuk do ta dëgjojë. Atë botë, ai ndijon zërin e Tij, atë që i erdhi në ëndërr, që i foli në vesh, për të realizuar qëllimin e mbramë. Ai po hyn, nga një derë e pasme.

…Piramida ka rënë. Në tym askush s’afrohet. I vetmi është Ai vetë, që futet nga një derë e panjohur tuneli, sepse ajo ende ka mbetur e hapur. Ishte, në të vërtetë, një llagëm i thellë e i gjatë që lidh Kryeministrinë e sotme dhe atë të djeshme, një lidhje tunelore e hapur nën dhe e që do të ishte shpëtim ndaj një sulmi nuklear a të llojit tjetër që kërcënonte çdo ditë Shqipërinë e ndritur në Avampostin Jugperëndimor të Adriatikut… Nën dhe qeveria dhe Byroja do të punonin mbroth për Shqipërinë…

Bota, që la pas, pra Kryeministria që është sipër, me këtë krahasim të Kryeministrisë në tunel në rrënjë të Piramidës, i përngjan atij me një enë komunikuese gjigante, një komunikim me popullin e tij, i cili aty sipër shqyen sytë për të bërë “sehir” se si i doli ëndrra Atij që ndodhet poshtë, në tunelin shpëtimtar.

Vetvetiu ai qesh nga një gëzim i tjetërllojshëm. Kjo hyrje do ta nxjerrë atë në themelin e ankthit të Piramidës, ku do të ndjehet tmerrësisht i zbrazët në ekzistencën e tij.

Nga tërë konfliktet e përditshme që atij ia shtojnë jetën, duket sikur ai e humb kontrollin e vetes, por kjo është përkohshmëri.

Ai kujton se ata kanë dalë që të brohorasin shkatërrimin, kur lajmet që i vijnë nga kaçatorët i thonë, se ata, kishin ardhur për të kullotur sytë, në të vërtetë qenë mbledhur “për humbjen e aboneve urbane” dhe të tjerë kishin vrapuar nga gjendja civile ku rrinin në radhë për letërnjoftimet biometrike, se po vjen afrimi për të mërguar, dhe më tej, jashtë këtij vendi, të tjerët: ishin pronarë dhe bijë pronarësh që duke bredhur nëpër gjyqe thonë: “tash po vijmë tek ky Gjygj i mbramë… i Piramidës se po na ikin mendt’ e kresë…”

2. Ëndrra

Ëndrrën ai e kish parë disa herë. Ishte “engjëlli” që i erdh dhe i kish ardhur edhe shumë herë të tjera. Mirëpo, çuditërisht, kish lidhje me Atë, për të cilin ish bërë Piramida. Në natyrën e qenies së tij, dyzohet midis realitetit nën dhe dhe shkatërrimit mbi dhe, një realitet që e ka prodhuar vetëm një urdhër i Tij.

Ai qesh me shpjegimin e absurdit. Duke menduar se ëndrra nëpërmjet engjëllit i pat thënë për të shkatërruar një simbol, për t’u sjellë njerëzve gëzim. Befas, kjo e trazon keqas, pasi duke u tërhequr nëpër tunel, atje ku kish lindur ëndrra, nëpërmjet një shkatërrimi, kish prodhuar një lloj mizorie, po ama një mizori të bukur.

Prandaj e quajti si një kumt, për t’ia shtuar edhe më shumë jetën.

Në këtë Vjeshtë, që është ekujnoks, këtë Ëndërr e nxjerr në anën tjetër, atëherë kur do të ndodhë shpërthimi, në ekujnoksin e Pranverës. Kënaqet që e bën këtë krahasim. Ka dalë në ekuator, të ëndrrës së tij, që iu shfaq në Vjeshtë, ndërkaq rrënimi do të bëhet në të njëjtin rrafsh, po në krahun tjetër, në një ekuilibër, në stinën ambiguide.

Arkitektura e ëndrrës dhe Piramidës përkon bukurisht. Mirëpo, Ai nuk sheh dhe aq mirë në tunel, se është errësirë; po sapo zgjat syrin sipër po edhe aty sërish, ka tym. Një univers labirintesh shqiptare, prej sistemit totalitar deri në Demokracinë totalitare nuk i ndahet që nuk i ndahet. Duke e njohur letërsinë ai ndjen një tmerr, sepse i vjen ndër mend ferri dantesk, në të cilën shqiptarët për fatin e tyre, ishin të lidhur, aq shumë.

Sakaq një fuqi makabër e përfshin dhe ai kërkon që të kthehet në zyrë, por është e pamundur.

Ndjehet që është bashkëfajtor në ngritjen e dikurshme të Piramidës, edhe pse nuk ka qenë as arkitekt, as urbanist, as muzeolog, as poet i oborrit… por vetëm një mjek afër oborrit që ka qarë për vdekjen e diktatorit dhe lotët nuk po i thahen ende. Kjo e tmerron dhe, prandaj, këtu zë udhë edhe interpretimi i ëndrrës dhe pas saj, urdhri për shembjen e Piramidës.

Ai nuk ka pranuar kurrë që ndonjë këshilltar i tij, të merret me interpretimin e ëndrrave, që i ndodhin vetëm Atij.

Ato janë individuale dhe duhen trajtuar si të tilla edhe në interpretim, të shqyrtohen të lidhura me përditshmërinë që ka lidhje në labirinte firmash të errëta në kuti që nuk hapen, sikur të kishin brenda magji, me ankthe, pasthirrma të papunësh, dhe ikja prej tyre të çon në një ëndërr madhore, si kjo e hedhjes në erë të simbolit.

Papritmas i vjen një pyetje, të cilën ëndrra nuk e pat qartësuar: “Kush janë të marrë, Unë, apo ata atje sipër që po shohin tymin dhe fundin e mermerit të fundit…”

3. Përqasje

Ish dhënë një urdhër dikur, që xhenierët të mbushnin themelet e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, me tritol, për ta hedhur në erë, që të prishin trajtën e Bulevardit të Madh, si projekt italian për t’i hapur vend ndërtimit të Muzeut Historik Kombëtar.

Edhe kjo mund të ketë qenë një ëndërr e diktatorit. Është në mëdyshje, të pranojë ose jo, ngjashmërinë e ëndrrës së tij me atë të diktatorit. Po ajo nuk mund të jetë e barabartë me këtë që do të ndodhë.

“Pse vallë nuk i vunë tritol edhe Akademisë së Arteve që është “myqja e Sopatës së Liktorit” po Universitetit që ” ishte fundi i bishtit të kësaj sopate” po stadiumi “që ishte dhe është presa e saj?” – pyet ai, ndërsa ecën nëpër tunelin e nëndheshëm.

4. Projekti i fshehtë…

Askush nuk e dinte se ç’bëhej për këtë spektakël. Vetëm ai e ravijëzonte, hapësirën formën e re të Parlamentit, nënkatet, sipërkatet, parkingjet e nëndheshme, lulishte dhe lidhjet më odat e pritjeve, për dërgatat europiane. Të gjithë të tijtë u habitën, në çast, dhe shikuan njëri-tjetrin, sepse deri në atë kohë, ata e kishin përfytyruar këtë Piramidë, si vend ku do të luhej Hamleti.

U deshën vetëm disa minuta sapo ai e nxori fjalën nga goja, që ata të ngazëlleheshin dhe të kujtoheshin se ishin në dijeni për projektin, të cilin ai e kish diskutuar me ta (!!) që u kish treguar studimet arkitektonike, fortësinë e shtresave gjeologjike, dritëhijet dhe bile-bile ishin organizuar edhe Workshop-e të tejdukshme, me komunitetin dhe grupe të interesit.

Edhe ata e kishin parë ‘Ëndrrën e Prijësit’ të tyre. Këtë ëndërr e kishin parë edhe shumë militantë. Një sugjestion i jashtëzakonshëm që ndodh me njerëzit rrotull tij (Deputetë, ministra, zyrtarë…) të gjithë qengja në grigjën e tij të lumtur.

5. Simboli që pjell simbole

Prej Idoltarisë së këtij njeriu duket bindshëm se si i përndizet një adhurim i skajshëm, dhe një përfytyrim ideor e pamor, që ka të bëjë me një simbol të ri që ngrihet mbi të vjetrin dhe ky është Simboli i tij.

“Ja se si duhet shpjeguar!” – tha ai, duke u kthyer në të njëjtin llagëm tunelor që lidh hyrjen e pasme të Piramidës me Kryeministrinë dhe, pak më tej, tuneli merr një kthesë tjetër, për t’u lidhur me Komitetin Qendror, dhe avash-avash orientimi, të nxjerrë tek shkallët, ku ngjitej dhe ulej Enveri në Byronë Politike.

Kështu lidhej Udhëheqësja totalitare, në tunelet fantazmë të ndërtuar nën Dheun e Tiranës si në një mozaik komunikues për një botë tjetër që do të drejtonte Shqipërinë në raste kataklizmash.

Ai ka një ditar të jashtëzakonshëm të punës së tij të madhe, një ditar on-line me ëndrra të regjistruara deri në You-Tube, Facebook, Twitter, shqyrtime të tijat dhe hamendje, përfytyrime trazirash me opozitën, rrotullime sociale, klasifikime sipas stinëve, këmbime gjymtyrësh nga një parti tek tjetra, ngrirje gjestesh…

Po kjo ishte një Kryeëndërr. Ish një Simbol. Prandaj duhen sulmuar simbolet si një urdhër “kult”, të cilat ai i ka për zemër. Këto ethe, nuk mund t’i shuhen deri sa të vijë ekujnoksi i prishjes së madhe.

Sa ngadalë ecën koha! Pas etheve Ai përfshihet në një epikë të lashtë që i vjen prej vendlindjes.

6. Vijim ëndrre

Ambicia e kahershme e solli sot këtë.
Aty tek tuneli i nëndheshëm, për të depërtuar edhe më thellë, në krijim të psikozës së shkatërrimit, në emër të luftës ndaj komunizmit. Mirëpo, jo rrallë herë, këto impulse dhe dalje nga orbita, të çojnë edhe në projekte të TIJ për hapje tunelesh që shkurtojnë largësitë. A nuk shpalli ai pas ëndrrës së parë, pra asaj, të Piramidës edhe hapjen e tunelit që lidh me Elbasanin?

Ajo ishte një ëndërr tjetër e nëndheshme, që në këtë rast, ndodh të shkojë në udhë të së mirës, sepse lidh gjeo-hapësirat. Mirëpo për Atë nuk ka rëndësi rruga, por Kryefjala…se ishte pikërisht Ai që e ideoi…

Të hapen tenderi!… Të mos digjen kutitë! Të futet tritoli! Të dalë në treg Eurobondi! “I shfaqen si pjesë të lakmisë, e adhurimit që kërkon, hyjnizimit të këtij kalorësi të ëndrrës së pasosur…”

Pas saj, një arsye e epërme që jeton vetëm tek Ai, krijon një perde për sytë e shqiptarëve për të mbuluar … polarizimin shoqëror, korrupsionin, drogën, koncesionet, pronësinë e tjetërsuar, riciklimet habitore të mbetjeve qytetore, humbjen e dinjitetit shqiptar dhe shtrembërim e historisë së tij, diktatit të fqinjit jugor që të nxjerr kockat e ethnisë tënde për të mbjellë shenja të tij… një perde fatale!

Dhe turpet që bëhen për ditë…po dhe fëlliqësitë që s’na u ndanë.

“Jam këtu në Altar!” – thotë Ai, kur ndodhet sërish në atë tunelin e nëndheshëm.
Dhe radhas, në një formacion pambarim, janë vendosur shqiptarët të grishur prej impulsit që ai dha.

Politikanë, shkencëtarë, filozofë, analistë, sociologë, murgj, samarxhinj, kovaçë, çobanë, prostituta, drogmenë, përtypës caracash, ish të burgosur dhe të burgosur të sotëm, në radhë presin të thonë fjalën e tyre në mëngjese opinionesh, në WC, në shëtitore, në pub-e, duke i shmangur dhe harruar hallet e përditshmërisë së tyre.

Thoni atëherë! “Ky që pa një ëndërr dhe hodhi një gurë në pus… ish një budalla …apo gjeni?!”