Nga: ALFRED CAKO
Kronika e një vdekje të paralajmëruar dhe profecia e Erjon BraçesKëto ditë morëm vesh se Ministria e Financave ka publikuar emrat e 202 personave nga ish-të përndjekurit politikë, të cilët do të marrin këstin e quajtur të dytë, sipas një pagese brenda disa këstesh të shpërndara ligjërisht pa rregull e pa përcaktim kohor. Natyrisht që ky ligj është bërë me shumë djallëzi nga qeveria e z.Berisha. Pse e themi këtë?
Dihet se ligji aktual në fuqi për dëmshpërblimin e ish-të burgosurve politikë u bë në prag të fushatës së vitit 2009. Qeveria e z.Berisha e riardhur në pushtet më 2005 edhe me votat e gjera të kësaj shtrese, kishte mundësi të plota ta fillonte shlyerjen e saj, ku kishte shumë anëtarë me moshë të thyer, qysh në gjysmën e dytë të këtij viti dhe jo para fushatës së mandatit të dytë të saj. Gjithashtu, sorollatjet e këtyre njerëzve nëpër dyert e dy ministrive të këpusin shpirtin. Qeveria, e cila i ka të gjitha procesverbalet e dënimit të tyre, s’kishte përse të sillej me ta si Qeveria greke me shqiptarët e Greqisë në lidhje me pronat e tyre, pas Luftërave Ballkanike, ku gjoja kjo qeveri ngriti një komision, i cili s’funksiononte kurrë. Dihet se Qeveria shqiptare ka arkëtuar në këto vjet rreth 28% të GDP së saj, që është afro $14 miliardë dhe me gjithë të ardhurat e tjera dhe financimin e buxhetit me borxh publik shpenzimet e saj në këto vjet kanë qenë mbi $3,5 miliardë në vit.
Identifikimi ligjor i një detyrimi prej afro $430 milionë ndaj kësaj shtrese, po të shpërndahej mirë në këto tetë vjet të qeverisjes së PD, do të thoshte rreth $53 milionë pagesa në vit ose një zbritje prej rreth 7% e investimeve publike (ose më mirë të themi 7% më pak abuzime me fondin e investimeve publike prej zyrtarëve të afërt të z.Berisha). T’u thuash shqiptarëve me djallëzi se kjo shtresë po kërkon të ndalë investimet është e pavërtetë. Por dihet se pushtetarët i kanë shumë qejf investimet publike, për shkak se një pjesë dyshifrore e këtyre investimeve kalon në xhepat e tyre të pistë. Por siç e thamë, stafi djallëzor që drejton punën e financave te qeveria blu e mendoi mirë këtë punë që t’ia hidhte pa lagur. Njerëz të tillë si Berisha, Bylykbashi, Ruli, Rusmali, Bode, Milo etj., të cilët s’kanë të bëjnë aspak me këtë shtresë, projektuan këtë ligj flluskë. Sfidën me këtë shtresë ata e kalkuluan sa me tinëzi, aq edhe me mendjelehtësi.
Themi me tinëzi, pasi gjithë mandatin e parë z.Berisha nuk u dha asnjë kacidhe në 3 vjetët e parë. Pasi hartoi ligjin në vitin e fundit të mandatit të parë, ai iu dha një këst para fushatës për t’u marrë përsëri votën. Po të shihet ligji, ai është jo i mirëpërcaktuar me detaje mbi numrin e kësteve të shlyerjes së faturës, vlerën totale të këtyre kësteve dhe afatet kohore të shlyerjeve të tyre. Kështu, aty thuhet vetëm se fatura totale do të shlyhet deri në vitin 2017, me mendimin tinzar për t’ia kaluar këtë faturë si derrin maç qeverisë që do të vijë pas vitit 2013, e cila mund të jetë sipas tyre, një qeveri që mund ta anulojë ose të mos e zbatojë këtë ligj dhe kështu ish-të persekutuarit të ngelen me gisht në gojë deri sa të ikin të gjithë pak nga pak nga kjo botë.
Natyrisht që këto analiza ishin kalkuluar gabimisht në vitin 2009 nga dy partitë që lindën si bija të PPSH, disa vjet para se të themelohej një parti që është shumë afër kërkesave të tyre si FRD. Themi se sfida me ish-të burgosurit politikë u llogarit me mendjelehtësi nga ana e PD, pasi ata nuk e menduan se kjo shtresë ruante ende aftësi organizative, vitalitet për rezistencë dhe aftësi për të fituar vëmendjen e simpatinë e publikut. Z.Berisha nuk e kishte llogaritur se me këta njerëz do t’i haste sharra në gozhdë dhe se këta do t’i jepnin një leksion se çdo të thotë luftë për të mbrojtur dinjitetin e shtresës, se çdo të thotë shtet ligjor dhe seriozitet i institucioneve.
Në përgjithësi partitë politike shqiptare shquhen për margjinalizimin e shtresave shoqërore nëpërmjet premtimeve pa kufi elektorale (a ju kujtohet premtimi i F.Nanos në Vlorë si lider i PS se do të shlyente faturën 1 miliard dollarëshe të pareve të humbura në skemat piramidale?), por kur abuzon edhe qeveria me shtresa të përcaktuara ndaj të cilave ka detyrime ligjore me efekte financiare, kjo do të thotë se ne ende nuk i kemi ngulitur mirë në vetëdijen kombëtare aftësitë shtetformuese. Manipulime të tilla të paturpshme alla berishiane nuk ndodhnin as me shtetin komunist të E.Hoxhës. Nuk ka krim më të madh sesa manipulimi që arin të bëjë një udhëheqës duke korruptuar zakonet e një kombi, kur ai degradon edhe shpirtrat më bujarë të qytetarëve të vet dhe shuan shkëlqimin e dinjitetit të tyre, pasi u errëson më parë virtytin dhe në vend të nderit sjell neveritjen e shumicës ndaj tij.
Qeveria dhe z.Berisha u përpoqën pa sukses të manipulonin opinionin publik kundër këtyre njerëzve stoikë, që s’u ishte dridhur qerpiku as nga bajonetat e policëve e ushtarëve të E.Hoxhës nën diktaturë. Propaganda mediatike e stërfuqishme pro qeverisë çfarë nuk shpiku për ta?! I quajti milionerë që manipulonin si të varfër, i quajti trafikantë, mashtrues të rëndomtë, kodoshë prostitucioni, një grup njerëzish me qëllime politike e të sponsorizuar e të shitur te lideri i opozitës së majtë.
Madje heroin Lirak Bejko makina vrastare propagandistike e ofendoi edhe të vdekur, duke e quajtur një të “depresuar të cilin e shfrytëzoi kryesocialisti” për përfitime elektorale. Përveç makinerisë bedele vrastare mediatike pro berishiane, në këtë pështymnajë kolektive të orkestruar nga Kryeministri, ndaj këtij grupi vetëmohuesish që kishin dalë në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe në mbrojtje të zbatimit të kontratës që shteti si subjekt juridik kishte bërë me ta, u përfshinë si në një maskaradë arlekinësh të jashtëzakonshme, hapur ose fshehur, institucione si Presidenti, ish-të persekutuar si A.Kasoruho dhe mbi të gjitha ra në sy heshtja dhe shterpësia e veprimeve të liderëve të partive historike apo të ‘djathta e konservatore’ nga e cila ka dalë në përgjithësi kjo shtresë historike e martirizuar, Balli, Legaliteti dhe ‘partia e pronarëve’, PR.
Po kështu ata deputetë dhe drejtues të paktë me origjinë nga kjo shtresë e treguan veten se nuk ishin hiçgjëkafshë, përveç se ca eunukë mjeranë para liderit të tyre ish-komunist. Ku u fshehën dhe s’u prononcuan ato ditë të zjarrta politikanë si J.Topalli, E.Alibeaj, A.Bumçi, A.Bylykbashi, Nj.Kosovrasti, B.Kadilli etj? Ku u fshehën A.Alimadhi, A.Roshi, E.Spahia apo edhe F.Mediu?! Si u fshehën të gjithë këta arrivistë poshtë pantallonave të S.Berishës, duke skërmitur ca kocka të vogla që ai ju kishte hedhur prej kohësh me synim për t’u mbyllur gojën? Si flinte i qetë ato ditë Presidenti Nishani, garanti i shtetit ligjor dhe njeriu që qëndron mbi palët, kur këta njerëz vetësakrifikoheshin në emër të ligjit dhe dinjitetit të shtresës së tyre, pa mbështetjen e të cilëve ai edhe sot nuk do të ishte në karrigen e kreut të shtetit?
Si guxonin disa nga punonjësit e tij sharlatanë t’i quanin lart e poshtë publikisht këta heronj – që mbronin me shumë vonesë në kohë dinjitetin e shtresës së tyre- se ata po sakrifikoheshin për një grusht pare? 30 ditët e vetëmartirizimit të këtyre heronjve (në një shesh që meriton të quhet “Sheshi i Lirisë” dhe ku padyshim duhet të ngrihet një obelisk), do të kthehen në Vaterlonë e së ‘djathtës’ së këtyre 22 vjetëve në Shqipëri. Ato ditë kur e djathta u bë shurdhe ndaj tyre – prej këmbënguljes kokëfortë, ndaj një grushti miell që S.Tufa i hodhi si për ta shkundur Kryeministrin tonë – ajo bëri harakiri dhe sigurisht që do ta ketë të vështirë mbijetesën në poltronën e fitimtarit në përballjen e radhës elektorale. Vdekja e paralajmëruar e Lirakut dhe vuajtjet e grevistëve ishin të panevojshme, nëse qeveria do të negocionte dhe do të kalonte këstin e dytë para kësaj greve.
Për ta mbyllur, do tregoj një ‘profeci’ të deputetit Erion Braçe në vitin 2002 në Kuvendin e Shqipërisë, kur aty diskutohej P/Ligji Arbnori mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve. Dihet se PS, si vazhduesja e persekutores së tyre PPSH-së, nuk ka pasur dhe sigurisht nuk do të ketë ndonjë ndjesi programore ndaj kësaj shtrese, e cila ka nevojë për drejtësi, për t’u paqtuar gjithë shoqëria shqiptare, e cila ndodhet në një krizë vlerash. Të ushqesh iluzione se kjo shtresë do të përkrahet për t’u integruar nga E.K.Rama dhe fëmijët e ish-bllokmenëve të gjendur me shumicë në këtë parti, është sikur të besosh se minarja mund të futet në thes. Prandaj ish-të burgosurit atë pranverë dhe vjeshtë të vitit 2002 filluan të demonstronin forcë reaguese.
Kur ish-kryetari i opozitës së djathtë të asaj kohe, që sot është Kryeministër doli e foli me patos në tribunë kundër kriminelëve të PS që s’kishin mëshirë ndaj “kësaj shtresë fisnike”, E.Braçe e irritoi z.Berisha duke i thënë pak a shumë këto fjalë orakulli ogurzi: “O aktor! Leri këto lot krokodili për të persekutuarit, o komunist! Ti i ke rrahur ish-të burgosurit dhe ish-pronarët në derën e kishës dhe të xhamisë dhe t’i prapë ke për t’i rrahur dhe për t’i vrarë po erdhe në pushtet!”. Gjatë gjithë ditëve të vuajtjeve të grevës së tyre politike (a më thotë ndonjëri se greva nuk është politike?), mua më kujtoheshin këto fjalë, që atëherë nuk më dukeshin të pavenda.
Së fundi, përse e quajta grevën e tyre politike? Sepse çdo lëvizje që kërkon të imponojë vullnet ligjor me impakt ekonomik në të ardhurat publike nuk është tjetër veçse një lëvizje politike. Por kjo nuk ishte një grevë politike sipas akuzave pëdëisto-rëdëiste dhe sipas interesave të socialistëve, të cilët, e përsëris, nuk kanë asnjë ndjeshmëri ndaj kësaj shtrese dhe ata përsëri janë të gatshëm t’u tregojnë ish-të burgosurve, më keq se Berisha sot, shkopinjtë e gomës. Ndërsa z.Berisha u përpoq ta tregonte veten gjoja një burrë shteti (ndoshta as Arvizuja nuk e ka shumë të qartë këtë nocion sipas përcaktimeve teknike të bëra te libri ikonë “Mbi Luftën” të Klausevicit) duke kopjuar në sjellje një zonjë “burrë shteti” si Margarita Theçerin (kjo e tregoi veten superiore edhe në paqe edhe në luftën për ishujt Malvine me Argjentinën) kur ajo rezistonte ndaj vetësakrifikimeve të trediunionistëve britanikë në grevat e tyre të gjata, ai nuk e kupton se konservatorja Theçer nuk priste degën e pushtetit të vet ku kishte hipur, pasi punëtorët britanikë të minierave nuk votonin për konservatorët, por për laburistët. Berisha nuk bëri gjë tjetër me sjelljen e tij, veçse preu degën e pushtetit ku kishte hipur dhe me një kokëfortësi e qasje amatori u hoqi partive të sotme qeverisëse rreth 200 mijë vota.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)