Kryebashkiaku shkodran, Mark Kakarriqi u helmua në darkën e ftuar nga Jakomoni

0
70

Nga: FATOS VELIU

Kryebashkiaku shkodran, Mark Kakarriqi u helmua në darkën e ftuar nga Jakomoni
(vijon nga numri i kaluar i GSH)

Zoti Guido, folët gjatë nga numri i kaluar për cilësitë e gjyshit tuaj, Mark Kakarriqi, ku ndër të tjera u ndalët te portretizimi i tij i origjinës familjare, personaliteti intelektual si dhe veprimtarinë patriotike, duke filluar që nga kontributi personal i tij në çështjen e pavarësisë krah Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit e deri te kontributi i tij si kryebashkiak i Shkodrës së viteve 1939- 1943, në ndërtimin e qytetit të lindjes.

Pyetja e radhës që unë do të dëshiroja t’ju bëja është se cilat kanë qenë pikëpamjet e tij?
Im gjysh, Mark Kakarriqi kishte pikëpamje demokratike dhe për-krahte punëtorët, ndaj bëri çmos që të formonte sindikatën e tyre, por në kushtet e regjimit nuk ia arriti qëllimit.
Si e nisi ai ndërtimin e fabrikës së birrës në Shkodër, godinat e të cilës janë edhe sot, ku me sa kam marrë vesh, jua ka kthyer Komisioni i Kthimit të Pronave?
Në mars të vitit 1929 ai merret vesh me një firmë të madhe angleze, me të cilën lidh një kontratë, por që për arsye subjektive të paparashikuara në atë kohë nuk u realizua deri në fund. Ajo marrëveshje kishte vendimin dhe investimin për të ndërtuar në Shkodër një fabrikë të madhe birre, 2/3 e prodhimit të së cilës të ishte e destinuar për në Egjipt.
Fabrika do të quhej “Albanian NationalBrewery”, me kapital të autorizuar 800 mijë lira angleze.
Në këtë marrëveshje mendohej ndërkohë ndërtimi i një hekurudhe nga Shkodra për në portin e Shëngjinit.

Dhe si do u operua më tej në atë situatë tepër elektrizuese dhe stresuese ndërkohë, për hapat që hidhnin paraardhësit tuaj?
Ju kuptova qartë. Në zbatim të marrëveshjes dhe iniciativës së re për sipërmarrjen e radhës, vëllai i Mark Kakarriqit, Tushi, dërgohet në Gjermani për të studiuar për kimi industriale. Ndërkohë ata si vëllezër Kakarriqi, Marku, Tushi, Luigji dhe Lini blenë edhe tokën për këtë qëllim.
Juve sot si pinjoll i tyre, ju është kthyer ajo pronë apo ajo fabrikë gjysmë e ndërtuar, ku ndodhet saktësisht në Shkodër?
Ajo tokë e blerë nga paraardhësit e mi, në Shkodër ndodhet pikërisht tek vendi i quajtur ‘fojletat e punëtorëve’, nxorëm lejen e firmosur nga vetë Mbreti Zog.

Përse ngeli në mes ndërtimi i asaj fabrike aq të madhe, e marrë aq seriozisht nga vëllezërit Kakarriqi dhe firma angleze?
Në kohën kur punimet e ndërtimit kishin filluar dhe po përfundonte ndërtimi i katit të dytë, filluan të vinin edhe makineritë e para. Por pikërisht në këto momente ndërhyjnë italianët që kjo veprimtari t’i kalojë një firme italiane, gjë që Mark Kakarriqi nuk e pranonte.

Dhe përfundimi i këtij refuzimi?
Punimet e kryera në ndërtesë u ndërprenë dhe ashtu mbetën deri kur sistemi diktatorial komunist, që e shtetëzoi menjëherë, e përfundoi godinën e nisur duke ia ndërruar destinacionin në fabrikë pijesh alkoolike me teknologji ruse.
Pse Mark Kakarriqi e lidhi në atë kohë marrëveshjen pikërisht me një shoqëri angleze, mund ta dimë?
Përpara se të krijohej Banka e Shqipërisë në vitin 1925, kapitali bankar anglez është përpjekur për ngritjen e një banke anglo-shqiptare. Do vinte qershori i vitit 1931 me iniciativën e Mehmet Konicës, ish-ministër i qeverisë së Zogut dhe kapitalistit Mark Kakarriqi, të nxitur edhe nga kapitali anglez, filloi diskutimi i projektit për ngritjen e një banke anglo-shqiptare, që do të emërtohej “Anglo-Albanien Bank” Ltd.

Çfarë kapitali do të kishte kjo bankë?
Banka do të kishte kapital të autorizuar 2 milionë lira angleze të asaj kohe.

Nga sa më shpjegoni vë re se Kakarriqi ka qenë i mbështetur fuqishëm nga administrata e Zogut. Ka arsye subjektive në këtë mes?
Në periudhën e Zogut, Marku ka qenë i emëruar komisar me funksionin e kryetarit të Dhomës së Tregtisë.

Detyra si kryebashkiak e Mark Kakarriqit korrespondon me periudhën e pushtimit italian të Shqipërisë. Si kanë qenë marrëdhëniet e tij në atë kohë me fashistët?
Me pushtimin italian, zyrtarisht ai nuk ka pasur veprime anti-fashiste. E kundërta ndodhte me palën italiane.

Pse ndodhte e kundërta me italianët?
Fashistët nuk i shihnin me sy të mirë lidhjet e tij të vjetra me anglezët dhe e kuptuan se nuk mund t’i besonin një njeriu të tillë.

Ku spikati kjo dashakeqësi, apo mosbesim i tij tek italianët?
Mbasi sipas të dhënave të familjarëve, ishin pikërisht italianët ata që i morën jetën.

Si ia morën jetën?
Në mëngjesin e 24 qershorit 1942 në Tiranë, të afërmit e tij zbuluan trupin e pajetë të Markut.

Ku kishte vdekur?
Kishte vdekur në shtratin e vet, tek shtëpia e motrës së tij, Matilda Çoba (Kakarriqi).

Ishte helmuar?
Po, ishte helmuar. Një natë më parë ai kishte ngrënë “darkën e helmuar”. Një gjë e tillë kishte ndodhur në një pritje të organizuar në hotel “Dajti” nga autoriteti më i lartë italian në Shqipëri, Françesko Jacomoni.

Pra, e helmuan në mister?
Ata kishin vendosur ta eliminonin në fshehtësi, duke e bërë të dukej si vdekje natyrale, në një kohë që ai nuk kishte vuajtur kurrë nga asnjë sëmundje.

Sa vjeç ishte kur vdiq?
Ishte në moshën 52-vjeçare.

Sigurisht, varrimi iu bë si patriot dhe burrë shteti apo jo?
Varrimi sigurisht iu bë në Shkodrën e tij, për të cilën bëri shumë. Ceremonia ishte në mënyrën më madhështore të mundshme. Për atë ceremoni ekzistojnë disa fotografi të posaçme, të cilat po ia vë në dispozicion lexuesit.

Po qeveria komuniste që erdhi në pushtet pak pas vdekjes së tij, çfarë qëndrimi ka mbajtur për figurën e Mark Kakarriqit?
Këtu vërtet kemi të bëjmë me një çudi dhe çudia ndodhi pikërisht pas afro 4 vitesh, kur qeveria komuniste që s’kishte as dy vjet e ardhur në pushtet dhe pikërisht më 10.09.1946, do ta dënonte Mark Kakarriqin me dënim kapital pas vdekjes.

Çfarë vendimi ka qenë ky që ka dënuar Mark Kakarriqin pas vdekjes?
Ka qenë vendimi nr.6 datë 10.09.1946.

Me çfarë akuze?
Për akuzën e bashkëpunimit me fashistet. Pra, kupto këtu se çfarë ndodh. Nga njëra anë ai helmohet nga italianët se nuk pranonte bashkëpunim me firmat dhe bankat italiane, sepse ishte lidhur me ato angleze, nga ana tjetër komunistët e konsiderojnë bashkëpunëtor të italianëve.

Pra, do të konsideroheshit heretik për sistemin e ri politik që u instalua në Shqipëri?
Kjo damkë do t’i shoqëronte nga pas familjarët e tij, të cilët do të persekutoheshin në të gjitha drejtimet.

Pse i ndodhi kjo këtij, që me sa kuptoj ka formatin dhe përmasat e plota të një personaliteti? Ka pasur gjatë kohës që kryente detyrën konfrontime me njësitet guerile apo celulat komuniste të krijuara në ato vite në Shkodër?
Shtojmë se me komunistët ai nuk kishte pasuar asnjë moment konfrontimi si në postin e kryetarit të bashkisë, ashtu dhe më përpara.

Me sa më ke folur në fillim të kësaj interviste, Mark Kakarriqi ka pasur një problem me komunistët e Rusisë në vitet e revolucionit. Si është e vërteta?
Ditët e revolucionit të vitit 1917 në Rusi e gjejnë Markun në një anije me mallra tregtie si grurë dhe shumë materiale të tjera të nevojshme, ku kishte mbërritur në portin e Odeses si dhe në San Petërburg. Atje arrestohet si antikomunist dhe lirohet pas pak ditësh.

Si lirohet?
U lirua mbasi për të doli garant gruaja e ministrit të Brendshëm rus të asaj kohe, me të cilin, ai kishte pasur njohje nga jeta mondane në Vjenë.

Ishte në dijeni familja në Shkodër të asaj që i ndodhte me komunistët e Leninit në Rusi?
Nga familjarët tregohet se atë kohë kur nuk dihej gjë për ekzistencën apo jo të tij në Rusi, në oborrin e Kishës së Madhe në Shkodër, çdo natë u zhvillonte një “procesion” rreth saj për të lutur Zotin që Marku të ishte gjallë.
Me lekët e mallit që kishte, në Rusi bleu pikërisht pikturën “Çifuti shëtitës” të Rembrandt-it.

Kam dëgjuar edhe më parë të flitet me mburrje për shpirtin artistik të kryebashkiakut Kakarriqi. Sa qëndron ky fakt?
Lidhur me shpirtin artistik të tij, thuhet se gjatë kohës kur ai ishte kryetar bashkie, me shpenzimet e tija personale, ai arriti që të sillte në Shkodër një trupë të njohur të operas “Scala” të Milanos, duke bërë të mundur që nga oborri i shtëpisë së tij, shkodranët të ndiqnin një shfaqje që nuk do ta harronin për vite me radhë. Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Moikom Zeqo, në shkrimin e tij lidhur me Mark Kakarriqin është shprehur:
Dëgjova se ai ka qenë një koleksionist i fandaksur i veprave të artit. Si ai nuk kemi pasur kurrë në Shqipëri. Krijova një ide më tepër përrallore se sa të vërtetë për Mark Kakarriqin. Doja të shkruaja edhe për një pasion delikat për të kultivuar lulet, për t’i bërë sfidë botanikës dhe nëpërmjet shartimeve, ai kishte arritur të krijonte trëndafila blu, madje dhe trëndafila të zinj. Në qendër të hyrjes së shtëpisë ishte një kryevepër arti skulpture e Antonio Veneras, i cili ishte një nga emrat e mëdhenj dhe të ndritur skulpturor në Europë në vitet 1757-1822. Balzaku në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” përshkruan mrekullisht një Venere të Canovas.

FABRIKA E BIRRËS SË SHKODRËS
MARRËVESHJA
Në mars të vitit 1929 ai merret vesh me një firmë të madhe angleze, me të cilën lidh një kontratë, por që për arsye subjektive të paparashikuara në atë kohë nuk u realizua deri në fund. Ajo marrëveshje kishte vendimin dhe investimin për të ndërtuar në Shkodër një fabrikë të madhe birre, 2/3 e prodhimit të së cilës të ishte e destinuar për në Egjipt.
Fabrika do të quhej “Albanian NationalBrewery” me kapital të autorizuar 800 mijë lira angleze.
Në këtë marrëveshje mendohej ndërkohë ndërtimi i një hekurudhe nga Shkodra për në portin e Shëngjinit.

VENDNDODHJA
Ajo tokë e blerë nga paraardhësit e mi në Shkodër ndodhet pikërisht tek vendi i quajtur fojletat e punëtorëve, nxorëm lejen të firmosur nga vetë Mbreti Zog.

PLANGPRISHJA
Në kohën kur punimet e ndërtimit kishin filluar dhe po përfundonte ndërtimi i katit të dytë, filluan të vinin edhe makineritë e para. Por pikërisht në këto momente ndërhyjnë italianet që kjo veprimtari t’i kalojë një firme italiane, gjë që Mark Kakarriqi nuk e pranonte.

“New York Times”, Jehonë familjes Shkodrane Kakarriqi
Mark Kakarriqi, koleksionist i veprave të artit

Mark Kakarriqi ka mbetur në histori si pronar i një vepre të mundshme të piktorit holandez me famë botërore Rembrand, për të cilin shkroi gazetari i famshëm amerikan Sulz Berger, në gazetën “New York Times”, i cili në atë kohë udhëtoi drejt Shkodrës.

I dërguari rus i Stalinit, Ilia Ehrenburgu, gjithashtu për atë pikturë është shprehur:
“Kjo pikturë kryevepër ishte e ekspozuar në shtëpinë e Kakarriqëve në lagjen ‘Sarreq’ të Shkodrës, e cila më vonë, në kohën e regjimit komunist iu mor të zotëve me dhunë, duke e kthyer në shtëpi pionieri. Drejtuesit komunistë të asaj kohe nuk lanë gjë pa grabitur e vjedhur nga koleksionet e pikturave, një koleksion të vërtetë armësh prej sermi, të përdorura që në periudhën e principatës së Skënderbeut. Me një fjalë, u shkatërrua një muze arti i klasit të parë, që do ta nderonte si asnjë muze tjetër Shqipërinë. Korrespondenti i “New Yourk Times” në Paris, C. Sulzberger, përshkruan dhe një darkë në shtëpinë e Kakarriqëve në Shkodër, ku Marku ishte djali i madh në 7 fëmijëve të Kol Kakarriqit.

Amerikani shkruan për këtë shtëpi, e cila nga brenda të mahniste me luksin e saj, me kolltukët, karriget e larta dhe tapetet afgane si dhe rreth 16 piktura, vepra arti të njohura, të ekspozuara në dhomën e madhe me oxhak, ku kishte dhe koleksione të rralla japoneze e kineze. I zoti i shtëpisë – thotë ai – paraqitet një xhentëlmen i vjetër, i cili ka studiuar në Europë dhe u shtron miqve gjellë europiane të shijshme, dhe në përfundim të darkës u tregon atyre pikturën, që për habinë e gazetarit ishte një Rembrandt (Çifuti shëtitës).

KUSH ËSHTË MARK KAKARRIQI
PORTRETI

* – Mark Kakarriqi lindi në Shkodër në qershor të vitit 1890. Origjina e familjes së tij ka qenë me tradita tregtare. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindjen e tij në qytetin e Shkodrës, ndërsa të mesmen e kreu në një shkollë françeskane në Stamboll. Arsimin e lartë e kreu për ekonomi në Londër të Anglisë.
* – Ai ishte poliglot dhe zotëronte shkëlqyeshëm, disa gjuhë të huaja si anglishten, frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe turqishten, gjithashtu komunikonte në gjuhën serbo-kroate.

PATRIOTIZMI
” – Mark Kakarriqi kishte lidhje të forta me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Buletinin etj. Për këtë flet dhe fotoja origjinale e shumënjohur e pavarësisë
* – Në Komitetin e Podgoricës të formuar në 23 mars 1911 gjatë kryengritjeve anti-osmane të Malësisë së Madhe, që drejtohej nga Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi, Mark Kakarriqi ka qenë pikërisht sekretar i tij dhe për shkak të gjuhëve të huaja që njihte, kryesisht anglishtes, ai ishte dhe zëdhënës atij komiteti.
* – Gjithashtu ai ka qenë pjesëmarrës tepër aktiv në Kongresin Shqiptar të Triestes, i zhvilluar nga 1 deri në 4 mars 1913.
* – Mark Kakarriqi merr pjesë aktive në momentet e shpalljes së pavarësisë dhe në prillin e vitit 1913 ai spikat në krah të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit, ku sponsorizoi dhe përcolli delegacionin e Qeverisë se Përkohshme të Vlorës në udhëtimin për në Konferencën e Londrës në përpjekjet për të krijuar Shtetin Shqiptar.
* – Ai ka qenë dhe anëtar i Komitetit të Pleqve, për të përpiluar dhe mbrojtur tezat e çështjes kombëtare të paraqitura në Konferencën e Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër, ku po merrej me shqyrtimin e kufijve të Shqipërisë. Ai komitet përbëhej nga Stefë Curani, Fan Noli, Mark Kakarriqi, Zef Skiroi e Filip Kraja. Gazeta “Il Piccolo”, e Triestes më datën 19 nëntor 1912, “Il Piccolo” citojmë: “… dje në mëngjes mbërrin në qytetin tonë me trenin direkt nga Vjena kryetari i Partisë së Pavarur Shqiptare, Ismail Qemal Bej Vlora. Bashkë me të, edhe 14 bujarë shqiptarë. Ai u prit në stacion nga kreu i ri shqiptar, Mark Kakarriqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe bujarët e kolonisë. Ismail Qemal Beu qëndroi në “Excelsior Palace Hotel” për disa orë dhe u nis në orën 2 pasdite me vaporin “Brunn” për në Shqipëri… “.

KRYETAR BASHKIE
*- Duke pasur parasysh pozicionin e tij si kryetar i Dhomës së Tregtisë, që mbante në kohën e Zogut si dhe duke qenë pinjolli i një familjeje shumë të vjetër dhe të madhe në Shkodër, mbas Ndoc Çobës, ai emërohet kryetar i Bashkisë Shkodër.

Gjatë periudhës 1900 – 1912 Shkodra numëronte 40 mijë banorë dhe kishte 2000 dyqane. Në funksion të kësaj ideje ai urdhëroi hapjen e rrugës se re nga teatri “Migjeni” deri tek Ura e Thive, duke shkatërruar ndërkohë ndarjen që ekzistonte ndërmjet pjesës katolike dhe asaj myslimane të popullsisë së qytetit.
Për të shtuar gjelbërimin e qytetit, ai mbolli pemë bliri në bulevardin Bashki-Prefekturë të Shkodrës, të cilat e zbukurojnë dhe sot e kësaj dite këtë bulevard, i kthyer në bulevardin kryesor të Shkodrës.

Moikom Zeqo:
Si Kakarriqi s’kemi pasur kurrë në Shqipëri
Zeqo: Dëgjova se ai ka qenë një koleksionist i fandaksur i veprave të artit. Si ai nuk kemi pasur kurrë në Shqipëri. Krijova një ide më tepër përrallore se sa të vërtetë për Mark Kakarriqin. Doja të shkruaja edhe për një pasion delikat për të kultivuar lulet, për t’i bërë sfidë botanikës dhe nëpërmjet shartimeve ai kishte arritur të krijonte trëndafila blu, madje dhe trëndafila të zinj. Në qendër të hyrjes së shtëpisë ishte një kryevepër arti skulpture e Antonio Veneras, i cili ishte një nga emrat e mëdhenj dhe të ndritur skulpturor në Europë në vitet 1757- 1822. Balzaku në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e kurtizaneve” përshkruan mrekullisht një Venere të Canovas.

Kakarriqi helmohet në darkën e Jakomonit
Në mëngjesin e 24 qershorit 1942 në Tiranë, të afërmit e Mark Kakarriqit zbuluan trupin e pajetë të Markut.
Kishte vdekur në shtratin e vet, tek shtëpia e motrës së tij, Matilda Çoba (Kakarriqi).
Ishte helmuar. Një natë më parë ai kishte ngrënë “darkën e helmuar”. Një gjë e tillë kishte ndodhur në një pritje të organizuar në hotel “Dajti” nga autoriteti më i lartë italian në Shqipëri, Françesko Jacomoni.
Ata kishin vendosur ta eliminonin në fshehtësi, duke e bërë të dukej si vdekje natyrale, në një kohë që ai nuk kishte vuajtur kurrë nga asnjë sëmundje.
Ishte në moshën 52-vjeçare.
Varrimi sigurisht iu bë në Shkodrën e tij, për të cilën bëri shumë. Ceremonia ishte në mënyrën më madhështore të mundshme.
Për atë ceremoni ekzistojnë disa fotografi të posaçme, të cilat po ia vë në dispozicion lexuesit.

DËNOHET PAS VDEKJES NGA KOMUNISTËT
Pikërisht pas afro 4 vitesh, qeveria komuniste që s’kishte as dy vjet e ardhur në pushtet dhe pikërisht më 10.09.1946, me vendimin gjyqësor nr/6 të asaj dite, me akuzën e bashkëpunimit me fashistët do ta dënonte Mark Kakarriqin me dënim kapital pas vdekjes.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)